22/12/2024
Bedri-Gjinaj-Familja

Nga Blerim Latifi

Në këtë fotografi të vjetër është Bedri Gjinaj me familjen e tij. Bedriu ishte nga Mitrovica. Ishte mësues dhe patriot me kulturë të lartë. Shkruante edhe poezi. Në janarin e vitit 1945 ai arrestohet nga OZNA dhe torturohet mizorisht deri në vdekje në burgun e Prishtinës. Bashkë me trupin komunistët ia zhdukën edhe fletoret letrare. Nga to kishte mbijetuar një vjershë me katër vargje:

M’u shterrshin sytë nëse pushoj

lirinë tande me andrrue.

Mallkue qoftë gjaku im

nëse m’vrasin pa luftue.

Dekada më vonë këtë poezi e riktheu në vëmendje heroi i UÇK- së Agim Ramadani, rënia e të cilit në Koshare ishte mishërim i plotë i mesazhit të saj.

23 vite më vonë një rekrut i FSK- së detyrohet të largohet prej saj për shkakun se në krahun e tij i kishte bërë tatuazh vargjet e kësaj vjershe.

E kuptueshme që ushtria ka rregulla strikte, por në raste të caktuara rregullat nuk bën të cënojnë etikën e disa simboleve që i japin kuptim vetë ekzistencës dhe qëllimeve të saj.

_________

Nënkryetarja e Parlamentit të Serbisë paska kërku që deputeti i vetëm shqiptar në këtë parlament, Shaip Kamberi, ose të arrestohet ose të dëbohet.

Kjo më kujton historinë e deputetëve shqiptarë që, në kohë dhe regjime të ndryshme jugosllave e serbe, janë ulur në sallën e atij parlamenti.  Kanë qenë të shumtë, por sot historia i kujton vetëm dy prej tyre, Ferhat Dragën dhe Ramë Bllacën. Ferhat Draga u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm vetëm pse guxoi të protestonte kundër terrorit që qeveria monarkiste serbe po ushtronte mbi shqiptarët e Kosovës. Ramë Bllaca u vra në atentat pas kundërshtimit të marrëveshjes serbo-turke për dëbimin kolektiv të shqiptarëve në Anadoll.

Sot me të njëjtën gjuhë po e kërcënojnë Shaip Kamberin. Sepse Skupshtina serbe vazhdon të mbetet ende një burim i pashterrshëm i urrejtjes kundër shqiptarëve. Shumë horra aty ulen vetëm dhe vetëm duke e kapitalizu kët’ urrejtje.

_________

E lexova në media: indiani Gautam Adani zyrtarisht tani qenka miliarderi i dytë më i pasur në botë me një pasuri prej 146.9 miliardë dollarë. Shumica e kompanive të tij qenkan duke punu në sektorët e gazit natyror dhe minierat e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.

Ne kemi qymyr sa të duash, por energji nuk kemi, sepse mafia energjetike, e ndihmuar nga mashtruesit e energjisë së gjelbërt, duke influencu politikën kosovare, na patën bindur se koha e qymyrit ka perëndu.

Ti mund të kesh pasuri natyrore, por kur nuk ke mend, ajo është krejtësisht e pavlerë.

_________

Duke lundru nëpër oqeanin informativ të  internetit hasa në kët’ hartë. Autori i saj është gjeografi gjerman Sebastian Münster. Harta i përket vitit 1628. Kishte 150 vite që Shqipnia kishte rënë nën sundimin osman, por emri i saj, shtrirja territoriale e saj, vazhdonin t’i rezistonin zhdukjes dhe harrimit. Dhe kjo sigurisht që lidhej me famën e Gjergj Kastriotit, i cili e kishte rrënjosur thellë në ndërgjegjën europiane emrin e atdheut të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok