18/11/2024

PASHË NJËQIND LEPUJ! JO, ISHIN 99…

0

(Fejton)

NGA NDUE DEDAJ

Ju kujtohet ajo fabula popullore, ironike, unë kam parë njëqind lepuj, që pastaj vjen e ulet e ulet!?…

Pse kjo mani për sasinë? Ne jemi një vend i vogël, por “oreksin” e kemi të madh. Folëm për plot dhjetë milionë turistë që e vizituan Shqipërinë gjatë vitit të kaluar. Po pse jo pesëqind me shumë apo më pak? Pse fiks 10 milionë? Kujt i duhet kjo rrumbullakosje? Të vërtetës? Marketingut të turizmit? Apo marketingut qeverisës? Dhe nuk ndalemi përballë shifrave “astronomike”.  Kryeministri tha këto ditë se në vitin 2030, Shqipëria synon të arrijë në 30 milionë turistë, duke shtuar se vendit tonë i duhet një turizëm jo masiv. Nuk na ka lënë ende kujtesa e së djeshmes, kur raportohej nga arat për qindra ton grurë, e nga minierat për mijëra ton mineral mbi planin, ndërkohë që ishim vendi më i varfër i Europës.

Pse kjo ngasje provinciale për numra të mëdhenj, shifra të mëdha, arritje mëdhështore, spektakolare, plebishitare, historike? Psikologjia e madhështisë është një sindromë e të vegjëlve, që duan të rritën jo normalisht, por duke u fryrë. Ka autorë të parëndësishëm që prezantohen me numrin e madh të kinse veprave që kanë shkruar, 20, 30, 50 tituj. Sikur kjo të jetë një garë vrapimi. Ne nuk dimë një inventar fiks të veprave të Kadaresë, me siguri as ai vetë, ndërkohë që shkrues pak të njohur nuk ngurrojnë të thonë se janë autorë që tash i përkasin përjetësisë bash nga numri i madh i titujve që kanë nxjerrë nga shtypi!? Ore zotërinj, po flisni për libra dhe jo për vargje qepësh e specash! Vite më parë, hartuesit e një enciklopedie lokale vunë si kriter që të përfshihej cilido përson që kishte shkruar tre libra e lart, ku po të ishte gjallë Migjeni, do të mbetej jashtë!? Mund të kesh dhe dhjetë libra (termi libër në këtë rast është i diskutueshëm) dhe të mos bësh vend në një encikopedi, qoftë ajo dhe lokale, pasi nuk je autor. Nuk ke lexues. Nuk të konsideron mjedisi letrar. Ke pará dhe “boton” për qejfin tënd ato që kinse shkruan, apo “mjel” nga interneti.

U tha për një poet të ndjerë të këngës, të cilin e kujtojmë me mirënjohje dhe nga njohja me të, se ishte autori i 4000 këngëve. Pse kjo shifër, që nuk dimë të jetë thënë nga ai vetë. A nuk flet më shumë fakti që pesë nga këngët e tij ishin fituese në festivalet e këngës në Radio – Televizion? “Nga sasia vjen cilësia”, mund të vlejë për tonët e mineralit që nxirren nga nëntoka, ku ndahet mademi nga sterili (dheu), po jo te kënga që duhet të drithërojë në çdo rrokje. Po ashtu shkruhej diku për më të shquarin mjek neuropsikiatër tonin, se ka kryer 17 mijë operacione, ndërkohë që ai vetë thoshte se mbante mend vetëm dështimet. Doktori i sipërthënë nuk është bërë i ai që është nga “aritmetika” spitalore, por nga dituria, shkenca dhe profesionalizmi i lartë si kirurg i kalibrit europian. Një gjë që ai nuk e pohon vetë, pse duhet t’ia mveshin të tjerët për t’i bërë “nder”. Vërtet që në këtë rast ka rëndësinë e vet dhe sasia, por nuk është ajo parësore.

Mund të vazhdosh pafund kështu, me gjysmë të vërteta, skupe, sajesa të rrjeteve sociale, që e bëjnë qimen tra…

E, pra, kur shokët u tallen asokohe me atë që tha se kishte parë njëqind lepuj, kur u zu ngushtë ai nisi t’i zbriste, nga njëqind, nën 99, derisa tha se kishte parë dy apo tre, edhe këto po ose jo, pasi lepujt nuk shkojnë në tufë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok