20/02/2025

PAVARËSIA E KOSOVËS- NJË RRUGËTIM I DHIMBSHËM, NJË FITORE E PËRJETSHME

0
Xheve-Fehmi-Lladrovci

Heronjtë e Kombit: Xhevë Krasniqi – Lladrovci (1955-1998) dhe Fehmi Lladrovci (1956-1998)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Ëndrra ime më e madhe, dëshira që ma ka shoqëruar çdo frymëmarrje, meraku që më ka rënduar shpirtin për dekada me radhë, ka qenë – të shoh Kosovën time të lirë, të pavarur, një shtet më vete, ku dielli i lirisë të mos fshihet më pas hijeve të errëta të pushtuesve.

Dikur, kjo ishte vetëm një shpresë e pashuar, një lutje e heshtur, një vizion që jetonte në mendjet dhe zemrat e atyre që nuk pranonin të dorëzoheshin. E kam parë këtë ëndërr në sytë e të moshuarve, të cilët e pritën për dekada me besimin se një ditë do të vijë. E kam ndier në zërat e nënave, që pëshpëritnin emrat e bijve të tyre të rënë për këtë tokë. E kam dëgjuar në rrëfimet e atyre që nuk reshtën së luftuari, që ecën mbi gjemba për të sjellë këtë ditë.

Dhe ja, ajo ditë erdhi. Sot, Kosova nuk është më një hije në hartë, nuk është më një plagë që vajton heshtur. Sot, ajo është një realitet, një flamur që valëvitet krenar, një tokë që mbështet veten mbi themelet e gjakut dhe guximit të atyre që nuk hoqën dorë. Sot, mbi këtë  nuk ka më zinxhirë, nuk ka më kërcënime, nuk ka më hije robërie – vetëm dielli i një lirie të fituar me mund, me sakrificë dhe me dashuri të pamatshme për këtë atdhe.

Dhe unë, që dikur e ëndërroja këtë çast, sot e jetoj atë me krenari, me mirënjohje, me përkushtim. Sepse kjo liri nuk është thjesht një fitore e së shkuarës – është një përgjegjësi për të tashmen dhe një amanet për të ardhmen. E shoh Kosovën time të pavarur, dhe më në fund, ndjej se ëndrra ime më e madhe nuk është më një ëndërr – është drita që ndriçon këtë vend, përjetësisht i lirë!

Dhe, sot, jam këtu, në këtë moment që më duket si një mrekulli e papritur, një dhuratë që nuk e dija se do ta kisha ndonjëherë. E ndiej dritën e kësaj dite mbi lëkurën time, frymën e kësaj ore që më përqafon butësisht. Në çdo tingull, në çdo aromë të ajrit, në çdo frymë që mbush kraharorin tim, ndjej pulsimin e jetës që ende më pranon në prehrin e saj.

Dikur ndoshta mendonim se do të ishim larg, se nuk do ta shijonim këtë çast, këtë ditë që na fton të zgjohemi me mirënjohje. Por ja ku jemi, dëshmitar të një të tashmeje që na përket,  udhëtar që ende ecim mbi rrugët e kësaj bote, duke numëruar rrahjet e zemrës si trokitje të një dhurate të madhe dhe të bekuar.

Sa krenar ndihemi, sa të bekuar ndjehemi që jemi pjesë të kësaj dite, të këtij çasti që nuk është thjesht një datë në kalendar, por një kujtesë e një ëndrre të bërë realitet, një frymëmarrje e lirë në historinë e një kombi që ka lindur nga dhembja, është rritur në përpjekje dhe ka lulëzuar në sakrificë.

Sot, më 17 shkurt, zemrat tona rrehin me ritmin e një kombi që ka përballuar furtuna e errësira, por që kurrë nuk ka lëshuar rrënjët e tij nga toka e vet. Ky është një moment ku krenaria nuk është vetëm ndjenjë, por është frymë, është gjak që qarkullon në venat e çdo shqiptari që e ka pritur këtë ditë me mall, me shpresë, me lutje. Sot, çdo rreze dielli duket se ndriçon ndryshe, sikur e di që kjo është dita jonë, dita kur ne kujtojmë ata që nuk e panë këtë agim, por që u bënë drita e rrugës sonë.

Privilegji i të qenit pjesë e kësaj dite është më shumë sesa një përjetim personal – është një ndjenjë që na lidh me të kaluarën, me rrënjët, me ata që sakrifikuan që ne sot të mund të themi me zë të lartë: Kosova është e lirë! Pavarësia nuk është thjesht një status politik; është një fitore e shpirtit, një betim për të mos harruar, një përgjegjësi për ta ndërtuar të ardhmen me dashuri, me dinjitet, me përkushtim.

Në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë ndiej se çdo frymëmarrje ka peshën e historisë, çdo hap mbi këtë tokë është një dëshmi e një sakrifice që nuk duhet harruar. Dhe ndërsa flamujt valëviten me krenari, ndërsa këngët e lirisë mbushin rrugët, e di se kjo ditë nuk është thjesht një festë – është një amanet për brezat që do të vijnë, një premtim se Kosova do të vazhdojë të ecë përpara, me ballin lart, me shpirtin e pavarësisë të skalitur në zemrën e çdo biri e bije të saj.

Sot, më 17 shkurt, ne festojmë, jo vetëm si qytetarë, por si bijtë e kësaj toke, si  dëshmitarët e një mrekullie të shkruar me gjak e qëndresë. Dhe për këtë, jemi krenar. Për këtë, ndjehemi të bekuar.

E ndjejmë, e shohim, e prekim me shpirt gëzimin që vlon në zemrat e njerëzve të mi, në çdo rrugë ku valon flamuri, në çdo fjalë që buron nga shpirti i lirë i një populli që ka përjetuar dhimbje, por sot feston me krenari. Si mund të qëndrojmë indiferent para kësaj madhështie, para këtij momenti që nuk është vetëm një festë, por një dëshmi e përjetshme e sakrificës, e guximit dhe e dashurisë së pakushtëzuar për lirinë?

Kjo ditë nuk është thjesht një datë në kalendar, por një amanet i pashlyeshëm, një kujtim i të gjithë atyre që besuan në dritën edhe kur nata ishte e gjatë, në shpresën edhe kur rruga ishte e mbuluar me pluhur dhe gjak. Bijtë dhe bijat më të devotshëm të këtij kombi nuk u kursyen, nuk u trembën, nuk u ndalën. Ata ndërtuan këtë ditë me shpirtin e tyre, me besimin e palëkundur se edhe popujt e vegjël meritojnë madhështi, se edhe zemrat e vogla mund të bartin brenda tyre fuqinë e një epoke të re.

Si mund të mos ndiejmë dridhjen e gëzimit në ajrin e kësaj dite? Si mund të mos ndiejmë që çdo shqiptar që e jeton këtë çast me krenari, me lot gëzimi, me kujtesën e gjallë për ata që nuk janë më, por që mbetën të përjetshëm në gurët e themeleve të lirisë sonë? Kjo nuk është thjesht një fitore – është një këngë që buron nga shekujt, një rrëfim që do t’u përcillet brezave si dëshmi e pavdekshme e qëndresës.

E ndjejmë lumturinë e popullit tonë si një lumë të madh që rrjedh pa u ndalur, që ushqen tokën, që i jep jetë çdo ëndrre të re. Dhe në këtë ditë, në këtë moment, në këtë përjetim të shenjtë, nuk ka vend për indiferencë. Ka vetëm falënderim, vetëm dashuri, vetëm një përkulje të heshtur para madhështisë që e sollën ata që e deshën këtë tokë më shumë se vetveten. Dhe për këtë, sot jemi më shumë se kurrë të bashkuar – në kujtim, në falënderim, në dashuri për Kosovën tonë të lirë!

E di, e ndjej thellë në shpirt se sa e sa sy janë mbyllur përgjithmonë me mallin e një dite që nuk patën fatin ta shohin. Sa zemra rrahën për këtë çast, por nuk e përjetuan; sa ëndrra u ndërtuan për këtë ditë, por mbetën pezull mes jetës dhe amshimit. Ata, që dikur ecën në këto rrugë, që ëndërruan këtë liri me gjithë qenien e tyre, sot nuk janë këtu për të brohoritur, por zëri i tyre jehon në çdo buzëqeshje, në çdo flamur që valëvitet, në çdo hap që populli im hedh me krenari.

Në këtë ditë gëzimi, nuk mundemi të mos kujtojmë ata që ikën me Kosovën në zemër, por pa e parë Kosovën e lirë. Sa sytë u lodhën duke kërkuar dritën e një agimi që nuk mbërriti në kohë për ta! Sa duar u shtrinë drejt një qielli të mbuluar me re, duke kërkuar një premtim që vonoi të përmbushej! Dhe sa zëra u fikën me fjalën e fundit: A do të vijë ajo ditë? A do ta shoh Kosovën e lirë?

Erdhi kjo ditë, më në fund erdhi kjo ditë, por ama, ata nuk janë. E ndjejmë mungesën e tyre si një fllad të lehtë që kalon mes nesh, si një pëshpëritje që përzihet me këngët e festës. Ata janë këtu, jo me trupin e tyre, por me shpirtin që nuk u shua kurrë. Ata jetojnë në gurët e rrugëve që ndërtuan, në flamurin që dikur e ëndërruan të lirë, në zemrat e atyre që e trashëguan amanetin e tyre dhe nuk e lanë të venitej.

Dhe në këtë ditë, ndërsa festojmë, ndërsa shohim fytyra të ndriçuara nga krenaria, ndiejmë edhe lotët e heshtur të kujtimit. Sepse kjo ditë nuk është vetëm e jona, është edhe e tyre – e atyre që e pritën, por nuk e panë, e atyre që e deshën, por nuk e shijuan. Për ta, për ëndrrën e tyre, për dashurinë e tyre të pakushtëzuar për këtë tokë, ne festojmë sot. Dhe çdo buzëqeshje, çdo valëvitje e flamurit, çdo fjalë urimi është një përshëndetje për ta, në botën ku janë tani, me Kosovën e lirë në zemër përgjithmonë.

Babai im iku me një mall të pashuar, me një ëndërr të pambaruar, me një shpresë që e mbajti gjallë deri në frymën e fundit: ta shihte Kosovën të bashkuar me Shqipërinë, siç e kishte ëndërruar gjithë jetën. E di që ai e pa atë bashkim me sytë e shpirtit, se për të, kufijtë nuk ishin kurrë të vërtetë, veç vijëzime të imponuara mbi hartë, që nuk mund ta ndanin zemrën e një kombi. Ai iku me këtë mall, por la pas një rrugë të shtruar me shpresë, me përpjekje dhe me dashuri për vendin e tij.

Por jeta, me gjithë madhështinë dhe peshën e saj, ka ligjet e veta të pashkruara. Dikush hap rrugën me mund, me sakrificë, me djersë e gjak, ndërsa miliona të tjerë kalojnë më pas, të lirë, pa frikë, pa drojë. Disa shkrijnë jetën e tyre për një ideal që nuk e përjetojnë kurrë me sy, por e shohin të lulëzojë në të ardhmen e brezave që vijnë. Dhe babai im ishte një nga ata që hodhi themelet, që e mbajti gjallë flakën e shpresës, që e deshi këtë tokë aq shumë saqë e la shpirtin e tij të tretet brenda saj.

E di, e ndjej thellë në brendësi se kudo që ndodhet sot ai, është krenar. Ai e sheh Kosovën që rritet, që ecën përpara, që shkruan historinë e saj me dritë dhe dinjitet. E di që buzëqesh diku në amshim, i lumtur që ajo për të cilën ai u lut dhe u përpoq, sot është realitet. Dhe pse nuk e preku me duar, pse nuk e përjetoi me sytë e tij, ai jeton në këtë ditë, në këtë Kosovë të lirë, në çdo zemër që ende e ruan ëndrrën e tij.

Sepse ëndrrat e mëdha nuk vdesin kurrë. Ato vazhdojnë të jetojnë nëpër rrugët që dikur ishin të bllokuara dhe sot janë të hapura, nëpër flamujt që dikur u fshehën dhe sot valëviten krenarë. Ai është këtu, në çdo rrahje të kësaj toke, në çdo frymë që merr ky popull. Dhe unë e di që sot, në këtë moment, ai është i lumtur. Sepse Kosova po ecën përpara, dhe dashuria e tij për të nuk ishte e kotë.

Sa e sa baballarë lanë pragun e shtëpisë me një përqafim të fundit, sa e sa vëllezër e motra u nisën drejt luftës me shpirtin plot vendosmëri, sikur po shkonin në një dasmë, në një festë të madhe të lirisë. Ata nuk e panë vdekjen si fund, por si një kalim të domosdoshëm drejt një agimi të ri. Sepse për ta, e ardhmja nuk ishte thjesht një shpresë, por një premtim që patjetër duhej të vinte, një diell që, sado të vonohej, duhej të lindte mbi qiellin e Kosovës.

Ata nuk u nisën me frikë, por me besim, me zemrën e mbushur me dashuri për tokën e tyre, për gjuhën e tyre, për flamurin që ende nuk valëvitej lirshëm. Sepse e dinin që liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim, me përkushtim, me gjak dhe me shpirt. E dinin se çdo hap që hidhnin drejt malit, drejt betejës, ishte një hap më afër një Kosove të lirë, një atdheu që nuk do të ishte më rob i heshtjes dhe nënshtrimit.

Sa e sa luftëtarë e panë lirinë në sytë e njëri-tjetrit, e ndjenë atë në thirrjet e tyre, në besimin e pathyeshëm se fitorja nuk ishte thjesht një mundësi, por një detyrim ndaj historisë, ndaj brezave që vinin pas tyre. Ata e bënë luftën me shpirtin e një martiri dhe me gëzimin e një njeriu që e di se po i hap rrugë një të ardhmeje më të ndritur.

Dhe vërtet, ajo ditë erdhi. Erdhi me mundin, me dhembjen, me sakrificën e tyre. Ata që u nisën sikur po shkonin në dasmë, lanë pas një popull që sot ecën i lirë, që sot këndon këngët e lirisë pa frikë, që sot përkulet para tyre me mirënjohje. Sepse ata e dinin atë që ne sot e dimë me siguri: Kosova nuk mund të mbetej pa diell. Dhe ai diell sot ndriçon falë atyre që shkuan drejt betejës me zemrën e mbushur me dritën e lirisë.

Dhe ajo ditë, e pritur si një premtim i gdhendur në gurin e kohës, më në fund erdhi. Prishtina, zemra e Kosovës, sot gumëzhin nga zëri i një populli që feston, që frymon lirisht, që ecën mbi rrugët e historisë së vet me ballin lart. Në mes të qytetit, në sheshin ku dikur jehonte dhimbja, sot parakalon ushtria e Kosovës, sot kënga e lirisë përzihet me rrahjet e zemrave që dikur pritën, qëndruan, luftuan.

Sa i lumtur është një popull kur mbi kokat e tij nuk qëndron më kërbaçi i armikut, nuk ushton më kërcënimi i plumbit, nuk rëndon më hija e robërisë! Sot ajri është i pastër, i mbushur me jehonën e brohoritjeve, me ngjyrën e shpresës, me dritën e atyre që besuan se kjo ditë duhej të vinte, duhej të bëhej realitet. Sot, askush nuk fshihet, askush nuk hesht, askush nuk ka frikë të thërrasë: Kosova është e lirë!

Dhe mbi të gjithë, mbi sheshin që dikur mbante hapat e lodhur të një populli të shtypur, sot valëviten dy flamuj – flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, simboli i sakrificës, gjaku dhe betimit të pathyeshëm, dhe flamuri i Kosovës së pavarur, shenja e fituar me mund, me gjak dhe me amanet. Ata valëviten lart, duke sfiduar kohën, duke dëshmuar se sakrifica nuk ishte e kotë, se ëndrra nuk u shua në gjysmë, por u bë realitet.

Dhe unë qëndroj aty, në mes të këtij deti njerëzish, dhe e ndiej – këtë gëzim që nuk është vetëm një festë, por një përmbushje, një çlirim shpirtëror, një kapitull i ri në librin e historisë sonë. Kosova sot është e lirë, dhe kjo ditë nuk është thjesht një ditë. Është një dëshmi se e drejta triumfon, se gjaku i derdhur nuk harrohet, se çdo popull meriton diellin e vet. Dhe sot, mbi Prishtinë, mbi zemrat tona, mbi të gjithë ne, ai diell ndriçon më i ndritshëm se kurrë.

“Ne jemi të lirë!” – më vjen të thërras me gjithë fuqinë e shpirtit, ta lëshoj këtë klithmë gëzimi në qiellin e hapur të Kosovës, ta përhap si një jehonë të papërmbajtshme nëpër rrugët që dikur mbartnin hapat e frikës, si një testament të shkruar me gjakun e atyre që besuan në këtë ditë. Dua që zëri im të përzihet me frymëmarrjen e një populli që sot, më në fund, merr frymë pa frikë, që ecën pa zinxhirë, që sheh të ardhmen pa hijen e robërisë mbi supe.

E ndiej në zemrat e tyre, e shoh në sytë e fëmijëve që rriten në liri, në buzëqeshjen e të moshuarve që dikur e mendonin këtë çast si një ëndërr të largët. Shqiptarët sot e ndiejnë këtë liri jo vetëm si një dhuratë, por si një fitore të përbashkët, një triumf të sakrificës dhe të besimit. Ata e dinë se kjo ditë nuk do të vinte vetë, se ajo u ndërtua mbi supet e bijve dhe bijave të këtij vendi, mbi guximin e djemve që e deshën Kosovën më shumë se jetën e tyre, mbi shpirtin e atyre që nuk u dorëzuan kurrë.

Dhe po, ne jemi falënderues. Ne i kujtojmë ata që na ndihmuan, ata që e panë drejtësinë dhe i qëndruan pranë një populli që po luftonte për të drejtën e tij për të ekzistuar. Fuqitë e mëdha të botës, të cilat u bënë zëri ynë kur zëri ynë përpiqej të depërtonte përtej dhimbjes, meritojnë falënderimin tonë. Por mbi të gjitha, mirënjohja më e madhe i takon atyre që ranë në emër të kësaj dite, atyre që dhanë çdo gjë, pa kërkuar asgjë në këmbim, veçse një Kosovë të lirë.

Sot, ndërsa shoh flamujt që valëviten në erë, ndërsa dëgjoj zërat që brohorasin me krenari, e di se kjo liri nuk është vetëm një fjalë – është një betim për të mos harruar, një amanet për të ecur përpara me dinjitet. Dhe unë, bashkë me popullin tim, nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të thërras me zë të lartë, me zemër plot emocion- “Ne jemi të lirë!”

Ushtria Çlirimtare e Kosovës – e madhërishmja, e shtrenjta, e trimëresha jonë – është më shumë se një emër, më shumë se një ushtri. Ajo është zëri i guximit që u ngrit nga heshtja, është zemra që rrahu me forcën e një kombi që nuk mund të pranonte më skllavërinë. Po të mos ishte ajo, po të mos ishin ata djem e vajza që u nisën drejt betejës me zemrën plot besim dhe sytë të mbushur me dritën e shpresës, ne ende do të ishim rob të një historie të padrejtë. Ende do të jetonim të përkulur, të heshtur, të mbetur në hijen e një pritjeje të pafund.

Por ajo u ngrit si një dallgë e fuqishme, si një flakë që nuk mund të shuhej, si një premtim që nuk mund të thyhej. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte thjesht një forcë ushtarake – ajo ishte betimi i një populli që kishte duruar mjaft, që nuk mund të vegjetonte më, që nuk mund të mbetej i burgosur brenda kufijve të frikës dhe nënshtrimit. Ata që morën armët nuk luftuan vetëm për vete, por për fëmijët që do të vinin, për të moshuarit që kishin mbajtur barrën e shekujve, për çdo gur dhe për çdo pëllëmbë toke që e thërrisnin Kosovën nënë.

Dhe ja ku jemi sot, falë tyre, falë sakrificës së tyre, falë dashurisë së tyre të pamatshme për këtë tokë. Nuk jemi më të heshtur, nuk jemi më të përkulur, nuk jemi më të padukshëm në hartën e botës. Sot ecim krenarë mbi këtë tokë të lirë, sot flasim shqip pa frikë, sot shkruajmë historinë tonë me duart tona.

Sepse ata guxuan, sepse ata u ngritën, sepse ata nuk pranuan të jetojnë të gjunjëzuar. Dhe për këtë, ne nuk do të harrojmë kurrë. Për këtë, emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbetet i shenjtë në zemrën e çdo shqiptari që e di çmimin e lirisë.

Çfarë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës? Tre shkronja që nuk janë thjesht një emër, por një histori e shkruar me gjak dhe guxim. Kur i shqiptoj këto germa, një drithërimë më përshkon trupin, një ndjenjë e thellë më pushton shpirtin, sepse ato nuk janë vetëm fjalë – ato janë jehona e sakrificës, britma e një populli që refuzoi të nënshtrohej, zëri i trimërisë që u ngrit mbi frikën dhe errësirën.

Të thuash UÇK do të thotë të kujtosh ditët e zymta të pushtimit dhe netët e gjata të qëndresës. Do të thotë të shohësh djem dhe vajza që lanë shtëpitë e tyre, që u nisën drejt maleve me vetëm një qëllim – ta thyenin zinxhirin shekullor të robërisë. Ata sfiduan jo vetëm një armik që kishte pushtuar tokën e tyre, por edhe dhunën, terrorin dhe gjenocidin e një shteti barbar, i cili mendoi se mund të shuante një komb të tërë me plumba dhe zjarr.

Por historia nuk i njeh të fortët nga fuqia e armëve, por nga forca e shpirtit. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte mishërimi i kësaj force. Ishte betimi se kjo tokë nuk do të dorëzohej kurrë, se askush nuk do të na mohonte të drejtën për të ekzistuar, për të jetuar të lirë, për të shkruar fatin tonë me duart tona. Ajo u ngrit nga zemrat e atyre që kishin humbur gjithçka, por nuk humbën kurrë besimin se liria do të vinte.

Dhe sot, kur e kujtoj atë kohë, kur shoh flamurin e lirisë të valëvitet mbi këtë tokë, më pushton krenaria. Krenaria që i përkas këtij kombi trim dhe heroik, që nuk u përkul para asnjë pushtuesi, që nuk u tremb nga asnjë forcë, që nuk e ndali hapin drejt lirisë. Sepse UÇK-ja nuk ishte vetëm një ushtri – ajo ishte zemra e Kosovës që rrahu më fort se kurrë, për ta sjellë këtë ditë, këtë dritë, këtë agim që dikur ishte vetëm një ëndërr e largët.

Dhe për këtë, sa herë i shqiptoj këto tre shkronja, ndiej jo vetëm drithërimë, por edhe një borxh të pashlyeshëm ndaj atyre që e bënë të mundur këtë liri. Një borxh që ne duhet ta mbajmë gjallë, duke mos e harruar kurrë se sa u desh për të arritur këtu, dhe duke e dashur këtë tokë me po atë zjarr me të cilin u mbrojt.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është thjesht një emër, një formacion ushtarak apo një moment i historisë sonë – ajo është vetë zemra e Kosovës, fryma e popullit të saj, zëri i trimërisë shqiptare që u ngrit kundër padrejtësisë. Ajo nuk ishte vetëm një ushtri e armatosur me pushkë, por një betim i gjallë, një popull i tërë që u ngrit mbi frikën dhe u shndërrua në një flakë të pashuar lirie.

Sepse UÇK-ja nuk ishte vetëm ata që mbajtën uniformën dhe morën armët, por edhe ata që i ushqyen, që i mbështetën, që u hapën dyert dhe u dhanë shpresë. Ishte nëna që dërgonte djalin në luftë me një lutje dhe një buzëqeshje të fshehur pas lotëve. Ishte fëmija që u rrit duke dëgjuar përrallat e lirisë dhe ëndërroi një Kosovë ku nuk do të kishte më frikë. Ishte plaku që e kishte pritur këtë ditë për dekada dhe nuk donte të mbyllte sytë pa parë agimin e saj. Ishte secili shqiptar që e ndjeu mbi supet e tij peshën e robërisë dhe refuzoi të jetonte nën të.

UÇK-ja ishte populli vetë – populli që nuk pranoi të mbetej në heshtje, që nuk iu dorëzua kurrë terrorit, që nuk e la të shuhej ëndrrën e vet për të qenë i lirë. Ajo ishte trimëria e gjallë që nuk u dorëzua, guximi që sfidoi një fuqi të pamëshirshme, sakrifica që nuk kërkoi shpërblim, por vetëm një të ardhme më të drejtë për brezat që do të vinin pas.

Dhe sot, kur shoh flamurin e Kosovës të valëvitet mbi këtë tokë të larë me gjakun e tyre, e di se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është thjesht një kapitull i historisë – ajo është vetë historia jonë, e skalitur në çdo gur të kësaj toke, në çdo frymë të kësaj lirie. Ajo është vetë populli i Kosovës, i gjallë, i pavdekshëm, krenar dhe i pathyeshëm.

Sot, zemra e Kosovës rreh më fort, më krenare, më e mbushur me dritën e një dite që dikur ishte vetëm një ëndërr e pashuar në zemrat e brezave të tërë. Sot festojmë 17 vjetorin e pavarësisë, një ditë që nuk është thjesht një datë kalendarike, por një përmbushje e një amaneti të lashtë, një dëshmi e qëndresës dhe sakrificës së një populli që kurrë nuk u përkul, kurrë nuk e harroi se liria është më e shtrenjtë se vetë jeta.

Jam e vetëdijshme se Kosova, kjo tokë e mbushur me histori dhe gjak të derdhur për liri, do të jetë një shtet që bota do ta lakmojë. Jo vetëm për bukurinë e saj, jo vetëm për tokën e saj të bekuar, por për popullin e saj, për guximin e tij, për shpirtin e tij të pathyeshëm. Kosova nuk është thjesht një shtet në hartën e botës, ajo është një testament i sakrificës, një dëshmi e qartë se edhe kombet e vogëla kanë të drejtën të ecin krenarë në rrugën e tyre, të shkruajnë fatin e tyre me duart e tyre.

O shqiptar, sot kemi festë! Sot është dita kur të gjitha dhimbjet e së kaluarës shndërrohen në forcë, kur të gjitha lotët e dikurshëm bëhen dritë në sytë tanë. Sot nuk jemi vetëm qytetarë të një shteti, por jemi dëshmitarë të një mrekullie të fituar me mund, me sakrificë, me dashuri të pashoqe për këtë tokë. Kjo është dita më e madhe që ka njohur ky popull, një ditë që nuk do të zbehet kurrë në kujtesën tonë, një ditë që do të kumbojë brez pas brezi, si një këngë e pavdekshme e lirisë sonë.

Le ta festojmë këtë ditë me krenari, me mirënjohje, me përkushtim për të ardhmen që na pret. Sepse Kosova nuk është vetëm një vend – ajo është një ideal, një ëndërr e bërë realitet, një flamur që valëvitet jo vetëm në qiell, por në çdo zemër shqiptare që rreh për të. Dhe sot, më shumë se kurrë, ne jemi të lirë!

Por në asnjë çast, në asnjë festë, në asnjë brohoritje gëzimi, nuk duhet ta harrojmë të kaluarën – atë rrugëtim të mundimshëm që na solli deri këtu, atë dhimbje që u gdhend në shpirtin tonë, atë sakrificë që u derdh mbi këtë tokë si një betim i përjetshëm. Sepse liria nuk erdhi vetvetiu, ajo nuk ishte një dhuratë e rastësishme e kohës, por një fitore e paguar me mund, me gjak, me lot të heshtur dhe lutje të pathëna.

Vetëm duke kujtuar ata që ranë për këtë dhe, ne mund ta shijojmë me dinjitet këtë të ardhme të ndritur që kemi përpara. Ata nuk luftuan për veten e tyre, por për ne, për fëmijët që do të vinin, për të nesërmen që sot po e jetojmë. Çdo gur i kësaj toke mban gjurmët e tyre, çdo frymë e lirisë është një amanet i tyre, çdo flamur që valëvitet sot është kujtim i asaj force të pathyeshme që nuk lejoi që Kosova të mbetej në terr.

Ne nuk mund ta ndajmë gëzimin nga kujtimi, sepse lumturia jonë është trashëgimia e tyre, dhe borxhi ynë i pashlyeshëm është të mos harrojmë kurrë. Të kujtojmë çdo emër, çdo hap të atyre që nuk u kthyen më, çdo betejë të luftuar jo vetëm me armë, por me shpirt, me qëndresë, me dashuri të pakushtëzuar për këtë vend. Vetëm kështu ne do të jemi të denjë për këtë liri, vetëm kështu gëzimi ynë nuk do të jetë i zbrazët, por do të ketë rrënjë, kuptim, peshë.

Le të festojmë, por me zemrat e mbushura me mirënjohje. Le ta ndërtojmë të ardhmen, por duke ecur mbi themelet e historisë sonë. Sepse vetëm ata që nuk harrojnë, janë të denjë të ecin përpara me nder, me krenari, me dritën e së nesërmes që shkëlqen falë atyre që u flijuan për këtë ditë.

E gëzofsh përjetësisht pavarësinë tënde, Kosova ime e shtrenjtë, ti që u lind nga sakrifica, u rrite me qëndresë dhe u ngrite mbi dhembjen për t’u bërë e lirë. Sot dhe çdo ditë që do të vijë, le të mbash mbi supe krenarinë e brezave që ëndërruan këtë çast, që derdhën gjakun e tyre për të parë këtë flamur të valëvitet në qiellin e hapur të atdheut.

Ti, Kosovë, je dëshmia e një force të pashoqe, e një shpirti të pathyeshëm, e një dashurie të pamatshme për këtë tokë. Ti je ëndrra e gjallë e atyre që dhanë gjithçka për të të parë të lirë, je amaneti i tyre që ne sot e mbajmë me nder dhe përgjegjësi. Në çdo pëllëmbë të tokës tënde është shkruar historia e një populli që nuk u dorëzua, që luftoi për t’u njohur, për të ecur krenar në mesin e kombeve të botës.

E gëzofsh këtë liri, Kosovë! E gëzofsh çdo ditë që lind mbi ty, çdo hap që hedh drejt një të ardhmeje të ndritur, çdo zemër që rreh për ty me dashuri dhe përkushtim. Dhe ne, bijtë e bijat e tua, do të të mbrojmë me dinjitet, do të të ndërtojmë me mençuri dhe do të të duam me po atë flakë që të solli deri këtu.

Le të jehojë sot e përjetë në malet, në fushat, në qytetet e tua: E gëzofsh pavarësinë tënde, Kosovë ime e shtrenjtë!

17 shkurt 2025

Prishtinë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok