03/12/2024

PARTIA ASGJËSOI SI KUNDËTSHTARËT EDHE KOMUNISTËT E NDERSHËM E TRIMA

0
u6_Thanas-Gjika

(Portret-biografi kushtuar Dino Th. Martikos)

Nga Thanas L. Gjika

Gjatë historisë kombëtare të popullit shqiptar janë shquar shumë burra e gra, djem e vajza për guximin me të cilin i kanë kundërshtuar padrejtësitë dhe urdhrat e padrejta të sunduesve të huaj ose vendës. Kjo dukuri ka qenë e përhapur në shekuj, por edhe gjatë viteve 1944-1991, kur diktatura komuniste me politikën terrorizuese dhe propagandën e saj të fuqishme e detyronte popullin të vlerësonte si trimëri servilizmin ndaj partisë e pushtetit. Qëndrimet e guximshme të atyre që kundërshtonin politikën e partisë, ose veprime të gabuar të kuadrove të partisë e të pushtetit, dënoheshin me burgime, internime, pushkatime, etj. Dënimi shtrihej dhe mbi familjarët e tij, të cilët shpalleshin po ashtu “armiq e tradhëtarë”. Bëmat e këtyre njerëzve mbuloheshin me heshtje dhe harresë. Kush i tregonte ato dënohej dhe ai për agjitacion e propagandë kundër partisë e shtetit.

Të shumtë ishin intelektualët e formuar në Perëndim, nacionalistë, ballistë dhe legalistë, të cilët Partia Komuniste Shqiptare i luftoi dhe i asgjësoi që gjatë Luftës Antifashiste dhe gjatë viteve të para të pasluftës. Mirëpo, po kjo parti asgjësoi dhe shumë komunistë të ndershëm e trima, që e kundërshtuan politikën e gabuar të saj dhe kështu u kthye në një parti me karrieristë e servilë.

Mbasi u ndërrua sistemi diktatorial njëpartiak me sistemin pluralist, ishte detyrë intelektuale të kërkoheshin, të vlerësoheshin dhe të popullarizoheshin zyrtarisht ata bij e bija të popullit tonë, që u asgjësuan pa gjyqe vetëm se u menduan prej udhëheqësit të PKSH se ishin kundërshtarë të vijës së tij, si dhe komunistët që kundërshtuan politikën e partisë dhe vuajtën dënimet e ashpra të diktaturës komuniste. Mirëpo shumica e klasës politike të pasdiktaturës përbëhej nga ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe shërbëtorë besnikë të klanit Hoxha. Kështu që kërkimi, vlerësimi dhe popullarizimi i të tillë trimave e trimëreshave u spostua si detyrë e dorës së dytë e të tretë. Gjatë tranzicionit ish-pushtetarë, ish-kuadro me përgjegjësi, ish-shkrimtarë, ish-gazetarë dhe ish-studiues të kohës së diktaturës vijuan të ishin penat kryesore që mbushnin faqet e shtypit dhe kanalet televizivë. Pikërisht të tillë njerëz që kishin pushtet e krijuan me vonesë Institutin e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, të cilit edhe pas krijimit i kanë nxjerrë dhe i nxjerrin pengesa të shumta në punën e tij. Madje me paturpësi parlamentarë të sotëm socialistë kanë kërkuar që ky institut të mbyllet me qëllim që të mos vijojë zbulimi i krimeve të diktaturës komuniste dhe të mos vlerësohen bëmat e njerëzve të ndershëm e guximtarë të asaj kohe që kundërshtuan veprime të padrejta të kuadrove partiakë dhe politikën e partisë.

Nuk duhet humbur kohë për të kërkuar, gjetur dhe popullarizuar jetën e të tillë njerëzve të guximshëm, me qëllim që të ndihmohen institucionet përkatëve për të vlerësuar këtë aspekt të jetës sonë. Kjo punë nuk duhet lënë si detyrë që duhet kryer vetëm prej ish-të përndjekurve, sepse shumica e popullit që vijon të ndjekë median e majtë, i sheh këta me sy të shtrembër dhe nuk i vlerëson, madje as i lexon shkrimet e tyre. Prandaj është detyrë e çdo intelektuali të ndershëm që të përpiqet seriozisht për të njohur dhe vlerësuar me shkrime të ndryshëm jetën e këtyre heronjve, sepse shembujt e tyre do të frymëzojnë rininë shqiptare për të krijuar një shoqëri të moralshme larg gënjeshtrave. pa të cilën populli ynë nuk mund të rigjenerohet e të ecë përpara…

Në vijim të shkrimeve të mia për të zbuluar e përshkruar jetën dhe bëmat e njerëzve që guxuan të kundërshtonin politikën e partisë gjatë luftës dhe pas saj, po përpiqem të ndërtoj këtu një portret-biografi për birin e denjë të Bregut të Sipërm, himariotit Dino Themistokli Martiko, pjesëmarrës i Luftës Na-Çl, komunist i vitit 1942, që e dënuan dy herë me burgim, më 1954 me 7 vjet dhe më 1979 me 23 vjet. Herën e dytë e dënuan kur ishte pensionist 65-vjeçar dhe ia morrën jetën pas një viti torturash në hetuesi dhe 5 vjet mundimesh burgu, sepse nuk e duronin dot gjallë.

Për të mbledhur të dhënat e nevojshme për hartimin e këtij shkrimi u lidha me zotin Robert Martiko, djalin e Dinos, i cili më ndihmoi duke m’u përgjigjur pyetjeve të shumta dhe pastaj duke korrigjuar e saktësuar shumë të dhëna në variantet e parë të shkrimit.

* * *

Dino Martiko lindi në vitin 1914 në fshatin Shënvasi të Sarandës. Ishte më i madhi i tre djemve të familjes së Themistokli Mitro Martikos, e cila ishte një familje në gjendje të mirë ekonomike. Gjyshi i Dinos, Mitro (Dhimitër) Martikua, përveç shtëpisë dhe arave, ushtronte dhe tregëtinë e kuajve. Ai e dërgoi djalin e tij, Themistokliun, pra  babain e Dinos, me shpenzimet e veta për të kryer shkollën e mesme në Janinë dhe më pas në Athinë për të ndjekur studimet e larta për ekonomi. Kur plasi Lufta e Parë Ballkanike, në tetor të vitit 1912, Themistokliu, si shumë bashkëstudentë grekë dhe arbërorë (arvanitas), e la shkollën dhe shkoi vullnetar për të luftuar kundër ushtrisë turke për lirinë e popullit grek që kishte mbetur ende nën zgjedhën turke. Ai mori pjesë në luftimet e Thesalisë, ku që në fillim ra në sy për guxim e trimëri në fushat e betejave, prandaj komanda ushtarake greke i dha gradën toger.

Kur erdhi në Delvinë, te sheshi i qytetit, njerëzit e ngritën Themistokliun në duar duke e hedhur përpjetë me thirrje brohoritëse. I ati, Mitro Martikua, që ishte i njohur për guximin dhe zgjuarësinë e tij në Delvinë dhe në zonën për rreth, kur pa pritjen që po i bëhej djalit, iu tha disa miqve që i kishte në krah: “Sikur të vdes tani, do të isha njeriu më i lumtur në botë”! Familja e Martikove kishte miqësi të shumta me familje të krishtere dhe myslimane. Tregëtia kërkonte, ashtu si dhe sot, marrëdhënie të gjera e të shumta.

Në verën e vitit 1913 Themistokliu vendosi të qëndronte pranë familjes për të ndihmuar babain. Nuk shkoi në Athinë për të vijuar studimet, por u martua dhe mbas një viti u bë baba me djalë, të cilit i vuri emrin Dino (forma e shkurtër e emrit Kostandin). Mirëpo disa muaj më pas babain e tij Mitron e vranë pabesisht në pusi. Thuhet se kali i Mitros atë ditë nuk donte të merrte udhë, por kamzhiku i të zotit e shtrëngoi të bënte përpara. Nuk u muarr vesh se cili ishte vrasësi. Disa javë para vrasjes kishte ndodhur një skenë në Shënvasi me disa bashkëfshatarë që kishin bërë vjedhje në një fshat mysliman. Mitrua i shau me fjalë të rënda: “të pabesë, maskarenj, na turpëruat fshatin”. Ata, në prani të tij nuk nxorrën gjysmë fjale, por mbas disa javësh Mitrua u gjend i vrarë në pusi. Varrimi i tij u bë me nderime brenda territorit të Manastirit të Shën Vasilit. Duke qenë se vrasësi nuk u muarr vesh, Themistokliu e ngushëlloi nënën e vet: “Le të falenderojmë Zoti, që na dha Dinon si zëvendësues të babait”.

Pas formimit të shtetit të pavarur shqiptar porti i vogël i Sarandës po merrte gjallëri, Themistokliu e ndjeu se tregëtia atje do të sillte shpejt fitime të mira, prandaj shkoi e mori me qira një dyqan në atë qytezë. Familjen e la në fshat, kurse vetë rregulloi një vend për fjetje në një kthinë të dyqanit, ku flinte gjashtë ditë të javës. Kjo lloj jete nuk zgjati shumë, brenda vitit 1920 ai u sëmur dhe vdiq.

Dinua kishte qenë foshnjë kur ndodhi vdekja tragjike e gjyshit Mitro dhe nuk përjetoi dhimbje, kurse vdekja e babait, kur ishte disa muaj mbi 6 vjeç ia cingërisi zemrën. Tronditja e asaj dite, me të qarat dhe kujet e grave, do t’i kujtoheshin sa herë do të ndodhej në momente të vështira. Si shumica e jetimëve edhe ai u rrit me trauma shpirtërore. Por me gjithë tronditjen dhe dhimbjen, ky fëmijë, qysh në moshë shumë të re dha shenja se do të bëhej njeri i zgjuar dhe energjik.

Dinua u shkollua në shqip, greqisht dhe italisht

Kur ishte ende gjallë babai filloi ta merrte Dinon 6 vjeçar me vete të hënave në Sarandë dhe e kthente të shtunave. Atje ai e regjistroi djalin si dëgjues në një shkollë, ku nisi të mësonte shkronjat e para të alfabetit dhe disa veprime matematike. Në fshatin Shënvasi nuk kishte shkollë dhe ky fëmijë i mbetur jetim ndjeu se nuk kishte mundësi shkollimi. Një ditë shpërtheu duke iu drejtuar gjyshes si i rritur: “Ose më gjeni shkollë, ose këtë avlëmend ku punon ti tërë ditën, do ta bëj copë-copë.” Ia tha këto fjalë gjyshes, që e donte më shumë se nënën e tij. Për të ai ndjente dashuri dhe dhemshuri, por shqetësimi se do të mbetej i pashkollë e revoltonte, prandaj i thirri ashpër gjyshes zemërplasur. Ajo nuk u zemërua, po ngriti sytë nga qielli duke psherëtirë: “Ndihmoje o Zot dritën e syve tanë mos mbetet pa shkollë!

Dhe, sikur Zoti ta kishte dëgjuar lutjen e saj, në verë-vjeshtë të vitit 1921 u hap e para shkollë fillore në Shënvasi, ku u regjistrua dhe Dinua. Pasi përfundoi tre vitet e kësaj shkolle, për shkollimin e mëtejshëm, u interesua dajua i tij, Qirjako Vjero, te miku i familjes Jaho Kalasa, i cili jetonte në Delvinë. Ky arriti të siguronte nga qeveria e Tiranës një bursë për djalin jetim për të vijuar mësimet në shkollën greke të Voshtinës, një fshat i vogël në Greqi pranë kufirit. Aty Dinon 10-vjeçar e shpuri dajua i tij, i cili merrej me tregëti kuajsh midis dy vendeve dhe e njihte drejtorin e asaj shkolle. Ky i premtoi se do të kujdesej për mbarëvajtjen e djaloshit. I caktuan Dinos një program të veçantë për të mësuar brenda një kohe të shkurtër gjuhën greke që të ecte paralel me nxënësit e tjerë. Me aftësitë e tij mundi ta kapte programin mësimor njësoj me nxënësit e klasës së vet. I shkathët nga natyra dhe i papërtuar, ai i përballoi me sukses si mësimet në gjuhë të huaj dhe regjimin e ashpër të jetës konviktore. Ngrisheshin çdo ditë në orën 5 të mëngjesit për të rendur e bërë gjimnastikë edhe kur binte shi ose dëborë. Në Voshtinë bënte shumë ftohtë. Në janar rrugët bllokoheshin nga bora dhe hapeshin nga mesi i marsit.

Rezultatet e mira në mësime dhe qëndrimi i tij korrekt ngjallën respekt e simpati te bashkënxënësit dhe mësuesit, me përjashtim të mësueses që jepte muzikë dhe punë dore. Një ditë kur të gjithë nxënësit këndonin, ajo pa që Dinua nuk këndonte dhe e pyeti: “Po ti pse s’ këndon”? Dinua iu përgjigj se nuk kishte veshë për muzikë prandaj nuk dinte të këndonte. Ajo nguli këmbë dhe i kërkoi të këndonte çfarëdo kënge që të dinte. Dhe Dinua filloi të këndonte Hymnin e Flamurit. Mësuesja mbeti e kënaqur dhe donte t’i thoshte se si ke mësuar këtë këngë shqipe mëso dhe këngë greke. Mirëpo, një bashkënxënës që ishte nga Gjinokastra i tha mësueses se ajo këngë ishte hymni i Shqipërisë. Atëhere mësuesja i dha Dinos një pëllëmbë të fortë në faqe. Me një lëvizje rrufe ai e goditi mësuesen me shqelm në bark. Ajo u befasua, por nuk reagoi më tej me goditje. E dënoi që të mos delte për të luajtur në oborrin e shkollës gjatë pushimit të madh. Kur nxënësit dolën, Dinua pas disa minutave e vërtiti në pozicion horizontal paisjen e sobës tek qyngji dhe pengoi daljen e tymit. Klasa u mbush me tym. Nxënësi i parë që erdhi nga pushimi lajmëroi të njëjtën mësuese, por kjo nuk erdhi vetë, njoftoi drejtorin e shkollës. Kur ky hyri brenda në klasë, dalloi Dinon që po fërkonte sytë e përlotur dhe në vend që ta dënonte, ia plasi të qeshurit, duke thënë: “Ah, ti kokë himarioti!” Drejtori nuk deshi ta dënonte nipin e mikut të tij, hapi dritaret dhe u largua.

Pasi e mbaroi këtë shkollë, Dinua u kthye në shtëpi i kënaqur se përveç programit mësimor kishte mësuar dhe gjuhën greke. Kryetari i Bashkisë së Delvinës, Asim Kalasa, djali i Jaho Kalasës mik i familjes, e ndihmoi Dinon që të shkonte për të vijuar studimet në Vlorë te Shkolla Tregtare, një shkollë ekonomike italiane. Gjatë studimeve në këtë shkollë në vitet 1927-1931 djaloshi u kualifikua si llogaritar-kontabël dhe zotëroi shumë mirë italishten. Me njëherë sa mbaroi këtë shkollë, e emëruan sekretar në Bashkinë e Delvinës, ku punoi deri më 6 prill 1939. Pushtimi fashist i Shqipërisë solli dhe pushimin e Dinos nga puna.

Dino Martikon pushtimi fashist e gjeti të mirëformuar si karakter njerëzor dhe atdhetar. Atdhetarizmi atij i ishte mëkuar që me qumshtin e nënës, kurse edukata qytetare i ishte formuar gjatë jetës në familjen e ndershme. Kjo edukatë i ishte forcuar më tej dhe gjatë viteve të shkollimit te shkolla italiane, ku pedagogët që i jepnin mësim ishin intelektualë të spikatur me kulturë të gjerë dhe moral të qytetarit perëndimor.

Nuk më interesojnë pasojat, më intereson varrimi i kufomës

Në vitin 1937 plasi kryengritja e Delvinës kundër Mbretit Ahmet Zogu i I. Këtë revoltë e organizuan vëllezërit Et’hem dhe Ismet Toto me simpatizantët e tyre antizogistë. Mirëpo forcat mbretërore e shtypën kryengritjen dhe shkaktuan shumë viktima, u arrestuan dhe 400 pjesëmarrës. Midis viktimave të asaj kryengritjeje ishte dhe toger Xhevdet Gjoleka, nipi i të paharrueshmit Zenel Gjioleka. Xhevdetin e vrau në gjumë një mik i tij, i paguar prej Ahmet Zogut. Mbreti dha urdhër që kufoma e këtij togeri të mos varrosej, po të lihej te sheshi i Çerçizit në Gjinokastër derisa të qelbej.

Dinua 23 vjeçar, sapo mori vesh këtë lajm, duke e ditur se tre djemtë e Xhevdetit ishin të vegjël dhe nuk do t’i dëgjonte kush po të kërkonin kufomën, shkoi shpejt nga Delvina në Gjinokastër, ku takoi prefektin. E sqaroi se i vrari ishte nip i zëmadhit Zenel Gjoleka dhe dhëndër i Jaho Kalasës, të cilit Dinua i detyrohej për shkollimin te Shkolla Tregëtare, pastaj i kërkoi lejën për ta marrë dhe varrosur kufomën. Prefekti, si nëpunës i mbretit nuk guxoi dhe iu përgjigj: “Djalosh, mos e fut veten në armiqësi me Nalt Madhninë! Do të kesh pasoja të rënda”. Dinua pa i bërë syri tër, me pamje të qetë, ia ktheu: “Nuk më interesojnë pasojat, më intereson varrimi i kufomës. Ju nuk keni ligj që të shkelni zakonin popullor për varrimin e një kufome”. Prefekti u ndje ngushtë, por e dha urdhërin për ta dorëzuar trupin e të vrarit, të cilin Dinua u kujdes dhe e varrosi te varrezat e Gjinokastrës.

Kur e dëgjova prej Robertit këtë ngjarje, më bëri përshtypje sjellja e këtij prefekti, i cili guxoi dhe e theu urdhërin e Mbretit nën presionin e një qytetari këmbëngulës që i tha se nuk duhej të shkelte zakonet popullore përderisa ai nuk kishte një ligj të shkruar. Kurse gjatë viteve të diktaturës komuniste, asnjë nga kuadrot e lartë të partisë e të pushtetit, bashkë me ata të sigurimit, nuk guxoi të thyente urdhërat e Enver Hoxhës për burgime, internime e pushkatime njerëzish, edhe pse këto urdhëra shpesh herë nuk mbështeteshin në asnjë vendim gjyqi ose ligj të shkruar.

Për fatin tonë të keq gjatë viteve të tranzicionit, kur janë në pushtet pasardhës të klanit Hoxha, po ndodhin krime të një lloji tjetër. Tani ka ligje të shkruar për dënimin e të gjitha keqbërjeve, por ato shkelen prej gjyqtarëve e zyrtarëve të korruptuar.

Mos u besoni spiunëve, ata janë njerëz të poshtër që shiten për pare

Mbas 7 prillit 1939 deri në tetor 1940, edhe Delvina jetoi nën pushtimin italian, i cili u ndërpre pas dështimit të Italisë Fashiste në Luftën Italo-Greke. Ky qytet, si shumë qytete e fshatra të Shqipërisë së jugut u çlirua prej ushtrise pushtuese italiane, por ky çlirim nuk ishte çlirim i vërtetë. Ushtria greke që dëboi ushtrinë italiane, shumë shpejt filloi të sillej si ushtri pushtuese duke shpallur herë hapur e herë nën zë se tokat e çliruara prej pushtuesit italian ishin toka greke dhe i përkisnin Greqisë.

Dinua nuk donte tu besonte syve kur po dëgjonte disa shqiptarë, të krishterë dhe myslimanë, që po bërtisnin te sheshi i Delvinës: “Zito Elladha”! (Rroftë Greqia). Po përsëriteshin skenat qesharake që ishin organizuar në prill 1939 në Durrës, Tiranë, Vlorë e Sarandë, ku disa shqiptarë të paguar bërtisnin në ditët e para të pushtimit italian: “Viva Italia, Viva Duce!” (Rroftë Italia, Rroftë Duçja). Ndonëse Delvina ishte e mbushur me ushtarë grekë, Dinua filloi të shante brohoritësit majtas e djathtas dhe tregëtarët që po ndërronin tabelat e dyqaneve të shkruara shqip me tabela të shkruara greqisht. Nuk kaloi as gjysëm ore nga bërtitjet e tij, kur u dha aty një patrullë me tre ushtarë grekë, nga ata të shërbimit të Sigurimit grek (Asfalias). Pranë Dinos ndodhej një shqiptar mysliman, i njohur i tij. Komandanti i patrullës pyeti: “ Si ju quajnë”?

Mua më quajnë Apostol”, u përgjigj me ngut shqiptari mysliman që ishte pranë Dinos. Dinua nënqeshi. Komandanti iu drejtua Dinos: “Po ty, si të quajnë?

Dino, Dino Martiko”, u përgjigj ai. Por grekët përdornin e përdorin vetëm formën e plotë Kostandin dhe komandanti mendoi se ai ishte ndonje shqiptar i ardhur nga Çamëria ku e kishte dëgjuar këtë emër dhe urdhëroi pa e zgjatur: “Të urdhërojmë të vish me ne në komandë!” U bëri shënjë me dorë ushtarëve ta fusnin Dinon në mes dhe ta shoqëronin deri te zyrat e komandës.

Ushtaraku i lartë para të cilit e shpunë Dinon kishte një pamje të egër, të cilën ia theksonin sytë e tij të futur në dy zgavrat e mëdha. Ky ishte famëkeqi Major Petropulos, shefi i Sigurimit të Ushtrisë Greke për zonat Përmet-Gjinokastër-Sarandë. Disa javë më vonë, po ky major për të ngjallur tmerr në popull, e tërhoqi zvarrë të lidhur me litar pas triçiklit të tij derisa dha shpirt, një himariot që akuzohej se ishte agjent i italianëve.       Midis majorit dhe Dinos filloi biseda: “Çam je ti”?

Jo, jam shqiptar ortodoks”.

Ku ka shqiptarë ortodoksë, more maskara! Ortodokët janë grekë, shqiptarët janë turq. E di ti që unë të var te rrapi i Delvinës”?

Nuk ka nder më të madh për mua se të më varësh te rrapi i Delvinës!” Iu përgjigj Dinua dhe vijoi: “Po më parë duhet të dish se gjithë spiunët e Ahmet Zogut u bënë spiunë të italianëve dhe sot erdhën e u bënë spiunët tuaj.’’

Majori u ngrit në këmbë. Ngriti një kamzhik të shkurtër për të goditur të arrestuarin në fytyrë, por Dinua me duart e tij të forta ia mbërtheu dorën që mbante kamzhikun dhe po e mbante të bllokuar. Në këtë moment u hap dera dhe hyri një prift delvinjot që e njihte Dinon, i cili menjëherë iu drejtua ushtarakut:

“Qirio Petropulos ju gaboni. Ky djalosh nuk duhet arrestuar, ai ka bërë propagandë në favor të Greqisë përpara se të vinit ju në Delvinë”.

Ishte e vërtetë. Dinua, sapo plasi lufta Italo-Greke, filloi të dëgjonte lajmet që përhapte radio Athina dhe i riprodhonte fjalët që thuheshin prej saj, se ushtria greke do ta çlironte Shqipërinë nga fashizmi italian derisa ta hidhte në Adriatik. Nga mungesa e përvojës politike dhe duke pasur parasysh faktin se babai i tij si shumë shqiptarë të tjerë para tij kishin luftuar për lirinë e popullit grek, Dinua mendonte se popujt fqinj i gjenden njëri tjetrit në kohë nevoje. Por kur pa e dëgjoi sesi silleshin e se çfarë thoshin ushtarët grekë pasi erdhën në Delvinë e Sarandë, u kthjellua dhe kundërshtoi hapur propagandën shoviniste dhe thirrjet e spiunëve…

Në saje të ndërhyrjes së priftit, majori Petropulos e la të lirë të arrestuarin. Dinua kishte hallën e tij të martuar në familjen Bamiha në Delvinë. Ajo ishte grua dinamike, sa dëgjoi se nipi i saj qe arrestuar, shkoi te prifti dhe e nxiti që të ndërhynte te komandant Petropulos. Mirëpo edhe pasi shpëtoi nga dënimi, Dinua nuk pushoi së foluri kundër sjelljes shoviniste të ushtrisë greke. Ndërkohë Petropullos ishte larguar me një pjesë të ushtrisë drejt bregdetit të Himarës. Dinon e arrestuan përsëri dhe në burg u bënë gjithsej gjashtë vetë, pesë myslimanë dhe vetëm ai i krishter. Midis të burgosurve ishte dhe çami Asim Zejno, një i njohur i tij me të cilin do të miqësohej edhe më tepër në Vlorë, ku, si do të shohim më tej, do të pinin shpesh herë kafe bashkë.

Halla e tij, e cila e kishte dërguar priftin herën e parë, tani kishte bërë përpjekje të tjera për ta nxjerrë nipin e saj nga burgu, dhe ia arriti. Në fund të javës së parë të izolimit, shefi i burgut, një oficer grek, i shkoi te qelia dhe duke hapur derën thiri: “Dino Martiko dil, je i lirë”! Oficeri u çudit, sepse Dinua në vend që të delte sa më parë, u përgjigj: “Nuk pranoj të dal nga burgu”.

Pas disa minutash erdhi një tjetër oficer dhe pyeti: “Si është puna? Dinua përsëriti: “Nuk pranoj të dal nga burgu”. Oficeri i kërkoi sqarime, dhe Dinua vijoi: “Përse i mbani të burgosur këta njerëz të ndershëm që i njeh e gjithë Delvina, kurse njerëzit më të ndyrë, spiunët, i mbani si miq në gjirin tuaj. Deri dje ata i shërbenin Zogut, më pas italianëve dhe tani ju shërbejnë juve. Pa liruar këta të pafajshëm, unë nuk dal”.

Oficeri u largua, por kur erdhi ditën tjetër kishte me vete vendimin për lirimin e katër të burgosurve. Mbajtën vetëm dy, që i konsideruan shkelës të ligjit. Edhe Asim Zejnua u lirua.

Ushtria greke pas disa muajsh u tërhoq nga territoret shqiptare, sepse në luftë kundër saj hyri ushtria gjermane, aleatja e Italisë Fashiste. Me rikthimin e ushtrisë italiane në Sarandë u rihap dega e Bankës së Napolit, ku Dinua u ripunësua si llogaritar kontabël. Në vitin 1942 djaloshi Martiko u martua me zonjushen Sofia Gribizi, që kishte mbaruar gjimnazin femëror të Korfuzit, qyteti ku ajo kishte lindur e qe rritur. Babai i saj, Vangjel Gribizi, një minoritar grek nga Poliçani i Gjinokastrës, pasi kishte punuar disa vjet në Amerikë si kurbetli, ishte kthyer dhe qe instaluar në Korfuz, ku së bashku me një grek vendës hapi kafenenë Mavros Gatos, që u bë shumë e njohur.

Që përpara se të ndodhte pushtimi italian, gjatë jetës si konviktor te Shkolla Tregëtare, Dinua kishte rënë në kontakt me idetë komuniste, që përhapnin Anastas Lulua dhe Sadik Premtja. Si i ri që kishte rezerva ndaj regjimit monarkist, i pushtuar dhe nga formula e idealistëve të kohës: “Të ndërtojmë një botë më të mirë”, Dinua e simpatizoi lëvizjen komuniste, si një lëvizje që mund të sillte krijimin e një sistemi shoqëror më të mirë. Faktikisht ai dinte pak për komunizmin si ideologji, por asgjë si praktikë qeverisjeje. Kishte lexuar italisht “Manifestin Komunist” të Karl Marksit dhe disa pjesë të veprës “Kapitali”. Kështu, kur filloi lëvizja antifashiste, ai ishte një simpatizant i krahut të majtë të kësaj lëvizjeje. Madje në vitin 1942 ai u bë dhe anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare. Karabinieria italiane e kërkonte për ta arrestuar dhe e arrestoi dy herë. Mirëpo e lëshoi shpejt, sepse në hetuesi ai i kundërshtoi me vendosmëri akuzat që i bëheshin prej informatorëve të Shërbimit Informativ Ushtarak Italian, SIM-t dhe nuk dekonspiroi asnjë nga shokët.

Aktivitetet e para të komunistëve të Bregdetit dhe të Kurveleshit filluan me përpjekjet për pajtimin e gjaqeve dhe shuarjen e armiqësive midis fshatrave. Dinua kryesonte pothuaj të gjitha mbledhjet në bashkëveprim me komunistët e Kuçit, personalisht me Jaho Gjolikun, që ishte mik familjar i Martikove. Në marrëveshje edhe me Hysni Kapon, Dinon e emëruan kryetar të Frontit Antifashist Na-Çl të Bregut të Sipërm, që përmblidhte fshatrat: Nivicë-Bubar, Shënvasi, Lukovë, Sasaj, Piqerras e Borsh. Në një nga këto takime në Kuç, ai shfaqi dëshirën për tu inkuadruar në një çetë partizane. Hysni Kapua dhe Jaho Goliku, të cilët ia njihnin Dinos aftësistë si orator dhe emrin e mirë që kishte në popull, ngulën këmbë që ai të kryesonte propagandën në Bregun e Sipërm. Hysniu e mbylli bisedën: “Dino, po të vish në mal, na shton vetëm një partizan, kurse po të punosh në terren, do na shtosh shumë partizanë.

Dhe vërtet numëri i partizanëve bregdetas u rrit ndjeshëm. Për nga influenca në popull, fshatrat e Bregut, nga Palasa deri në Nivicë-Bubar ndaheshin në atë kohë midis Dino Martikos për Bregun e Sipërm dhe Zaho Kokës për Bregun e Poshtëm.

Përplasje me kuadrot komunistë gjatë Luftës Antifashiste

Enver Hoxha, udhëheqësi i PKSH-së, i detyruar prej Miladin Popoviçit, e hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes dhe më 10 shtator 1943 me anë të shkresës sekrete të firmosur me pseudonimin Shpati, e shpalli Ballin Kombëtar “organizatë tradhëtare dhe bashkëpunëtore të pushtuesit”, ndonëse forcat e kësaj organizate deri atë shtator kishin luftuar në bashkëveprim me forcat partizane. Gjithashtu në po atë shkresë ai i urdhëroi organizatat bazë të partisë që të detyronin formacionet e ushtrisë partizane të mos kryenin më asnjë aksion të përbashkët me forcat e Ballit Kombëtar, por t’i luftonin këto pa kompromis si armike. Mbas këtyre vendimeve ai filloi t’u kërkonte forcave partizane të kryenin aksione të armatosura kundër pushtuesve të rinj gjermanë që po zëvendësonin ushtrinë italiane.

Këto nisma synonin: Së pari t’i mënjanonin forcat e armatosura të Ballit Kombëtar si bashkëluftëtare për liri;

Së dyti forcat e Ballit duhej ose të inkuadroheshin me forcat partizane, ose të shkonin në shtëpi, ose të kalonin në aleancë me forcat e pushtuesit të ri.

Dhe kështu ndodhi, disa ballistë kaluan në anën e forcave partizane, disa shkuan nëpër shtëpitë e tyre, kurse shumë të tjerë filluan të bashkëpunonin me pushtuesin e ri, pa pasur ndonjë urdhër nga komandanti i tyre Mit’hat Frashëri. Pra propaganda e PKSH-së ia arriti qëllimit, namin e keq që përhapi për rivalin e saj si organizatë tradhëtare e bëri realitet, sepse shumë forca të Ballit Kombëtar u detyruan të ktheheshin në forca tradhëtare. Si rrjedhojë aleatët e mëdhenj panë se forcat partizane mbetën si forca e vetme ushtarake që luftonte kundër pushtuesve gjermanë.

Kurse përsa u përket organizimit të aksioneve goditëse kundër forcave gjermane, udhëheqja e PKSH-së mendonte se këto aksione do të pasoheshin nga kundërveprimi hakmarrës i gjermanëve, të cilët do të vrisnin partizanë po dhe njerëz të pafajshëm, do të digjnin shtëpi dhe fshatra të tërë. Kështu, të rinjtë e këtyre fshatrave, të mbetur pa shtëpi, do të shkonin në mal të bashkoheshin me partizanët. Pra prish shtëpi të bësh kasolle.

Në fund të shtatorit 1943 komandanti Jaho Gjoliku, miku i familjes Martiko, mori kontakt me Dinon dhe pa e zgjatur hyri në temë:

Partia dhe Komanda të vlerësojnë shumë për partizanët që i ke dërguar deri sot në male. Po Partia ka nevojë për më shumë partizanë, prandaj kërkohet prej teje të mbledhësh forcat territoriale dhe me to të bëhet një aksion kundër forcave gjermane. Mund ta bëni diku midis Nivicës dhe Shënvasisë. Ky aksion do të ngrerë prestigjin e zonës por edhe tëndin. Nga kundërveprimi që do të kryejnë gjermanët, populli do të revoltohet dhe do të mbushë malet me luftëtarë”.

Dinua e pa në sy dhe iu përgjigjej prerë: “JoooNë asnjë mënyrë nuk pranoj të zbatohet ky urdhër!

Është urdhër nga lart dhe ti e di që nuk mund të kundërshtohet.” Ia ktheu Jahua, i habitur nga reagimi i Dinos dhe shtoi:“E përse e shikon të pazbatueshëm këtë urdhër?”

“Aksioni, filloi të sqarohej Dinua, do të sjellë hakmarrjen e gjermanëve. Do të vriten njerëz të pafajshëm, do të digjen shtëpi, plaça dhe të lashtat. Fshatarët në vend të afrohen me Partinë dhe Lëvizjen do të largohen. U thuaj shokëve të komandës se ky aksion do të ngjallë urrejtje dhe jo dashuri në popull. Unë nuk mund ta marr përsipër zbatimin e këtij urdhëri. Shënvasia dhe Nivica janë fshatra të pasur. Nuk janë si fshatrat e Labërisë, gurë e shkëmb. Aksioni do të ketë kosto të lartë ekonomike, por edhe politike”.

Jahua, duke i hedhur krahun në qafë, shtoi:

Ke të drejtë. Ma ktheve mendjen dhe mua. Do t’u them shokëve në mal që të mos kryhet ky aksion”.

Mirëpo në qershor të vitit 1944, kur Dinua ndodhej në Korfuz pranë gruas dhe vajzës së porsalindur, udhëheqja e partisë vendosi në mungesë të tij, të organizohej një aksion kundër forcave gjermane që po tërhiqeshin nga Greqia. Goditja u krye midis Shëvasisë dhe Nivicës dhe të dy fshatrat u dogjën. Është një ngjarje që njihet me emrin Masakra e Hondrovunit. Në kohën që gjermanët po kryenin pushaktimin e 52 burrave niviciotë e shënvasiotë dhe po hipnin mbi makina për t’i internuar 90 të tjerë, gratë dhe nënat e tyre vunë kujen për të qarë gjëmën që ndodhi, por jo për të lëvduar aksionin partizan. Midis viktimave që u pushkatuan ishin dhe disa të afërt të familjes Martiko dhe vetë dajua i Dinos. Kurse një muaj më parë gjermanët kishin vrarë vëllanë e tij, Aristidhin bashkë me disa fshatarë të tjerë që i kishin kapur rob në Sasaj. Prej këtij grupi mundi të shpëtonte vetëm vëllai tjetër i Dinos, Ndrekua. Ky e nuahti se gjermanët nuk do t’i falnin, po do t’i vrisnin si hakmarrje ndaj aksionit partizan, prandaj realizoi me zgjuarësi arratisjen e tij.

Në Bregdet, një masakër si ajo e Hondrovunit u krye edhe në Vuno. Fshati u dogj si pasojë e kundërveprimit të gjermanëve që u sulmuan gjatë tërheqjes nga Greqia. Kurse në Dhërmi kryeplaku i mençur, së bashku me disa fshatarë u doli përpara forcave gjermane dhe i priti me fjalët: “Mund të kaloni të qetë, ne nuk kemi partizanë”. Dhe gjermanët kaluan pa shkaktuar dëme në Dhërmi e Palasë.

Aksionet e tilla të forcave partizane me disa të shtëna pushkësh sillnin vrasjen e disa ushtarëve gjermanë dhe djegien e fshatrave tona, vrasjen e shumë njerëzve dhe partizanëve. Kjo lloj lufte nuk e shtyu frontin e LNC as një metër. Ajo ishte thjesht taktikë luftarake që i shërbenin më shumë Enver Hoxhës sesa vetë luftës. Ato i dhanë Enver Hoxhës kapital politik, sepse me to ai fitoi besimin e emisarëve jugosllavë dhe të përfaqësuesve ushtarakë të aleatëve të mëdhej, se ai ishte njeriu më besnik i tyre dhe më i përshtatshëm, të cilit pas mbarimit të luftës i duhej besuar pushteti. Dhe kështu ndodhi.

Sot pas 75 vjet nga përfundimi i Luftës Antifashiste është e nevojshme që t’i jepen kësaj lufte vlerat që ajo ka vërtet dhe të hiqet dorë nga glorifikimi i saj me gënjeshtra e zbukurime. Në tekstet e Historisë së Shqipërisë nuk ka arsye përse të vijojë fryrja e disa ngjarjeve të luftës për të glorifikuar udhëheqësin e PKSH-së dhe komandantët ushtarakë. Shumë nga këto gabime dhe krime u pranuan në nëntor 1944 në Pleniumin e Beratit dhe atyre fjalimeve ia vlen t’u rikthehemi sot. Deri më sot nuk iu kërkua kurrë falje popullit për urdhëra të gabuar, për shpalljen e Ballit Kombëtar “tradhëtar e bashkëpunëtor i pushtuesit”, kur ai ende ishte aleat me forcat partizane dhe ky akt i udhëheqësit të PKSH-së i detyroi shumë forca balliste të bashkëpunonin vërtet me pushtuesin gjerman. Të tilla analiza dhe kërkesa, si dhe kërkesa e të falurit për gabimet e krimet e kryera, nuk u bënë as gjatë 47 vjetëve kur sundoi partia shtet, dhe nuk po bëhen as gjatë këtyre 28 vjetëve, kur shërbëtorët besnikë të klanit Hoxha, janë porositur ta shajnë sistemin komunist, por nuk i bëjnë analiza kritike sundimit enverist dhe nuk kërkojnë të falur për gabimet e krimet e atij komandanti.

Jam i bindur se nuk do të bëhen analiza shkencore dhe as do t’i kërkohet të falur popullit për krimet e kohës së Luftës Antifashiste dhe të kohës së diktaturës komuniste as në Konferencën Shkencore që do të organizojë Akademia e Shkencave me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut. Klani Hoxha dhe shërbëtorët e tij ende duan vetëm lavde e dafina dhe jo analiza shkencore dhe kritika të drejtpërdrejta.

Komunisti i ndershëm nuk i zbaton verbërisht urdhërat

Partia Komuniste Shqiptare, si parti leniniste, u shqua që në fillim për disiplinën e fortë midis anëtarëve të saj, Ky tipar e ndihmoi udhëheqjen e saj që gjatë luftës së armatosur, formacionet e saj ushtarake të ishin superiore në aksione lufte në krahasim me formacionet e Ballit Kombëtar dhe të nacionalistëve. Në radhët e partizanëve dhe të agjitatorëve të partisë, në saje të kësaj disipline, askush nuk guxonte të diskutonte urdhërat që jepte udhëheqësi i PKSH-së, i cili në 10 korrik 1943, u zgjodh edhe Komandant Suprem i Ushtrisë Na-Çl.

Urdhërat që merrte Dinua nga lart përpiqej t’i zbatonte gjithmonë me zell, por ndërkohë synonte që të mos i shkelte bindjet e veta. Sipas tij, populli shqiptar ishte një popull i vogël, prandaj midis tij nuk duhej praktikuar vllavrasja, por vetëm bashkimi kombëtar kundër pushtuesit. Për të realizuar këtë bashkim e unitet të popullit ai u kishte folur fshatarëve për pajtimin e gjaqeve dhe shuarjen e armiqësive. Po për të krijuar këtë unitet kombëtar ishte organizuar Konferenca e Pezës me 16 shtator 1942 dhe më 2-3 gusht 1943 u organizua dhe Mbledhja e Mukjes. Në këtë ecuri të ngjarjeve uniteti kombëtar ishte kristalizuar në ndërgjegjen e Dinos si parim bazë për mbarëvajtjen e Luftës Antifashiste. Deri në fund të gushtit 1943 ai i kishte zbatuar me përpikmëri urdhërat që vinin nga lart sepse ato nuk binin ndesh me parimin e unitetit kombëtar të popullit shqiptar. Mirëpo pas mesit të shtatorit 1943 forcat partizane të Bregut kishin kapur rob një ballist të ri në moshë. Komandanti i forcave partizane, duke menduar se do ta kënaqte Dinon iu drejtua:

Dino merrja shpirtin këtij maskarai, që ngriti dorë kundër partisë”! Partizanët po prisnin me padurim që djaloshi të binte për tokë i vdekur. Dinua iu afrua pa folur. Pamja e tij e rëndë, serioze, e trëmbi ballistin, i cili i tha duke iu lutur:

Nuk kam vrarë asnjë partizan. Kurrë nuk kam luftuar kundër shqiptarëve. Falmani jetën, jemi  vëllezër”.

Dinua nuk e nxori revolen e tij. Një tjetër mund ta kishte vrarë menjëherë për të fituar pikë, por ai tha qetë e me ton disi urdhërues:

Nuk të vras, me kusht që të mos ngresh më dorën kundër partizanëve. Shko”!Djaloshi i ngazëllyer u përkul t’i puthte dorën, por Dinua nuk e lejoi. Komandanti u befasua, por nuk e kundërshtoi Dinon. Më vonë i tha se ishte penduar që nuk ia bëri atë “nder” një tjetri.

Dino Martikua mori në dorëzim Sarandën pa gjakderdhje

Në datën 10 shtator të vitit 1943, kur u bë i njohur kapitullimi i Italisë Fashiste, erdhi në Shënvasi Jaho Gjoliku me një batalion partizan së bashku me komisarin Abdul Hakiu. Gjatë drekës ata organizuan planin për të marrë në dorëzim armatimet e forcave italiane të Sarandës.

Projekt-plani i menduar nga lart ishte që Dino Martiko, si njohës i mirë i italishtes dhe agjitator i guximshëm, të hynte në bisedime me komandantin e garnizonit, kolonelin Elio Betini. Së bashku me Dinon u caktua të ishte i pranishëm në takim edhe Abdul Hakiu. Për të garantuar suksesin e dorëzimit, qyteti do të rrethohej nga batalioni partizan si dhe nga forcat territoriale të fshatrave Nivicë, Shënvasi, Lukovë, Sasaj, Piqeras dhe Borsh. Në se bisedimet shkonin keq, pjesëmarrësve në rrethim do t’iu duhej të përballonin ushtrinë italiane të dislokuar në Sarandë, që ishte një regjiment me organikë të plotë. Për arsye organizative forcat e Bregdetit nuk mundën të vinin në ndihmë në atë ditë. Forcat partizane kaluan mbrëmjen në manastirin e Shën Gjergjit në Nivicë Bubar. Letra u konceptua dhe u shkrua italisht prej Dinos dhe iu drejtua kolonel Betinit në emër të komandës së batalionit partizan të dorëzonte me çdo kusht të gjitha armatimet si dhe materialet e depove ushtarake. Në të kundërt kundër tyre do të përdorej forca e armëve.

Të nesërmen, në orët e para të mëngjesit, komanda e regjimentit italian të Sarandës njoftoi batalionin partizan se pranonte të hynte në marrëveshje për bisedime. Ndërkohë forcat partizane u shpërndanë për të rrethuar me kujdes qytetit. Në orën 9:00 të mëngjezit të datës 11 shtator 1943 filluan bisedimet me shtabin e regjimentit italian. Sipas vendimit të marrë më parë në batalion, Dino Martikua i kërkoi komandantit të garnizonit të dorëzonte të gjitha armatimet e pajisjet ushtarake, për ndryshe nuk do të lejoheshin ushtarët italianë të imbarkoheshin në aniet për t’u kthyer në Itali.

Në fillim bisedimet nuk po jepnin rezultatin e duhur. Shtabi i regjimentit italian kundërshtoi me forcë kërkesat. Dinua përballoi me sukses kërcënimet dhe kundërshtimet e ushtarakëve italianë. Nguli këmbë në kërkesat e palës shqiptare dhe theksoi se nga ndeshja me armë ushtria italiane do të kishte dëme të panevojshëm.

Dinua priste duke ndënjur rëndë. Nuk tregonte shënja ngutjeje për të marrë përgjigje të shpejtë. Priste pa këmbyer asnjë fjalë me kolegun e vet. Atëhere Kolonel Belini, pasi u konsultua me kolegët e vet, pranoi dorëzimin pa kushte, për të mos e dëmtuar më tej ushtrinë e vet. Keqardhja e tij për marrjen e këtij vendimi ishte e thellë, gjë që e dëshmuan lotët në sytë e tij.

Kështu u arrit dorëzimi paqësor i qytetit-port të Sarandës dhe ushtria italiane pranoi të largohej duke lënë të gjitha armatimet ushtarake, që ishin mjaft moderne në krahasim me armët e partizanëve. Brenda disa orësh batalioni partizan hyri në qytet dhe pa humbur kohë filloi marrjen në dorëzim të materialit ushtarak dhe depot. Në mbrëmje të asaj dite, kur ushtria italiane filloi të imbarkohej në aniet, para hotel “Piro Pallas” populli i Sarandës organizoi një miting të madh festiv. Manifestuan lirinë, e cila pas një viti filloi të zëvëndosej nga një ankth shpirtëror që do të vijonte të sundonte në mendjet e shumë ish-pjesëmarrësve të luftës dhe të popullit për gati gjysmë shekulli…

Vlen të përmendim këtu, se ndërsa Dino Martikua e mposhti komandën italiane të Sarandës dhe ia arriti fitores pa shkaktuar asnjë dëm, Bedri Spahiu, komandanti i forcave partizane, i cili u ngarkua të drejtonte bisedimet për dorëzimin e forcave italiane të Gjinokastrës, dështoi. Mirëpo suksesi i Dino Martikos nuk u shkrua kurrë si duhej, për të u hesht. Si do ta shohim më poshtë, ky komunist trim e i ndershëm u luftua sepse nuk pranoi, si gjatë luftës dhe pas saj, të servilosej dhe të zbatonte qorrazi urdhërat që i vinin nga lart.

Përplasje me kuadro të partisë e sigurimit pas Luftës Antifashiste

Mbas përfundimit të Luftës Antifashiste, forcat partizane që morën pushtetin, filluan të sillen sikur ishin “vetë Ali, vetë kadi”. Dalëngadalë frika u bë natyrë e dytë për njerëzit në saje të pushkatimeve dhe arrestimeve pa gjyq për persona që shpalleshin pa fakte “armiq të popullit”. Propaganda e kohës së luftës për bollëk, mirëqenie, liri e demokraci, shumë shpejt pas luftës filloi të zëvendësohej me fukarallëkun, kultivimin e frikës, gënjeshtrës, servilizmit, etj.

Në dhjetor 1944 Dinon e emëruan sekretar të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Sarandës. Në organizatën bazë të partisë ku ai bënte pjesë, përveç sekretarit të parë të rrethit dhe kryetarit të komitetit, bënte pjesë edhe shefi i sigurimit të Sarandës. Një mbrëmje, porsa filloi mbledhja, ky i fundit filloi të informonte anëtarët e celulës:

Sot në drekë arrestuam dy djemtë e tregëtarit Mihal Llambro, sepse donin të arratiseshin në Greqi. Kërkoj nga organizata që të miratojë arrestimin e tyre. Le të venë edhe ata të bashkohen me babanë e tyre te burgu i Kalasë së Gjinokastrës, ku ai do t’i presë me krahë hapur”.

Sekretari i parë i partisë, kryetari i komitetit ekzekutiv dhe anëtarët e tjerë të organizatës kur kërkohej arrestimi i dikujt, nuk kundërshtonin. Konformizmi nuk i lejonte që të delnin në mbrojtje të atyre që shpalleshin “armiq të popullit”.

Dinua pyeti qetësish: “Sa vjeç janë djemtë e Mihal Llambros”?

Njëri njëzet e tjetri tetëmbëdhjetë, në mos e kam gabim”, u përgjigj serbes shefi.

Sa florinj kishin me vete”? Vijoi Dinua.

Nuk u gjetëm florinj nëpër xhepa e as në çantën e vogël që kishin me vete”.

Ku i kapët”? Pyeti përsëri Dinua

Në Limjon”, u përgjigj shefi.

Atëhere Dinua duke u kthyer nga anëtarët e tjerë të celulës vijoi me zë më të fortë:

Nuk kam dëgjuar deri sot të akuzohen njerëz për arratisje në Limjon, që është periferi e Sarandës, vetëm dy kilometra larg dhe nuk është kufi. Pastaj këta djem të pasur, po të ishin nisur për t’u arratisur do të kishin marrë disa florinj me vete”.

Dhe duke u kthyer nga shefi i sigurimit, vijoi:

Nga e dije ti se ata do të arratiseshin? Me të tilla akuza të sajuara e keqdashëse ne si komunistë nuk do të sjellim kurrë drejtësinë që i predikuam popullit gjatë luftës”.

Unë zbatoj vijën e partis”, u përgjigj me kapadaillëk shefi. “Dua që këta dy qelbësira t’i fus në burg. Në hetuesi ne kemi metoda që i shtrëngojmë dhe ata pranojnë ato që u kërkojmë”.

U bë heshtje. Anëtarët e tjerë të celulës nuk i kundërshtuan fjalët e Dinos dhe mbledhja u mbyll pa e aprovuar kërkesën e shefit të sigurimit. Dy djemtë u liruan, po shefi i sigurimit e mbajti vëth në vesh këtë dështim.

Diskutimet dhe ndërhyrjet kundërshtuese të Dinos ngjallnin shqetësime dhe bezdi jo vetëm te shefi i sigurimit por edhe te sekretari i parë i partisë së rrethit bashkë me kryetarin e komitetit ekzekutiv. Këta e kishin frikë shefin e sigurimit…

Nuk pranoj të bëni arrestime në Shënvasi dhe Nivicë

Përplasja më e madhe e Dinos në organizatën bazë të partisë ku ai bënte pjesë, ndodhi kur erdhi urdhëri nga lart për të filluar arrestimet me plan. Partia shtet, për të ngjallur frikë e terror në popull, mobilizoi Sigurimin e Shtetit që edhe ky sektor, njësoj si sektori ekonomik e ai bujqësor të punonte me plan, për realizimin e arrestimeve. Këto u organizuan në bazë të një plani të paracaktuar në zyrat e degëve të punëve të brendshme në bashkëveprim me komitetet e partisë së rretheve. Ky terror vijoi deri në fund të vitit 1989, kur udhëheqja e PPSH-së u tremb nga vrasja e Nikolla Çausheskut. Askush nuk guxonte të dilte kundër arrestimeve, qoftë dhe kur arrestoheshin shokët, kolegët apo familjarët e tyre. Në ambjente shoqërore të gjithë mbyllnin gojën. Natyrisht kishte mjaft shqiptaë që mendonin se kjo politikë ishte e padrejtë dhe pakënaqësitë e tyre i shprehnin duke pëshpëritur në rrethe familjare apo në shoqëri shumë të ngushtë. Kurse qëndrimi i idealistit Dino ishte shumë kurajoz, ai nuk pëlqente pëshpërimat, por mendimin e hapur.

Shefi i mësipërm i sigurimit i kishte bërë gati listat për të filluar arrestimet edhe në fshatrat e Bregut. Porsa dëgjoi të hapej në mbledhjen e celulës kjo bisedë, Dinua ndjeu sikur dikush e goditi me çekan në kokë. Iu duk mjaft e rëndë të bëheshin arrestime në masë në Shënvasi e Nivicë. I revoltuar, iu drejtua shefit të sigurimit:            “Të gjithë e dimë se gjatë luftës midis fshatarëve të Nivicës e Shënvasisë nuk pati asnjë bashkëpunëtor me armikun. Po ashtu edhe pas luftës ata nuk kanë shfaqur armiqësi me partinë. Më e rëndësishmja për të ardhmen e popullit tonë është që Partia të mos krijojë armiq dhe atje ku nuk ka. Për fat të keq na kanë mbetur nga koha e Turqisë disa përçarje dhe armiqësi fetare e krahinore”.

Duke e ngritur zërin, vijoi: “Në Borshin tënd është e vërtetë që ka pasur spiunë, të cilët bashkëpunuan me italianët e gjermanët.”

Të gjithë borshiotët ish-ballistë i kam futur në burg pa bërë asnjë dallim”, u përgjigj me mburrje shefi i degës.

Dinua e pa me neveri njeriun që mburrej se kishte arrestuar e burgosur fshatarët e vet dhe i tha: “Në Nivicë e Shënvasi nuk ka pasur asnjë spiun e asnjë ballist, prandaj sa të jem unë anëtar partie, nuk do lejoj të arrestohet asnjë nga bashkëfshatarët e mi”.

Ti nuk mund të dalësh mbi partinë”! Ia ktheu me mburrje shefi.

Atëherë Dinua shpërtheu: “E kuptoj që gjithçka e bën me zell të tepruar. Hiqesh më katolik se Papa. Do të mbulosh të kaluarën tënde, kur ishe spiun i italianëve.”

Në sallë ra heshtje e thellë. Sekretari i parë i rrethit dhe kryetari i komitetit ekzekutiv nuk e donin veten. Nuk dinin si të reagonin. Zakonisht ata rezervoheshin të përplaseshin me Dinon. Ia njihnin ndershmërinë, karakterin burrëror dhe kokfortësinë me të cilën ai mbronte mendimet e veta. Kur e thoshte një mendim, ai nuk tërhiqej. Ata nuk donin që ai t’u përsëriste atë thënien e tij: “Njeriu, sidomos komunisti, nuk duhet kurrë të fitojë lumturinë e tij në dëm të të tjereve”.

Mbledhja e asaj nate u mbyll pa marrë vendim, por mbledhja pasardhëse u organizua për të dënuar Dinon me largim nga partia. Dinua nuk e përjetoi si dënim të rëndë, madje e ndjeu veten të lehtësuar. Shpesh herë e kishte ndjerë veten jo mirë në atë ambjent me njerëz të paditur, servilë, vegla qorre të diktaturës dhe spiunë. Ndjenja për të qenë i lirë, dëshira për të mbetur i ndershëm, fisnik, ballëlart, heroik, ishte më e madhe nga dëshira për karrierë. Motivacionin e dëbimit nga Partia: “Nuk ke urrejtje për klasat e pasura”, nuk e kundërshtoi, ishte një ndjenjë e vërtetë e tij.

Shefit të Degës iu hap udha që të fillonte arrestimet e para në masë në fshatrat e Bregut. Në Shënvasi u arrestuan nëntë fshatarë dhe po aq në Nivicë. Lufta e klasave, në fakt ishte vijimi në kohë paqeje i luftës vllavrasëse, që kishte filluar prej PKSH-së në kohën e luftës me shpalljen e Ballit Kombëtar “organizatë tradhëtare” në një kohë që forcat balliste luftonin në bashkëveprim me forcat partizane. Në kohën e luftës kjo manovër u bë me qëllim që PKSH-ja në mbarim të luftës të mos kishte rivalë për të marrë pushtetin politik dhe ekonomik si forcë e vetme. Pas luftës po kjo parti zhvilloi politikën e luftës së klasave për ta mbajtur pushtetin që mori përsëri si forcë e vetme. Kështu gjatë Luftës Antifashiste përçarjeve të vjetra iu shtua dhe përçarja në komunistë, ballistë, nacionalistë, legalistë, të cilët u shpallën forca të papajtueshme midis tyre. Kurse pas luftës kësaj përçarjeje iu shtua dhe përçarja “familje me biografi të mirë” dhe “familje me biografi të keqe”, që po ashtu u shpallën prej partisë shtet si dy kampe të papajtueshmëm midis tyre.

Për fatin tonë të keq një variant i kësaj manovre u sajua edhe pas ndërrimit të regjimit midis partive të shumta politike. Secila parti politike e tranzicionit ushqente dhe ushqen tek anëtarët dhe simpatizantët e vet urrejtje me anë sharjesh e shpifjesh kundër anëtarëve dhe simpatizantëve të partive të tjera. Qëllimi ishte dhe është po ai: marrja dhe mbajtja e pushtetit politik dhe ekonomik prej një partie, ose dhe me aleatin / aleatët e saj. Kjo politikë zbulon faktin e hidhur se klasa jonë e sotme politike është pjellë dhe shërbëtore e klanit Hoxha. Kështu përçarjeve të vjetra të popullit tonë këto vite iu shtua dhe ndarja e përçarja sipas partive politike, në socialistë, demokratë, republikanë, etj, forca të papajtueshme midis tyre, sikur nuk janë bij e bija të këtij populli, i cili i zgjedh për të forcuar unitetin kombëtar dhe për të përmirësuar jetesën.

Nuk marr në punë punonjës pa përgatitje profesionale

Me krijimin e Bankës së Shtetit Shqiptar në vitin 1947, Dinua u interesua të largohej nga Komiteti Ekzekutiv ku mbulonte dy-tre seksione. Edhe pse gjithnjë qendra e qarkut, Gjinokastra, e lëvdonte për punën e mirë, ai nuk donte të vijonte punën në atë kolektiv ku i delnin përpara njerëz që ishin të zhvlerësuar në mendjen e tij. Vendi kishte etje për kuadro në fushën ekonomike, sidomos bankat. Iu drejtua Ministrisë së Financave për t’u transferuar me punë te Banka e Shtetit Sarandë. Kërkesa iu aprovua dhe shumë shpejt e mori emërimin si drejtor i kësaj banke. Por edhe këtu puna nuk do t’i shkonte vaj.

Një mëngjes sekretari i organizatës bazë të partisë së bankës iu lut Dinos që të merrte në punë gruan e një instruktori partie që ishte transferuar në Sarandë para disa javësh. I tha se për këtë kërkesë ishte interesuar vetë Sekretari i Parë i Partisë së Rrethit. Dinua i tha se nuk do të kishte kundërshtim, po të zotëronte një nivel të mjaftueshëm profesional.

Pranoje sido që të jetë. S’ bëhet shaka me Komitetin e Partisë”. Tha sekretari i partisë, i cili punonte në bankë si arkëtar.

Atëherë po ta jap ty si ndihmës-arkëtare”, ia preu Dinua.

Jo, jo, të lutem mos ma jep mua se nuk jam i sigurt sa e aftë është. Po, vendose në një tjetër vend pune, mjafton të marrë një rrogë. Shteti do ta paguajë”. Vijoi sekretari.

E thirrën zonjën dhe Dinua në prani të sekretarit i u lut asaj të bënte disa veprime matematike me mbledhje, pjestim, shumëzim. I kërkoi të shkruante disa fjali. Kur e mori fletën e letrës në dorë, kuptoi se ajo nuk kishte njohuri elementare për të punuar si ndihmëse llogaritar, plus që kishte një shkrim gati të palexueshëm. Ia zgjati letrën sekretarit për ta parë, pastaj iu drejtua zonjës dhe i tha me mirësjellje se duhej të interesohej për t’u punësuar në ndonjë vend tjetër.

Një orë më pas ra telefoni. Ishte sekretari i parë i rrethit, që filloi të bërtiste:

Po ti moreee, pse nuk e more në punë atë shoqen që ta dërgova uuunë!

Nuk ishte e aftë”, Iu përgjigj Dinua me qetësi.

Po, nga do ti të t’i sjellim nëpunësit, nga Londra apo Vashingtoni? Shtoi me hironi sekretari i partisë duke menduar se emrat e kryeqyteteve të shteteve armike do ta trembnin të porsapërjashtuarin nga partia.

Dinua u inatos dhe duke folur me zë të lartë: “Nga p…. i sat ëme”, dhe e uli telefonin. Mbas pak një nëpunës e lajmëroi drejtorin se sekretari i parë ishte duke ardhur për ta takuar. Dinua në sirtarin e tavolinës së punës mbante revolverin. Hapi sirtarin dhe ia hoqi siguresën armës duke menduar që po të vinte sekretari i parë me mendje të keqe për ta fyer a qëlluar me armë, ai ta qëllonte i pari. Mirëpo sekretari, krejt ndryshe, porsa hyri në zyrë, shpërtheu me të qeshur:

Gjeta dhe unë o Dino kë të detyroja!…” dhe duke hapur krahët iu afrua për ta përqafuar. Dinua mbylli sirtarin dhe pranoi ta përqafonte.

Kështu filluan të vepronin në atë kohë kuadrot prepotentë të partisë-shtet. Pa pasur asnjë fije respekti për njeriun, keqtrajtonin kolegët vartës duke i fyer me fjalë të ulta. Kur nuk iu ecte, tërhiqeshin dhe bënin sikur e pranonin humbjen duke qeshur, por prapa krahëve përpiqeshin të merrnin hak si njerëz pa dinjitet që ishin.

Sigurimi ka respekt për ty, prandaj do të të dërgojë jashtë shtetit

Karakteri burrëror i Dinos u shpalos përsëri me forcë të madhe, kur pas disa vjetësh, iu propozua nga dy të dërguar të posaçëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ta hedhur si agjent të shërbimit sekret në Korfuz. Ata, në fillim i thanë se partia dhe sigurimi i shtetit kishin për të respekt të veçantë për ato që kishte bërë gjatë luftës e pas saj. Më tej hynë në temë dhe i thanë se meqenëse ai kishte vjehrrin, vjehrrën dhe vajzën në Korfuz dhe njihte mirë greqishten, ishte shumë i përshtatshëm për ta hedhur si agjent sekret në Greqi, ku mund të përdorte për bazë njerëzit e tij në Korfuz. Do t’i jepej grada Major si oficer i sigurimit shqiptar. Më tej i sqaruan se zbulimi grek nuk kishte pse të dyshonte për “arratisjen” e tij, sepse babai i tij kishte luftuar për lirinë e Thesalisë, se ai ishte i përjashtuar nga partia, pra kishte arsye të mendonin se ishte i pakënaqur ndaj partisë. Sa për gruan e djalin, i thanë të mos kishte merak, sepse mbrenda një viti sigurimi shqiptar do të organizmte dhe “arratisjen” e tyre dhe ai do të jetonte për bukuri në Greqi. I sqaruan se puna e tij do të ishte e thjeshtë: do të shkonte pas pune nëpër kafenetë e Korfuzit për të pirë ndonjë gotë raki ose kafe dhe do të bënte miq e shokë sa më shumë shqiptarë dhe minoritarë grekë të arratisur. Do të bisedonte me ta dhe herë pas here do të dërgonte informacione për mendimet e tyre përmes kanaleve që do t’i tregoheshin.

Mirëpo Dinua parashikoi se informacionet e tij do të merrnin në qafë familje të ndryshme në Shqipëri, do të burgoseshin e internoheshin njerëz të pafajshëm. Dhe vendosi të mos e pranonte këtë lloj “vlerësimi”. Për t’u justifikuar, u tha prerë: “Unë kam studjuar për ekonomist. Këtë zanat që më propozoni nuk e njoh dhe nuk e bëj dot”.

Të dërguarit nga Tirana, nuk ngulën këmbë dhe i thanë se mund të largohej. Mesa dukej mund të kishin dhe raste të tjerë.

Episodet trimërore nga jeta e Dino Martikos gjatë sundimit të Mbretit Zog i I, gjatë pushtimit italo-greko-gjerman dhe gjatë jetës nën diktaturën komuniste, ku zbulohet karakteri i tij i diamantë, janë të shumtë. Për jetën e tij plot përplasje me të pamoralshmen, shkrimtari Petraq Pali ka shkruar një roman të tërë, prandaj nuk po zgjatem më tej me episode të tillë.

Burgimi i parë

Më 30 qershor 1954 në kafenenë e njohur “Kursal” të kryeqytetit (sot nuk ekziston, por ka qenë tek një lulishte midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shtetit) u krye arrestimi i parë i Dinos në prani të shumë njerëzve. Ky vend u zgjodh sepse ishte vend publik, gjë që ndihmonte për të ngjallur më shumë frikë në popull.

Thirrjes së sigurimsave: “Në emër të popullit je i arrestuar”! Dinua u përgjigj me sarkazëm: “Ju lumtë, për nder! Sot zbuluat Amerikën tek unë”. Agjentët nuk u përgjigjën, por sipas urdhërit i hodhën prangat, ia shtrënguan fort duart me hallkat e çelikta dhe e hipën në makinën Gaz 69. E shpunë në Vlorë te kryetari i Degës, Gjeneral Petrit Hakani, një ish-bashkënxënës i Dinos në Shkolla Tregtare. Ky filloi ta shante me një fjalor të ndyrë rrugësh.

Nëse paske vendosur të përdorësh këtë fjalor të ndyrë me mua, dije se me të njëjtën gjuhë do të përgjigjem edhe unë”. I a ktheu Dinua flakë për flakë. Gjenerali vijoi më tej me të njëjtat fjalë të ndyra. I arrestuari e ndërpreu me ton kërcënues:            “Përdore me gruan tende këtë fjalor rrugaçësh”!

Atëhere shef Petriti e ndjeu veten ngushtë nga reagimi i ashpër i të arrestuarit në prani të vartësve. Ai e njihte mirë guximin e Dinos. Iu kujtua sesi kur ishin nxënës tek oborri i shkollës, Petritin po e godiste me shkelma një tragjasas trupmadh, nxënës mbetës dhe Dinua i doli në mbrojtje pa marrë parasysh se mund të hante dhe ai shkelma të rënda. Shefi ndërroi fjalorin, por tonin e lartë e ruajti:

I ndaloni cigaret! I ndaloni çdo furnizim nga familja! Futeni në dhé të gjallë! Të shohim burrërinë e madhe të këtij agjenti grek”.

Kaluan pesë muaj dhe hetuesit nuk arritën të nxirrnin gjë prej gjëje nga goja e Dinos. Një ditë ai i tha njërit prej tyre:

Më arrestuan pushtuesit grekë e italianë, por pasi nuk ua pranova akuzat më liruan pas një ose dy javësh. Kurse ju nuk po më lironi as pas pesë muajsh. Unë nuk kam çfarë t’ju tregoj. Ato shpifje që kërkoni të pranoj nuk do t’i pranoj edhe sikur ta sillni djalin tim 6-vjeçar e ta varrni para syve të mi. Jam krejt i pafajshëm dhe nuk pranoj asnjë akuzë”!

I sollën si dëshmitar një ish-punonjës të tij të bankës, i cili gjatë pushtimit fashist kishte veshur këmishën e zezë dhe e kishin emëruar federal. Sapo ky nxori nga goja gënjeshtrën e parë, Dinua iu hodh dhe deshi ta godiste me hekurat e prangave të tij, por nuk mundi se nërhynë policët. Nënkryetari i Degës, Kolonel Nesti, që ishte caktuar kryetar i hetuesve, ndërhyri:

Çfarë njeriu ka qënë Sulejman Kapua gjatë Luftës?” E kishte fjalën për vëllain e Hysni Kapos, i cili në fillim të luftës ishte i lidhur me Ballin Kombëtar, dhe Hysniu kishte dhënë urdhër ta vrisnin, por pastaj ai kishte kaluar nga ana e partizanëve.

E njoh për njeri të ndershëm». Tha Dinua, i cili e kishte njohur vërtet për njeri të mirë, prandaj nuk e shau.

E shikon që gënjen»!  I tha shefi.

Kur dikush e akuzonte Dinon se ‘gënjen‘ ai bëhej shumë nervoz, por kësaj radhe u përmbajt dhe tha i qetë:

‘‘Po ta përsëris: unë e njoh për njeri të ndershëm”.

Hetuesi bërtiti: ‘‘Dhe unë po ta përsëris: e shikon që gënjen”!

‘‘Atëhere, ngriti zërin Dinua, nëqoftëse do ta dish, Sulejmani është njëqind herë më i ndershëm se ty, që të urdhërojnë eprorët e tu të më imponosh gënjeshtra, dhe ti edhe pse e di shumë mirë që jam i pafajshëm, vazhdon të më bësh presion.

Unë jam i pafajshëm dhe nuk pranoj asnjë nga shpifjet tuaja edhe sikur të më kryqëzoni si Krishtin në kryq”.

Pas këtij takimi, te shtëpia e Dinos u shfaq një polic dhe kërkoi që Sofia ta shoqëronte deri te godina e degës së punëve të brendëshme. Kur arriti aty tre-katër hetues e morën në pyetje. Në fillim u sollën mirë, por pastaj filluan nga kërcënimet. I thanë se do ta burgosnin dhe se birin e saj të vetëm, Robertin, do ta fusnin në jetimore. I theksuan se do të ishte më mirë për të, të tregonte gjithçka dinte për aktivitetin agjenturor të Dinos. Po të sillej e bindur i premtuan se atë me djalin do t’i linin të ktheheshin në Greqi. Sofia, edhe pse ndjeu panik për të ardhmen e saj e të djalit, nuk u dorëzua. Kur mbeti vetëm në qeli, për tu ndier më e sigurt, preku me dorë dy copat e brisqeve të rrojes që i kishte thyer më dysh dhe i mbante fshehur në një xhep që kishte krijuar në këmishë me një herë pas arrestimit të Dinos. Sa herë ndërronte veshjen, kujdesej të fshihte këto copa brisqesh, me të cilat do të priste venat e gjakut po ta detyronin që të dëmtonte jetën e burrit të saj apo të ndonjë të afërmi. Sa herë e morrën në pyetje ajo mbajti të njëjtin qëndrim, duke përsëritur fjalët: “Nuk di gjë’’. E liruan pas tri ditësh.

Sigurimsat vendosën të bënin me Dinon një presion tjetër. Një paradite, me një  xhips Gaz 69, e morrën të arrestuarin dhe shkuan në një vend të shkretë në periferi të Vlorës. Bënin sikur kishin urdhër për ta ekzekutuar pa gjyq. E ndalën makinën në një vend dhe doli njëri nga oficerët, pa rreth e rrotull dhe kur u kthye, tha: «Më mirë të kërkojmë një vend tjetër, ku të mos e gjejnë dot kufomën». Shkuan më tej, doli përsëri po ai oficer dhe kur u kthye u ankua se rrëpira nuk ishte shumë e thellë. Dinua e kuptoi se shefi i sigurimit donte të luante me nervat e tij për ta detyruar t’u kërkonte që t’ia falnin jetën, pra të dorëzohej. Ndalën për të tretën herë makinën dhe i thanë : « Dil»!

Dinua doli nga makina, mirëpo shefi i degës pa se fytyra e tij ishte e qetë, pa asnjë shënjë frike. Atëhere dha urdhër të hipnin të gjithë në makinë dhe kështu e kthyen të arrestuarin në qeli.

Gjyqi u organizua në Vlorë më 20 nentor 1954 nga Gjykata Ushtarake Territoriale e atij rrethi. Dinua kishte marrë për avokatmbrojtës juristin Shefqet Shkupi, një profesionist dhe njeri i përsosur. Kundër Dinos dolën tre dëshmitarë, njerëz që ishin burgosur për vjedhje ordinere. Këta thanë ato që u ishin porositur për ta rënduar akuzën. Kurse në favor të të akuzuarit foli atë ditë Sulejman Kapua, i cili tha se kur Dinua u pushua si nëndrejtor i bankës, për të bërë punën e tij u shtuan dhjetë nëpunës për të përballuar volumin e punës së tij. Ky dëshmitar tregoi se Dinua ishte një organizator i talentuar. Brenda tre muajve ai e kishte nxjerrë Bankën e Vlorës nga prapambetja. Ministria e Financave e dërgonte për kontroll dhe për të dhënë përvojë në shumë banka të Shqipërisë, etj.

Mirëpo prokurori, pa marrë parasysh mbrojtjen e avokatit Shkupi dhe fjalët e mira të qytetarit Kapo, lexoi vendimin që e kishte shkruar më parë, sipas të cilit Dino Martiko dënohej për spiunazh në favor të Greqisë dhe për agjitacion e propagandë me 7 vjet heqje lirie.

Roberti duke treguar ato që kishte dëgjuar më vonë prej babait, më tha se mjek i degës së punëve të brendëshme të Vlorës kishte qenë doktor Irfan Pustina, një njeri i ndershëm. Ky pasi kishte marrë vesh qëndrimin burrëror të Dinos në hetuesi dhe në gjyq, pa e njohur fare të dënuarin, kërkoi që të mos e transferonin në ndonjë burg të largët, por ta mbanin aty në burgun e Vlorës, pra pranë familjes, sepse gjatë muajve të hetuesisë jeta në qelinë e vogël me lagështirë i kishte shkaktuar pleumoni dhe rrezikohej për të kaluar në tuberkuloz.

Ndërkohë Sofia dhe Roberti banonin në një dhomë fare të vogël në lagjen Muradie në Vlorë. Mospranimi nga ana e Dinos për të firmosur akuzat false ndikuan që gruan dhe djalin të mos i internonin. Robertin në muajt e verës e merrte në fshat gjyshja dhe xhaxha Ndrekua. Mbas tre vjetësh Dinua u lirua nga burgu në prill të vitit 1957. Roberti tetë vjeçar priste lirimin e babait të tij së bashku me Pëllumb Llupën, një djalosh i edukuar, i cili ishte liruar disa muaj më parë nga burgu i Vlorës, ku ishte miqësuar me Dinon. Në anën tjetër të Robertit rrinte nënë Sofia dhe gjyshja me rrobat e saj të zeza. Askush nuk pyeste për të ftohtin dhe shiun. Pas takimit të përmallshëm grupi u nis për në shtëpi duke ecur nëpër llucë e baltë që nga ullishtet, ku qe burgu, deri te apartamenti. Prapa tyre vinte një hamal me thesin plot libra të Dinos, të cilin komanda e burgut nuk kishte lejuar t’u falej të burgosurve.

Dinua, i veshur me rrobat e reja që i kishte sjellë Sofia, ecte me hapa të lehtë dhe krenar. Në ndërgjegjen e tij nuk rëndonte asnjë mëkat.

Pas disa ditësh shkoi për të kërkuar punë në komitetin ekzekutiv. I thanë se mund ta emëronin me punë llogaritar në Selenicë, por Dinua nuk pranoi. I shkroi një letër Hysni Kapos dhe përgjigja ishte të shikohej kërkesa në Vlorë. E thirrën dhe në komitetin e partisë, por dhe atje propozimi mbeti po ai: llogaritar në Selenicë. Ish-i burgosuri mbeti përherë nën vëzhgimin e palodhur të spiunëve të gjeneral Hakanit.

Në fakt të dënuarve politikë vuajtjet e burgut dhe bisedat me klerikë dhe intelektualë të formuar në Perëndim, u kthehej në shkollë edukimi kundër sistemit diktatorial. Nga bisedat me të dënuarit e tjerë Dinua mësoi shumë raste krimesh që ishin kryer nëpër Shqipëri prej punonjësve të sigurimit, të partisë e të pushtetit. Aty ai mësoi se midis popullit shqiptar kishte shumë trima si ai, që i kishin dalë dhe i delnin kundër së keqes. Në biseda me Robertin dhe gruan e tij ai përmendëte të jashtzakonshmin Padër Pjetër Mërshkalla, filozof e shkuar filozofit; Izet Kallaratin dhe dy trima të pashkollë Andrea Qirjakon e Teli Konomin, që i quante burra të vërtetë, si burrat e vjetër. Fliste me respekt dhe për Dilaver Rrapo Premtin, i cili ishte në moshë fare të re, por u kishte rezistuar torturave në hetuesi si të ishte burrë i pjekur dhe trim i madh.

Sofisë iu dha punë në fillim llogaritare në Ndërmarrjen Bashkimie më vonë te ferma e ullishteve. Kurse Dinos iu dha punë vetëm pas pesë vjetësh në vitin 1962 llogaritar te Kolektivi i Tregtisë Private. Pas katër vjetësh, më 1966, kur doli ligji për mbylljen e punëve dhe dyqaneve private, atë e emëruan ekonomist te Ndërmarrja Industriale Shtetërore e Prodhimeve. Këtu ai punoi derisa doli në pension më 1978. Gjatë këtyre 21 viteve të punës pas burgimit të parë, respekti për të u rrit midis njerëzve të Vlorës me të cilët e lidhi puna. Tashmë ai krahas korrektësisë e qëndrimit burrëror, me të cilat dallohej dhe më parë, kishte bërë të vetat dhe një sjellje e të folur më të butë e më të ëmbël.

Në vitin 1966 Roberti mbaroi gjimnazin «Halim Xhelo»me nota të shkëlqyera, por nuk iu dha e drejta e studimit për në Universitet. Kështu ai u shtrëngua të futej në punë si xhenerik kamjonash të rëndë në Parkun e Mallrave të Vlorës. Paskëtaj shkoi e kreu shërbimin ushtarak në një repart në Tiranë gjatë viteve 1969-1971. Një vit më vonë lufta e klasave sikur ra në fashë dhe me ndërhyrjen e disa miqve të Dinos, Robertit iu dha e drejta e studimit për ingjinieri. Më 1977 ai u diplomua ingjinier teknolog, por në vend që ta emëronin në Vlorë e emëruan te Stacioni i Makinave Bujqësore të Burrelit. Vajtën dëm njohuritë e fituara me sakrifica gjatë katër viteve në degën e teknologjisë mekanike. Pas dhjetë vjetësh Robertin e transferuan nga Burreli në një uzinë mekanike te ferma e Akërnisë, 25 km larg Vlorës. Dinua, Sofia dhe Roberti u bashkaun sërisht. U duk sikur edhe për familjen Martiko fatkeqësitë politike morën fund. Në prill të vitit 1978 Roberti u fejua me zonjushen Donika Jorgji, mjeke e porsadiplomuar.

Arrestimi dhe burgimi i dyte, shuarja e Dinos

Pas fejesës së djalit, Dinua ndjehej shumë i kënaqur dhe shpesh midis miqve thoshte atë shprehjen e gjyshit të tij Mitro: “Sikur të vdes tani, do të isha njeriu më i lumtur në botë.” Mirëpo fejesa e Robertit, për sigurimin ishte një ngjarje që duhej goditur. Vjehrri i tij, pensionisti Vllasi Jorgji, si komunist i vjetër që ishte, nuk duhej të bënte krushqi me armikun e klasës. Vllasi ishte i zgjuar e guximtar, i ngjante mjaft Dinos në karakter. Si i thonë fjalës: Ngjan krushqia pa bëhet. Ai nuk i ndërhyri vajzës dhe fejesa u krye për bukuri.

Më 1 qershor 1979 në Kongresin e Frontit Demokratik diktatori Hoxha shpalli dhe një herë me forcë: “Luftë armikut të brendshëm”! Për nënkryetarin e degës së Vlorës, famëkeqin Muhamet Hila një vlonjat i ulët, këto fjalë kishin kuptimin që të dënoheshin për herë të dytë ish-të burgosurit e dikurshëm. Dinua ishte njeri i pjacës, banor i vjetër i Vlorës që prej vitit 1948 i cili me gjithë dënimin e parë gëzonte respekt. Ai kurrë nuk ishte interesuar se kush u bë kryetar dege, shef policie, prokuror, etj dhe nuk e kërkoi kurrë miqësinë e tyre. Ndjente neveri dhe ndaj pensionistëve servilë dhe spiunë, gjë që kuptohej nga qëndrimi i tij larg tyre. Kjo sjellje e Dinos e kishte zemëruar prej kohe shefin Muhamet Hila. Kafja që pinte pensionisti Dino te hotel turizmi i Vlorës, për nënkryetarin e degës ishte kapardisje e karshillëk i padurueshëm. Për guximin e këtij ish-të burgosuri tregoheshin dhe historira nga koha e luftës dhe pas saj…

Shef Hila kishte kohë që po punonte për arrestimin e Dinos, por deshte ndonjë shkak. Dhe ja fjala e udhëheqësit të partisë ishte rast shumë i mirë. Pas dy ditësh më 3 Qershor 1979 ai arriti të realizonte arrestimin e dytë të Dinos pensionist 65 vjeçar. Krushku, Vllasi, për t’u treguar Sofisë e Robertit se nuk ndryshonte mendim për fejesën, u tha: “Unë nuk do të veja në Degë të merrja leje apo të pyesja se me cilin të fejoja vajzën time”.

Sigurimi e dinte se Dinua nuk do të ishte një i arrestuar i lehtë, që mund të nënështrohej kollaj, prandaj dy muaj para arrestimit të tij i hodhi prangat një ish-të burgosuri, i cili pasi kishte kryer 20 vjet burg, po vijonte të vuante internimin në një fshat të Vlorës. Gjatë arrestimit dhe hetuesisë së parë ai nuk ishte thyer. Mirëpo tani pas arrestimit të dytë gjatë torturave në hetuesi nuk rezistoi dot. I kërkuan të akuzonte Dinon se të dhënat e fermës ku ai punonte dërgoheshin prej Dinos në Greqi, dhe ai pranoi. Krahas këtij i nxorën Dinos në gjyq edhe tre dëshmitarë të tjerë. Midis tyre ai njohu vetëm një ish-avokat nga Himara.

Gjyqi u zhvillua në Vlorë me dyer të mbyllura në datën 4 shkurt 1980. U lejuan të mernin pjesë shumë pak veta, kuptohet sigurimsa dhe komunistë. Sofia dhe Roberti u lanë të rrinin në korridor ku do të kalonte i akuzuari para se të hynte në sallën e gjyqit.

Kishim disa orë që po prisnim në korridorin e ftohtë akull. Kur ja u shfaq grupi me gjykatësit, dëshmitarët, policët, babain dhe prokurorin. Nëna ma tregoi në një farë distance, por unë mezi e njoha. Ishte dobësuar shumë”, tregon Roberti dhe vijon: “Nuk e kuptoja ku i qëndronte shpirti. Por si unë dhe nëna nuk donin që ai të kuptonte habinë tonë për pamjen e tij, prandaj mbërthyem në fytyrat tona nga një si buzëqeshje për t’i treguar se ne ishim mirë dhe të mos kishte merak për ne”.

Në fund të procesit gjyqtari Reshat Polovina vendosi që Dinua të dënohej me 23 vjet heqje lirie për tradhëti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë edhe pse mungonin faktet dhe se i akuzuari nuk kishte pranuar asgjë gjatë procesit në hetuesi. Roberti, pas vitit 1992, kur i pa dokumentet e mbushura me akuza false të të dy gjyqeve, vuri re se ato ishin të pafirmosura prej të dënuarit. Dënimi i Dinos me 23 vjet burg pa pasur asnjë fakt real, tregonte se sigurimi kishte vendosur ta eliminonte përgjithmonë. Karakterit të diamantë të tij hetuesit nuk mundën t’ia ndërronin formën, as ta thërmonin për ta përdorur si donin, prandaj e flakën në burg të përjetshëm, ku e keqtrajtuan dhe ia morrën jetën para kohe. Kështu sigurimi dhe partia e varfëroi Shqipërinë nga trimat, për ta mbajtur të trembur e të nënshtruar popullin e vet…

Mosthyerja e Dinos gjatë hetuesisë së dytë duhet vlerësuar më shumë se mosthyerja e tij gjatë hetuesisë së parë, sepse e dyta zgjati jo pesë muaj e gjysëm, por nëntë muaj kur ai ishte 65 vjeçar dhe jo 40 vjeçar. Kësaj radhe u përdorën kundër tij dhe ilaçe për ta bërë të ndjehej pa fuqi, që të dorëzohej. Mirëpo ato ia dobësonin forcën fizike, por jo forcën morale. Ai mbeti shembull i njeriut që nuk u thye deri në fund…

Donika, nusja e Robertit, gjatë kohës së hetuesisë nëndë mujore të Dinos, me gjithë presionet e mëdha që i bëheshin, me gjithë stresin e fortë psikologjik që përjetonte, nuk u nda nga i fejuari i saj. Një javë pas dënimit të Dinos ata të dy u martuan. Autoritet e Vlorës e “mbajtën fjalën” që i thanë Donikës dhe babait të saj se, nëse ajo martohej me djalin e armikut të klasës, do ta largonin nga Vlora, ku punonte si mjeke. Vërtet, pas martesës, Donikën e hoqën nga Ambulanca e Qytetit dhe e dërguan të punonte në Qendrën Shëndetësore të Akërnisë, ku punonte dhe Roberti. Mirëpo dashuria midis dy të rinjve ishte e shëndetshme. Donika dhe Roberti me vullnetin e tyre përballuan vështirësitë e punës larg qytetit. Shumë shpejt iu shtuan familjes së re Martiko dy djem të shëndetshëm, për rritjen e të cilëve kujdesej nënë Sofia. Mundimi për rritjen e fëmijëve i jepte asaj gëzim duke ia ulur stresin dhe mërzitjen. Njësoj si gjatë burgimit të parë ajo u kujdes me një përkujshtim të rrallë për bashkëshortin e burgosur. Me gjithë moshën e madhe ajo përshkonte distancën e gjatë vajtje-ardhje në këmbë nga shtëpia te burgu e anasjelltas për ta vizituar të shoqin dhe për t’i shpënë ushqime dy-tre herë në muaj.

Skenën e takimit të fundit me babain e tij, shkrimtari Robert Martiko ma ka  përshkruar me këto fjalë: “Ishin ditët e fundit të jetës së tim eti. Fizikisht e shihja se ishte duke u shuar, por vështrimi i tij ishte i qetë dhe mjaft i përqendruar. Polici që ishte i pranishëm, nuk ja ndante sytë. Ishte çudi e madhe për mua fytyra me pamjen e qetë e të përqendruar. Më dukej sikur për Dino Martikon në ato çaste nuk ekzistonin hekurat, policët, diktatura, tonelatat e betonit të burgut. Ndonëse fizikisht i robëruar dhe një hap nga vdekja, dalloja në sytë e tij një lloj lirie shpirtërore që janë në gjendje ta shfaqin vetëm shpirtrat e jashtëzakonshëm. Nga leximet e mëvonshme mësova se të tillë liri shpirtërore kishin përjetuar në burg dhe At Pjetër Meshkalla me disa intelektualë klasi”.

Dinua u shua brenda spitalit burg të Tiranës më 1985, në moshën 71 vjeçare. E kishin sjellë nga kampi i punës i fshatit Zejmen të Lezhës në një gjendje shëndetësore të rënduar. Ai kishte pësuar infarktin e parë pas dërgimit te burgu i Ballshit, dy tre muaj pasi kaloi hetuesinë e rëndë e torturuese në Vlorë. Mbrëmjen që e kishin shpënë nga Zejmeni në spitalin burg të Tiranës për të u kujdes mjekja Meri Gjinushi, bija e mjekut Lefter Kriqi, e cila e mori vullnetarisht shërbimin e rojës atë natë. Por me gjithë kujdesin e saj Ai u shua afër agimit.

Dy zakone humanë të cilët pupolli ynë i respektonte prej shekujsh, ishin dhënia e ndihmës ndaj njeriut që binte në vështirësi dhe pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit të një të njohuri të vdekur. Mirëpo, si më ka treguar Roberti, komshinjtë dhe të njohurit e familjes Martiko në Vlorën e kohës së diktaturës, u rrinin larg, silleshin me të gjithë familjarët e të burgosurve për agjitacion e propagandë, sikur u kishte rënë ‘kolera’. Për turpin e partisë dhe të sigurimit që ushtronin terror ndaj popullit, edhe zakoni i përcjelljes së të vdekurit me biografi të keqe tekvorrezatkryhej me pjesëmarrjen e vetëm familjarëve, sepse të njohurit kishin frikë mos u prishej biografia.

Varrimi i ish-të dënuarve politikë, madje dhe i kryeministrit të vrarë Mehmet Shehu, ishte kryer pak vjet më parë me pjesëmarrjen në procesin e varrimit vetëm të disa  familjarëve të tij. Por ndaj Martikove sigurimi u tregua dhe më kriminal. Nuk i njoftoi për vdekjen e Dinos dhe nuk ua dha kufomën për t’ia bërë nderet e fundit. Trupin e këtij të vdekuri e varrosën disa punonjës të sigurimit. Djali i tij, Roberti, mbas një vit kërkimesh mezi e gjeti vendvarrimin e të atit.

Dino Martiko vdiq 71-vjeçar i tretur nga keqtrajtimet dhe nuk u kujtua e nuk u vlerësua kurrë gjatë regjimit komunist për të cilin dha ndihmesën e vet gjatë luftës dhe pas saj. Madje dhe qeveritë demokratike mezi e vlerësuan 20 vjet me vonesë, më 2011 me çertifikatën  Qytetar nderi i Komunës së Lukovës e pas saj më 2012 me medaljen Martir i Demokracisë, firmosur prej Presidentit Bamir Topi.

Sofia, grua dhe nënë trime e durueshme deri në legjendë

Të shumta dhe të mëdha i pati vuajtjet dhe qëndresën burrërore Dino Martikua, por po aq të shumta dhe të mëdha i pati vuajtjet dhe po ashtu e pati qëndresën e saj dhe burrnesha Sofie Gribizi Martiko, bashkëshortja e tij. Gjatë jetës së saj në Shqipëri, që nga dita që u martua dhe la prindërit në Korfuz më 1942 dhe derisa u rikthye pranë prindërve dhe vajzës së sëmurë më 1989, Sofia përjetoi vetëm disa ditë të gëzuara dhe mijëra ditë të hidhura, të mbushura me vuajtje, fukarallëk e tronditje shpirtërore.

Në vitin 1944 Sofia lindi fëmijën e parë vajzë, Merin, e cila për fat të keq pa mbushur dy vjet, u sëmur nga polimeliti. Ishte viti 1946, kur në Sarandë kishte mungesë ilaçesh dhe shërbim mjekësor të dobët. Dinua iu lut disa shokëve me detyra të larta në Tiranë për t’i dhënë lejë që ta shpinte vajzën bashkë me nënën e saj në Korfuz për ta kuruar. Shpenzimet do t’i hiqte gjyshi i vajzës dhe nëna do të kthehej shpejt. Kaluan  gjashtë muaj pa marrë asnjë përgjigje pozitive. Një ditë problemi i lejës për të shpënë vajzën në Korfuz u zgjidh nga kryetari i ri i degës së Sarandës, ish-shoku i luftës Nuri Luçi. Nuriu ishte i ri në moshë dhe njeri dinamik. Kur mori vesh se sëmundja e vajzës ishte e pashërueshme në Shqipëri, i tha Dinos : “Pse nga ata të Tiranës pret ti të mbarosh punë? Thuaji gruas sot pasdite sa të perëndojë dielli të jetë gati së bashku me vajzën për të shkuar në Korfuz”.

Dhe kështu në perëndim të diellit u realizua nisja e anies dhe kur mbërriti në afërsi të Korfuzit anieja lëshoi disa herë sinjale dritash dhe një anie e vogël peshkimi me dy peshkatarë grekë erdhi pranë anies shqiptare. Sofia dhe vajza u hodhën me kujdes tek anieja e peshkimit dhe vijuan lundrimin për Korfuz, kurse Dinua me Nuriun dhe motoristin u kthyen në Sarandë. (Vlen të shtojmë se sigurimsi Nuri Luçi, pas disa vjetesh u transformua në një oficer plotësisht i nënshtruar ndaj urdhërave të partisë dhe shefave të tij dhe kreu shumë krime si shef dege në rrethe të ndryshme.)

Sofia me vajzën në darkë vonë arriti te shtëpia e prindërve të saj. Mirëpo të nesërmen, ende pa gdhirë mirë, e arrestoi policia greke. Ishte koha kur marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë ishin të acaruara. Pyetjes se kush e solli në Greqi, Sofia u përgjigj thjesht se nuk i njihte personat. Ajo sqaroi se bijë e kujt ishte dhe se kishte ardhur për të shëruar vajzën. Pas tri ditëve i ati arriti të siguronte lirimin e saj. Kur Sofia mësoi se shërimi i vajzës ishte i vështirë dhe do të zgjaste shumë kohë, kërkoi të kthehej në Sarandë pranë burrit. Vajzën nuk e pa më derisa iu lejua riatdhesimi në vitin 1989, kur ajo shkoi bashkë me familjen e Robertit.

Pati vite të tëra, si në vitet 1954-1957 dhe 1979-1985 gjatë burgimit të parë e të dytë të Dinos, kur Sofia ndërpreu dhe korresondencën me babanë, nënën dhe vajzën e vet të sëmurë për të mos i dhënë shkak sigurimit shqiptar që të jepte dënime të tjerë. Gjatë atyre viteve asaj nuk i erdhi as ndonjë ndihmë financiare a pako me veshje nga Greqia. Për të mbijetuar me djalin e vogël dhe për të sigurar ushqimet që duhej t’i shpinte Dinos gjatë burgimit të parë ajo i siguronte të ardhurat nga një profesion që filloi ta krijonte vetë. Për herë të parë në Vlorë ajo filloi të qepte çorape grash dhe t’i meremetonte syçkat që shthurreshin, me anën e një makine të vogël primitive qepëse, që e kishte prurë në pajë.

Kuptohet se durimi dhe këmbëngulja e saj për të përballuar këtë jetë të tensionuar në Vlorë kanë qenë të jashtzakonshëm. Në atë qytet ajo nuk kishte askënd nga fisi i vet, madje asnjë mikeshë të besuar për t’i qarë hallet. Ndonjë nga ish-shoqet e punës i propozonte që të ndahej nga Dinua për të siguruar të ardhmen e djalit e të vetes. Por në mendjen e saj një zgjidhje e tillë ishte e papranueshme, neveritëse. Këtë zgjidhje ajo nuk e mendoi as më 1946 kur u ndodh në Korfuz me vajzën pranë prindërve.

Që në kohët e lashta vajzat e trevave greke dhe iliro-shqiptare, kishin marrë një edukatë sipas së cilës u ishte ngulitur kodi moral se ato lindnin e rriteshin në shtëpinë e prindërve, por ato u pëkisnin përjetësisht shtëpive të burrave ku i shpinte fati. Ky lloj kodi moral ishte i ngulitur dhe në koshiencën e Sofisë, prandaj ajo nuk mund ta braktiste shtëpinë e burrit, fatin e saj, edhe pse bashkimi i saj me Dinon ishte bërë me shkuesi dhe jo me dashuri. Dashuria midis tyre lindi më vonë kur ata e njohën njëri tjetrin në momente të këndshme dhe në momente të vështira.

Gëzim të madh përjetoi vjehrra Sofi kur pa se dhe nusja e djalit ndoqi po këtë rrugë zgjidhjeje pa e detyruar kush, madje në një kohë kur nuk kishte ende fëmijë. Pikërisht ky veprim i nuses bëri që dashuria e Sofisë për të të forcohej aq sa mjaft nëna biologjike nuk i donin vajzat që kishin pjellë vetë.

E tillë ishte Sofia, grua pa fjalë, që nuk u ankua kurrë për vështirësitë dhe fatkeqësitë që i ranë mbi kokë, por i kapërceu me durim e këmbëngulje falë karakterit të saj të ngjashëm me karakterin e burrneshave të maleve shqiptare. Dhe Zoti ia shpërbleu qëndresën me kthimin në Korfuz së bashku me familjen e përtërirë të Robertit.

Sofia Gribizi Martiko u nda nga jeta e gëzuar tre vjet pasi jetoi në Korfuz pranë prindërve dhe pa djalin, nusen dhe dy nipërit të përshtatur në jetën e re…

Në botën e lirë ka mundësi të shumta

Muri i Berlinit ende nuk kishte rënë, por pasardhësi i diktatorit Hoxha, Ramiz Alia, për të treguar se ishte tolerant dhe se po ecte drejt liberalizimit, filloi të bënte disa lëshime duke dhënë viza për riatdhesim të mjaft kryefamiljarëve që kishin kombësi dhe shtetësi të huaj.

Ishte një pasdite e bukur korriku e vitit 1989, kur familja Martiko me Sofinë, Robertin, Donikën dhe dy djemtë e tyre po lundronin drejt Korfuzit. Endrra e lirisë, që u ishte dukur e parealizueshme, po realizohej. Po i afroheshin Korfuzit me pasaporta e viza të rregullta të akorduara nga Ministria e Punëve të Brendëshme të Shqipërisë dhe nga Ambasada Greke në Tiranë. Kaq i madh kishte qenë terrori që kishte ushtruar shteti i diktaturës komuniste mbi këtë “familje me biografi të keqe” sa që Roberti ka shkruar në kujtimet e tij se nuk i besohej që do të arrinin te bregu korfiot. Derisa anieja, ku kishte hipur familja e tij, nuk kishte hyrë ende në ujrat greke, mendja e tij ishte e pushtuar nga ankthi. I dukej sikur nga minuta në minutë do të mbrrinte urdhëri nga Tirana për të anuluar vendimin e largimit të tyre.

Kur hyri anieja në ujrat greke, nënë Sofia bëri kryqin dhe tha nën zë: “ faleminderit o Zot”! Kur zbritën në tokë u bëri përshtypje pastërtia në veshjet dhe fytyrat e njerëzve, rrugët pa plehra, madje dhe qielli iu duk më i kaltër. Turistët e huaj dhe vendasit dalloheshin vetëm nga gjuhët e ndryshme që flisnin. Takimi i Sofisë me vajzën dhe me prindërit te salloni i shtëpisë së bukur në breg të detit, ishte një skenë prekëse që do të mallëngjente çdo pjesëmarrës. Lufta e Ftohtë i kishte ndarë për 43 vjet nënën Sofi nga vajza Meri e sëmurë dhe bijën Sofi nga prindërit e saj. Pas dy ditësh erdhi për të takuar Sofinë motra e saj profesoreshë në degën anatomi-patologji në Universitetin e Athinës…

Roberti dhe Donika ishin 41 dhe 35 vjeçarë, jo aq të rinj sa të përshtateshin rrufeshëm me jetën e re, por nuk ishin as të moshuar sa të mos përshtateshin me punët e rëndomta si u ndodh emigrantëve mbi 50 vjeçarë të cilët, kur nuk e dijnë gjuhën e vendit ku emigrojnë, mbeten për gjithnjë të punësuar në punë të rëndomta pastrimi e shërbimi. Për mësimin e greqishtes, Roberti i është mirënjohës babait, i cili me durim i dha mësimet e para. Më tej puna eci lehtë përmes bisedave familjare midis të treve, dëgjimit të radios dhe shikimit të kanaleve të Televizionit Grek.

Populli grek i Korfuzit i mirëpriti të riardhurit, jo vetëm martikot që kishin lidhje të vjetra, por dhe shumicën e emigrantëve që shkuan atje pas vitit 1991. Në gjithë Greqinë populli vendës u dha veshje, ushqime, punë, strehim, madje atyre që merreshin me pastrim shtëpish u dhanë në duar edhe çelsat e shtëpive. Midis emigrantëve ata që kishin qënë anëtarë të PPSH-së, ose që i kishin shërbyer si informatorë sigurimi, rrinin kokulur e më njanë, punonin pa rënë në sy dhe nuk donin të shoqëroheshin me shqiptarë e as me grekë. Donin vetëm punë jo shoqëri, ose përpiqeshin të gjenin njëri tjetrin. Kishin frikë se mos i njihnin dhe mos i spiunonin te policia greke. Disa kishin vrarje ndërgjegjeje. Kurse Roberti e kishte ndërgjegjen të qetë dhe shoqërohej me këdo që e lidhte puna dhe që i pëlqente. Ashtu si i ati edhe ai nuk kishte pranuar të përfitonte të mira në kurriz të të tjerëve. I kishte kundërshtuar dhe nuk u ishte dorëzuar kërkesave dhe presioneve të shefit të sigurimit të repartit ku kreu shërbimin ushtarak për t’u rekrutuar si informator i sigurimit. E falenderonte Zotin që i kishte dhënë forcë për ta kundërshtuar shefin e sigurimit edhe pse ai e kërcënonte për të ardhmen e tij…

Kur e pyeta sesi arriti të punësohej, Roberti më sqaroi se Donika filloi punë e para në një qendër shëndetësore në qytetin e Korfuzit dhe nuk e nxiste atë që të fillonte çfarëdo pune. Qëndroi ca kohë pa punë dhe kur kishte përvetësuar përdorimin e kompjuterit guxoi ta provonte veten për krijimin e një pune private. Greqia si vend i Bashkimit Europian e stimulonte dhe e stimulon inisiativën private. Për të arritur sukses mjaftonë gjuha, njohjet profesionale, guximi dhe ca para.

Fillova të krijoja me një komjuter të madh tabela reklamash. Programin e krijimit e studiova në një libër voluminoz në anglisht”, sqaron Roberti dhe vijon: “Brenda pak vitesh munda të hapja edhe magazinën time, të cilën tani vonë e ka zgjeruar djali im i vogël, Ahilea, i cili ka mbaruar studimet e larta për ingjinieri elektrike në univeritetin e qytetit Patra. Kurse djali i madh, Kosta, ka kryer shkëlqyeshëm studimet në Itali për mjekësi me specialitet kirurg i shtyllës kurrizore. Roberti e kapi si duhet biznesin e tij, mbasi Korfuzi duke qenë qytet turistik i klasit të parë, kishte dhe ka shumë nevojë për reklama, tabela dyqanesh e zyrash, shpesh herë dhe në gjuhë të huaja.

Vuajtjet dhe fatkeqësitë e ndihmojnë njeriun të thellojë njohjen e botës reale. Dëbimi nga jeta normale, pra emërimi me punë larg shtëpisë dhe në punë jashtë profilit që kishte marrë në shkollë, ishin për Robertin një lloj izolimi, një lloj fshikullimi, që i dha mësime të ashper, por përmës kësaj me fshikullima, me mungesa të medha, ai mësoi shumë gjëra që nuk ua dha jeta shokëve të tij që e kaluan jetën me përkëdhelitë e partisë e të shtetit diktatorial.

Pikërisht jeta me vuajtje shpesh herë i ngacmon njerëzit e përvojtur që të synojnë për tu bërë shkrimtarë e poetë, për t’ua zbuluar njerëzve ndjenjat e botën e tyre të brendëshme. Edhe Roberti mbas të njëzetave filloi të lakmonte krijimtarinë letrare, por nuk po guxonte të shkruante sepse e dinte se për shkak të biografisë së keqe krijimet nuk do t’i botoheshin. Një ditë e pyeti Dinon, se çfarë mendimi kishte për shkrimtarët e poetët dhe a do të ishte mirë që djali i tij të merrej me krijimtari letrare.

Shiko Lasgushin, si e theu penën dhe merret me përkthime nga letërsia e huaj, sa për të jetuar. Mos u merr me sporkerira!’’(gjëra të ndyra). Kështu iu përgjigj Dinuo, për t’i treguar se nuk ia vlente të shkruante vepra të realizmit socialist që e lustronin jetën në përputhje me politikën e partisë. Kështu Roberti nuk iu fut krijimtarisë letrare në rini, sepse krijimtaria që do të synonte të krijonte do ta shpinte shpejt a vonë në burg, ose internim dhe familja do të përvëlohej për djalin e saj të vetëm.

Pas vitit 1992, kur u kthye një herë në Shqipëri Roberti ndjeu dëshpërim, pa një shoqëri të lirë por në anarki, ku kishte manifestime bajraktarizmi në nivelet e larta të shtetit. Pasi kishte jetuar dhe shijuar demokracinë në Greqi, demokracia shqiptare i dukej shumë e dobët dhe me shkelje të shumta, prandaj e kundërshtoi propozimin e një shokut të tij që e këshilloi ta vinte emrin në listën e kandidatëve për deputet i Partisë Demokratike.

Qyteti dhe ishulli i Korfuzit si vend shumë piktoresk dhe që gjatë muajve të dimrit nuk kishte shumë punë, e shtyu Robertin të mendonte se erdhi koha të rikthehej tek ëndrra e vjetër për të krijuar letërsi artistike. Deri sot ai ka shkruar gjashtë romane, por thotë se nuk është i kënaqur prej tyre. Ai mendon se iu fut krijimtarisë pak me vonesë, dhe në një kohë kur i mungonte formimi i duhur filozofik e letrar. Në veprat e tij ai gjen shpesh përdorim të fjalës pa saktësi maksimale, gjë që e pengon prirjen natyrore, talentin e tij të arrijë atje ku ai pati synuar. Po ashtu ai mendon se duke qenë se ishte formuar në shkollën shqiptare të kohës së diktaturës i kishte munguar formimi i duhur në fushën e filozofisë, sepse pa këtë bagazh ai kishte dhënë aty këtu interpretime naïve për dukuritë e jetës shoqërore. Jo rastësisht, thotë ai, krijuesit e mëdhenj të artit si Mikelanxhelo, Da Vinçi dhe personalitete të tjerë të Europës Perendimore morrën gjatë jetës mësime në fushën e filozofisë. Ai sugjeron që të gjithë shqiptarët që duan të merren me krijimtari letrare është e novojshme të njohin para se t’i futen kësaj rruge të përvetësojnë mendimin e kualifikuar perëndimor, sepse në Shqipërinë komuniste si dhe sot mendimi perëndimor, që bëri Karl Marksin filozof, nuk mësohej e nuk mësohet nëpër shkolla.

Përsëri sipas Robertit, një nga të metat e arsimit dhe mendimit të kualifikuar intelektual në Shqipëri është se nuk tregohet kujdes për modelet më të larta morale shqiptare, apo ‘‘Mbinjeriun’’, sipas termit të Frederik Niçes. Ai thekson se bota Perëndimore nuk u zhvillua me modelin e mesatares, as më atë të më së mirës, por me idenë e ‘‘Më të Lartës’’. Në këtë pikë Roberti krahas admirimit të mendimit të kualifikuar teorik tregohet edhe praktik. Vë në dukje se njerëzit që mund të vlejnë si modele superiore janë ata që, me ndershmërinë e shpirtit, i rezistuan pa u thyer komunizmit në bankën e provave reale të hetuesive të sigurimit, në kohën e tre milion duartrokitësve të frikësuar. Heronjtë e jetës që mund të frymëzojnë shoqërinë janë pikërisht Mbinjerëzit.  Ky model i lartë shpirtëror në mënyrë të paevitueshme përmban në vetvete ndjenjën e kujdesit ndaj të tjerëve. Dhe pikërisht te kujdesi ndaj të tjerëve ai sheh pikën e fillimit ku mund të ndryshojë shoqëria. Evropianët, sidomos veriorët, nuk mund të përfytyrohen pa ndjenjën e ‘‘Kuptimit të Tjetrit, të së Huajës, të së Ndryshmes’’.   Ky bazament, pra «kuptimi i tjetrit, i së huajës, i së ndryshmes» nuk erdhi te mendimi shoqëror shqiptar, si i erdhi mendimit europian gjatë Rilindjes. Rilindja shqiptare ishte me mungesa nga kjo pikëpamje, sepse ajo u zhvillua vetëm si lëvizje për çlirimin kombëtar nga zgjedha e rëndë obskurantiste turke dhe si lëvizje për bashkim kombëtar mbi dallimet fetare dhe krahinore.

Atëhere i sugjerova Robertit se për të krijuar një roman të ri me modelin e mbinjeriut, ai e ka materialin të gatshëm pikërisht te prototipat e babait dhe nënës së tij, të atij vetë e të Donikës, mjafton që ta ritregojë artistikisht jetën e tyre. Por ai tha se kjo do të tingëllonte si mburrje. Në romanin e fundit që ky krijues ka në dorë, përveç modelit të mbinjeriut trajton edhe temën se përse disa shoqëri kanë shkuar përpara dhe të tjerat kanë mbetur pas, ndonëse stadi fillestar i tyre ka qenë i njëjtë, dalja nga shpellat.

Romani i ardhshëm i Robert Martikos do të jetë një thirrje për vetë qeveritë, klasën tonë politike, arsimin e kualifikuar, intelektualët me mendje të hapur. Sipas këtij shkrimtari, për të krijuar një brez të ri të denjë për të marrë në dorë fatet e vendit tonë duhet trajtuar «modeli shpirtëror i më të lartës», dukuri që duhet të shërbejë si pikënisja e proceseve shoqërore politike e morale.

Kam bindjen se jeta e Dinos, Sofisë dhe pjesëtarëve të tjerë të kësaj familjeje do të frymëzojë shpejt a vonë shkrimtarë dhe artistë për të realizuar vepra të shquara arti. Po ashtu dhe bashkëpunëtorët e “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” është e nevojshme që ta pasurojnë ribotimin e këtij fjalori me artikuj (zëra) përkatës për të tillë njerëz dhe ta pastrojnë këtë vepër të rëndësishme nga artikujt ku jepet jeta e bëmat e disa servilëve të partisë dhe diktaturës, politika e të cilëve dështoi me turp.

Dino Martiko, Sofia dhe vajza Meri, 1946

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok