04/12/2024

PËRGJAKJA E HERONJËVE NË MËRGATË

0
u6_Gervalla

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Në 38 vjtorin e rënies, në krye të detyrës, për realizimin e aspiratave shekullore të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, trinomi i heronjëve: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, sot përkujtojmë, me respekt e nderim të skajshëm, veprën madhore atdhetare të tyre. Ata ishin dhe mbeten lajmëtarë të lirisë, luftëtarë me fjalë dhe pendë, me një veprimtari që nismon në Kosovë dhe vazhdon në Mërgatë.

Veprimtaria atdhetare e tyre lëndëzohet me organizimin e takimeve me emigracionin shqiptar, me botimin e gazetave dhe broshurave, duke arritur deri në organizimin e protestave, demonstrimeve, kundër politikës diskriminuese dhe shtypëse të shqiptarëve, në trojet e tyre lindake në Jugosllavi.

Përvijojmë profilin jetësor të tre heronjëve të lirisë:

1) Jusuf Gërvalla u lind më 1945, në Dubovik të Deçanit. Shkollën fillore e mbaroi në Prapaçan. Familja migrojnë në Slloveni, Jusufi mbetët ke daja në Pejë, për ta vazhduar Gjimnazin, i cili ishte më i madhi me numrin e nxënësve në Jugosllavi. Aty shquheshin Ibrahim Rugova për lexime në gjuhë të huaja dhe Jusuf Gërvalla në artet e bukura. Ata ishin shokë dhe pjesë e grupit letrar të Gjimnazit.

Ndarjen me familjen dhe braktisjen e vendlindjes, Jusufi e shprehë në poezinë e tij:

E kam braktisë vendlindjen

E kam braktisë shtëpinë

Shkrepave tuaja të larta

Peng ua lashë fëmijërinë…

Vazhdon studimet në Prishtinë, por, punon edhe në Teatër.

Një shfaqje e dhënë në burgun e Nishit, me dramën “Duke pritur Godonë”, lënë një letër për burgaxhinjtë politikë shqiptarë: “Mbahuni, e mos u mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona. Liria po vjen.” Letra zbulohet nga policia, Jusufi largohet nga puna. Më 1971 punësohet përkthyes në “Flaka e Vëllazërimit në Shkup. Nga viti 1973-78, punon në “Rilindje”. Si këngëtar në Estradën e Kosovës inçizon 200 këngë. Shquhet me baladën për studentin e vetëkallur Jan Pallahu, në sheshin e Pragës, në shenjë revolte kundër pushtimit sovjetik.

Ndërkohë, vëllai i madh, Hyseni arrestohet. Jusufi i përndjekur kalon kufirin slloven, përmes tunelit të Goricës, në Austri, me ndihmën e Bardhit. Dhe, prej andej, në Gjermani. Më 17 janar 1980 i bashkohet familja, Syzana me fëmijtë Premtonin, Donikën, Ergonin.

2) Kadri Zeka u lind më 1953 në Poliçkë të Dardanës. Shkollën fillore e mbaroi në Desivojcë, ndërsa të mesmen Gjilan. Më 1968 Familja Zeka shpërngulet në Gjilan. Punon mësues në Gmicë të Dardanës. Regjistrohet në Fakultetin Juridik, dega e Gazetarisë. Punësohet gazetar në Radio Prishtina. Në vitin 1973 është pjesë e “Grupit Revolucionar”, në një celulë me Rexhep Malën, Hilmi Ramadanin, Hydajet Hysenin. Veprojnë me grisje flamujsh, shkruarje dhe shpërndarje të trakteve. Arrestohet e burgoset e dënohet më 1974-75. Kooptohet në Komitetin Drejtues të Organizatës.

Në mars të vitit 1978 hetohet veprimtaria e sërishme ilegale e Kadriut. Shkon në Turqi për disa javë, por, kthehet përsëri në Kosovë. Pastaj shkon në Zvicër, vendoset në Saint Gallen, ku ndihmohet nga anëtarët e Organizatës Hasan Mala, Kadri Abdullahu e tjerë. Atje aktivkizohet, duke vënë kontakte me organizatat e shqiptarëve në Zvicër e Gjermani si dhe përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë.

Pengu ynë i madh është largimi i Kadriut kësaj bote, pa lënë trashëgimtarë, të cilët do të ishin ngushëllimi jonë i përhershëm.

3) Bardhosh Gërvalla u lind më 1951, në Dubovik të Deçanit. Migroi në Slloveni, me familjen dhe atje mbaroi filloren dhe të mesmen në gjuhën sllovene. Në Kosovë studjoi gjuhën angleze. Bardhoshi këndoi dhe komponoi këngë, së bashku me Jusufin. Më 1974 shkoi në Gjermani, punoi nëpunës social në Ludwigsburg, afër Stuttgardit. Kontaktet me emigracionin i kishte të çdoditshme dhe ai u jipte ndihmën e nëvojshme ligjore.

Kur në vjeshtën e vitit 1979 Jusufi doli në Gjermani, gjeti mjedis të përshtatshëm, qoftë për njohjen me shqiptarët, qoftë me bazën teknike, të siguruar nga Bardhi, për aktivitet politik.

Pa Bardhoshin, Jusuf Gërvalla nuk do ta arrinte lavdinë e sotme. Por, personaliteti i papërsëritshëm i Jusufit, e ka lënë Bardhin nën hijen e tij. Kështu ka ndodhur me vëllezërit Jashari, por, me qëllime krejt të ndryshme. Profiterët hileqarë, me ndarjen artificiale të Ademit nga Hamza, donin të arrinin një qëllim të dytë, djallëzor, por, dështuan turpshëm. Kundërvënia e dikujt tjetër, nuk u arrit, pasi respektimi i rolit, i hierarkisë, ishte i patejkalueshëm.

Është fajësi, madje, krim i madh ndarja e vëllezërve, krejt të barasvlershëm. Asnjë pushkë më shumë, asnjë plumb më shumë, nuk ka hedhur Ademi, në raport me Hamzën. Andaj, as në emërtimet e rrugëve, të institucioneve, ngritje të shtatoreve, dy vëllezërit bashkë-luftëtarë, nuk duhet të ndahen. Është e habitshme, pse heshtë Familja Jashari, ndaj kësaj maskarade të pushtetarëve batakçinj e horrakë?!

Për Jusuf Gërvallën koha ishte vlerë dhe ai e shfrytëzoi atë maksimalisht. Informacioni që mori nga Bardhi, ishte shqetësues. Klube dhe shoqata, që vepronin ndaras, pa ndonjë platformë. Jusufi hodhi idenë e bashkimit të tyre, me një platformë kombëtare. Qëllimi ishte, për ta përçuar frymën e qendresës në popull dhe ndjenjën e jetës të dinjitetshme, si premisë përgaditore për ballafaqime politike dhe rezistencë të organizuar, me pushtuesin serbo-sllavë.

Jusuf Gërvalla filloi botimin e gazetave, fillimisht, “Lajmëtari i Lirisë” dhe më vonë, “Zëri i Kosovës”, si dhe bashkëpunoi me gazetat “Liria dhe Bashkimi”. Publicistika politike e tij u përqendrua në sensibilizimin e çështjes shqiptare në Kosovë dhe barazinë shoqërore e politike të shqiptarëve, me popujtë e tjerë në Jugosllavi. Në faqosjen ballore të “Zërit të Kosovës”, vuri citatin përkushtues lapidar: “Në ballë të këtij populli dhe tek këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën”.

Jusuf Gërvalla ishte një artist i kompletuar: poet, prozator, dramaturg, piktor, publicist, kritik letrar, përkthyes, muzikant, kompozitor, instrumentist, këngëtar i muzikës së lehtë moderne. Krijimtarinë letrare të tij e mblodhi, e përgaditi për botim Familja Gërvalla, në bashkëpunim me njeriun e letrave, studjuesin e dorës së parë, akademik Sabri Hamitin, me titull: “Jusuf Gërvalla: Vepra letrare”.

Në Zvicër Kadri Zeka botoi gazetën “Liria”, përmbledhjen poetike “Këngët e lirisë”, broshurën me artikuj “Rreth ngjarjeve në Kosovë”, komentimin kundërshtues të studimit të Vasa Çubrilloviqit “Shpërngulja e Shqiptarëve”, e tjera. Ndihmoi në hartimin dhe shpërndarjen  e “Tezave rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Me përkujdesjen e tij, mijëra ekzemplarë u futën dhe u shpërndanë në Kosovë.

Kadri Zeka dhe Vëllezërit Gërvalla nuhatën veprimtarinë përçarëse të pushtuesit jugosllav, përmes argatëve të tyre shqipfolës, në Mërgatën shqiptare. Andaj, pavarësisht nga kundërthëniet ideologjike, kauzën e lirisë e kishin të përbashkët dhe vendosen bashkëpunimin. Vepruan së bashku për një vit radhazi, edhe pse përgjimi e pengesat ishin të shumëta.

Bardhi ishte njohës i disa gjuhëve të huaja. Ai i mundësoi Jusufit kontaktet me palën gjermane dhe diplomatë evropianë. Ishte i shkathtë në veprime, i pajisur me kulturë perëndimore, ishte edhe i guximshëm. Këtë e dëshmoi edhe në një icident fizik me konsujtë jugollavë, kur u zunë në flagrancë, duke i fotografuar shqiptarët në një demonstratë, të organizuar kundra pushtuesit jugosllav.

Bardhi shquhej për urti e modesti, komunikues i përzemërt me të gjithë. Ishte humanist, mikpritës e fisnik tradicional, në pritje e strehim të mërgimtarëve shqiptarë, madje, duke ndihmuar edhe punësimin e tyre. Bardhi ka tre fëmijë, i fundmi u lind pas shuarjes së tij dhe trashëgoi emrin e babait.

Për trinomin e heronjëve të lirisë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zreka dhe Bardhosh Gërvalla, liria e shqiptarëve të Kosovës, barazia e shqiptarëve në Jugosllavi, me popujt tjerë vendorë dhe në fund, bashkimi kombëtar, nuk kishin alternativë. Dhe, ishte, pikërisht, kjo arsyeja pse ata u piketuan nga Jugosllavia pushtuese, për shënjestrim, duke e realizuar përmes argatëve të tyre, bastardë shqiptarë.

Kadri Zeka kishte ardhur në konak te Jusuf Gërvalla, për ta koordinuar veprimtarinë e tyre, duke shmangur kundërthëniet dhe pengesat e çfarëdo natyre qofshin. Kurthi i përgaditur, për një telefonatë fatale, të asaj nate kobzezë, është shumë domëthënës. Si refugjat, Jusufi nuk kishte të drejtë për të instaluar telefon në banesë. Duhej telefonuar nga një kabinë, të vendosur në rrugë. Pikërisht, në dalje të pakingut, me makinë, në natën errëtake të 17 janarit 1982, goditën, për vdekje, me rafall të armës automatike, në Untergruppenbach të Heilbronit.

Atentati ndaj Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, do të pasohej me vrasjen e Enver Hadrit, Vehbi Ibrahimit, Musa Hotit dhe disa tentim-vrasje tjera. Plot 20 vjetë më vonë, më  17 janar 2002, do të ekzekutohet, në hollin e banesës së tij, në lagjën “Fidanishte” të Pejës, Komandanti i UÇK-së të Rugovës dhe deputeti i Kuvendit të Republikës të Kosovës, Smajl Hajdaraj. Për të vazhduar me përgjakjen e janarëve tjerë, veprimtarë politikë dhe ushtarakë brilantë, si shefi i QIK-ut, Enver Maloku, fitimtari i Betejës së Loxhës, Kolonel Tahir Zemaj dhe të tjerë. Por, ekzekutimet e tyre, janë planifikuar, listuar dhe ekzekutuar nga hafijet e Serbisë në Kosovë.

Është sinjifikative se pistat dyshuese, për hetim e zbulim, ekzistojnë. Por, paradoksalisht, qeveria gjermane neglizhoi, e heshti rastin mizor, qëllimshëm, meqë kishin një marrëveshje me Jugosllavinë, për të luftuar kundërshtarët politikë. Jusuf Gërvalla kishte kërkuar edhe mbrojtjen fizike gjermane. Por, i ishte refuzuar, me arsyetimin se “nuk e përmbanë ligji gjerman mbrojtjen e azil-kërkuesëve”.

Veç kësaj, policia gjermane arrestoi të dyshuar të bazuar, për implikim në krimin vrastar të trefishtë, por, çuditërisht, i liroi pa bërë asnjë hetim serioz!?

Në murin e ballinës së Kinoteatrit “Jusuf Gërvalla”, të Pejës, është mbishkrimi “Një jetë për Kosovën”. Dhe, kjo është sintezë e vetë jetës të Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, për kauzën e shenjtë të lirisë, të cilët, tashmë, janë simbol dhe sinonim i Kosovës dhe i shqiptarëve mbarë.

Lavdi të përjetshme trinomit të lirisë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe heronjëve të tjerë, të rënë për Atdhe.

Fjala e mbajtur në Akademinë Përkujtimore në Mynih, organizuar nga Nëndega e LDK-së në Bavarinë e Epërme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok