26/12/2024

PARASHIKIMET E ZYMTA DHE TALLJET E BEN BLUSHIT NË ROMANIN ‘’KOMPLOTI’’

0
Adil-Fetahu

(Ben Blushi: ‘’KOMPLOTI’’, botoi ‘’Pegi’’Tiranë, dhe ‘’Dukagjini’’ Prishtinë)

Nga Adil FETAHU

Në kontinuitet me romanet e tij të mëparshme: ‘’Hëna e Shqipërisë’’ dhe ‘’Kandidati’’, romani i dhjetë i shkrimtarit Ben Blushi mban titullin ‘’Komploti’’. E themi në kontinuitet me dy romanet e mëparshme, sepse në romanin ‘’Hana e Shqipërisë’’, poashtu parashihej se pas 100 vjetëve në Shqipëri gjuhë zyrtare ndoshta nuk do të ishte gjuha shqipe, për shkak të zvogëlimit të numrit të shqiptarëve dhe shtimit e dominimit të numrit të emigrantëve e refugjatëve të huaj. Edhe në romanin më të ri ‘’Komploti’’, Blushi parasheh pakësimin e shqiptarëve dhe shtimin e të huajve në Shqipëri, gjë që të gjithë po e vërejmë. Ndërkaq, në romanin ‘Kandidati’ Blushi ‘’ka bërë komplot’’, duke e zgjedhur kryetar bashkie një të vdekur, sikur tash në romanin ‘’Komploti’’ duke zgjedhur një afgan, së pari kryetar bashkie të Shëngjinit e më pastaj ministër të mbrojtjes së Shqipërisë.

Ben Blushi ka një intuitë, imagjinatë dhe stil të veçantë në thurjen e romaneve të tij, duke lidhur personazhet dhe ngjarjet e kaluara, madje edhe ato historike, me të tashmën dhe të ardhmën.

Fabula e romanit ‘’Komploti’’

Numri i popullsisë shqiptare në Shqipëri po zvogëlohet në mënyrë rapide, për shkak të lindjeve të pakta dhe emigrimeve të shumta të shqiptarëve. Në vitin 1990 Shqipëria kishte cca 4 milionë banorë, sot ka rreth 2 milion, e sipas këtij trendi dhe parashikimeve të Blushit, pas 20 vjetëve do të ketë 1 milion ose më pak. Ndërkaq, nga vala e migrantëve dhe refugjatëve që vijnë nga Lindja e mesme dhe nga Afrika në Europë, një numër i madh i avganëve, sirianëve, iranianëve, egjiptasve dhe ndoshta edhe afrikanëve, po vijnë e do vijnë në Shqipëri dhe kështu do të ndryshojë pasqyra etnike e demografisë së Shqipërisë. Të ardhurit do të inkuadrohen në ekonomi,  shoqëri civile, arsim, politikë dhe në administratën shtetërore dhe do ta kenë rolin e tyre në këto fusha.

Analiza e romanit

Për ilustrim të këtij trendi Blushi e merr qytetin e vogël bregdetar të Shëngjinit, ku janë  vendosur një numër i konsiderueshëm afganësh, fëmijët e të cilëve ndjekin mësimet në shkollën e qytetit. Autori i romanit pret ardhje të emigrantëve e refugjatëve tjerë, afganë dhe të tjerë (dhe kjo do të ndodhë, sipas Marrëveshjes së nënshkruar midis kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, v.j.).

Në thurjen e romanit ‘Komploti’, autori imagjinon se në vitin 2040 të huajt (afganët) janë bërë shumicë në Shëngjin dhe në zgjedhjet e zhvilluara një kanoist afgan (Mohamed Durrani) zgjedhet kryetar i Bashkisë së Shëngjinit, duke e mundur kundërkandidatin shqiptar me 12 vota diferencë. Ky afgan është martuar me vajzën e përgjegjësit  të Portit të Shëngjinit (Serafin Pagjinit). Vajza e Serafinit, tash gruaja e Durranit, ndonëse e besimit katolik, për dëshirën e bashkëshortit dhe të nënës së tij vënë shaminë, si shumë gra e vajza të cilat i kanë dhënë Tiranës pamjen e Riadit të Arabisë Saudite. (fq.170).

Për shkak të ndryshimeve të shpeshta në qeverinë e Shqipërisë, mandatari për qeverinë e re ishte Raul Fico (nip i ish-diplomatit të njohur real, Rauf Ficos). Serafin Pagjini ia kishte propozuar dhëndërrin e tij, afganin Mohamed Durrani,  të zgjedhet ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë. Në dyshimet e Ficos për afganin, Pagjini i kishte thënë: ‘’shqiptarët po ikin, afganët po vijnë: afganët janë optimistë, ne jemi të dëshpruar: afganët mendojnë për nesër, ne mendojmë për dje: kush duhet ta drejtojë vendin: ata që largohen, apo ata që qëndrojnë këtu’’ (fq.29-30)?

Pas zgjedhjes  në postin e ministrit të mbrojtjes, Mohamed Durrani kishte bërë një fluturim-vizite Kosovës me aeroplan F-16, dhe kur hyn në hapësirën e Veriut të Kosovës, që ishte pushtuar nga Serbia në vitin 2025, pas pushtimit rus të Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë, ndiqet nga një aeroplan Mig-29 i ushtrisë serbe. Kryeministri Fico e qorton për incidentin e krijuar. Por, Durrani është i vendosur ta çlirojë Kosovën dhe t’ia bashkangjesë Shqipërisë.  Për këtë qëllim organizon regjistrimin e vullnetarëve për luftë, ku regjistrohen më se 5000 afganë dhe asnjë shqiptarë, ‘’sepse shqiptarët nuk duan luftë, ata ikin nga lufta dhe nga vendi i tyre. Afganët të gatshëm për luftë, këndonin himnin shqiptar dhe thërrisnin: ‘’Kosova është e jona’’ (fq.159). Në të njëjtën kohë mbahej mbledhja e Këshillit të Urtëve Afganë, me në krye Abdul Xhabar, që angazhohej për ruajtën e Shqipërisë sepse ‘’shqiptarët nuk e donin më as Shqipërinë as Kosovën (222)…Shqiptarët ikin nga Shqipëria pasi nuk e durojnë njeni-tjetrin. Ata janë tradhtarë dhe ne nuk duhet t’ua lëmë tradhtarëve këtë vend të mrekullueshëm (224). Të dashur vëllezër afganë, ne nuk mund ta lëmë Shqipërinë në dorë të shqiptarëve. Ata nuk e meritojnë këtë vend të mrekullueshëm,  ata e shajnë vendin e tyre, e mallkojnë dhe e shkatërrojnë (226). Problemi i Shqipërisë janë vetë shqiptarët’’ (227). Ky   ishte komploti i parë i organizuar në Shëngjin.

Komploti tjetër ndodhë në Kavajë, ku ushtarët afganë shkojnë për ta rrëzuar dhe marrë pushtetin e atyshëm, prej nga do shkonin edhe në Tiranë për të bërë grushtshtet e marrë qeverinë e Shqipërisë, e për ta bërë Shqipërinë një Afganistan të vogël në Europë. Mirëpo falë tre çifutëve, me pikëpamje të ndryshme ndaj Amerikës, Rusisë, Shqipërisë dhe Izraelit, ata organizojnë sabotim, me bllokimin total të furnizimit me naftë, ashtu që në Shqipëri nuk  lëvizë asnjë makinë dhe afganët nuk mund të shkojnë në Tiranë dhe kjo bënë që qeveria të shpëtojë nga grushtshteti dhe nga lufta me Serbinë.

Ata tre çifutë ishin: Lavi Elton, Leonid Trocki dhe Simon Shuteri. Të gjithë këta pasardhës të figurave reale: Lavi Elton, pasardhës i Leo Eltonit, i cili në vitin 1935 kishte thënë që Izraeli të vendoset në Shqipëri, sepse ’’aty  ka shumë diell dhe shumë injorantë’’ (fq.58).

Tre çifutët e përmendur kishin organizuar një Kongres Botëror të Çifutëve, që u mbajt në Selanik, qytet ky popullsinë e të cilit para 100 vjetëve e përbenin 60% çifutët.  Në Kongres marrin pjesë 600 hebrenj nga e gjithë bota, ku u shfaq mendimi se formimi i shtetit izraelit në Palestinë ishte një gabim: ‘’Pse na duhej një shtet i vogël midis arabëve që na urrejnë, kur kemi mundur të komandonim të gjitha shtetet e mëdha’’ (53).

Gjyshi i Shuterit i kishte thënë këtij se tre komunistët më të shquar të botës kanë qenë që të tre hebrenj: i pari ishte Jezu Krishti, i dyti Karl Marksi dhe i treti Leon Trocki (118), dhe nuk kishte asnjë krim që të krishterët nuk e kanë kryer në mënyrën më të pamëshirshme (121).

Leonid Trocki ishte nip i komunistit Leon Trockit i cili bashkë me Leninin e udhëhoqën revolucionin në Rusi (1917). Në romanin ‘’Komploti’’, për Trockin e vërtetë, Blushi thurë imagjinatën se kur kishte qenë korrespodent i një gazete ukrainase në Luftën Ballanike, në Gostivar kishte dhunuar një vajzë shqiptare, e cila kishte lindur një djalë memec, e gruaja e atij memeci kishte lindur një djalë, të cilit ia kishin vu emrin Hasan, sipas emrit të gjyshit të tij Hasan Dosti.  Pasi Hasani kishte marrë vesh se ishte nip i Leon Trockit, kishte dalë në Pogradec, ku kishte marrë shtetësinë shqiptare dhe kishte ndërruar emrin prej Hasan Dosti, në Leonid Trocki, dhe ky përpiqej që në Shqipëri ta kthejë komunizmin. Sepse ‘’kapitalizmi në Shqipëri i ka dhënë një pakice gjithçka, dhe i ka marrë shumicës të gjitha’’. Leonid Trocki ishte njohur dhe bashkëjetonte me një spiune ruse e cila kishte ardhur  në Shqipëri (realisht në vitin 2021 dhe kishte vuajtur dënimin,v.j.). Ajo kishte marrë emrin Frida Trocki.

Çifti Trocki kishin vendosur të organizojnë një referendum për bashkimin e Shqipërisë me Rusinë, sepse Amerika po e popullon këtë vend me emigrantë e refugjatë, ashtu që Shqipëria për 30 vjet, për shkak të lindjeve të pakta dhe emigrimeve të shumta, do të ketë më shumë afganë se shqiptarë (fq.190).

Trocki me Simon Shuterin i cili ishte prodhuesi më i madh i pesimizmit në Shqipëri,  kishin organizuar në Pogradec një fushatë për legalizimin e eutanazisë, për shkak se në atë qytet kishte shumë të moshuar mbi 80 vjeç, pa përkujdesje,   ndërsa si shembull ekzemplar për të arsyetuar eutanazinë,  e kishin marrë një profesor të letërsisë (Vaso Tason), i paralizuar dhe pa përkujdesje, dhe pas legalizimit të eutanazisë ky person ishte pacienti i parë i ‘’vdekur ëmbël’’.

Për ta penguar referendumin e Trockit për bashkimin e Shqipërisë me Rusinë, kryeministri Raul Fico kishte propozuar se është shumë më mirë që referendumi të mbahej për përcaktimin mes Amerikës dhe Rusisë, dhe ky do bënte çmos që referendumi të mos kishte asnjë fitues (266). Dhe ashtu ndodhi. Nga 700 mijë votues, kishin votuar vetëm 44 veta dhe rezultati i referendumit, për bashkimin me Rusinë ose Amerikën ishte i barabartë, nga 22 vota.

Edhepse referendumi dështoi dhe Shqipëria nuk u bashkua me asnjënën fuqi, Trocki ishte fituesi moral i referendumit, sepse arriti ta zhvillojë garën e dashurisë së shqiptarëve ndaj Rusisë dhe Amerikës. Kështu, Shuteri (alias Blushi) arritën qëllimin e talljes me shqiptarët, me afganët, me rusët dhe me amerikanët.

Në romanin ‘’Komploti’’ defilojnë rreth 30 personazhe, por në qendër të romanit janë afganët dhe çifutët. Romani i vendosë ngjarjet në vitet 2043 – 2044, me projeksione të vogëlimit të numrit të popullsisë shqiptare dhe rritje të  numrit të emigrantëve dhe të tjerëve.

Sado që prognozat e zgjerimit të luftës nga Ukraina deri në Kosovë janë të zymta, romani është një fiksion i imagjinatës dhe stilit letrar të autorit dhe si i tillë është i lezetshëm për lexim. Ka në të dhe  analiza letrare stilistike politike e sociale,  po edhe dhe metafora e humor. Dhe ndonëse romani është një fikcion letrar, përmban në vete mjaft elemente reale të Shqipërisë dhe të botës së sotme: lufta në Ukrainë, rreziku i përhapjes më gjërë; lufta e Izraelit në Palestinë; problemi i refugjatëve dhe migrimeve; emigrimi i shqiptarëve jashtë vendit dhe pasojat negative të këtij trendi.

Blushi ka një energji të admirueshme për tallje e humor dhe i ‘’përzien’’ mirë faktet me fikcionet, duke krijuar ‘’viruse epidemiologjike’’ të leximit të veprave të tij.  Ka prirje dhe sens për zbavitje intelektuale, me shumë elegancë.

Romani më i ri i Ben Blushit, ‘’Komploti’,’  ishte në qendër të vëmendjes së vizitorëve dhe libri më i shitur në Panairin  e Librit në Tiranë (nëntor 2023),  dhe është në qendër të vëmendjes së lexuesve andej dhe këndej Drinit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok