06/10/2024

Vdekja e te madhit Luciano Pavaroti

0

Pas një karriere të shkëlqyer 46-vjeçare, shuhet tenori i madh Luçiano Pavaroti. Vetëm dje, vdekja i dha fund karrierës së 71-vjeçarit. "Një jetë me muzikën është e shpenzuar mirë"

Teksa publikonte të dhënat e shitjeve të biletave, menaxheri i ri përgjegjës i Teatrit Metropolitan në NjuJork, Peter Gelb, thotë prerë se "ikën ato kohë kur Luciano Pavarotti, apo Placido Domingo i shisnin të gjitha vetëm me praninë e tyre në kalendar dhe se e ardhmja e belkantos varet nga një seri faktorësh, mes të cilëve drejtori i orkestrës, një kalendar tërheqës, etj. Kjo është e mundur, deri sa në skenë nuk do të ngjitet një tjetër Pavarotti. Një emër që do të kujtohet ndër të mëdhenjtë që firmosën muzikën lirike, simbolin e gjallë të një tradite që i ka rrënjët e largëta, por gjithmonë me vështirësi të mëdha për të gjetur kampionët e vet. Ka nga ata që thonë se popullariteti i Pavarotit e ka kaluar atë të Enrico Caruso-s. Kritika ndahet në këtë pikë. Shumë e kanë rrëzuar për shkak të zgjedhjeve të tij shumë popullore si koncertet "Tre tenorët" me Domingo e José Carreras, apo për duetet e shumta me yjet e muzikës pop, në "Pavarotti & Friends", koncerti i madh i bamirësisë, që organizohej prej vitesh nga tenori modenez. Por askush nuk mund t'i mohojë madhështinë nisur nga popullariteti.

Në teatrot e gjithë botës publiku çmendej për interpretimet e Pavarotit. Kujtohen ovacione historike, si ai i 24 shkurtit në Deutsche Oper në Berlin, ku u duartrokit për një orë e 7 minuta, ndërsa gazetat shkruanin se kishte 165 thirrje. Për ta dëgjuar në qershor të vitit 1993, në Central Park ishte një gjysmë milioni njerëz. Janë karakteristikat e një divi, një këngëtari lirik, që pak i gjen në histori, një legjendë e belkantos, që nuk mund të fshihet prej faktit që gjatë viteve të fundit, Pavaroti zhvilloi lodhshëm një tur të gjatë lamtumire, që ndoshta nuk do të kishte përfunduar kurrë, në qoftë se për të vendosur fjalën fund nuk do të kishte ardhur diçka me të vërtetë përfundimtare: vdekja.

"Miq të dashur, – shkruante së fundmi Pavaroti në faqen zyrtare në internet, – disa javëmë parë fillova një turne të ri ndërkombëtar që do të më çojë në shumë vende të botës, disa prej të cilave i kam vizituar gjatë karrierës sime 40 e ca vjeçare". "Lamtumira ka shijen e hidhur të mbylljes, të shkëputjes së përhershme, ndërsa e di në zemrën time, që me vështirësi do të mundem të vendos fjalën fund në këtë kapitull, të mbyll portën me çelës…", – vazhdon më tej tenori.

Edhe kur nuk ka mundur të jetë më një Rudolfo i duartrokitur, në rolin e protagonistit të "Bohemës" së Puçinit, në të cilin debutoi në Reggio Emilia në datën e largët të 29 prillit, dhe iu desh t'i japë fund prezantimeve dhe regjistrimeve të operave të tij të preferuara "Lucia di Lammermoor", "Turandot", "Un ballo in maschera", "Rigoletto", "Madama Butterfly", "Macbeth", Pavaroti nuk hoqi dorë nga të qënurit këngëtar, njeri i spektaklit në kuptimin e plotë të fjalës protagonist.

Lirika gjithmonë ka pasur anën e saj popullore, edhe në La Scala, por jo vetëm. Kujtohen përplasjet mes adhuruesve të Maria Callas dhe të Renata Tibaldit. Sigurisht që prej Callas-it mbahen mend ngjarjet sentimentale, që nga martesa me Meneghini-n, tek marrëdhënia me Onasis. Por ndoshta publiku nuk u apasionua kurrë pas ngjarjeve personale të një këngëtari lirik si Pavaroti: zërat për marrëdhënien me sekretaren e atëhershme Nicoletta Mantovani, fotografitë në ishujt Barbados në 1996, që çuan në divorcin pas 25 vjetësh martese me bashkëshorten Adua Veroni, me të cilën pati tre vajza. Më tej martesa me Nicoletën në vitin 2003, lindja e Alices dhe vdekja e binjakut Ricardo pas një shtatzanie tepër të vështirë. "Kur lindi ishte kaq e dobët, por tregoi shumë shpejt se kishte shumë kurajo brenda saj", – do të thoshte Pavaroti në një të përjavshme italiane.

Nga gjithë këto eksperienca, Pavaroti nuk ka mohuar asnjërën dhe nuk ka pranuar kurrë keqardhje. "Big Luciano" siç u quajt me dashuri, mori nga koha vendin e tij mes zërave më të bukur të tenorëve të një shekulli, '900-ës, që për zëra të bukur nuk ka qenë i varfër dhe që numëron disa legjenda, që nga Enrico Caruso tek Beniamino Gigli, Mario Del Monaco, Giuseppe Di Stefano… Klasifikimi është detyrë e kritikës, që shpesh e ka sulmuar për "superxhiron". Por atij nuk i bënte përshtypje dhe atij që e pyeste se çfarë do të donte më shumë nga jeta i përgjigjej: Do të më vinte turp tëkërkoja më shumë nga ç'kam".

Marrë nga "La Repubblica"

"Kujtomëni si këngëtar opere"

Luciano Pavaroti vdiq në orën 5 të mëngjesit të djeshëm në vilën e tij në jug të Modenës, nga tumori në pankreas. Tenori u operua vitin e shkuar, por u përkeqësua teksa ndodhej në shtëpinë e tij në kodrat e Pesaros. Në 8 gusht u shtrua në spital për një infeksion pulmonar, me vështirësi në frymëmarrje dhe temperaturë të lartë. Më 25 gusht u kthye në shtëpi nën kujdesin e mjekëve të pavijonit të onkologjisë në Modena. Ceremonia e lamtumirës zhvillohet nesër.

Në faqen e internetit u shfaq një deklaratë e tij: "Mendoj se një jetë për muzikën është një ekzistencë e shpenzuar në mënyrë të mrekullueshme". Shfaqja e fundit e Big Lucianos ishte me arien e famshme "Nessun dorma", e kënduar në hapjen e Olimpiadës dimërore në Torino shkurtin e shkuar, ndërsa koncerti i fundit ishte ai në Tajpei në dhjetor 2005. Karriera e tij e gjatë u yjëzua nga shumë suksese, por vitet e fundit dhe nga kritika therëse si për dëshirën e tij për të kënduar rolet që preferonte më shumë edhe pse zëri i tij nuk ishte më ai i viteve më të mira, si për kombinimin e lirikes me popin dhe rrokun.

Së fundmi kritikëve dhe adhuruesve u kërkoi: "Shpresoj të kujtohem si këngëtar opere, apo si një prezantues i një forme arti që gjeti shprehjen maksimale në vendin tim, dhe shpresoj që gjithashtu dashuria për operën të mbetet më e rëndësishmja në jetën time".

Karriera e Pavarotit i kaloi të 40 vitet. Debutimi i 29 prillit 1961 në rolin e Rudolfit u ndoq nga një sukses në shkurt 1965 në Majami me rolin e Joan Sutherland, në operën "Lucia di Lammermoor". Por shpërthimi erdhi në 17 shkurt 1972 në "Metropolitan" të Nju Jorkut ku në "Fille du Régiment" të Donizettit çuditi publikun me realizimin e nëntë Do-ve të përkryera. Por Pavaroti u njoh më së shumti nga koncerti "Tre tenori" dhe koncertet me yjet e muzikës pop. Në Hyde Park, në Londër, koncerti i tij tërhoqi mbi 150 mijë vetë, mes të cilëve princët e Wellsit, Karl e Diana. Princesha Diana do të ishte e ftuara e ardhshme në Modena, për "Pavarotti & Friends" dhe e fton në Cardiff për një koncert në ndihmë të fëmijëve të sëmurë. Në 1993, në shtator, nën hijen e Kullës Ejfel në Paris këndon për 300 mijë njerëz.

Vetëm dy ditë më parë, ministri i Kulturës Francesco Rutelli i dha çmimin "Për përsosmëri në kulturë", duke kujtuar ndër të tjera edhe betejën e guximshme që "Big Luciano" po bënte kundër sëmundjes "me të njëjtën vendosmëri me të cilën u afirmua në botë me një karrierë të shkëlqyer".

Të mëdhenjtë ngushëllojnë

Sapo mësuan lajmin, një pafundësi telegramesh ngushëllimi iu drejtuan autoriteteve më të larta shtetërore italiane dhe familjes së tenorit. Mes tyre politikanët më të fuqishëm të momentit dhe emrat më të mëdhenj të muzikës:

George W.Bush

Unë dhe Laura i bashkohemi admiruesve të Pavarotit në gjithë botën, për të vajtuar humbjen e tij. Ai ishte një nga këngëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Pavaroti ishte gjithashtu një njeri i madh, që përdorte talentin për të mbështetur viktimat e tragjedive në gjithë botën.

Vladimir Putin

Marr pjesë në dhimbjen për vdekjen e një italiani të madh, këngëtarit lirik, Luciano Pavarotti.

Nicolas Sarkozy

Mishërimi më i mirë i tenorit të madh popullor, pas Enrico Carusos

Gordon Broën

Një këngëtar lirik i mrekullueshëm. Ndoshta më i madhi i brezit të tij. Pavaroti u dha shumë njerëzve dëshirën për t'ju drejtuar operës dhe për ta vlerësuar.

Shimon Perez

Jo vetëm që na ka mallëngjyer, por kur ai fillonte të këndonte e gjithë bota tronditej. Ai ishte një mik i sinqertë i Kombeve të Bashkuara.

Andrea Bocelli

Një njeri që i dha vendit të tij më shumë nga ç'mori

Franco Zeffirelli

Kishim një raport miqësor. Për mua, ashtu si për të gjithë ishte gjeniu i muzikës dhe i të kënduarit.

Katia Ricciarelli

Ai është Karajani i tenorëve.

Enio Morricone

Mendoja se tenorët ishin të gjithë njësoj, por kur dëgjova zërin e tij ishte një shpatë e ëmbël, e shkëlqyer.

Bono i U2

Ishte një vullkan autentik.

Elton John

Është një ditë e trishtuar për muzikën dhe për gjithë botën.

Giani Morandi

Nëse do të më duhej të shkoja në një planet tjetër e t'i bëja publicitet Tokës do të thosha se ai ishte dëshmitari i jetës. 

Shekulli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok