26/11/2024

Nga Edison Ypi

Kam dy shishe me pekmez. Njërën e mora në Bishnicë. Tjetrën në Krrabë. E para e ka pekmezin të hidhur. E dyta, të ëmbël. Kur i provoi një amvisë, tha: Nuk janë pekmez. Të kanë gënjyer. Flaki.

Ku të gjej Pekmez të mirë ?

Pse jo në Dardhë e tatëpjetë, Sinicë e përposhtë, nëpër një rrugë ku s’kam qënë kurrë. Me këtë rast, gjej pekmez, kullos dhe sytë.

Ja Dardha;

E zhytur e tëra brenda një pishnaje të dendur.

Hotele, bujtina, vila.

Traketruke mbi kalldrëm të ndonjë xitele për t’i dhënë fund të sforcuar beqarisë së zgjatur, a për të kombinuar ndonjë interes.

Ca burokratë të moçëm të vrenjtur të kohës shkuar, spiunë të regjur që po çlodhen nga zanati i vjetër, tradhëtohen nga vrragat e pashlyeshme të spiunllëkut mbetur mbi surrat. Ta kall datën ndonjë prej tyre kinse i qeshur. Spiun i qeshur nga kohë e vdekur, objekt muzeal i paçmuar.

Dardha ka Museum me foto. Ballo, Taksi, Teatër, qysh herët. Në Dardhë është lojtur “King Lear” që më 1912.

S’ja kam ngenë Ballove dhe Shekspirit në Dardhë këtë herë. Jam nisur për Pekmez.

Ku gatuhen lakrorë të mrekullueshëm dhe raki me ta lujt çaçkën e kokës, s’ka pekmez.

Pse Dardha është lakuar aq shpesh për arratisje në Greqi ?

Përgjigja rrënqethëse vjen e mbytur nga copëza muhabetesh: Sepse, duke qënë larg dhe e panjohur, Sigurimi hapte fjalë se arratisja nga Dardha është e kollajtë. Garancitë dredharake që dilnin nga bodrumet e Sigurimit ishin si thërrimet e djathit të çarkut që i ha miu. Kandidatët për arratisje dhe burg, niseshin drejt Dardhës. Dardharët i spiunonin pa mbërritur.

Të rrish e të dëgjosh dënglat e dardharëve për Dardhën, bindesh se ajo që i ra Newtonit mbi kokë, s’ka qënë mollë, ka qënë dardhë.

Lë pas Dardhën me pisha, kalldrëme, vipa, vila ndërtuar bythë më bythë për tu lumturuar me aromën e pordhëve të njëritjetrit.

Rrugë rurale me taban të fortë. Dikur ka qënë e shtruar me kalldrëm. Mbeturinat e kalldrëmit në dy a tre kilometrat e para e vështirësojnë kalimin. Por jo sa e bënë sedentarët skeptikë të udhëtimeve me gjithato këshilla, udhëzime, kërcënime. Patjetër fuoristradë e lartë, patjetër katër herë katër, kishin qënë teprime.

Sapo zbret nga Dardha, drejt lindjes, s’ka më pisha. Ka pyje me dushqe dhe përrua.

Sinica ka dy mëhalla, përroi në mes. Dy mëhallat lidhen me ura.

Makina, motorra, ruspa, betoniera, gjithandej.

Sinicarët po ndreqin me shpejtësi shtëpitë e vjetra. Po i bëjnë të reja.

Gurë e gëlqere, llaç e tulla, Sinica është e tëra në ndërtim e sipër, apo “under construction”, si i thonë kurbetlinjtë sinicarë që Anglishten e kanë mësuar hezber.

Dikush ka ardhur nga Athina ku ka 29 vjet. Tjetri nga Peloponezi. Tjetri nga Italia.

Të gjithë punojnë me ngut.

Pllakë përkumtimore pranë një ure:

“Ura e Sherifit, kontriboi Eshtrefi”.

Si s’pashë një urë që edhe pronari edhe kontributori të jetë i njëjti, ose Sherifi, ose Eshtrefi.

Shumë mirë bëjnë që i ngrenë shtëpitë e reja. Por nuk kuptohet gjithë ky ngut, dhe pse të gjithë njëherësh ?

Duro o i duruar. Përgjigja vjen pak më tutje. Ku rruga zgjerohet befas.

Po ndërtohet rrugë e re.

Rruga Miras-Arrzë, e gjërë dhe moderne, është pjesë e projektit “100 fshatra turistikë”.

Rruga e re shkon drejt e në Arrzë.

Dardha, Sinica dhe të tjerë fshatra do lidhen me degëzime.

Ja pra pse nguten sinicarët llërëpërveshur punëmëdhenj të ngrenë shtëpitë e reja. Që kur të mbarojë rruga, shtëpitë e tyre të jenë pjesë e infrastrukturës turistike që do sjelli dollaro nga vendi dhe bota.

Qytezë, Çetë, dhe të tjerë fshatra këtej e përtej përroit, nuk mund të shihen në një ditë. Të kesh qënë një herë në këtë mrekulli, e pamundur rë mos vish përsëri t’i hedhësh një sy copëzës së shpirtit që aty të mbeti.

Shqiptarët ruralë s’para kanë qef t’i fotografosh apo filmosh. Ndonjëherë kërkojnë dhe pare. Devollinjtë nuk bëjnë naze.

Janë të gjithë si lisa.

Në dallim nga vende të tjera ku nuk i kanë problem rrobat e varura, të çrregullta, kopsa e zinxhirë zbërthyer, këta kujdesen. Vishen thjesht dhe ngjeshur. Jo pak prej tyre përdorin triko leshi në mish pa mëngë edhe në gusht.

Nuk mbajnë qeleshe dhe qylafa.

Katundet janë plot me data të shënuara historike me shkolla, kuvende të rëndësishme.

Kanë vetëdijë qytetare të ngulitur thellë qysh herët.

Banorit të këtushëm, në lule të ballit t’ja mbash, nuk beson se mund të jetë sadopak inferior ndaj cilitdo banor të Korçës apo Tiranës.

Megjithse është gusht, rrëke uji rrjedhin tërthor rrugës. Vend me ujë !

Të përgatitesh për dimër, s’është kurrë herët.

Zbresin tatëpjetë dy kuaj ngarkuar me dru zjarri.

Ngjitet përpjetë autokolonë me pesë a gjashtë mushka dhe kuaj.

Nuk i presin më drutë me sëpatë. Sëpatës i ka humbur bishti. Bishtit i ka humbur i zoti. Mbi samarët e kuajve dhe mushkave duken moto-sharra të vogla që punojnë me karburant të lëngët.

S’ka më pyll e përrua. Ka fshat.

Më këmbë para një porte metalike, devolli’ i moshur me kasketë:

-Si quhet ky vend ?

-Miras, thotë, me një zë energjik që të tromaks.

-Më gjej pak pekmez.

-S’ka pekmez. S’bëjmë pekmez. Kemi bërë dikur pekmez panxhari. Tani s’bëjmë më.

-Po çfarë bëni ?

-Bëjmë bujqësi, blegtori, rrisim derra.

-Derra në Devoll ? I dashur devolli’, derrat nuk rriten në Devoll. Derrat rriten në Mirditë.

Aty devolliu i sertë zbutet pak. Nis e rrëfen meselenë e derrave në Miras. Pas 90-ës, thotë, disa djem të Mirasit shtunë sevda me çupat e Mirditës. I morën për nuse. Nuset mirditore në Miras, nja 10 a 15, nisën një biznes fitimprurës, rritjen e derrave. Derrat u shtuan. Tani derrat janë pjesë e ekonomisë së Mirasit.

E hanë apo s’e hanë mishin e derrit devollinjtë e Mirasit, a therin mish derri nëpër dasma e gostira, energjiku me kapele nuk ma tha, as un’ nuk e zgjata.

Disa fshatra kristianë në ultësirën perëndimore dhe në jug, me rrugën mespërmes fshatit dhe shtëpi në të dy krahët e rrugës, janë të vetmit fshatra në Shqipëri që kanë një farë simetrie planimetrike.

Shumica e fshatrave tanë janë një shtëpi këtu një atje, pa asnjë simetri, rrethore, unazore, katrore, kuadratike, etj.

Mirasi, apo Bozhigradi si i kanë thënë, nuk është as simetrik, as asimetrik.

Në pikpamje planimetrike, Mirasi është një soc-fshat orwellian ku koha ka ndalur andej nga vitet ’70.

Mirasi, me një shtritje gjatësore tejet monotone, duket si një gjarpër i lodhur shtrirë nëpër fushë fill pasi ka gëlltitur një gic, dhe po e përtyp më nge’ me acidet e stomakut, dhe mijëra dhëmbët e vegjël.

Megjithse Mirasi është një monotoni planimetrike dhe arkitektonike rrënqethëse, banorët, miracakët, nuk janë të paduruar, nuk janë xerxele’. Janë të qetë, mikpritës, të muhabetshëm.

Duke kaluar nëpër Miras të duket sikur nga çasti në çast do takohesh me ca vajza të buzëqeshura me shata e lopata në sup që po shkojnë nga leximi i Zërit të Popullit në Vatrën e Kulturës, drejt e në fabrikë për të punuar për vitin 2050, drejt e në fushë për ta tejkaluar planin e prashitjeve, drejt e në stallë për të mjelë lopët me rendimente të larta, drejt e në zbor për ti derdhur armikut plumb në gurrmaz.

Devolli është absolutisht një Toskana e jonë, definitivisht më i bukur, më i ëmbël dhe më i begatë se Toskana e Italisë.

Fshatrat e tjerë deri në Bilisht janë ndryshe.

Kanë vila luksoze, kangjella, basene.

Mes sysh, mu në mes të Toskanës tonë, i tillë është edhe Menkulasi, i famshmi katund i daullexhiut të baltës.

Bilishti është më i lëvritshëm, më i gjallë se kunata e tij, Erseka serioze, dhe dajua qefli, Leskoviku elegant.

Bilisht-Zëmblak, me fusha të mbjella, plantacione të pafund mollësh, rrugët e drejta të asfaltuara që të shpien nëpër fshatrat rrëzë kodrave, është një parajsë urbane-bujqësore frymëndalëse.

Nga me ja majt ?

Drejt për në Korçë, apo djathtas rrëzë Malit të thatë për të dalë në Podgorie, Petrushë, autostradë ?

Më mirë nga e djathta. Mbretëria e pllaqive dhe Mbret Pojani.

Këtu bëhet ç’bëhet.

Ai me kasketë, ajo me shami, bujku me Zonjën mbi traktor venë e vinë nëpër ara.

Benza, Opela, Mitsubisha, motorra, pompa, tuba, vegla.

Shembin mure. Ndreqin çati. Sistemojnë avllira.

Pekmez kurrkund.

Janë këta të përparuar që kanë harruar pekmezin, apo jam unë i prapambetur që vdes për pekmez ?

Podgoria, kryeqyteti i  Fushës së Korçës, si Roskoveci i Myzeqesë, plot me shtëpi të reja.

-Pse në Podgorie ka më tepër shtëpi të reja se në çdo fshat tjetër të Fushës së Korçës ?

-Sepse punojmë më tepër.

-Ta besoj. Por nuk mjafton. Do keni ndonjë Kryetare si Majlinda e Roskovecit. Ndryshe nuk është e mundur.

Në autostradë, makinë e përplasur. Vaji derdhur në asfalt, si Pekmezi që kërkova por s’e gjeta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok