30/12/2024

Perëndim apo …?! (2)

0
Vilhelme-Vranari

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

2-   Bashkëshortja ime e dashur,  Aja, ishte përqëndruar në ekranin e kompjuterit dhe vazhdonte punën. Pa u shkëputur, më kundërshtoi me fjalët:

-Timi, punën e nisur nuk më pëlqen ta lë përgjysmë. Kam disa dorëshkrime që duhen sistemuar. Do Zoti më jep kohën e mjaftueshme që t’i botoj.

-E dashur, mos ua hidh poshtë mundin e  kujdesin e fëmijëve, të Rezit, Vladit dhe Rainit, që të kanë kthyer e rrotulluar si fëmijë. Nëse nuk do të kishe një shërbim të tillë dhe higjienë të përsosur, Femuri i thyer nuk do të ngjitej kurrë, se ti je me ostoporozë të nivlt të lartë,dhe ti do të ngeleshe in valide, në të tillë mendo si për vete, edhe për mua të gjorin. Jam në një moshë të tillë që nuk e përballoj dot dhembjen e humbjes së njeriut më të dashur. Nëse pëson gjë ti, unë nuk dua të rroj më asnjë ditë, madje pas teje nuk dua të frymoj më as dhe një minutë. Të lutem, më beso! Duhet të dish, se nuk e kuptoj dot jetën pa praninë tënde. Mjafton të të dëgjojë zërin, të të shoh që çapëlon nëpër shtëpi, të të ndjek tek punon e qetë në kompjuter, të të dëgjoj e të të admiroj, kur përkëdhel dhe këshillon Rainin. Unë jam ters, shumë impulsiv dhe për një fjalë, më ngrihen kacabunjtë.*  E kam të qartë se më vonë nuk do të më durojë dot askush… Po të rrini pesë minuta pa folur, unë bëhem i butë si qengji.

-E di pse?  Mua më çudit, se siç e pranon edhe vetë, ty të ngrihen nervat vetëm për një fjalë apo për një sugjerim, të cilin duhet ta dëgjojmë, ta pranojmë dhe të falënderojmë bashkëbiseduesin. Kurse ti, fryhesh si qumështi i dhirë*. Ti jetip kolerik. Kjo ndodh se në vetëvete ti je i bindur që je i pagabueshëm dhe pretendon se di gjithçka. Ndaj një kokëfortë i tillë e ka të vështirë të pranojë gabimin dhe të kthejë. Është çështje karakteri. Edhe unë nuk jam engjëll, por pendohem shpejt. E kam të qartë se nuk ka njeri që punon dhe nuk gabon. Veçse gabimi bëhet pësim dhe kur e kuptojmë, jemi në gjendje ta korrigjojmë. Ne të dy kur e nisëm rrugëtimin tonë të përbashkët si partnerë, nuk e njihnim jetën fare, madje as vështirësitë e saj. Por koha u bë mësuesja jonë. Kurse jeta u bë shkollë. Duke kërkuar nga vetja që të zgjidhnim problemet jetike dhe vështirësitë, gjetëm mënyrat për t’i realizuar kërkesat e kohës që kërkon ndërtimi i një familjeje me rrënjë. Pengesat e panumërta dhe kapërcimet me shumë vështirësi na mësuam që të ecim përpara. Për ne që e vendosëm vet fatin tonë, nuk kishte më kthim pas. Ngritjet dhe uljet e terreneve të pakapërcyeshme ndër vite, na bënë më të fortë dhe më të vendosur pët t’i dhënë dorën njëri -tjetrit.Këto u shndërruan në përvojë. Herë pas here duhet ta kthejmë kokën pas dhe të shohim brenda vetes në kasafortën hermetike të kujtesës.

-Mirë e ke ti. Po tani në këtë moshë, unë nuk kthej dot dhe s’mundem të ndryshoj karakterin. Është vonë, shumë vonë…Tani jam drejt perëndimit të largët. A mund të ndryshojë e të rikthehet në fillimrrugë një njeri që është në fund të udhëtimit? Kurrë. Bëhem pishman si dreqi, po sa para bën, kur ua thyej zemrën atyre që dua?

-Jeta nuk është vaj dhe as fle mbi dafina, i shtrenjti im. Me nocionin “Jetë’ kuptojmë gëzim, lumturi, hidhërim, pengesa, vuajtje, lodhje dhe fitore. Shpesh herë dëgjojmë nga çiftet që shprehen me pompozitet: “ Ne të dy jemi shumë të lumtur. Nuk besoj se gjen dhe një çift tjetër kaq të dashuruar sa ne. Shkojmë jashtëzakonisht mirë, ndaj nuk ia prishim qejfin njëri-tjetrit. Kjo na ka bërë që të kemi një familje model dhe të shëndoshë.”

Këtë vetëdeklarim, vetëlavdërim, vetëmburrje dhe vetëmashtrim, unë nuk e pranoj. Janë zorrët e barkut dhe grinden me njëra -tjetrën, jo më çiftet që vetëm për fëmijët bëjnë fjalë.

-Ne të dy u martuam në kushte disi specifike. Braktisëm në mendimet e tyre të mykura ata që na sollën në jetë dhe i hapëm rrugën dashurisë. Ishim të rinj dhe u dashuruam  të rrëmbyer si tufani nga afshi i ndjenjave të asaj moshe të pafajshme që i duket se gjithë zogjtë që fluturojnë, hahen. Për fatin tonë të keq, të dyja familjet tona nuk e pranuan këtë lidhje. Por ne të dy ishim kokëkrisur dhe shumë të vendosur. Ndaj nuk i lamë ndjenjat tona as të vriteshin dhe as në udhëkryqet e jetës. Atëherë kundër vendimit të tyre të vjetëruar, i ndikuar nga mentailiteti mesjetar dhe egoizmi i opinionit, ne morëm vendimin e duhur, u martuam. Ishin ndjenjat tona që na shtynë drejt marrëzisë. Por kurrë nuk e kishim menduar gjatë dhe me hollësi, por nxitimi dhe pamaturia e moshës, na kushtoi shumë shtrenjtë. Gjithsesi martesa na vuri para përgjegjësive të mëdha dhe shumë të panjohurave. Ishim të rinj dhe nuk e mendonim thellë, se ç’do të thotë të krijosh familje pa një dyshkë në xhep. Eh, i riu si veriu.

-Për mua ti ishe dashuria ime e parë dhe e fundit. Mendoja se ndjenjat tona do të ishin aq të forta dhe të palëkundshme sa do të përballonim gjithë vështirësistë. Por dashuria nuk është e gjithë jeta dhe nuk të dhuron gjithçka. Por për çudi unë, vajza e re dhe e paditur, besoja verbërisht  se dashuria do t’na jepte forcë dhe do t’na nxirrte në dritë. Megjithatë pa u menduar gjatë, ne nisëm një jetë të re nga hiçi. Veç veshjeve dhe trupit tim unë s’kisha asgjë tjetër. Ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, gjithë ankthe, fillimi i së cilës nuk kishte asnjë dritë jeshile në horizont. Ishim të dy fillikat, pa shtëpi, pa asnjë mjet jetese, veçanërisht unë isha pa mbështetjen e familjes sime dhe ngela pa punë. Pasi papritur më zuri reforma e Revolucionit kulturor kinez, duke më mohuar pofesionin e mësuesisë, të cilin e adhuroja. E megjithatë nuk e di se si ia dolëm. Kur e mendoj më duket e pabesueshme që krijuam familje, lindëm dhe rritëm dy fëmijë si yje, të shëndetshëm, të talentuar dhe arritëm deri në moshën e tretë.

Nuk di se ku e gjetëm forcën për të përballuar jetën e vështirë. Ishte ndjenja e dashurisë apo mos vallë sedra për të treguar se sa të aftë ishim për të krijuar familjen tonë. Ndoshta…

Gjithsesi për ne të dy këto çaste në minilulishten tonë, do të ngelen të paharrueshme, sepse vendi ku ishim pozicionuar, bëri që t’na çkyçej kasaforta hermetike e kujtesës, e cila na çoi larg si në hapësirë dhe në kohë. Krahas ngjarjeve të së tashmes, kujtuam peripecitë dhe vuajtjet e pashembullta të jetës sonë bashkëshortore.

Në atë pasdite maji, dielli i zvargur ende nuk i kishte pulitur qepallat. Zbriste ngadalë dhe pa dëshirë drejt horizontit, sepse ndoshta i vinte keq që të largohej dhe t’ia linte vendin mbretëreshës së natës.

Mos vallë bëhet xheloz nga magjia e Hënës që shpërndan mirësi, butësi, bukuri mistike apo hyjnore dhe ruan me fanatizëm sekretet e njerëzimit?

Heshtja e atij trupi qiellor duket si ombrelë apo strehë që ruan ndjenjat e fshehta të të dashuruarëve apo dhe bëmat e mëkatarëve. Ruan sa e sa ndodhi tragjike. Pra hëna e magjishme është si ajo kutia e florinjtë që ruan të pacënuara gjithë sekretet e natës për gjithçka që ndodh mbi sipërfaqen e tokës.

Pas pak horizonti blu shtriu krahët e tij që me padurim pret që dielli t’i japë puthjen e lamtumirës mbremjesore. Ç’them dhe unë. Ai aty ka qenë, aty është dhe aty do të ngelet përjetësisht. Madje sa të ketë jetë mbi tokë, ai çdo ditë do ta bëjë këtë udhëtim të përjetshëm si një shtegtar që kapërcen horizonte të ndryshme të botës së paqtë. Vetëm sa të puthë horizontin, pastaj do të largohet duke lënë pas nocione të humbura dhe tejet të ndryshme atmosferike. Ky rrugëtim ngjet si diçka abstrakte që përcillet tek njerëzit sipas motit duke shkaktuar tek ata iluzione të pashpresa. Dielli duke ikur, në mungesë të tij, do të humbas bukuria mahnitëse dhe rrëzëllitëse që ai i jep sipërfaqes së globit tokësor dhe atmosferës brilante e të shndritshme. Pas pak tokë dhe det do t’i urojnë rrugë të mbarë syrit të galaksisë dhe gjumë të ëmbël terrenit. Atmosfera e mugët atë ndajnatë herët, duket e trishtuar sepse i mungon shkëlqimi verbues dhe jetëdhënës i syrit të botës,”Diellit”.

Shpresoj se nata do të rri zgjuar dhe do të përgjojë duke pritur gjithë ankth agun e ditës së re…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok