23/11/2024

Pavaroti kishte në projekt regjistrimin e disa këngëve të vjetra

0

 

Pavaroti kishte në projekt regjistrimin e disa këngëve të vjetra

Është shuar në moshën 71 vjeçare një nga legjendat e muzikës operistike botërore, tenori i famshëm Luçiano Pavaroti. Ai mbylli sytë mëngjesin e djeshëm në shtëpinë e tij në Modena të Italisë, pas një beteje të ashpër me kancerin në pankreas. Këngëtari i madh i muzikës lirike botërore është shtruar për herë të fundit në spital në fillim të muajit gusht për disa analiza dhe kurime, ndonëse gjendja e tij shëndetësore sa vinte dhe rëndohej. Këngëtari i madh doli nga spitali në datën 25 gusht dhe që atëherë ka qëndruar i mbyllur në shtëpi në praninë e miqve dhe të afërmëve.Një natë më parë televizioni “Antena Uno” njoftoi se veshkat e të madhit Pavaroti kishin pushuar së funksionuari dhe se ai ndodhej në gjendje kome. Në korrik të vitit 2006 Luçiano Pavaroti kreu një ndërhyrje kirurgjikale pasi hoqi një tumor në pankreas. Sëmundja e rëndë e detyroi legjendën e muzikës operistike botërore që të anullonte të gjitha koncertet që kishin mbetur nga turi i tij i lamtumirës së karrierrës së tij nga opera e vitit 2006. Pasi kreu këtë operacion këngëtari i madh nuk doli më në publik. Me të gjatë gjithë kësaj kohe i ka qëndruar pranë gruaja e tij Nikoleta Mantovani e cila është në një moshë shumë më të re se ai. Nga martesa e tij me të Pavaroti pati ka një vajzë të vogël 4 vjeçare të quajtur Alis. Dashuria e këngëtarit për t’u bërë baba sërish në moshën 66 vjeçare nuk u realizua, pasi vëllezërit binjakë të Alis vdiqën gjatë lindjes. Këngëtari i madh i operistikes botërore ka tre fëmijë nga martesa e tij e parë. Debutimi i tij i parë profesionist ka qenë në vitin 1961 në operën Bohema të Puçinit, dhe më pas karriera e tij vinte gjithnjë në rritje. Ndërkohë një nga performancat më legjendare ishte koncerti i vitit 1972 në SHBA, ku salla shpërtheu në duartrokitje të papara. I paharruar mbetet kujtimi i tij në koncertin trios, ku legjenda e operistikes Luçiano Pavaroti këndoi së bashku me Placido Domingon dhe Hose Karrieras kënduan ariet operistike më të njohura botërore. Funerali i tij do të mbahet të shtunën në katedralen e Modenas ku italianët do të mund t’i japin lamtumirën Pavarotit. Këngëtari i madh kishte lindur në 12 tetor të vitit 1935 dhe është shquar edhe për veprat e shumta të bamirësisë. Por vdekja e tij ka prekur edhe artistët e skenës operistike të vendit tonë. Gjatë prononcimeve të tyre për gazetën “Sot” drejtues dhe soprano të Teatrit të Operas dhe Baletit kanë cilësuar vlerat e legjendës së operistikës botërore si dhe kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e artistit të madh.

Zhani Ciko
Erdhi disi e përgatitur por edhe disi e papritur vdekja e Luciano Pavarotit. Ajo mban brenda dhimbjen për një emër të madh të artit lirik botëror. Mban mbi vete dhimbjen për atë që do të shkaktojë mungesa e tij në dhënien e disa mesazheve sa atyre humane kaq edhe atyre profesionale. I madhi Luciano Pavaroti përfaqëson një emër të madh të artistit lirik më të shquar të shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli. Nga ana tjetër  ai është tenori i cili krijoi një model  të figurës ë artistit i cili transmetimin e mesazheve të interpretimit të tij e realizoi së pari nëpërmjet asaj që është esenca e artistit lirik nëpërmjet zërit. Timbri i tij i mrekullueshëm veçantitë e interpretimit të tija sensibiliteti muzikor dhe të gjitha ato ndeja të cilat ai i ka përcjellë në çdo interpretim të tij kanë krijuar një memorial të padiskutueshëm vlerash dhe realizimesh të cilat vulosin disa modele të një interpretimi që nuk është në asnjë mënyrë skematik dhe teknicist. Luciano  Pavaroti përmbysi shumë koncepte në artin lirik sepse ai nuk ishte këngëtari i cili desh të demonstrojë me çdo kusht kualitetet e tija vokale. Por këto kualitete vokali demonstroheshin nëpërmjet mënyrës të transmetimit të  ideve që ai transmetonte të qenies së personazheve edhe gjithashtu nëpërmjet bukurisë estetike të mjetit kryesor që ishte zëri i tij. Pavarësisht nga rolet që interpretoi që nga ato të natyrës lirike më të fuqishme me  nota dramaticiteti timbri i tij është  i pazëvendësueshëm është i veçantë dhe nuk ka rëndësi nëse ti e shikon apo e dëgjon Luciano Pavarotin. E rëndësishme është që  ti njeh vulën e presonalitetit të tij  e cila tashmë ka hyrë në përjetësi dhe falë teknikave  të mrekullueshme që disponon sot regjistrimi i zërit dhe imazhit janë pjesë  e trashëgimisë botërore në fushën e artit lirik.

Edit Mihali
Luciano Pavaroti është një nga ata që quhen yje dhe kur themi që u shua një yll u shua edhe fiziku i tij. Por nuk u shua mrekullia e zërit të tij që do të ngelet e përjetshme. Patëm fat që jetuam në një kohë me të.

Manjola Konjar
Përfaqëson majat e artit operistik botëror dhe është një humbje e madhe për skenën. Është një nga zërat më të bukur dhe më potent që i ka dhënë shumë këtij arti të vështirë dhe mendoj se ai do t’i mungojë shumë artit.

Ylber Gjini
E mora vesh dhe jam i trishtuar është një  nga yjet e muzikës klasike  një tenor dhe më ka ardhur shumë keq, madje nuk e di si do të ishte që në varrimin e tij të vinte një përfaqësi nga opera. Jam shumë i prekur nga humbja e tij ne kemi disqet e tij  dhe kasetat dhe na duket sikur nuk ka vdekur por është diçka vërtete e trishtueshme. Ai kishte munguar skenës fizikisht për gati një vit por për sferën tonë është një humbje e madhe. Mendoj nëse edhe ne do të organizojmë diçka për nder të kujtimit të tij.

Marjana Leka
E dija se ishte i sëmurë rëndë , vuante nga kanceri në pankreas dhe  e dëgjova lajmin në  Modena në vendin e lindjes  së tij. Më erdhi shumë keq se ka qenë një nga të preferuarit e mi. Ka qenë një nga legjendat e muzikës operistike botërore. Sigurisht një nga tenorët më të mëdhenj të botës. Një personalitet që kishte dëshirë ta dëgjoje, ka qenë një nga artistët i cili ka bërë një epokë dhe patjetër që do t’i mungojë skenës dhe është një humbje e madhe për mbarë artin botëror

Edmond Doko
Aktiviteti i tij në një prononcim kaq të shkurtër nuk mund të përmblidhet. Është një figurë që i vuri vulën muzikës operistikes botërore prej gati 50 vjetësh, por sidomos në 30 vjeçarin e fundit u bë një pikë referimi për publikun e gjerë në raport me muzikën e operës dhe muzikën lirike repertorin operistik në përgjithësi. Vdekja e Luciano Pavarotit është një vdekje fizike por kurrsesi një vdekje e përmasave si të thuash  sepse për artistët funksionon, është e rëndë  ka një vepër  të madhe nga mbrapa e cila do të mbizotërojë. Vdekja është thjesht natyrale fizike, kurse emri i tij do të jetojë . Bëhet fjalë për mijëra disqe të shpërndara në të gjithë botën dhe në çdo mjet lëvizës. Zëri i tij brilant do të vazhdojë të jetojë dhe do të jetë duke vazhduar të ofrojë kënaqësi ndonëse është apo nuk është Pavaroti i madh. Sigurisht edhe për artistët lirikë shqiptarë kjo konsiderohet humbje por nga ana tjetër është njëkohësisht se ne nga  Pavaroti kemi fituar shumë më tepër . Kemi humbur një njeri të dashur por kemi fituar veprën e tij e cila është gjithmonë një shembull për artistët e rinj.

Tenori Luciano Pavarotti ka vdekur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në moshën 71 vjeçare. Këtë gjë e ka theksuar menaxheri i tij Terri Robson. Këngëtari, i cili vuante nga sëmundja prej kohësh, kishte lindur në datën 12 tetor të vitit 1935."Tenori i madh….ka vdekur sot në orën 05.00 në shtëpinë e tij në Modena, njëkohësisht edhe qyteti i tij i lindjes", lexohej në komunikatën e shpërndarë nga menaxheri."Pranë tij ndodheshin bashkëshortja, Nicoletta, vajzat e tij, Lorenza, Cristina, Giuliana dhe Alice, motra Gabriella; nipërit dhe mbesat si dhe të afërmit dhe miqtë". Maestro, shpjegonte lajmërimi, ishte bërë pjesë e ‘një lufte të gjatë kundër kancerit në pankreas që në fund i morri edhe jetën", por kishte qëndruar ‘optimist’ deri në fund. Interpretimi i tij i fundit përpara publikut ka qenë ceremonia e hapjes së Olimpiadave dimërore të Torinos, në muajin shkurt të vitit 2006, ku kishte kënduar "Nessun Dorma". Para pak javësh, para se të vdiste, Pavaroti kishte projektuar ndër të tjera edhe kompletimin e regjistrimit të disa këngëve të vjetra. Këtë javë kishte marrë nga qeveria italiane çmimin e Mirënjohjes në Kulturën Italiane. Gjatë sëmundjes, lexohej në lajmërim, "ka qenë i përkrahur nga dashuria e bashkëshortes Nicoletta (Mantovani), dhe vajza e tyre katër vjeçare, Alice, si dhe tre vajzat e tjera që i ka pasur nga martesat e mëparshme, Lorenza, Cristina dhe Giuliana si dhe nga shumë të afërm, miq dhe kolegë të besueshëm". "Ishte tepër optimist dhe dëshironte të kalonte sëmundjen për të qenë i pranishëm në skenë për të kompletuar 'Worldëide Farwell Tour' e tij", turneu i lamtumirës që është lënë pezull kur tenori ishte ndjerë keq në New York në korrikun e vitit 2006. Pavaroti, pasi është operuar vitin e kaluar, ka zbuluar sëmundjen e tumorit në pankreas, edhe është shtruar me temperaturë tepër të lartë në datën 8 gusht. Pas dy javësh i është nënshtruar kontrolleve të vazhdueshme dhe kurimeve intensive

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok