21/12/2024

PËR NJË TRAP MBI BUNË

0
Ndue-Dedaj

(Pjesë nga një libër në proces, që publikohet për herë të parë sot, më 27 shkurt 2023, në ditën kur në Podgoricë mblidhën dy qeveritë, e Shqipërisë dhe e Malit të Zi, që ndër të tjera do të firmosin marrëveshjen për ndërtimin e një ure mbi Bunë.)

NGA NDUE DEDAJ

…Një ditë shkurti të vitit 2019 u ndodhëm në Ulqin, ku me dy miq tanë shkuam për një kafe deri në plazhin e Adës, në bregun ulqinak të Bunës. Hedhim sytë nga Velipoja, por nuk mund ta kalojmë lumin për atje, thjeshtë se mungon një trap! Trapi, për ata që mund të mos e dinë, është një shtrat i vogël lundrues prej dërrasash, që në mungesë të urës shërben për të kaluar lumin.

Për një trap nuk lidhen dy brigje të të njëjtit vend, ndonëse në dy shtete të ndryshme, Shqipëri dhe Mali i Zi. Ka vetëm peshkatarë në të dy brigjet e Bunës, andej e këndej, por jo dhe një trap, që ata të kalojnë lirisht te njëri-tjetri. Mes tyre është sërish kufiri shtetëror dypalësh, i pa ndryshuar! Sigurisht, nuk kërcet më pushka në kufi si dikur, për të vrarë ata që kalonin ilegalisht kufirin për në botën e lirë, ama gjithë këto vite nuk ka të paktën një pikë doganore mbi Bunë, edhe pse dikur Buna ishte një lumë i lundrueshëm e vinin anijet më mallra që nga Venediku, duke dëshmuar se ky rajon i Adriatikut kishte më shumë qytetërim në mesjetë se në kohët moderne.

E, pra, ka vite e vite që flitet nga qeveritë e dy vendeve dhe nga Europa për një korridor strategjik, pan-Adriatik, nga Dubrovniku në Igumenicë, i pagëzuar si “Korridori 10”. Kësaj i thonë fjalët e mira e gurët në trastë. Por deri sa të jetë bërë ai korridori i madh, që do të ndërtojë dhe urat mbi Bunë, pse mungon vullneti i dy qeverive për të bërë më parë këto punët e vogla, për të vënë një “trap” (të përbashkët) mbi këtë lumë, që banorët e kësaj zone të qarkullojne lirisht, por dhe turistët. Ada është plazhi i vetëm “nudo” dhe mjaft i frekuantuar prej vitesh, por një turisti, le të themi gjerman, italian etj. i duhet të bëjë afro 100 kilometra, duke i rënë rreth e rrotull nga Shkodra, për të kaluar në anën tjetër të Bunës, në Velipojë!…

Sot është kohë integrimesh dhe barriera të tilla janë krejt të pakuptimta.

Kushërinjtë, në të dy anët e Bunës, tashmë e kanë shuar mallin e nuk duan të takohen vetëm për dasma e raste të tjera familjare, por e kanë të nevojshme të venë e vinë përditë mes tyre, të ngrenë biznese të përbashkëta etj.

Mirëpo sot për sot mungon një trap që ato njëqind kilometrat do t’i shkurtonte në njëzet metra, aq sa është shtrati i Bunës…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok