PËR MË SHUMË “SHQIP” NDËR SHQIPTARËT E MALIT TË ZI
![Koha](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2025/02/Koha.jpg)
NGA NDUE DEDAJ
Po t’i rendisësh arritjet e moteve të fundit të shqiptarëve në Mal të Zi, në pamje të parë të duket se gjërat kanë shkuar vend për vend. Dy komuna shqiptare, Ulqini dhe Tuzi. Disa shkolla shqipe, në Ulqin, Tuz e deri në Rrozhajë. Media vizive e audiovizive në shqip. Deputetë dhe këshilltarë shqiptarë në institucionet malazeze. Ministra shqiptarë në qeveritë e Malit të Zi dhe kryeministri me origjinë shqiptare Abazoviç. Konsullata e Shqipërisë në Ulqin. Koloni piktorësh në Plavë. Panairi i librit dhe libraria shqipe në Ulqin, shtatorja e Skënderbeut në Tuz, revista “Koha Javore” në gjuhën shqipe në Podgoricë etj. Projekti i urës së re mbi Bunë, që lidh Ulqinin me Velipojën etj.
Por realiteti i prekshëm social, kulturor dhe arsimor nuk është si dukja e jashtme, që nuk i mungon mveshja propagandistike. Studiuesit kanë vënë re se ndërsa tkurret popullsia shqiptare, ajo rritet në diasporë, sidomos në Amerikë, ku ka disa fondacione dhe shoqata që japin ndihmesë për vendlindjen, si “Don Simon Filipaj”, “Plavë e Guci”, “Malësia e Madhe”, “Kraja”, “Ulqini”, apo “Nora e Kelmendit” etj. Ndër organizimet më ndihmesën e diasporës është dhe veprimtaria e përvitshme, “Logu i Bjeshkës” që zhvillohet në verë në Qafën e Predelecit në Kelmend, festivali i folklorit burimor mbarëkombëtar, çdo dy vjet, në burimet e Vitojës së Hotit etj.
Emigracioni i shqiptarëve në këtë shtet kulmon në vitet ‘70, duke iu bashkuar dhe shqiptarët pjesës tjetër të Malësisë së Madhe pas 1990-ës. Sabina Osmanoviç, në artikullin e saj “Diaspora shqiptare nga Mali i Zi, si forcë ekonomike dhe politike”, publikuar në revistën “Lemba”, sjell një dinamikë në rënie të popullsisë shqiptare, mbështetur në të dhënat e Entit për Statistika (MONSTAT), ku sipas regjistrimeve të vitit 1923, numri i shqiptarëve ishte 30 978 (4.97 %), afërsisht sa ç’kishte Mirdita administrative në vitin 1990. Dhjetë mijë banorë të kombësisë shqiptare, në tridhjetë vjet, e kanë lënë vendin nga viti 1991, kohë kur në Mal të Zi rronin 40.415 (6.57%) shqiptarë.
Ruajtja dhe kultivimi i çdo vlere etnike shqiptare është një përparësi e faktorit kulturor në Malin e Zi, por mbase jo sa duhet dhe e partive politike (sipas shqiptarëve atje), të cilat janë mjaft të “zëna” me agjendën e tyre politike. Ajo çka ne kemi kuptuar është se atje kërkohet të bëhen jo vetëm gjërat e mëdha, si festat, koncertet, panairet, dokumentarët, përmendoret etj., por në radhë të parë ato të gjërat e “vogla”, të padukshme, që i drejtohen moshës më të re, fëmijëve të shkollave, të cilët marrin njohuri të pamjafueshme e të cunguara për gjuhën, letërsinë, historinë, gjeografinë, artin dhe kulturën shqiptare. Me fjalë të tjera, synohet për më shumë “shqip” e shqiptari ndër shqiptarët e Malit të Zi, çka është një e drejtë themelore e tyre dhe njëherësh pasurim i diversitetit kulturor në republikën fqinje.
Mësuesit prej vitesh kanë vënë në dukje se tekstet mësimore në përdorim në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi kanë jo pak mangësi. Shkrimtari Anton Gojçaj, mbikëqyrës për lëndët mësimore gjuhë shqipe dhe letërsi, pranë Entit për Shkollim në Podgoricë, ka trajtuar gjendjen e teksteve shkollore të letërsisë për shkollën fillore në gjuhën shqipe. Rreth këtyre problematikave është diskutuar dhe në Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi etj., teksa vite më parë projekti “Të lexojmë shqip” qe përkrahur dhe nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave atje.
Këtë fillim shkurti shkuam në Ulqin me Dom Nikë Ukgjinin, që ka shërbyer herët si famullitar në Guci (1982 – 1995), në gji të Alpeve Shqiptare dhe së voni në kishën e Shëngjergjit, në anë të Bunës dhe Adriatikut. Përpos se një misionar shpirtëror prej më shumë se dyzet vitesh, ai është dhe një misionar kombëtar i devotshëm, prandaj është kënaqësi që të veshë mes shqiptarëve të trojeve me të. Historiani Ukgjini kësaj here foli me miqtë e tij gazetarë, pedagogë, juristë etj. rreth idesë së hedhur nga ai që më parë, mbi mundësinë e hartimit të një teksti mësimor ndihmës në shqip për orët në dispozicion të mësuesve të historisë në shkollat e Malit të Zi. Ata ishin Arlinda Osmani, drejtore e librarisë “Ulqini”, veprimtari Zef Kovaçi, avokati Loro Markiç, gazetarët e njohur Ali Salaj dhe Ismet Kallaba, si dhe Bardhok Pulaj nga Lezha, ish-drejtor rajonal i arsimit.
Studiuesi Nail Draga i ka mëshuar me kohë idesë së hartimit të programeve mësimore të veçanta për lëndet e identitetit kombëtar, duke i quajtur ato si pikat më nevralgjike për shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Përpjekjet për një tekst historie plotësues janë në vazhdën e një nisme të mëparshme, që po shkon drejt realizimit, atë të hartimit të teksteve të kësaj natyre të gjuhës, letërsisë dhe arteve etj. Nisma të tilla burojnë nga rekomandimet e Bashkimi Evropian për një sistem arsimor sa më të frytshëm në shtetet me kombësi të ndryshme. Duhet shënuar se krahas autorëve vendas të teksteve të gjuhës dhe letërsisë për shkollat e niveleve të ndryshme, si Rrok Gjolaj, Haxhi Shabani etj. janë përfshirë dhe autorë nga Shkodra, si profesorët Bahri Beci, Ardian Marashi, Zija Vukaj etj, ndërsa redaktor i tyre është shkrimtari dhe përkthyesi Dimitrov Popoviç. Ndërkohë, abetarja që përdoret është ajo gjithëkombëtare.
Dom Nika sensibilizon për përmirësim të programeve shkollore në shqip, që nga panairi i librit në Tuz, më10 shtator të vitit 2024. Ai së bashku me mikun e tij, konsullin e Nderit të Austrisë Gjergj Leqejza, këtë çështje e kanë ngritur edhe në rrafshin diplomatik. Në të njëjtën kohë është punuar dhe për hapjen e një librarie me libra shqip në Tuz, ku siç dihet ka shërbyer një nga albanologët me të shquar, At Vinçens Malaj, studiuesi i Kuvendit të Arbnit 1703, At Kolë Berishaj etj. Komuna e Tuzit e ka të bollshme hapësirën në shtëpinë e Kulturës për librarinë, pse jo, dhe për të “strehuar” aty Muzeun e Malësisë, që krijuesi i tij i moshuar Shtjefën Ivezaj e mban në shtëpinë e tij mbushur plot e përplot me relikte të hershme. Tuzi, gjithashtu, ka dhe një “muze” në natyrë, apo monument të rrallë kulture në botën shqiptare, varrezën autentike të Vuksanlekajt, që jo vetëm nuk është studiuar siç e meriton një objekt i tillë i përveçëm, duke mbetur “memece” për shkencën, banorët dhe turistët, po as nuk ruhet si një trashëgimi e shqiptare e dorës së parë.
Në Tiranë, ku nuk mungon asgjë dhe ku nuk kërkohet ndonjë leje e posaçme shtetërore, nuk dimë të dalë ndonjë revistë, aq më tepër e ilustruar dhe katër herë në muaj, si “Koha Javore” në Podgoricë, që botohet që nga viti 2002, e themeluar nga Kuvendit i Malit të Zi, me rubrika të larmishme nga aktualiteti, kultura, diaspora dhe tradita shqiptare. Redaktori përgjegjës i saj, Ismet Kallaba, njëherësh pedagog i gazetarisë në Universitetin e Shkodrës, pati mirësinë të na sajdiste me numrat e fundit të muajit janar. Revista tjetër “Lemba” – për shkencë, kulturë dhe art – botohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me kryeredaktore Sabina Osmanovoq. Po ashtu revista “Malësia”, tashmë vjetore, ka qenë një tjetër zë i shtypit shqiptar në Malin e Zi.
Doemos që kanë ndodhur ndryshime ndër shqiptarët e Malit të Zi, por ndryshimi i pritur nuk ka ndodhur. Faktet shpesh i përmbysin frazat e rrumbullakosura diplomatike – në libraritë e Podgoricës nuk gjen libra shqip. Si është e munduar? Më e pakta, 5 përqind duhet të ishin shqip. Kështu, duket sikur kryeqyteti malazez u thotë shqiptarëve, rrini atje në provincë ju, në Ulqin, Tuz, Plavë e Guci etj. se këtu jemi ne.