22/12/2024

PERANDORIA E KIÇIT MERR HARAÇIN E VET

0
Syrja-Etemi

Shkruan: Syrja ETEMI

Diku ndërmjet brengës nga reflekset anemike politike, shkencore dhe qarqeve akademike, madje  edhe  revoltit për shkak të kiçit gllabërues që kaherë është eksponent  në  rropatjet  e  përditshmërisë  sonë,  pas  përcjelljes  së  një sërë interferencash  dhe  debatesh  në media të shkruara dhe elektronike  të vendit (të shoqëruara edhe me imazhe dhe pamje  sa të shëmtuara aq edhe irrituese), pas shumë  meditimesh të lodhshme e të raskapitura, u ula dhe, në notesin tim modest, nënvizova dhe piketova disa raste më eklatante të ekspansionit të kiçit në shumë segmente e veprimtari të shoqërisë sonë të brishtë, perandoria e të cilit po e merr haraçin e vet. (Në këto rrethana, druaj  mos ndoshta edhe këtë klithmën time  mos ta përligj  ngulçima e kiçit virusal! Ndoshta!)

Ja disa reflekse të arrogancës së kiçit ekspansiv që më kanë cytur mllefin e nuk më lënë indiferent e pa e ngritur zërin (e një udhëtari të shkretirës):

1.Duke dëgjuar gërvalljet pseudopatriotike të tipit: “Nuk pranojmë diktat!” Apo: “Për inat të bullgarëve nuk e ndërrojmë kushtetutën“.

Jam i bindur se tentimet “këmbëngulëse“ për “ruajtjen” e Kushtetutës “Maqedonase“ bëhen jo për inat të bullgarëve, por vetëm për inat të shqiptarëve, apo më mirë të themi nga frika prej shqiptarëve e, duke e kamufluar këtë tremë me dumatjen krekosëse: „Të shohin këta (shqiptarët) se kush është këtu “gazdë”. Krekosje kjo, që, mund të jetë e arsyeshme aq sa në jetën bashkëshortore mund të jetë vërejtja e tipit: “Të dihet se kush vesh pantallona në këtë shtëpi“. Për këtë arsye, është imediate kërkesa që këta “kokënxehtë” të distancohen nga ky paragjykim që gjeneron e prodhon jotolerancë, ksenofobi, nacionalizëm dhe racizëm, reflekse këto që çojnë në destabilizimin e RMV si krijesë paliabile, sepse, ”Një krizë kthehet në katastrofë vetëm kur ne i përgjigjemi asaj me gjykime të parakonceptuara, d.m.th. me paragjykime”.

  1. Kur dëgjon budallallëqe të tipit: ”Maqedonasit e sotëm janë pasardhës të maqedonasve antikë”. Kthimi në antikitet, apo konsistenca intriguese për përvetësimin apo identifikim me epokën e lavdishme të një civilizimi krejtësisht të huaj, jo që shpreh budallallëkun më eklatant të politikës dhe të disa politikanëve naivë, porrishtazi, apo pa dashje – edhe  drejt një  inskenimi djallëzor të ndezjes së fitilit të “fuçisë së barotit“ në këtë Ballkanin e trazuar. Ky dekontaminim i historisë nuk ka si të kuptohet ndryshe, por vetëm si demonstim i nacionalizmin dhe fanatizmit të papërmbajtur, të tallava historianëve, të cilët krijojnë aq copëza të majme historie sa nuk janë në gjendje t’i gëlltitin mandej edhe u shkyhet goja. Mbështetja paranojake drejt traditës dhe mitologjisë së përvetësuar, në të shumtën më asocojnë në mesjetën obskurantiste, në romantizmin plot andrralla, në prapavajtje, në rrëshqitje, në humbje të drejtpeshimit të ecjes vertikale, të humbjes së torruas, katandisjes drejt  padijes dhe hipokrizisë.
  2. Kur më shfaqen përpara syve kreatura djallëzore në kopertinat e kuqërremta të “Librave të Mëdhenj” ku shkruan: Mакедонска енциклопедија (Enciklopedia maqedonase) e, jo Enciklopedia e Maqedonisë, (ashtu si e kanë titulluar përpara disa dekadaveAkademikët e ish Jugosllavisë, si: Enciklopedija Jugosllavije, e,  jo Jugosllovenska (jugosllave).

Ndaj, nuk mund ta përmbaj veten e të mos shaj. Blasfemoj e meditoj, sepse nuk di  çfarë emërtimi eufemik  të përdori në këtë rast për këto “Tallava Vëllime” ku, autorët kanë ekspozuar vetëm “muskuj e jo dije”. E, si t’i quaj këto vëllime të përçudnuara  ndryshe, përveç se si një kreatura djallëzore të fabrikuara nga ana e disa pleqëve të matufosur, të cilët u lënë brezave një trashëgimi të ballsamosur me plot sherr e fundamentalizëm, e, që, do t’i ngulfasin vizionet e gjeneratave drejt integrimeve euro-atlantike? Ky ereksion i MAN-it (ku, fatkeqësisht marrin pjesë edhe disa shqiptarë të tulatur e të telehisur me parfumin maqedonas), paraqet paranojën më ataviste ndaj çdo gjëje tjetër josllave.

  1. Kur sheh figura të përçartura në ekran duke mbllaçitur profka të formës: Enciklopedinë e ndërruam “Ne”.

Dyftyrësi! Nuk ju duket dyftyrësi luajtja e rolit të  prostitutave  nga ana e disa karikaturave që e mbajnë veten si “politikanë”? Tjetër gjë u premtojnë  shqiptarëve e, ndryshe i bëjnë punët në kabinetin e “Makedonska vlladës”?  Njoh shumë kukulla të tilla të veshura me rroba prej hipokriti…

5.Kur të bie në vesh tamtami i stërpërsëritur: ”Ne kemi legjitimitetin e popullit”.

Mjer ky popull çfarë politikanësh ka zgjedhur… Mjer ky popull që pret “mefat” nga kjo politikë infantile shqiptare. Politika   e sotme shqiptare  është “privilegj” vetëm i  disa dallkaukëve intrigantë, sepse mu kjo sortë politikanësh e konsideron politikën si veprimtari që gjithsecili mund të mirret me të. Nëse politika llogaritet si një zanat më i lehtë që mund ta ushtrojë kushdo, atëherë të gjithë politikanët tanë shqiptarë, më mirë do të ishte të merrnin një skarë apo hell, e të piketohen nëpër qendrat frekuentuese të kasabave për të pjekur gështenja, e kur do t’u soset qymyri, le të “pjekin gështenja me prapanicë “.

  1. Kur dëgjon refrenin e athët: ”Maqedonia shtet i barabartë për të gjithë …”

Shtetkombi Maqedon(as) nuk është shtet i barabartë i të gjithëve. Ky sllogan i përligjur me hipokrizi, nuk mund të konsiderohet ndryshe, por vetëm si një refren i amësht që të bën të vjellësh. Ky glorifikim i pushtetarëve nuk ka kurrfarë baze reale as historike as antropologjike as etnike, as… as…

Maкедонската држава (Shteti maqedonas) nuk është shtet i barabartë për të gjithë etnitetet që jetojnë në të. Me të nuk mund të identifikohet gjysma e popullatës tjetër jomaqedonase. Mezi edhe gjysma asaj popullate tjetër “maqedonase“, nuk e ndjen veten maqedonas, por serb, bullgar, myslimanë apo vllehë. Madje, edhe pjesa tjetër e atyre që deklarohen si maqedonas, nuk e dinë në të vërtetë se kush janë maqedonët? Të paktën ndoshta e dinë, por nuk duan ta pranojnë të vërtetën që e di e gjithë bota. D.m.th. shtetkombi Maqedon(as) është vetëm një krijesë artificiale (siç shprehet diplomati serb, Milan Protiçi) që, vetëm të marrët do të besonin në “amshueshmërinë“  e tij, dmth. në kompozitën: “Вечна Македонија…”

  1. Kur dëgjon pallavrat e tipit: ”Nxënësit shqiptarë do të njohin detyrimishtgjuhën maqedone, sepse gjuha është vlerë”.

D.m.th. gjuha shqipe qenka antivlerë. Ç’ironi! E, kush ia jep të drejtën argatëve të qeverisë që  ta nëpërkëmbin gjuhën time amtare, ta karantinojnë e ta rudhin atë në gjuhë të 20% (njëzet përqindëshit)? Politika? Edhe këtu i futë turinjtë politika? Me këtë rast nuk mund të mos citoj Hanah Arend kur thotë se: ”Sot arsimi është kthyer në instrument të politikës dhe vetë aktiviteti politik tani konceptohet si një formë e edukimit dhe arsimit”. Por, katastrofa qëndron në atë se, sot politikën e shqiptarëve në Maqedoni e kanë monopolizuar disa politikanë fare të papërgjegjshëm!

  1. Kur më del përpara Kryqi në Kodër të Diellit mbi Tetovë – Mendoj se ky kryq me përmasa përbindshi nuk mund të konsiderohet ndryshe, por vetëm si simbol i kiç – kristianizmit, i gjoja – besimtarëve, të atyre të cilët paraqiten me maskën e kristianëve të përkushtuar, por kurrsesi të llogariten si metaforë e kristianëve të vërtetë. Religjioni i sotëm (cilido qoftë ai),nuk duhet të jetë çështje e idhujve e fetisheve apo madhësisë së objekteve ku kryhen obligimet fetare, por çështje e  shpirtit të devotshëm, çështje e zjarrit të brendshëm që manifeston përkushtimin fisnikërues dhe dashurisë ndaj Zotit dhe njeriut. Kësi objektesh kulti të ndërtojmë brenda në veten tonë. Ka një thënie në Librin e Shenjtë me porosinë: njeriu që merr abdes – t’i lajë duart e, jo të lavdërohet me këtë ritual. E, në këtë rast, kryqet me përmasa përbindëshi  dhe minaret me lartësi e salltanete marramendëse, nuk janë gjë tjetër, veçse – lavde me religjionin (për inat të tjetrit).
  2. Duke lexuar ogurin për buxhetin e ndarë të Ministrisë së kulturës: “ 4 milionë den. për fazën e dytë për “riparimin” e Konaqeve të Manastirit në Leshkë, komuna e Tearcës,kurse ( ? ) denarë për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës”.

Mjerim! Edhe kultura matet me  përqindje, edhe atë 95 % për vete 5% për të tjerë. E, si do ta luftojmë kiç-kulturën? Si do të nxisim profesionalizmin? Si do të ndërtojmë institucione ? Si do të ndërtojmë vlera  kulturore pa para? Nga ky deduksion del induksioni i prerë me përgjigjen e thjeshtë: S’dinë shqiptarët ç’është kultura … Ndaj, ata le të mirren me politikë, sepse politika është zanati më i lehtë që nuk kërkon dije e aftësi profesionale, por vetëm muskuj, dinakëri e hipokrizi; “…sepse ajo nuk merret me të bukurën e as me të vërtetën”, por me interesin individual e klanor.

  1. Kur të shpërfaqen nëpër rrjetet sociale foto e imazhe të disa tipave të pispillosur e të kollarisur, të cilët, me çdo kusht, pretendojnë të na bindin se intelektualizmi peshon në imazhin e kravatës përreth qafës… e, jo në reflektimet e njëmendta profesionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok