21/12/2024

PARTITË POLITIKE SHQIPTARE MERREN ME NDARJEN E LUGËVE DHE ENËVE

0
Kalosh-Celiku

NGA KALOSH ÇELIKU

Partitë Politike Shqiptare në Shtetin e “përbashkët” në pushtet e opozitë me “besë” e pa besë, koha është Sot të ngulin këmbë, se: Ende, pa u bë regjistrimi saktë i banorëve në këtë Shtet të “përbashkët demokratik”, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. Fatkeqësisht, hë pë hë në këto Marrëveshje Politike me ndërkombëtarët për dalje nga kriza deri më sot, nuk e kanë ngritur si kusht elementar nëpër ato bisedime dhe debate televizive, asnjë Parti Politike Shqiptare. Tekefundit, shqiptarëve me shekuj që lindin, jetojnë dhe vdesin në kët shtet të “përbashkët” t’u jepet së paku nënshtetësi. Mendja ma thotë,  se: Partitë Politike Shqiptare mu si Dje, edhe Sot merren me ndarjen e enëve dhe lugëve. Dhe, jo me Shtëpinë. Pasurinë e patundshme: arat, melet dhe livadhet.

E them këtë, se: I lindur jam dhe jetoj me vite në këtë Shtet të “përbashkët demokratik”. Hapat e parë i kam bërë rrëzë Çukës, nën hijen e Lisit midis Livadhit ku i kam lexuar Rilindasët: Naimin, Fishtën, Vaso Pashë Shkodranin, Asdrenin, Ndre Mjedjen, Filip Shirokën, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, Hil Mosin, Ali Asllanin e Lasgush Poradecin. Delet i kam thithë si qengj dhe mjel me kusi nën dardhat gorrice, tek “Jasakët e Tikeve”. Ujë kam pi nga burimet e “Përronit të Thanës”. “Çifligu i Xha Derallës”, ka qenë Mëmëdheu dhe Atdheu im demokratik. Ferrat e të cilit më jepnin gji, fuqi për luftë me Penë. Pasmesnate, kur xhindet më rrëmbenin mes Nanës dhe Babait dhe më hudhnin dorë më dorë mbi çatia majë lisave. Vite ato, që më dhanë gji, fuqi  të shkollohem në vendlindje (Cërvicë) dhe Strellcë të Kërçovës e Shkup. Studimet t’i ndjek me disa vite pune në arsim, vazhdoj luftën me Penë në Prishtinë (Kosovë) e Shkup.

Vitin 1980 -të pas kryerjes së ushtrisë (JNA) në Knin (Kroaci), jam kthyer në Shkup. Përshkak se, nuk isha banor i Shkupit (edhe pse me nënshtetësi “maqedonase”), u detyrova të punoj në fshatrat e malësisë të Shkupit mbi 15 vite si mësues: Tisovicë dhe Strugodicë (1980-1955). Fshatra shqiptar malor, për të cilët kurrë nuk kisha dëgjuar gjatë shkollimit të mesëm, edhe pse Shkollën Normale e kreva në Shkup. Tinëz të hyj për oxhaku, shtegu i vetëm i parardhësve të mi kaçakë.

Vendbanime shqiptare, kur dikur nuk ishte ngjitur dot këmba e turkut, e sot me vështirësi ngjiteshte e “vëllezërve” neokomunistë. Fshatra pa minare të xhamive, ku në shtëpitë e vjetra të dikurshme shkolla shqipe, një herë në javë i vizitonte hoxha. Shkolla fillore që nga koha e ministrit të arsimit Ernest Koliqit të pagëzuara me emra të Rilindasëve shqiptar. Vatra arsimi, ku ende më vinin revistat për fëmijë në emër të atyre burrave të penës e pushkës. Fshatra pa gardhe e avlia me gra pa ferexhe të zeza, që kur të takonin në rrugë të përshndetnin me atë shqipen e bukur të malësisë. Dukuri natyrore mes atyre maleve, që nuk e hasje në mes të Shkupit.

Kohë qorre, edhe kur u ndoqa hap pas hapi, gjoja se jam i dërguar nga Kosova që të veprojë në këto vise shqiptare. Që, asaj kohe si nxënës, përveç Radushës dhe Studeniçanit, nuk dija për ndonjë fshat tjetër shqiptar në Shkup. Arsye, e cila më bindi vite më vonë rrëzë Kalasë Dardane, vetëm nga këto dy fshatra asaj kohe i kisha në klasë nga një nxënës. Vërtetë varfëri kombëtare.

Dorën në zemër, gjatë viteve ’80 -ta, pas studimeve kur erdha në Shkup e pash realitetin e këtij Qyteti historik shqiptar. I gjithë Shkupi ishte i rrethuar me fshatra shqiptar. Tek tashti u binda se, Shkupi është qyteti më i banuar me shqiptarë, pas Tiranës. Sot (2016), pas Luftës Kosovës 1998/’99 ka ndryshuar gjendja, padyshim është Prishtina. E, të mos flasim për kohën e Perandorisë osmane, kur Shkupi ka qenë qyteti më i banuar me shqiptarë në Ballkan. Jo rastësisht, edhe betejat luftarake më të përgjakshme janë bërë dhe bëhen për Shkupin. Rrëfimet historike të Babait, se: Shkupin të parët e kanë çliruar shqiptarët, nuk më hiqet nga mëndja edhe sot e kësaj dite. Përmëtepër, në atë Krynegritje Shqiptare Historike kundër Perandorisë Osmane, me armë në dorë kishte marrë pjesë si krah i djathtë lufte i Dervish Carës edhe stërgjyshi im, Emin Çeliku (Xhambazi).

Kryngritja kishte vazhduar lufën për në Katllanovë, vend afër Shkupit ku u zhvillua një betejë e përgjkashme me synime luftarake për t’i çliruar Velesin, Prilepin, Krushevën  dhe Manastirin (1844).

Edhe, erdhi koha të bindem me realitetin: Vitet e ’80 -ta kur erdha si mësues në këto anë, shqiptarët i gjeta të regjistruar si “turq ehamdurila” pa e ditur së paku edhe një fjalë turke?! Shumica e nxënësve nuk kishin as çertifikatë të datëlindjes. Askund, nuk figuronin si banorë të këtij Shteti të “përbashkët”. Burrat e atyre fshtrave nuk i merrnin as ushtarë.

Regjistrimi i banorëve pas vitit 1981, deri diku e ndryshoi gjendjen reale, ku banorët e këtyre fshatrave u regjistruan si shqiptarë. Shumica dihet, ende vazhdonin të jetojnë mes këtyre maleve pa nënshtetësi, mu si sot lagja “Dizhonska” (vendlindja e Hoxhës Allahut), në mes të Shkupit. Banorët e së cilës edhe pse kanë lindur, shkolluar, punojnë, vdesin dhe varrosen në këtë shtet, ende nuk kanë nënshtetësi në Maqedoninë Veriut”. Nuk i përmendim këtu në këtë shkrim publicistik për Nesër, fshatrat dhe qytetet tjerë të këtij Shteti të “përbashkët demokratik”, ku shqiptarët lindin, jetojnë dhe vdesin pa nënshtetësi edhe sot e kësaj dite.

Fakt ky bindës sot, që shqiptarët nuk duhet të dalin në zgjedhje të parakohshme e as të rregullta pa regjistrimin e banorëve para syve të ndërkombëtarëve. Aspak nuk përmban deklarata patetike e politikanëve para kamerave televizive: “Dalje nga kriza”. Gabim i madh historik! Tek tashti do të hyjmë në krizë politike. Përderisa, deri Dje me muaj e vite keni bërë luftë politike për pushtet, Sot shqiptarët do të bëjnë luftë paqësore me dije e punë nëpër institucione të Shtetit të “përbashkët” për Shtet Etnik Shqiptar. Nuk do t’i ndajmë me “vëllezërit” si Dje: lugët dhe enët, por Shtëpinë. Dallimi mes jush dhe nesh është, se: ne nuk marrim paga mujore pa asnjë ditë pune, me muaj pa e shkelur pragun e Kuvendit e as honorare të majme, por e ngrejmë zërin për barabarësi qytetare dhe Liri. Bariu i mirë delet i numron në vathë, e jo në mal. Shkaku, se ndodhë: ndonjërën shkurreve ta ketë hëngër Ujku delengrënës.

Partitë Politike Shqiptare në emër të popullit shqiptar, mund të bëjnë kompromise politike para ndërkombëtarëve për “dalje nga kriza politike”: Qeverinë e Re të zgjeruar, pastrimin e listës zgjedhore, reformat për media, datën e zgjedhjeve, por jo edhe me numrin e banorëve të popullit shqiptar. Herë 20 %, herë 25%, e herë 17 %. Kurrë, deri më sot nuk u bë i ditur numri i saktë i shqiptarëve që jetonë dhe vdesin në këtë Shtet të “përbashkët demokratik”. Edhe atë, në Ditën e Sotshme, kur argumentet natyrore flasin ndryshe: Shqiptarët janë popull shumicë në këtë shtet. Histori më vete është ajo, se: me këtë shtet “demokratik të përbashkët”, udhëheq që nga sistemi komunist, dhe sot neokomunist populli pakicë pa identitet i përbërë nga bullgarët, shqiptarët, vllehët, serbët, turqit e romët.

Shteti, i cili moti kohë nuk ka pasur regjistrim të saktë të banorëve, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. Aqmëtepër, kur në këtë shtet të “përbashkët”, që nga sistemi komunist është manipuluar me numrin e shqiptarëve, duke i regjistruar herë si “maqedonas”, herë si “torbeshë”, herë si “makedonski muslimani” e herë si “turq”. Rreziku i sotshëm pas porte, e ka tejkaluar sistemin komunist: Partitë e reja me “besë” e pa besë me Kur’an në dorë e ilahi nateditë në gojë, hoxhallarët e rrejshëm dhe “analistët” politk me këmbët dhe trutë në legen, sot për sot janë armiku më i madh i popullit shqiptar. Mëkot me deklarata politike anadollake përpiqen ta kthejnë gjendjen politike të viteve para ’81 -shit. Shqiptarët, kur i regjistronin me dhunë e “ndihma sociale” si “turqë ehamdurila”. Ndihmë sot, nuk mund t’u dalin as televizionet e tyre të varura e “pavarura”, që nateditë japin filma serik turk plot dhunë e “dashuri” familjare. Populli shqiptar, sot nuk është ai i Djeshmi, por popull me tre universitete i Ditës Nesërme.

Zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare, apo qofshin ato të rregullta, gjithësesi me Skënderbeun përpara në ballë: Po! Vetëmse, jo me Hoxhën e Allahut! Edhe, atë: me një kusht, pas regjistrimit të numrit të banorëve në Shtetin e “përbashkët”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok