PËR SHTËPINË E ABAT DOÇIT NË SHKODËR
– Seli e Shoqnisë “Bashkimi” –
Nga Ndue Dedaj
Kur ka ra Kafja e Madhe, nuk beson se mund të ketë ndonjë godinë tjetër në Shkodër që do të qëndrojë pa u rrënuar, ku e ka të vështirë t’ia dalë dhe shtëpia e Markagjonëve aty afër, me atë kullën e famshme të Idromenës, “kapidanit” të arkitekturës shqiptare.
Janë bërë plot përpjekje, këto vitet e fundit, për ta kthyer vëmendjen ndaj selisë së Shoqnisë letrare e gjuhësore, arsimore e kulturore “Bashkimi”, ku qendronte kreu i saj Abat Prend Doçi dhe akademia e tij, siç e quante Gurakuqi; ka thirrur pa fund Dom Nikë Ukgjini, është shpallur monument kulture, por kjo nuk ndryshon asgjë, – si me këtë status zyrtar, si pa të, njëlloj është, fjalë dhe vetëm fjalë, asnjë veprim, asnjë nismë, asnjë projekt – nga qeveria, insitucionet e trashëgimisë, Argjipeshkvia etj.
Elita diturore shkodrane vazhdimisht kujtohet për këtë shtëpi të pazot, por askush nuk e dëgjon, si për shumëçka tjetër, se ndryshe nuk do të kishte mbirë ai çelësi metalik, në hyrje të qytetit, si një “hekurishte” fabrike.
Kishte zot shtëpia e Doçit atëhere kur vendi ishte nën pushtim perandorak dhe nuk ka sot që jemi të lirë!? S’rrimë dot pa iu bashkuar dhe ne zërit të zotnive shkodranë, edhe pse e dimë që kot e kemi, shtëpia e “Bashkimit” zor se do të mbijetojë duke u shndërruar në muze, edhe pse aty janë shkrue e përgatit librat e parë shqip për shkollat e shekullit XX, pa të cilat shteti shqiptar që po lindte asokohe do të kishte vetëm kobure cubash e jo dhe abetare…
Ndodh kështu, se sot nuk ka më burra të ndriçuar si Imzot Abati dhe bashkëpunëtorët e tij të pashembullt në punët e diturisë!…
