10/07/2026

Pena e poetit, parmenda e shpirtjeve të pasionit dhe magjisë zjarmëtare të ndijimit

0
Albert-Vataj

Nga Albert Vataj

Kur penën poeti ngërthen gishtërinjve si majëpemët shoshoqen stuhisë, shpirtin ka thirrur në këtë akt përuljeje hyjnimi. Gjithë qenia e ngjizur në dëshirim, prek botën përmes kësaj majëpine dhe i kumton fjalën si një blatim krijimi. Gjithçka e tij që vërshimshëm shpërthen, dridhet në vijëzime që marrin trajtë e gërmëzohen, pluskojnë gjithësitë ndërsa fjala si shiu që përmbut fushat duke sjellë jetë etjeve që e zhuritin, ashtu letra, zjermet llavës që e zgjon, në kremtimin e mendimit që u bë ligjërim, ndijimit që u bë varg, shenjtërimit që poezinë bëri altar.

Poet, ndoshta diku thellë teje, në mes territ që dridhet prej hutimit e ngurimit, një shkëndi ka mundur të bulojë sythin e një ofshame, e vetëm një zemërgur nuk do ta nxirrte faqe drite këtë vullnesë mugëtimi pranvere, e të sodiste me ëndjen teksa ajo bukuri do të shumohej në çdo petale luleje, do të lodronte me çdo farfuri fluturash, në çdo buzë do të ndez një puthje, e në çdo prekje do të çel një epsh.

E trishtë është zemra e një poeti, e një poeti që druhet të ngjyejë penën në përroin vërshues të epshit. E së andejmi të na sjellë atë përmbytje ngulmesh të ethshme pasioni. Të na shpërfaq atë kurajë miklimesh delikate që zvarget përmes hukamash e buzësh që djegin përgjatë një kurmi që gufon prej poreve një aromë, një aromë që do të dehte çdo tërbim e do të yshtte çdo engjëll në gostinë e zjarrit.

Një penë që është ngjyer gjithnjë në gjak, do të cytej të lëshonte vërshimin e vet në andjen për me dëshmu kufijtë. A ndoshta një fluturim për të kthjelluar prej mërryljes së dyshimit e territ çdo hov që turret zjarmues në kopulimin e gjithë ngjyrave që jetësojnë më të dëshirueshmet përfytyrime.

Penë e poeti thuaje, se ngulmet e mendjes dhe harlisjes shkallmojnë çdo rrekje për ta mbajtur këtë vërshim të kyçur brenda gardheve të perceptueshmes. Pa droje dëshmo, më më të bukurat fjalë se epshet e zgjerojnë përherë e më shumë pafundësinë, universin të cilit i përket, si shpërthimet galaktike, duke e mbajtur gjithnjë të mbushur me shkreptima yjesh qiellin ku kullotim sytë, sytë e ujitur prej lotëve të zjarmimit, çasteve të flatrimit në eter të shpirtrave.

Qëndise me fjalë të ngjyera në epshin e dashurisë, poet, rrugën nga gishtat e ngërthyer, pulitjen e buzëve në puthje, deritek qiejt ku pluskojnë yje e ndeshjet e dhunshme të dritës që mëkojnë krijimin, po, deri te përplasja e trupave në kopulim… e do të shohësh se si gjaku s’do të të mjaftojë të shkruash himnin e këtij shugurimi shpirtrash.

Ngjitu në krahët e këtij flatrimi eteri fjalësh dhe ndijimi, dhimbjesh dhe mrekullimi, ngërthe lartësive e epërme të ëndjes, shumë lart, ku kurrë më parë s’ke qenë, për të prekur pafundësinë dhe mbërritur qenien.

Me një Eol do të kuvendosh për erërat që lodrojnë nëpër flokët e shpupurishur të epjes, me një Afërditë do të shihesh si me të hyjshmen ëndërr që ta qëndisi dalldinë me më të hirshmet pekule, në prehrin e Helenës së Trojës tragjike do të dëgjosh ninullën e pafajësisë që paqton çdo trazim që ndërzen bukuria. Një Odise do të gjesh në çdo Itakë të harbimit të mishit dhe një Penelopë do njohësh, një Penelop që end e ç’end pëlhurën ky pena jote ditirambe do të qëndis, këndimtare në çdo hare e galdim, baladave do të drithërojë e do shkrepi në çdo fjalë një yll.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok