PAQË TANI, MË SHUMË SE KURDOHERË TJETËR – 2023!
PAQË E PAJTIM EDHE PËR SHQIPTARËT KUDO QË JANË
Nga Frank Shkreli
Kjo është kërkesa e Sekretarit të Përgjithëshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres në mesazhin e tij drejtuar botës në vigjiljen e fillimit të Vitit të Ri, 2023. “Pas një viti luftërash brutale nga Afganistani e deri në Ukrainë, duke detyruar një numër rekord njerëzish të largohen nga shtëpitë e tyre, bota ka nevojë për paqe në vitin 2023, “Më shumë se kurrrë më parë”, është shprehur udhëheqsi i OKB-së, në mesazhin e tij drejtuar mbarë botës, me rastin e Vitit të Ri, 2023. Peace needed now, ‘more than ever’: Guterres | UN News
“Le t’a bëjmë Vitin 2023 një vit kur rivendoset paqeja në jetën tonë, në shtëpitë tona dhe në botën tonë. Në vitin 2023, kemi nevojë për paqë, tani më shumë se kurrë. Paqe me njëri tjetrin, nepërmjet dialogut, për t’u dhënë fund konflikteve…”.
“Për një jetë me dinjitet, paqeja është gjithashtu e nevojshme brenda familjeve, ashtuqë gratë dhe vajzat të mund të jetojnë në dinjitet dhe siguri”, ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB_së, Antonio Guterres. “Por, paqe edhe për protestuesit paqësorë nepër rrugë, të cilët shpeshëherë janë subjekt hakmarrjesh dhe dhune nga forcat e sigurisë”, ka shtuar ai. Demonstruesit dhe komunitete të tëra kanë nevojë që të drejtat e tyre të njeriut të mbrohen plotësisht dhe duhet të ketë paqe në hapësirat fetare dhe tolerancë më të madhe ndaj feve të tjera, është shprehur udhëheqsi botëror. Antonio Guterres kërkoi gjithashtu paqe në internet — “online” — “ashtuqë të gjitha komunitetet të mund të përdorin Internetin “të lirë nga fjalët plot urrejtje dhe abuzime”. Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i bëri thirrje botës që, “Në vitin 2023 të vendosim paqën në zemër të fjalëve dhe të veprave tona”, ashtuqë t’a bejmë Vitin e Ri, 2023 një vit kur të rivendoset paqeja në jetën tonë, në shtëpitë tona dhe në botën mbarë.”
Paqe e Pajtim edhe për Shqiptarët kudo që janë
Përfshir edhe botën shqiptare! Temat e mesazhit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Vitin e Ri 2023, si “Paqa e siguria”, “Të Jetuarit me dinjitet”, “liri nga urrejtjet dhe abuzimet” dhe “fund konflikteve” — për fat të keq janë fenomene dhe dukuri dominuese negative që kërcënojnë paqën dhe sigurinë – për të cilat foli Antonio Guterres në mesazhin e tij — edhe në shoqëritë shqiptare, në përgjithësi e sidomos në radhët e politikës.
Viti i Ri nuk është vetëm një ndryshim datash e vitesh, por është një rast për ndryshim drejtimesh, qellimesh e objektivash të reja me një angazhim serioz për realizimin e tyre. Në 30-vitet e fundit “post-komunizëm” dhe pas luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, shpresohej se do merrnin fund urrejtjet, antagonizmat, përçarjet, grindjet dhe ndasitë politike midis shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të tyre shekullore — kryesisht si rrjedhim i regjimit komunist nën të cilin shqiptarët jetuan për një gjysëm shekulli. Shëmbja e Murit të Berlinit shpresohej të shënonte një rend të ri shoqëror e politik për Europën dhe për shqiptarët, në veçanti. Madje, fillimi i shekullit XXI është shikuar me aq optimizëm sa që mendonim se, më në fund, ky do të ishte “shekulli i shqiptarëve”.
Por, jo! Asgjë nuk ka ndodhur gjatë këtyre tre dekadave që të na bejë të besojmë një gjë të tillë. Përkundrazi! Sulmi dhe shkatërimi i varrit dhe bustit të Midhat Frasherit, ditë e fundit, mu në zemër të Tiranës, tregoi qartë se për shoqërinë dhe shtetin shqiptar, gjoja “demokratik” dhe anëtar të NATO-s, Lufta e Dytë Botërore nuk ka marrë fund ende. Një provë kjo e gjallë për të gjithë ata që mendonin se gjërat mund të ndryshonin në Shqipëri, në paqë e siguri, pa urrejtje dhe dinjitet për të gjithë dhe pa dallime politike, ashtu siç bëri thirrje Antonio Guterres në mesazhin e tij drejtuar botës, për Vitin e Ri, 2023. Lista e urrejtjes zyrtare ndaj ish-kundërshtarve të komunizmit barbar të Enver Hoxhës edhe sot e kësaj dite është shumë e gjatë ndaj më të mirëve të Kombit Shqiptar, si At Gjergj Fishta dhe Midhat Frasheri, e shumë e shumë të tjerë, të cilëve as varret nuk u dihen se ku i kanë, nëse i kanë. Heshtja zyrtare ndaj këtyre akteve të shëmtuara kriminale inkurajon akte të tjera si kjo e ditëve të fundit në Tiranë. Duke përjetësuar kështu urrejtjen nga një brez në brezin tjetër midis shqiptarëve. E pa-falëshme!
Shqiptarët, ndonse të shpërndarë në pesë shtete, janë një komb, kanë një gjuhë dhe një histori, janë vëllëzër e motra të një gjaku. Megjithkëtë, fatkeqsisht, historia dhe shpresat e fillim shekullit 21 kanë ndeshë përsëri në një numër trysnishë, kryesisht politike si rrjedhim i antagonizmave dhe përçarjeve midis partive të ndryshme, sa që edhe për optimistin më të madh, vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtij çerek shekulli për të jetuar në paqe, harmoni dhe në vëllazërim kombëtar me njëri tjetrin. Ishin këto 30-vjetë “post-komunizëm” që, fatkeqsisht, u dalluan nga mungesa e tolerancës politike, mungesës së kulturës politike dhe shoqërore ndaj njëri tjetri, pothuaj në të gjitha nivelet e shoqërisë, e sidomos në radhët e partive politike dhe të qeverive të drejtuara prej tyre. Askush nuk flet për pajtim midis shqiptarëve!
Rezultatet e kësaj politike shkatërruese kombëtare, besoj se sot shihen nga të gjithë. Prandaj, si rrjedhim, 30- vjetë pas rënjes së Murit të Berlinit dhe me Kosovën e pavarur, ka ardhur koha që vullnet mirët dhe atdhetarët e vërtetë të konsiderojnë një fillim të ri politik dhe shoqëror, të vendosin për një angazhim serioz, për një harmoni me të vërtetë vëllazërore atdhetarizmi me njëri tjetrin, me gjithë ndryshimet dhe pikpamjet politike që mund të ekzistojnë midis tyre. Rrugë tjetër nuk ka.
Duke shkruar këto mendime modeste, mu kujtua një shkrim i Ernest Koliqit, të cilin po e parafrazoj pasi nuk më kujtohet burimi i vërtetë për ta cituar tekstualisht, por duke folur për pajtim midis shqiptarëve, ai është shprehur se paqeja e njerës palë e siguruar nga gjaku dhe vuajtjet e gjysmës së palës tjetër nuk zgjatë shumë edhe nëqoftse mbahet në këmbë për një kohë. Që Kombi shqiptar të bëhet pjesë e paqës dhe pajtimit botëror dhe të një bashkjetese të harmonizuar botërore, logjika e kërkon se duhet më së pari që të pajtohemi ne, si shqiptarë, me njëri tjetrin. Që të jemi të bashkuar me mend e zemër, të gjithë pa dallim, si shqiptarë që Shqipërinë e duan SHQIPTARE. Është pra, në dorë të shqiptarëve nëse ata zgjedhin paqën, harmoninë, bashkjetesën dhe pajtimin për një jetë të lumtur për të gjithë dhe pa dallim – pjesëmarrës të barabartë në proceset demokratike – apo do të zgjedhin grindjet, konfliktet dhe mos pajtimin midis tyre që çon drejtë një humnere të rrezikshme dhe të pafund, kombëtarisht.
Urojmë pra, që Viti i Ri, 2023, të shërbejë si një fillim i ri, si një rast që në Vitin e Ri, shqiptari të mos e përjashtojë dhe të mos e urrejë shqiptarin, vetëm e vetëm, se tjetri ka pikëpamje të ndryshme politike. Por të punojnë së bashku për dashurinë ndaj Shqipërisë dhe shoqi-shoqit si dhe për hir të përparimit ekonomik dhe politik të mbarë Kombit shqiptar. Kështu do të ishte e mbara.
Ky pra është urimi për Vitin e Ri – por besoj se edhe i shumicës dërmuese të shqiptarëve kudo –që shqiptarët në përgjithësi dhe klasa politike shqiptare, në veçanti, të dëgjojë zërin e arsyes dhe tu tregojnë, “Miqëve dhe armiqve, anembanë botës, se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.” (At Anton Harapi).
Si është e mundur që shqiptari sot pajtohet, bëhet mik dhe quan vëlla turkun, grekun e serbin – por nuk pajtohet me vëllain e vet? Ne duhet ti kemi të gjithë këta miq, por vëllezër e motra janë ata të një gjaku, të një gjuhe e të një kulture, të një historie e identiteti! Të huajve u ndërtohen buste e monumente në trojet shqiptare, ndërsa personaliteteve të historisë së Kombit shqiptar u shkatërrohen ato natën për terr. Diçka nuk është në rregull me këtë vend, që të pakën deri tani ende e quajmë Shqipëri.
Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, nga trojet e veta. Por fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Mos të humbet rasti historik që shqiptarëve tu jepet arsye dhe mundësi që të qëndrojnë në trojet e veta stërgjyshore dhe që të kenë besim në një Shqipëri e Kosovë demokratike ku të gjithë ta ndjejnë veten të barabartë dhe pjesëmarrës në proceset demorkatike dhe të mos marrin rrugët e botës, vetëm e vetëm se klasa aktuale politike me ndasitë dhe me përçarjet midis veti, po bjerrë aspiratat e
shqiptarëve për një jetë më të mirë, në paqe e siguri, pa urrejtje dhe me dinjitet në shtëpitë e tyre, në Atdheun e të parëve.
Urojmë Paqë e Pajtim midis Shqiptarëve në Vitin e Ri, 2023!
Vëllazërisht,
Frank Shkreli