19/04/2024

PËLLUMB GORICA, STUDIUESI, POETI DHE GAZETARI

0

NGA PETRIT BASHA

Për së pari me studiuesin, gazetarin dhe poetin Pëllumb Gorica, jam takuar në Darzezën e Re (Povelçë) në Fier, në korrik 2010, kohë kur isha për pushime, me ndërmjetësimin e një mikut të tij.

Unë isha ulur në një kafene rrëzë brezit pyjor me pisha, me formën e një “anijeje”, me pozicion lindje-perëndim, në “kiçin e saj, dhe po prisja të vinte Pëllumbi.

Nga ura mbi kanalin që lidhej me detin Adriatik, u shfaq një djalosh me fytyrë të pastër, të rrahur nga dielli dhe me flokët e thinjura dhe të shkurtra. U ngrita në këmbë, kur ai erdhi afër meje, dhe tokëm duart, ashtu siç mund të takohen dy njerëz, që veç krahë kanë për të fluturuar, të cilët, m’u dukën sikur e pushtuan atë kafene të mbytur nga drita e diellit dhe kaltërsia e Adriatikut.

Maturia në bisedë dhe bashkëbisedimi i këndshëm, më bënë të më hynte menjëherë në zemër.

Për fat, miqësia jonë i rezistoi kohës, ndryshe nga shumë miqësi të tjera, qysh në lindje të dështuara. Komunikimi intelektual i tij ka bërë që koha skulptorë të gdhendin dëshirën e përbashkët për hulumtime.

Gjatë këtyre viteve, më shumë se një dekadë, ai për mua ka qënë mik besnik i papërsëritshëm dhe i sinqertë. Librat e mi, që i kam dhuruar, jo vetëm që i ka lexuar, por dhe i ka përcjellë ndër shokë e miqtë e vet. Veç tyre, shkrimet e mia i ka botuar në gazeta dhe portale.

Takohemi rrallë, se jeta me dinamikën e saj nuk na jep shumë kohë, të ulemi e të bisedojmë gjatë. Gjithësesi në gjithë këto vite jemi takuar dhe kemi kuvenduar, me një frymë tjetër, duke u larguar nga rëndomtësia e gjuhës, por duke e lëmuar në trajtën më shprehëse, që i jepte më tepër ëmbëlsi takimit, sepse emëruesi i përbashkët është vlera e trashëgimisë, në funksion të njëmend të kumbimit të saj shprehës.

Pëllumbi i bie kryq e tërthorë rrugëve të Shqipërisë. Udhëtimet, janë kënaqësia më e tij ndaj trokitjeve drithëruese të ditëve monotone. Udhëtime të pafundme afër dhe larg, në vise të njohura dhe panjohura, duke sjellë përshkrime të mrekullueshme dhe freski poetike, që teksa i lexoj më krijohet përshtypja se i kam vizituar edhe unë këto vende. Kjo ka lindur tek ai po ashtu edhe pasionin për fotografinë, që është bërë si të tjera, pjesë e jetës së vet. Kjo është një mënyrë për të shperndarë nga pak histori, kujtime, tradita…

Peisazhet e trevës tonë, historia, kultura dhe traditat e saj e zhvendosin herë pas here me pasion, kjo edhe prej lidhjeve të thella shpirtërore që ka. Në rikthimin e tij në këto vende, ai s’harron të qëndrojë për një kafe në Gramsh. Në fund një foto si kujtim e më pas mesazhe falenderimi e vlerësimi, që bëjnë me krahë këdo.

Gjatë kohës së pandemisë të COVID 19, nuk e pamë njëri- tjetrin për një kohë të gjatë. Si unë edhe ai i respektonin me rigorizitet rregullat e “pademisë”. Këmbenim herë pas herë telefonata me pyetje dhe përgjigje të zakonshme për shëndetin, me hollësira e informacione rreth pasionit tonë hulumtues.

Ne jetojmë një kohë dhe në një shoqëri, ku vlerat po humbasin (njerëzimi më parë kishte më shumë vlera morale e shoqërore se sot). Të qenit njeri, nuk është më qëllim i shumicës dhe as i dobishëm për jetën dhe shoqërinë, aq, sa po humbasim pak e nga pak shumë vlera për hir të interesave personale, sepse u duhen diplomat, gradat e titujt, se si mirënjohja kthehet në përbuzje e mirësjellja quhet dobësi. Të zotin në punë i bën të tjerët ziliqarë. Në natyrën njerëzore vepron ligji i kompensimit, paaftësia kompensohet me intrigë, me ligësi me shpifje e mashtrim; i ndershmi nuk di të vjedhë, duke ruajtur krenarinë e paqe e shpirtit. Nuk ka gjë më të keqe se ambiciet e njerëzve të rëndomtë që mendojnë se lartësohen duke poshtëruar tjetrin.

Në bisedat tona, kam kuptuar se ai e dënon padrejtësinë, prapaskenat pas krahëve të ndonjërit dhe në veçanti ndaj atyre, që i marrin materialet, fryt i punës së tij dhe të tjerëve, duke i botuar si të vetat. Sigurisht Pëllumbi ka zgjedhur një lloj refuzimi, për të mos qënë në sofrën, apo gostinë e dallaveres, që koha ka shtruar.

Në kërkimin të vlerave, zotëron një energji, që nuk shter e të habit. Qielli është i vogël për shpirtin e tij të bukur, që nuk shikohet fizikisht, por ndjehet, në mardhëniet me Natyrën Shqiptare e më gjërë, me miqtë, të njohurit, historinë dhe artifaktet.

Lexon në udhëpërshkrimet modele të “saggistikës” (urtësi përshkrimore meditativo-filozofike). Çdo herë e shkrim më të bukur, më të ndjeshëm se tjetrin, plot jetë e gjallëri, plot bukuri natyre e derdhur me fjalë mjeshtrie nga “kamera” përshkruese me fakte historike.

Dua të theksoj se autori ka botuar me qindra krijime dhe studime, jo vetëm në portalin (gazetën elektronike) “Zemra shqiptare”, në Angli, por edhe në gazeta e portale në Shqipëri. Tematika e tyre është e larmishme, me vlera të veçanta njohëse e studimor, si:

Udhëpërshkrimet: “Thesaret e rralla të Sulovës”, në gazetën “Dita”, “Uji që bën çudira”, në gazetën “Shekulli”, “Në majëmalin e Korabit”, në gazetën “Telegraf”, ‘‘Metaforë e historisë së Lashtë “, në revistën “Besa” ( Suedi), “Ujëvara e borëzuar e Sotirës”, në gazetën”Dielli” në Amerikë, “Zërat e lashtë të një qyteti”, (Nacional) “Në gjurmët e piktogrameve pellazge”, “Dumrea, një perlë e vetë Zotit!” (Shqiptarja.com), “Viseve ku pushojnë Perënditë”, “Divjaka për t’u riparë”, “Janina të deh me aromë historie shqiptare”, “Bosnja një bukuri e mbuluar ende nga plagët“ ,“Bukuroshja e Jonit”, “E shenjta Voskopojë”, “Magjia e parrëfyer e Lin”, “Të prekësh Ulqinin”, “Udhëtim në Parajsën Piemonteze”, “Ohri, qyteti i një kujtese të harruar”, “Sytë e rinj të Monakos”, “Sërish në Prizren” (Zemra Shqiptare)., etj.

Etnografi dhe Traditë: “Tradita e tezgjahut në krahinën e Sulovës”, “Mbi banesat dje dhe sot në Sulovë”, “Themeleve të riteve e bestytnive të trashëguara ndër shekuj”, “Veçoritë e veshjeve popullore të Sulovës”, “Fryma pagane e Ditës së Verës”, “Dollia e Sulovës, aty ku pihet rakia me me opingë”., etj.

Arkeologji e histori: “Kulla e Kamunahut, një kala ilire që dremit prej shekujsh”, “Petrela, vend i dy kështjellave”, “Magjia e bukurive të nëntokës sulovare”, “Historia e masakrave serbe në Dumre e Sulovë”, “Gjurmë të lashtësisë së një vendbanimi” (Kalaja e Qafës, Sulovë), “Kali legjendar i Sulovës”., etj.

Gjuhësi: “Disa veçori gjuhësore në krahinën e Sulovës.”, “Gëzofsh të ritë, një urim i bukur nga Sulova”., etj.

Personazhe historike: “Haxhi Sali Bej Përrenjasi, burri që qëndron midis legjendës dhe historisë”, “Historia në sytë e një burri”, “Edith Durhan, mikesha e përjetshme e shqiptarëve”., etj.

Portrete: “Një jetë si një libër”, “Koha të gdhend emrin”, “Një portret që rrezaton mirësi”, “Mirënjohje për mësuesin, një kontribut 100 – vjeçar i mësuesëve elbasanas në krahinën e Sulovës”., etj.

image description

Librin që më dhuroi, “Sulova e Poshtme në shekuj”, fillova ta lexoj që kur isha në plazh dhe zbulova se ishte interesant e me shumë vlera për mua, pasi edhe unë po punoja prej vitesh të shkruaja një libër për vendlindjen time, Tunjën, në Sulovën e Sipërme.

Pasi e lexova, kuptova se nuk është botim i zakonshëm dhe as një parashutë e bardhë në qiellin e murrët të botimeve, por një libër, që urtësisht dhe mençurisht hedh dritë për “territorin” e kësaj treve, të cilin Pëllumbi e njeh deri në shterim dhe shkundi letargjinë nga koha moderne, që kishte nisur të kalbte frutin e trashëgimisë brenda saj, atë qelizën e mentalitetit të saj, që ka lënë vragë të thellë në kujtesën e kohës.

Libri monografik “Sulova e Poshtme” është shumë më tepër, është një thesar i pa krahasuar. Duke e lexuar hyn në skutat ku noton, trashëgimia jonë historike. Pëllumbi ka hulumtuar, thesaret e Sulovës, të trevës më veriore të Toskërisë, të shtrirë rrëzë malit mitik të Tomorrit e njohur për traditat e mikëpritjes, të folklorit, të historisë së Lashtë, të linguistikës, toponimeve, antropologjisë, etnologjisë së saj, të legjendave të pa shoqe, që nga thellësia e mitologjisë së antikitetit; kështjellat, vendluftimet, kodrat e historitë e pafundme dhe, si Promethe me zellin kulmor, nën peshën e ndjesive në thellësi, duke shkelur me këmbë e prekur me dorë, atje ku e mrekullon natyra dhe gjurmët e lashta që i dhurojnë kënaqësi.

Shumë episode e rrëfenja nga libri, personazhe, toponime, kala, kalldrëme, etj, ishin të njohura e të dashura për mua. Me babain tim, po edhe vetëm, kur fillova punën si mësues, i kam rënë kryq e tërthor Sulovës së Poshtme, për të shkuar te miqtë tanë në Mollas (fisi Muça dhe Asllani), në Linas (fisi Hoxholli), në Klos (fisi Duzha), etj., si dhe kalimet tranzit Gjyralë – Mollas – Topojan – Tunjë. Veç kësaj, kur isha drejtor shkolle në fshatin Përrenjas, kaloja nga aty në Topojan – Ura e Kadipashait – Gostimë – Gramsh, kur u dëmtua ura mbi Devoll në dimrin e vitit 1962-1963.

Për ngjarje të ndryshme historike, të pushtimeve nga armiq të ndryshëm në Shqipëri dhe Sulovë, iu referova autorit, pasi kishte të dhëna të shumta arkivore, të sakta shkencërisht dhe nga studiues të njohur. Ky libër qe një ndihmesë e çmuar për mua, për librin që do të shkruaja.

Libri “Sulova e Poshtme në shekuj”, është shkruar me këmbëngulje e durim të madh, me qëllimin e vetëm për të shkruar për gjithçka e për t’ua lënë brezave të sotëm historinë e lashtë e të tashme të kësaj krahine.

Autori thekson: “… Bisedova me njerëz të moshave të ndyshme. Vite të tëra pune, mundi, djerse, shpenzime, … që më bënë entuziast dhe të sigurtë, se të shkruash një libër të tillë, është shumë e rëndësishme.” (Libri në fjalë, fq. 5). Muaj dhe vite ngujim, për të nxjerre një libër. (kujtoj Markezin që mbyllej deri sa përfundonte librin e tij). Këtë e plotëson më tej studiuesi erudit Dr. Moikom Zeqo, i cili shprehet: “… Ky libër është një organizmim i mençur e një informacioni unikal, jo vetëm në suazën e zonës e trevës subjektore, por edhe objektive. Vetëm një dashuri shumë e madhe me një ngulmim të gjatë ndër vite, jo vetëm nga librat, por sidomos në terren, mund të çojë në realizimin e këtij libri, që është në thelb një histori enciklopedike e Sulovës së Poshtme, për të plotësuar me dinjitet një gjymtyrë të gjallë të historisë kombëtare.” (fq. 9-10 e librit).

Në arritjen e rezultatit për botimin e këtij libri mendoj se kanë ndihmuar cilësi e virtyte dalluese të Pëllumbit, si: Ai është person që s’ndien lodhjen dhe mundim në kërkim të së panjohurës, derisa të arrijë qëllimin; shfrytëzon në maksimum kohën, edhe kur është në punë dhe me pushime etj. Ai, për realizimin e këtij libri, është mbështetur në sigurimin e materialeve të besueshme dhe të domosdoshme arkivore, për evidenimin e së vërtetës dhe servirjen tek lexuesi të materialeve të besueshme dhe shkencore. Veç kësaj, ai është mbështetur dhe tek bartës të vlerave kulturore, historike, folklorike, etj., të ruajtura brez pas brezi.

Pëllumb Gorica nuk është vetëm një studiues pasionant i disa fushave, ku shkruan me profesionalizëm e saktësi shkencore, po dhe poet i spikatur i shumë poezive me tematikë të larmishme e të shprehura me vargje brilante, si dhe figuracione e metafora të goditura poetike plot ndjenjë e dashuri. Ai nuk është poet vitrinash, por njeriu dhe krijuesi i ndërgjegjes letrare, nëpërmjet gjuhës dhe filozofisë së ndjenjave, sepse poezia e tij frymon si frymë, ngre dhe shpërndan emocione të atilla kur njeriu e ndjen veten në hapësirën midis: tokës dhe qiellit.

Poeti Agim Barjami e vlerëson për këtë vëllim poetik, këndvështrimet, racionalen dhe trajektoren e zhvillimit të mendimit, ashtu si edhe ndërthurjen stilistike letrare, figuracionin, metaforat, rimat, krahasimin apo hiperbolat:

“Duke qënë njeri i ndjeshëm dhe bir i natyrës, poezitë e Pëllumbit kanë trokitur vetvetiu në penën e poetit. I kanë vënë përpara krejt natyrshëm një fletëz blloku dhe i kanë thënë: “Shkruaj tani!”, dhe shpirti i ëmbël i poetit, për t’i bërë kësaj grishje, ka bërë të tijin më pas. Lexon njëra pas tjetrës poezitë dhe në sy të mbeten peisazhe ndjesish shpirtërore, bukuri sublime, por edhe shqetësime qytetare… I ndërgjegjshëm për misionin poetik, në ndonjë rast, vargu poetik transferohet edhe në një lloj britme dëshpëruese për të ligjtë e kësaj bote, që fatkeqësisht i kemi me shumicë brenda dhe jashtë nesh. Ja njëra nga poezitë:

Ndonëse derrat lerosen në llum,

Të shfaqen qengja me shpirtin qelibar …

Ata janë të liq, më shumë

se ujku i përrallës këmbëbardhë!”

(vëllimi poetik “Dallëndyshet e erës”, fq. 6-7)

Disa nga poezitë e këtij vëllimi janë botuar në revistën letraro-kulturore “Pelegrin” të Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, nr. 22 (themeluar në Athinë, pranverë 2014).

Këto poezi, të vëllimit “Dallëndyshet e erës”, në revistën e mësipërme, shoqërohen me vlerësimin e Dr Ermelinda Kashahu, pedagoge në Universitetin “Eqerem Çabej”, në Gjirokastër, ndër të tjera thekson: “… Ashtu si një kritikë letrare e poetizuar, ashtu edhe poezia e Pëllumb Goricës ka vlera të pamohueshme. Prej këtej shpreh bindjen time të plotë, se poeti ynë është simboli i gjallë i shpirtit qytetar, pikërisht për faktin se i paravendoset strukturës së thelbit historik si projekt vizionar për ndryshimin e gjërave dhe që nuk e tradhëton asnjë grimherë etikën e vet formës estetike. Në vijim të këtyre mendimeve, citojmë vargjet:

Kjo rrugë më ngjan bukur,

si penelatë e purpuruar me ngjyrë

Po gazi yt, nënë, ku është strukur,

në ç’kopsht vallë qënka shkrirë?! (fq. 174 e revistës)

Në vitin 2016, Pëllumb Gorica paraqitet para lexuesve, me librin “Fjalë muzash”. Në të jepen vlerësime për 36 autorë të ndryshëm për krijimtarinë e tyre letrare. Autori paraqet dhe vë në dukje vlerat e çdo libri me kompetencë profesionale, përmes zbulimit në thellësi të vlerave artistike të çdo autori dhe libri.

Shkrimtari Hysen Kobellari, për këtë libër, shprehet: “Nuk është e lehtë të flasësh e të shkruash sot për dukuri, autorë e zhvillime letrare bashkëkohore. Ndaj është i mirseardhur dhe i nevojshëm botimi i një libri me mendime, përshtypje, mbresa e gjykime për vepra letrare dhe autorë të kohës sonë. Madje është një gëzim i vaçantë. Këtë gëzim të jep leximi i librit të studiuesit Pëllumb Gorica, teksa përpiqet e mundohet të zbulojë mesazhin e fshehur tek çdo krijim, tek çdo poet, shkrimtar e krijues, që e veçon dhe e respekton. Autori flet thjesht dhe qartë, me zemër të hapur e mendje të kthjellët; ai kërkon nga krijuesit, poetë, artistë e shkrimtarë ngritje cilësore të vargut e fjalisë, lartësim të mendimit artistik e filozofik, mesazhe të qarta e të thella të veprës së tyre”.

Ky libër i bukur, rëndësia e tij dhe leximit më solli ndërmend hantikapin e epokës moderne. Sot shkruajnë shumë, por jo të gjithë janë pjellorë e cilësorë. Por edhe se letërsia më së shumti është kthyer në biznes dhe ndaj shkrimtarëve nuk tregohet kujdes. Për fat të keq, jemi mbushur me të vetë-quajtur poetë (poetë facebooku) dhe nga iluzioni që kanë duke menduar se shkruajnë, bëjnë dhe kritikun e qokave, me retorika neveritëse. Pa harruar shkrimet e gazetarucëve, që u merren këmbët, jo vetëm nga përmbajtja e mesazhet, të ndërtimeve drejtshkrimore e sintaksore me shumë gabime, apo nga tallavatë e këngëtarëve dhe fjalët e pakuptimta me një shqipe të dhunuar nga pseudoletrarët. Por në këtë kaos, kur, sipas një fjalë të urtë, “po ulen kodrat e po ngrihen gropat”, gjithçka pritet.

E pse mos të ndihesh krenar, për njeriun që pasioni i tij e lartëson. Njerëz të tillë (të rrallë) në këtë kohë, të mbushin me kënaqësi, siç thotë Kamy, “të cilët kanë shumë gjëra për t’u admiruar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok