26/12/2024

“Perëndia”, një nga “21 leksionet për Shekullin 21”, të Yuval Noah Harari

0
Yuval-Noah-Harari

NGA LIBRAT BESTSELLER

Përgatiti: Albert Vataj

Mos thuaj kot “në emër të Zotit”

Ekziston Zoti? Kjo varet se për cilin zot po mendon. Misterin kozmik apo ligjvënësin e përbotshëm? Ndonjëherë kur njerëzit flasin për zotin ata flasin për një enigmë të madhe e të mrekullueshme, por që për të cilin nuk dimë absolutisht asgjë. Ne e thërrasim këtë zot misterioz për të shpjeguar enigmat më të thella të kozmosit. Po pse të ketë diçka dhe jo asgjë? Çfarë i ka skalitur ligjet themelore të fizikes? Çfarë është vetëdija dhe nga vjen ajo? Ne nuk i dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe injorancës sonë i japim emrin e madh të zotit. Karakteristikat më themelore të këtij zoti misterioz është se ne nuk mund të themi asgjë konkrete për të. Ky është perëndia e filozofëve; zoti për të cilin flasim kur ulemi rreth zjarrit në një kamping natën vonë dhe pyesim veten për arsyen e ekzistencës sonë.

Në raste të tjera njerëzit e shohin zotin si një ligjvënës të përbotshëm, të vrazhdë, për të cilin dinë shumë. Ne dimë saktësisht se çfarë mendon ai për modën, ushqimin, seksin dhe politikën, dhe e thërrasim këtë Burrë Vetullngrysur në Qiell për të justifikuar një milion rregulla, dekrete dhe konflikte. Ai mërzitet kur gratë veshin bluza me mëngë të shkurtra, kur dy burra kryejnë marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin, apo kur adoleshentët masturbojnë. Disa thonë se ai nuk do që ne të pimë alkool, kurse sipas disa të tjerëve ai na kërkon të pimë verë çdo të premte mbrëma apo çdo të diel në mëngjes. Librari të tëra janë shkruar për të shpjeguar deri në detajet më të vogla se çfarë pëlqen dhe çfarë nuk pëlqen ai. Karakteristika më themelore e këtij ligjvënësit të përbotshëm është se mund të themi gjëra jashtëzakonisht konkrete për të. Ky është zoti i kryqëzatave dhe xhihadistëve, i inkuizitorëve, i diskriminuesve gjinorë dhe homofobëve. Ky është zoti për të cilin flasim kur qëndrojmë rreth një turre drush që digjen, duke hedhur gurë dhe abuar me gjithë heretikët që janë pjekur në të.

Kur besimtarët pyeten nëse ekziston ose jo zoti në të vërtetë, ata shpesh fillojnë të flasin rreth mistereve enigmatike të universit dhe kufizimet e të kuptuarit njerëzor. “Shkenca nuk mund ta shpjegojë Big Bang-un,” thonë ata, “kështu që do të jetë punë e zotit.” Ashtu si një magjistar që mashtron audiencën e tij kur në mënyrë të paperceptueshme nga ata, ai zëvendëson një letër me një tjetër, besimtarët zëvendësojnë me shpejtësi misterin kozmik dhe ligjvënësin e përbotshëm. Pasi u vënë emrin e “zotit” sekreteve të panjohura të kozmosit, ata më pas e përdorin këtë për të dënuar rrobat e banjës dhe divorcin. “Ne nuk e kuptojmë Big Bang-un – kështu që duhet të mbulosh flokët kur del në publik dhe të votosh kundër martesave të homoseksualëve.” Jo vetëm që nuk ka ndonjë lidhje logjike mes të dyjave, por ato janë në të vërtetë kontradiktore. Sa më të thella misteret e universit, aq më pak të ngjarë ka që kushdo qoftë që është përgjegjës për të të dojë t’ia dijë ndopak për kodin e veshjes së femrave apo sjelljen seksuale të njerëzve.

Kjo lidhje e munguar mes misterit kozmik dhe ligjvënësit të përbotshëm zakonisht sigurohet përmes ndonjë libri të shenjtë. Ky libër është i mbushur me rregullore të papërfillshme, por pavarësisht kësaj atij i atribuohet misteri kozmik. Krijuesi i hapësirës dhe kohës me sa duket ka heshtur për këtë, por është munduar të na ndriçojë kryesisht me rituale të errët tempujsh dhe tabu ushqimi. Në të vërtetë, ende nuk kemi pasur ndonjë provë deri tani se Bibla apo Kurani apo Bibla e Mormoneve apo Vedat apo çdo libër tjetër i shenjtë të jetë krijuar nga forca që ka përcaktuar se energjia është e barabartë me shpejtësinë e dritës në katror, dhe se protonet janë 1837 herë më të mëdha se sa elektronet. Me aq sa dimë nga njohuritë shkencore, të gjitha këto tekste

të shenjta janë shkruar nga Homo sapiensë me imagjinatë të madhe. Ato janë thjesht histori të shpikura nga paraardhësit tanë për të legjitimuar normat sociale dhe strukturat politike.

Personalisht nuk rresht së habituri rreth misterit të ekzistencës. Por, kurrë nuk e kam kuptuar se ç’lidhje ka ai me ligjet e papërfillshme të judaizmit, krishterimit apo hinduizmit. Këto ligje sigurisht që mund të kenë qenë shumë të dobishme për të vendosur dhe mbajtur rendin social për mijëra vjet. Por, për këtë, ato nuk janë thellësisht të ndryshme nga ligjet e shteteve dhe institucioneve shekullariste.

I treti nga Dhjetë Urdhëresat biblike i këshillon njerëzit të mos përdorin kurrë më kot emrin e zotit. Shumë këtë e kuptojnë në mënyrë fëminore, si një ndalesë për të mos përmendur në mënyrë të qartë emrin e zotit (si në skenën e mirënjohur të Monty Python “Po the Jehova…”). ndoshta një kuptim më i thellë i kësaj urdhërese është se ne kurrë nuk duhet ta përdorim emrin e zotit për të justifikuar interesat tona politike, apo ambiciet tona ekonomike apo urrejtjet tona personale. Njerëzit urrejnë dikë dhe thonë: “Zoti e urren ate”; njerëzit zaptojnë një copë tokë dhe thonë: “Zoti e do ate”. Bota do të kishte qenë një vend më i mirë nëse ne do ta ndiqnim në mënyrë më të devotshme urdhëresën e tretë. Dëshiron të shpallësh luftë dhe të grabisësh tokën e fqinjit tënd? Lëre zotin jashtë saj dhe gjeji vetes një justifikim tjetër.

Kur ka mbaruar çdo gjë, është çështje semantike. Kur unë përdor fjalën “Zot”, mendoj për zotin e shtetit islamik, të kryqëzatave, të inkuizicionit dhe të pankartave: “Zoti i urren homoseksualët”. Kur mendoj për misterin e ekzistencës, preferoj të përdor fjalë të tjera, për të shmangur konfuzionin. Dhe ndryshe nga zoti i shtetit islamik dhe kryqëzatave – i cili shqetësohet vetëm për emrat dhe mbi të gjitha për emrin e tij të shenjtë – misteri i ekzistencës nuk shqetësohet asnjë grimë se çfarë emri i kemi vënë ne majmunëve.

Njerëzit shpesh argumentojnë se ne duhet te besojme te zoti i cili u ka dhënë disa ligje shume konkrete njerëzve, ose për ndryshe moraliteti do të zhduket dhe shoqëria do të rrënohet në kaosin e dikurshëm.

Sigurisht që është e vërtetë se besimi te perëndite ka qenë jetik për shumë rende sociale dhe se disa herë ka pasur pasoja pozitive. Ne te vërtetë, të njëjtat fe që kanë frymëzuar urrejtjen dhe fanatizmin te disa njerëz, kanë frymëzuar dashurinë dhe dhembshurine te disa të tjerë.

Megjithëse perënditë mund të na frymëzojnë të veprojmë me dhembshuri, besimi fetar nuk është domosdoshmërisht kushti për sjellje morale. Ideja se mund të na duhet një qenie e mbinatyrshme për të na bërë të sillemi në mënyrë morale supozon se nuk ka asgjë jo natyrale te moraliteti? Po pse? Moraliteti në disa forma është natyral. Të gjithë gjitarët socialë nga shimpanzetë deri te minjtë kanë kode etike të cilët kufizojnë gjëra të tilla si vjedhja apo vrasja. Mes njerëzve, moraliteti është i pranishëm në të gjithë shoqëritë, edhe pse jo të gjithë besojnë në të njëjtin zot. Të krishterët veprojnë me mëshirë edhe

pa besuar në panteonin Hindu, myslimanët vlerësojnë ndershmërinë përpos refuzimit të natyrës hyjnore të Krishtit dhe vendet shekullariste të tilla, si Danimarka dhe Republika Çeke nuk janë më të dhunshme se sa vendet e devotshme të tilla si Irani dhe Pakistani.

Moralitet nuk do të thotë “të ndjekësh urdhrat e shenjtë”. Do të thotë “pakësosh vuajtjen”. Kështu që për t’u sjellë në mënyrë të moralshme, nuk ke nevojë të besosh në ndonjë mit apo trillim. Thjesht duhet të zhvillosh nje keqardhje të thellë për vuajtjen. Nëse vërtet e kupton se si një veprim shkakton vuajtje të panevojshme ndaj teje apo të tjerëve, në mënyrë të natyrshme ti do të hiqje dorë prej tij. Pavarësisht kësaj, njerëzit vrasin, përdhunojnë dhe vjedhin sepse kanë vetëm një vlerësim sipërfaqësor ndaj dhimbjes që ata shkaktojnë. Ata janë të fiksuar për të kënaqur epshin apo ngasjen e tyre të çastit, pa u shqetësuar për ndikimin te të tjerët apo qoftë edhe për pasojat afatgjata te vetja e tyre.

Mund të kundërshtoni se çdo njeri në mënyrë të natyrshme kërkon të shmangë ndjesinë e dhimbjes dhe trishtimit, por pse duhet të shqetësohen njerëzit për vuajtjet e të tjerëve, përveçse nëse këtë e kërkon zoti? Një përgjigje e qartë është se njerëzit janë kafshë sociale, kështu që lumturia e tyre varet në një masë të madhe nga marrëdhëniet e tyre me të tjerët. Pa dashurinë, miqësinë dhe komunitetin, kush do të ishte i lumtur? Nëse bën një jetë të vetmuar dhe të përqendruar rreth vetes, pothuajse e ke të garantuar se do të ndihesh i mjerë. Kështu që në fund të fundit, për të qenë i lumtur duhet të kujdesesh për familjen, miqtë dhe anëtarët e komunitetit tënd.

Po përsa i përket atyre që janë krejt të huaj? Pse të mos vrasim të huajt dhe të marrim ato që zotërojnë ata dhe të pasurojmë veten dhe tribunë tonë? Shumë mendimtarë kanë ndërtuar teori sociale të përpunuara, duke shpjeguar se pse në terma afatgjatë sjellje të tilla nuk janë produktive. Nuk do të të pëlqente që të jetoje në një shoqëri ku të huajt vriten dhe plaçkiten rregullisht. Jo vetëm që do të ishe në rrezik të vazhdueshëm, por do të të mungonin përfitimet e gjërave të tilla si tregtia, e cila varet nga besimi mes te huajve. Tregtarët zakonisht nuk vizitojnë qelitë e hajdutëve. Kjo është mënyra se si teoricienet shekullariste qe nga Kina e lashtë e deri tek Europa moderne kanë justifikuar rregullën e arte: “mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje të ta bënin ty”.

Megjithatë, ne nuk kemi vërtet nevojë për teori të tilla komplekse afatgjata për të gjetur një bazë reale për dhembshurine universale. Harrojeni tregtinë për një çast. Në një nivel tejet personal, lëndimi i të tjerëve gjithmonë më Jendon edhe mua. Çdo akt i dhunshëm në botë fillon me një dëshirë të dhunshme në mendjen e dikujt, e cila e shtetëson qetësinë dhe lumturinë e atij personi përpara se sa të shqetësojë paqen dhe lumturinë e dikujt tjetër. Kështu që njerëzit rrallëherë vjedhin nëse më parë nuk kanë grumbulluar shumë zili dhe lakmi në mendjet e tyre. Njerëzit zakonisht nuk vrasin nëse fillimisht ata nuk kanë grumbulluar zemërim dhe urrejtje. Emocione të tilla, si: lakmia, zilia, zemërimi dhe urrejtja janë shumë të pakëndshme. Nuk mund të përjetosh gëzim dhe harmoni nëse po zien nga zemërimi dhe zilia. Kështu që shumë më parë se të vrasësh dikë, zemërimi yt tashmë ka vrarë qetësinë në mendjen tënde.

Në të vërtetë, mund të ziesh nga zemërimi për vite me radhë, pa e vrarë në të vërtetë objektin e urrejtjes sate. Rast në të cilin nuk ke lënduar askënd, por pavarësisht kësaj ke lënduar veten. Kështu që është në interesin tënd të natyrshëm – dhe jo e kërkuar nga ndonjë zot që të shtyn të bësh diçka për zemërimin tënd. Nëse çlirohesh krejtësisht nga zemërimi do të ndiheshe shumë herë më mirë se sa ç’mund të ndiheshe nëse do të vrisje armikun tënd të neveritshëm.

Për disa njerëz, një besim i fortë në një zot të dhembshur, i cili na urdhëron të kthejmë faqen tjetër, mund të ndihmojë në zbutjen e zemërimit. Ky ka qenë një kontribut i jashtëzakonshëm i besimeve fetare ndaj paqes dhe harmonise në botë. Fatkeqësisht, për të tjerë njerëz besimi fetar në të vërtetë nxit dhe justifikon zemërimin e tyre, sidomos nëse dikush guxon të ofendojë zotin e tyre apo të injorojë dëshirat e tij. Kështu që vlera e zotit, ligjvënësit tpërfundimisht varet nga sjellja e njerëzve të devotshëm ndaj tij. cfarë të dëshirojnë. Po ashtu, vlera e riteve fetare dhe vendeve të shenjta varet nga lloji i ndjenjave dhe sjelljeve që ato frymëzojnë. Nëse të vizituarit e një tempulli i bën njerëzit të përjetojnë paqe dhe harmoni – kjo është diçka e mrekullueshme. Por, nëse një tempull i veçantë shkakton dhunë dhe konflikte, për çfarë na duhet? Ai është qartësisht një tempull jo funksional. Po ashtu siç është pakuptim të luftosh për një pemë të sëmurë e cila prodhon gjemba dhe jo fruta, po ashtu është pakuptim të luftosh për një tempull problematik i cili prodhon armiq dhe jo harmoni.

Të mos vizituarit e asnjë tempulli dhe të mos besuarit e asnjë zoti është gjithashtu një mundësi e zbatueshme. Ashtu siç kanë vërtetuar këta pak shekuj të fundit, ne nuk kemi nevojë të thërrasim zotin për të jetuar një jetë të moralshme. Shekullarizmi mund të na sigurojë të gjithë vlerat për të cilat kemi nevojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok