22/12/2024

PAPA KLEMENTI XI (GJON FRANÇESK ALBANI)

0
Papa-Klementi-XI

Nga Lutfi ALIA

Më 8 dhjetor 1700, nё krye tё Selisё sё Shenjtё u zgjodh Papa Klementi XI (Giovanni Francesco Albani). I ati, Karl Albani (1623 – 1684), ishte pasardhёs i familjes sё vjetёr fisnike e Mikel Laçit, kapidanit tё Kurbinit, i cili kishte shёrbyer nё radhёt ushtrisё tё Gjergj Kastriotit dhe pas vdekjes të kryetrimit, emigroi nё Urbino, ku u mirëprit nga kontit Federiku III i Montefeltro. Dy djemtë e Mikelit,Gjergji dhe Filipi kaluan në shërbim të Françesko Della Rovere, duka i Urbino, që mori drejtimin e dukatit pas vdekjes të kontit Montefeltro (1508), i cili nuk la trashëgimtar. Në vitin 1508, Françesko Della Rovere ua ndryshoi mbiemërin nga Laçi në Albani, për të shprehur origjinën e tyre albaneze. (Pompeo Litta: Della Rovere di Savona, in Famiglie celebri italiane, vol. 12, Milano, 1834). (Gianluca MontinaroFra Urbino e Firenze. Politica e diplomazia nel tramonto dei Della Rovere 1574-1631, EdizioneLeo S. Olschki, Firenze 2009).

Me Gjergjin dhe Filipin, në fillimet e shekullit XVI, vazhdoi historia e dinastisë të familjes Albani, e përfaqësuar me shumëpasardhës, që u shquan në historinë e Italisë, ndër të cilët rradhiten Papa Klementi XI (1649 – 1721); tetë kardinalë (1570 – 1801), një senator i periudhës monokratike (1624) dhe nga viti 1721 e në vazhdim katër princa Albani, deri në shuarjen e linjës mashkullore në vitin 1852.

Karl Albani, në vitin 1647 u martua me Elena Moska, e bija e markezit Moska i Pezaros. Më 23 korrik 1649, në Urbino lindi Giovanni Françesko Albani – Gjon Françesk Albani – Papa Klementi XI. Ende pa mbushur moshën një vjeç, i vdes e ëma Elena.Për rritjen dhe edukimin Gjon Françesk Albani u impenjua halla e tij, Giulia Albani (1630 – 1718) motra e Karlit, grua autoritare, e shquar për formimin e lartë kulturor, e martuar me Giovanni Andrea Degli Abati Olivieri. (Ludwig von Pastor, Storia dei Papi, XV, Roma, 1933). (Alfredo Reumont Source: Archivio Storico Italiano, Nuova Serie, Vol. 1, No. 1 (1) 1855), pp. 196- 216 Published by: Casa Editrice Leo S. Olschki).

Pas mësimeve të para në Pesaro dhe edukimin nga halla e tij, në moshën 11 vjeç, Gjon Françesk Albanin e dërguan në Romë në kolegjin e Jezuitëve, ku kompletoi formimin e tij arsimor dhe fetar. Në drejtimin e të famëshmit Pierre Possines, përvehtësoi greqishten e vjetër, ku kultivoi talentin për gjuhët klasike dhe u aftësua për përkthimin në italisht të shkrimeve në latinisht dhe në greqishten e vjetër. Gjatë frekuentimit të studimeve në kolegj pëktheu nga greqishtja në latinishtnjë omeli të Sofronit të Jeruzalemit dedikuar shenjëtorëve Pietro dhe Paolo dhe njëlëvdatë për Shen Markun Evangjelist të shkruar nga dhiakoni Prokopi, madje ky përkthim u përfshi në Acta Santorum, Aprilis, Tomus III.Në të njëjtin vit e dërguan në Manastirin e Grottaferrata, për të përkthyer në latinisht pjesën e dytë te Menologio të Bazilit II. Pas përfundimit të kolegjit u regjistrua në Universitetin e Romës ku u laureua “in utroque iure – në të drejtën civile dhe kanonike”. Në moshën 19 vjeç (më 1668), në Urbino fitoi titullin doktor. Aftesitë e tij u bën të njohura në kohë të shkurtër, mbretëresha Kristina e Suedisë, e ftoi në Akademinë e Suedisë. Aty Gjon Françesku u miqësua me shkrimtarë, poetë, piktorë, filozofë dhe kompozitorët më të famëshmit e asaj kohe. Në vitin 1673, me kompetencat si jurist, hartoi statutin e sinodit të Farfa dhe Subiako, shkroi tekstin me kritikat për neoptizmin, që u aprovua dhe u shpall nga Papa Inoçenci XII me bulën Romanum decet pontificem. Në saj të kulturës dhe të kompetencave juridike dhe të aftësive në drejtimin e Kishës, ishte këshilltar i Papa Aleksandri VIII dhe i Papa Inoçenti XII. Kuria Romane e vlerësonte për aftësitë, kulturën, ndershmërinë, si klerik i pakorruptueshëm dhe konseguent në qëndrimet kundër nepotizmit.

Në vitin 1670 u emërua kanonik i Bazilikës të Shën Lorenco. Në vitin 1677 ishte prelat nderi i Papës dhe njëkohësisht kryente detyrën e addminsitratorit të dioqezës të Orvieto, Rieti dhe Sabina. Gjatë viteve 1676-1689 ishte referues i Gjykatës Supreme Apostolike me liçencën e avokatit të konçistorit. Më 22 maj 1683 ishtë vikari i Bazilikës të Shen Pjetrit në Vatikan, por vazhdonte dhe kanonik i Shen Lorenco. Nga 5 tetori 1687 deri më 23 nëntor 1700 ishte Sekretar i Shtetit të Vatikanit. Më 29 tetor 1688 e emëruan kanonik i Bazilikës të Vatikanit, më 1690 abat-komendador i Abacisë Kazamari, po atë vit, Papa Aleksandri VIII i dha titullin kardinal dhiakon i Shen Adriano në Foro; më 30 mars 1700 e bëri kardinal i Shën Silvestrit. Në shtator 1700 u shugërua prift dhe më 6 tetor celebroi meshën e parë në Bazilikën e Shen Maria e Engjëjve në Romë.

Më 23 nëntor 1700, në pallatin Apostolik, këshilli i kardinalëve e zgjodhi Papë Gjon Francesk Albanin, i cili preferoi emrin Klementi XI. Gjon Françesk Albani, nuk pranoi menjëherë vendimin e konklavit, por kërkoi tre ditë të reflektoi. Më 30 nëntor, Papën e porsazgjedhur e shpallën Ipeshkëv dhe më 8 dhjetor 1700 u kurorzua i 243° Papë në fronin e Shën Pjetrit. Shërbeu në krye të kishës katolike deri më 19 mars 1721, ditën që u ngjit në amëshim.

Në aktet e para të shpallura insistoi në forcimin e kishës katolike, kundërshtoi të gjitha përpjekjet e miqëve dhe familjarëve për të përfituar në emërin e tij, për të marrë poste politike, fetare, tituj fisnikërie dhe tituj publikë. Ka merita në çrrënjosjen e Jansenizmit, madje në bashkëpunim me Luigjin XIV të Francës, Papa Klementi XI shpalli Kushtetutën Apostolike “Vineam Domini Sabaoth (17 korrik 1705) dhe ndëshkimin e jansenistëve si heretikë (Bula Unigenitus Dei Filius del 1713). Në vazhdim të përpjekjeve të pararendësit të tij Papa Inoçenti XII, Papa Klementi XI, riktheu në rendin e vet kishën katolike Kopte, si dhe kishën maronite.

Papa Klementi XI, i ripërtriu mardhëniet me atdheun e origjinës të familjes, u impenjua shumë për rilindjen

politike dhe fetare të Arbërisë. Nё vitin 1701 deklaroi: “Rimёkёmbia e Arbërisё dhe rizgjimii ndёrgjegjes kombёtare, do tё vijinё duke e ruajtur gjuhёn, fenё dhe historinё e tё parёve, qё pёrfaqesojnё simbole tё unitetit kombёtar”.

Më 1702, me vendim të Papa Klementit XI, u themelua kolegji për arbëreshët e Italisë në Shen Miter Korone, ku u përgatitën shumë klerikë, që me pas shkuan me misione apostolike në trojet e atdheut. Klerikët e shkolluar në këtë kolegj, kryesisht shërbyen në kishat arbëreshe, ku mesha, ritet dhe ceremonitë fetare, katekizma e krezma zhvillohen në dialektin arbëresh, pra në gjuhën albaneze, që flitej në trojet tona në shekullin e XV. Në këtë kolegj, kanë studiuar shumë albanezë, që pasi u shugruan priftërinj, u kthyen në atdhe, ku shërbyen me devotshmëri në ruajtjen dhe forcimin e besimit katolik dhe njëkohësisht realizuan shkrime në gjuhën albaneze. Me porosi direkt të Papa Klementit XI, frati Fraçesko Maria Da Lecce në vitin 1702 hartoi fjalorin Italisht – Shqip “Dittionario italiano-albanese” dhe në vitin 1716 gramatikën e gjuhës shqipe “Osservazioni gramaticali nella lingua albanese”. Ky libër ka shërbyer për kohë të gjatë për mësimin e gramatikës të gjuhës albaneze, si për klerikët që shërbenin në kishat arbërore dhe për nxënësit, që frekuentonin shkollat e katekizmës dhe shkollat e shkrim – këndimit në gjuhën shqipe.

Me vendim dhe nёn kujdesin e Papa Klementi XI, u mbajt Kuvendi i Arbёrit (Kёshilli i parё fetar i kombit albanez), qё u mblodh në Kishën e Shën Gjon Pagëzorit, në Mërkinjë afër Lezhës, të dielën e dytë të Epifanisë (Dita e Ujit të Bekuem), më 14 – 15 janar 1703.Ky kuvend i rёndёsishёm, shënoi ndryshime rrënjësore në linjën e veprimit të klerit, për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore në trevat arbërore, si dhe përcaktoi detyra pёr hapjen e shkollave nё gjuhёn shqipe. Në aktin e Kuvendit të Arbërit, masave për mbarëvajtjen e shkollave nё gjuhë albaneze, iu kushtua kreu V, i pjesës së IV, ku theksohej: “Mësuesit të mos lënë pas dore mësimin e shkrimit dhe të leximit nё gjuhёn albaneze …”.

Në këtë kuvend kryeipeshkëvi imzot Zmajeviçi, mbajti fjalën e hapjes të këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë. Imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkëve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit, porositë e Papa Klementit XI, me detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen e klerit, për lirinë e e besimit fetar katolik dhe lirinë e popullit nga zgjedha shumë shekullore e Perandorisë Osmane. Në Kuvendin e Abërit, pjesmarrësit analizuan aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve, kremtimin e riteve liturgjike, lirinë fetaredhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror, nën sundimin otoman, me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë, e sidomos me rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar dhe të gjuhës shqipe.

Në përfundim, vendimet e Koncilit të Arbërit, të shkruara në shqip dhe latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit nga Papa, më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin “Kuvendi i Arbënit o Koncili Provincial i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë arbërorin Klementin XI Papë Pretëmadhin”.

Imzot Zmajeviçi vendimet e kuvendit i shoqëroi me një letër drejtuar Papa Klementit XI, përmes së cilës shihet qartë se kleri katolik shqiptar i qëndroi pranë në gëzim e në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Letrën dërguar Papa Klementit XI, nga Imzot Zmajeeviçi, po e prezantoj shkurtimisht: “Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, – uh, ç’dhimbje, – vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; pashë (Arbëninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindet, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë.Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m’u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s’pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue.Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën Papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t’iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande… E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t’ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë edhe ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe…”

Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre”..

Gjatë pontifikatit, Papa Kleementi XI shpalli organizimin e tre jubileve të jashtzakonshëm me motivacionet: a. për inaugurimin e pontifikatit (në krishlindjen e vitit 1701); b. për marrëdheniet paqësore ndërmje princave të krishterë (1706); c. lutja Zotit të ndihmoi armët e venecianëve kundër turqëve (31 maj 1715).

Me bulën Comissi nobis (më 6 dhjetor 1708), shpalli universale festën e Zonjës të Papërlyeme; me 4 shkurt 1714 me dekret të posaçëm vendosi festimet e Shën Xhiusepe, me meshë zyrtare etj, pra për merita të Papës tonë festohen edhe në ditët e sotme në të gjitha vendet e botës katolike.

Në vitin 1701, Papa Klementi XI miratoi themelimin e Akademisë të Fisnikëve Ekleziastikë (aktualisht Akademia Pontifike Ekleziastike), për edukimin me kulturë diplomatike të klerikëve dhe të familjeve fisnike, akademi që funskionon dhe në ditët e sotme, për formimin e priftërinjëve të ngarkuar në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë.

Në Vatikan dhe gjërësisht në Romë, janë të shumta ndërtimet dhe veprat e realizuara me porosi dhe nën kujdesin dhe me mbështetje financiare nga vetë Papa Klementi XI, vepra që ruhen në ditët e sotme, ndër të cilat rendisim: Projekti i portës se brendëshme të Pallatit të Konservatorëve (vepër e Aleksandër Speki e realizuar në vitin 1705); riformim i fasadës të kishës Shën Silvestri; në vitin 1702; urdhëroi rikonstruktimin e Portës në fasadën e Bazilikës Shen Maria Transtrevere (projekti i Karlo Fontana); rikonstruktoi kishën e Shen Teodorit në Palatino (aktualisht kishë ortodokse); u ndërtua shatrivani përballë kishës Shen Pietro në Montorio (vepër e Karl Fontana); u ndërtua kisha Shën Maria e Engjëjve (aktualisht njihet si Linea Klementina); u rikontruktua fasada e kishës Shen XII Apostujt; në bazilikën Shën Sebastiani jasht mureve, ndërtoi kapellën Albani (në nderim të familjes Albani); në vitin 1715 u ndërtua shatërvani i Tritonëve në sheshin “Goja e të vërtetës”; në vitin 1711 ngrijti obeliskun e Panteonit; ndërtoi ujsjellsin e Civitavechia etj, etj.

Gjatë 21 viteve të Pontifikatit, Papa Klementi XI dha një kontribut të shquar për forcimin e kishës, por dhe për zhvillimin urban, eknomik e kulturor të Romës dhe të Shtetit të Vatikanit.

Në javën e dytë të muajit mars 1721, nuk ndjehej mirë me shëndetin, megjithatë vazhdonte aktivitetet plot dinamizëm, pa u ankuar. Më 18 mars, pasi celebroi meshën e mëngjesit, pa pritur gjendja shëndetësore u keqësua me ethe, me dhimbje kraharori, sidomos në anën e majtë, me kollë dhe dobësi trupor, që e detyruan të shtrihej në shtrat. Më 19 marsgjendja u rëndua nga ethja dhe vështirësitë në frymëmërrje nga pneumonia, që ia bllokoi frymëmërjen dhe rreth mesditës Papa Klementi XI u ngjit lart në amshim pran Atit.

Trupi i Papa Klementit XI (Gjon Françesk Albani) është vendosur në dyshemenë e Kaplës të Korit të Bazilikës të Shën Pjetrit, e mbuluar me një pllakë mermeri porfid (ngjyrë të kuqërremtë). Kapitoli i Shën Pjetrit ka aprovuar festimin çdo vit të 19 marsit, në nderim të veprës së shquar të Papa Klementit XI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok