23/12/2024
u1_Kalosh-Celiku

NGA KALOSH ҪELIKU

Mëngjes. E ngarkova veten në shpinë përmes sokaqeve me gurë deri te Rrapi. Në një degë të tij sot kisha vendosur t`i varë armët. Nën hijen e tij do ta lidhja Gjokun. Armët do t’i varja në një degë. Dy qetë në zgjedhë, dhe një kalë përpara pllugut do ta lëroja arën ugare. E dija se më pret një luftë me djersë mes këtij bërlloku, që dita – ditës ma zë frymën. Vetëm, nuk e di pse ende nuk vinte Mikja Di të më jap gji nga ato dy shtama. Me siguri do të ma kthente fuqinë për luftë si Mujit e Halilit Tri Zanat e Malit, që shtatë ditë e shtatë netë të mos i zbres Gjokut nga shpina. Shpatën ta ngrej lartë në dorë për liri, rrotulloj në ajër për fushëbetejë. Shtatë ditë e shtatë netë të pi verë me shtama. Shtatë ditë e shtatë netë t`i shterë herdhet në këtë Shtëpi Publike. Shtatë ditë e shtatë netë ta vazhdoj luftën me penë nën Rrap…

Deven, kur e kanë pyetur

kur e ke pasur më së vështiri

në jetë?

Është përgjigjur:

kur më ka pri gomari.

 

E mua po të më pyesni

në këtë Shtëpi Publike

do t`ju përgjigjem:

kur më pri Trusakati.

Dhe, Maxhupi me dajre

t’i dalim zot Atdheut

me çifteli e poezi patetike…

Hi-hi-hiii… E kanë lidhur për Rrapi… Miken Di ia kanë përzënë në Lindje… Ferexhen ia kanë hudhur mbi kokë mbi varrin e Baba Shehut, në Baba Tomor… Natë e ditë kanë lenur lesh Arapi… E kanë vendosur, nën Rrap ta mbysin me verë…

– Heu, Dashnor Delia, pse fol kështu me vetëveten?!

– Hi-hii-hiii… Më mirë të flas me vetëveten, sesa me Rrospitë Meshkuj. E kam frikë Nusen me pashterkë të kuqe… Frikë… Frikë… Frikë… Nuk e di ti, sa është ajo e rrezikshme në shtrat… Gjithë natën e gjatë kur të dhunon mes librave, dhe mbi çati… Majë lisave…

– Dashnor Delia, ngreja këmbët në hava!…

– Hi – hi – hiii. E kam bërë moti planin e luftës. Vetëm, frikë kam, se: ajo e para do t`mi ngrejë mua bythët në ndonjë livadh me lule, rrëzë Ҫuke…

– Dashnor Delia, nuk e besoj, ti di t`a përdorish Penën… Trurin… Armën me Dy tyta…

– Hi-hi-hiii… E di. Vetëm, atë shtrigë nuk e zë plumbi.

– O Dashnor Delia, në mos e zëntë plumbi, do ta zë gjylja e topit.

– Hi-hi-hiii… E ke lehtë ti të flasësh ashtu, pasi ende nuk të ka shti në dorë… E kur të të shti në dorë, atëherë flasim si burrat pranë Oxhakut… Po, t`i lëmë këto marrëzira “artistike”, a do të ma qesish një kafe nën Rrap?

– Jo,  Dashnor Delia pa ia ngritur këmbët Nuses me pashterkë të kuqe në hava…

– E kam ditur moti. Mirë ta bënë Trusakati… Maxhupi me dajre… Nusja me pashterkë të kuqe, që pasmesnate dorë më dorë të hudhin mbi çatia… Majë lisave… Edhe, atë: në Tridhjetëvjetorin e Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup. Vit, kur këlyshi me zgjebe me shokë neokomunistë, si anëtarë partiak komisioni për botime në Ministirnë e Kulturës, e la LSHSH -rë në Shkup, me zëvendës të Ministrisë Kulturës “shqiptar” (“Besa”), Sekretar shtetëror të BDI -së, anëtar komisioni për botime të LSDM -ës dhe BDI -së me  “vëllezërit” e shtetit të “përbashkët”, në pushtet pa sanjë projekt vjetor, si: “Lidhje e Shkrimtarëve Shqiptar Paralele”?!

– Dashnor Delia, ia qëllove me një plumb mu në ballë… Tashti e meriton një kafe… Porosite, he burrë nën Rrap!… Hije…

– Jo, nuk dua kafe nga ti, zoti shkrimtar.

– Dashnor Delia, pije një kafe!

– Jo, kafe ti pi me armiqtë, që gjithë ditën e gjithë natën bëjnë plane si të të vrasin, të të bëjnë atentat… Helmojnë… E di se, për ju e kam shkruar edhe një poezi…

– Jo, Dashnor Delia. Gjithëçka kam ditur për ty, o trim mbi trima, por jo edhe se shkruan poezi erotike në “Bit-Pazar”!

– Eh, zoti shkrimtar, këtu është gabimi historik… Hataja… Ti mendon, se: vetëm, ti di t`i shkruash Mikes poezi… E, nuk e çanë kokën për poezitë e mia rebele të dashurisë, që i shkruaj pasmesnate rrugëve të “Bit-Pazarit”, në Shkup…

– Vërtetë, ke të drejtë Dashnor Delia. Po, lexoma njërën!… Edhe ashtu, moti nuk kam lexuar ndonjë vlerë të arrirë artistike…

– Vetëm, me një kusht. Që, të mos i tregosh askujt, njeriu të gjallë, se: po mori vesh Nusja me pashterkë të kuqe, do të më shkep dajak gjithë natën mbi çati…

– Jo, or Dashnor Delia. Jo. Lexoje poezinë!

– Atëherë, hapi mirë veshët edhe sytë… Poezia është antologjike. Ndodhë, KritikZiu ta përfshijë në antologjinë e ardhshme të Pazarit Grave:

Gjithë ditën – natën

bëjnë plane për atentat:

me porosi të Kurvёs Parti.

E shajnë e vrasin

nëpër çajtore e redaksi:

herë si patriot, herë si tradhëtar.

 

Të nesërmen, nën Rrap

me të hanë e pinё.

Vallë, athua hoqën dorë

apo nuk kanë armë…

– Hi-hi-hiii… A, të pëlqeu vjersha?

– Nuk e di, Dashnor Delia… Nuk e di… Vendin në letërsi do t`ia caktojë KritikZiu. Ndodhё me kёtё poezi patriotike tё hysh edhe nё projektin e Qeverisё: “Makedonska knizhevnost” (Letërsia maqedonase), në Maqedoninë e Veriut.

– E kam ditur se, nuk merr vesh nga vjershat. E, sa i përket KritikZiut, ai duhet t’i ketë herdhet na, si vorba deri në fund të këmbëve në përpilimin e antologjisë. Fatkeqësisht, herdhet e tij janë sa të gjelit… E kupton tashti, ku qëndron arti… Vlerat e arrira artistike… Ja, edhe arsyeja pse gjithëmonë t`i kanë ndërsyer Tun Batunët… Kёlyshёt me zgjebe… Buçat e Katundit…

– Hi-hii-hiii… Jo, i kutpton vlerat artistike Maxhupi me dajre. Fakiri me Arushёn e tij asht e lёkurё pёr dore, qё vinte nё Katund tё na shesё vlera artistike. E ne si fёmijё, turr te porta, ta fusim nё lёmё me gjithё partalla (lecka).

Maxhupi me të dyja duart i biente dajres. Dhe, Arusha kёrcente, hiqte valle nё mes tё Lёmёs. Ne u bienim duarve shuplakё, kёnaqeshim me vallen e Arushёs. Maxhupi me dajre i pёrdridhte bythёt. Nё fund, na e shtrinte dajren para nesh, t’ia paguajmё artin. Dhe, ne ia mbushnim dajren me para metalike.

Maxhupi me dajre e merrte Arushёn pёr dore, dilte nё rrugё. Ecte duke i rёnё dajres me Arushё pёr dore lëmë më lëmë. Dhe, hynte nё tjetёr shtëpi. E shiste artin e tij me para, dajre dhe arushë nëpër Katund.

E kujtova kёtё ngjarje tё fёmijёrisё. Shkaku, se: sot, nuk e kemi kёtё Maxhup me dajre me Arushёn e tij pёr dore nёpёr Katund. Po, e kemi sojin e Maxhupit politikan, qё edhe ky pёrpiqet tё shesё art, vlera artistike. E shtri dajren e arnuar pёrpara spektatorёve, po fёmijёt e soçёm nuk i josh mё arti i tij politik, nuk ia mbushin dajren me para. Koha e soçme e ka maxhupin e vet modern, jo me dajre, por me trumbeta. Edhe Arushёn nazemadhe me rruza përqafe, qё na e heq vallen si dikur nё mes tё Sheshit para këmbëve të Kalit bardhë të shokut Tito. Pёr dallim nga ai Maxhupi i djeshёm me dajre, ky Maxhupi i soçёm me trumbeta shkruan edhe vjersha sakatike nё prehёrin e partive politike… Edhe, e heq vallen me dajre para këmbëve të Kalit Skënderbeut.

Hi-hii-hiii…

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok