“Panorama” pa grimcat humoristike të Profesorit Edmond Tupja

0

Nga Eshref Ymeri

U bënë disa muaj që Profesori i frëngjishtes Edmond Tupja, specialisti i shkëlqyer i kësaj gjuhe, mjeshtri i përkryer i përkthimit gojor dhe i përkthimit të prozës artistike, ka ca kohë që nuk del më në “skenën” e gazetës “Panorama” me grimcat e përsosura humoristike. Ishim mësuar me atë lloj humori bukur të qëndisur, që na kënaqte pa masë me elegancën artistike të këtij Profesori të talentuar. Por… nuk jam në dijeni se çfarë ka ndodhur, pse ka heshtur pena e këtij Profesori të nderuar në faqet e asaj gazete. Diçka duhet të ketë ndodhur. Menjëherë më lindi një dyshim. Por, për t’u siguruar nëse dyshimi im mbështetej ose jo mbi një truall vërtetësie, u interesova të mësoja ndonjë hollësi për arsyen e “heshtjes” së grimcave të këndshme të Profesorit   në faqet e asaj gazete, si mjeti me autoritet mes mjeteve të tjera të informimit masiv.

Përmes postës elektronike, i dërgova një letër një ish-koleges sime në Fakultetin e gjuhëve të huaja, ish-profesoreshë e departamentit të frëngjishtes, tani në pension, mikeshë e vjetër e Profesorit Edmond Tupja. E pyeta nëse dinte gjë se pse Profesori nuk boton më grimca humoristike në atë gazetë. E njohur për korrektesën e saj shembullore, ajo më ktheu përgjigje menjëherë. Dhe ja çfarë më shkruan:

“Profesor Mondi, prej disa muajsh, nuk qëndis as qesëndit më shkrime te “Panorama”, sepse u pati rënë aq fort plehradjegësve, saqë nga redaksia e gazetës në fjalë e patën njoftuar se shkrimet e tij nuk do të dilnin të shtypura në letër, ngaqë çmimi i kësaj të fundit në tregjet botërore ishte ngritur jashtëzakonisht, por ai mund të botonte online falas! Në fakt, siç mësova më vonë, gjysma e dytë e fjalës “Pano/Rama” duhej të kishte pasur  përplasje me gjysmën e saj të parë, pra, me pronarët, por edhe me krerët e redaksisë, sipas gjasës”.

U habita, saqë lash mendjen: si është e mundur që drejtori i asaj gazete, e cila, siç dihet, është e madhe dhe blihet nga lexuesit, Robert Rakipllari, t’i nxjerrë një arsye të tillë Profesorit Edmond Tupja për mosbotimin e grimcave të tij humoristike? Aq më tepër që ajo gazetë, në këndvështrimin tim, është objektive në lajmet që boton dhe qëndron jashtë ndikimeve politike. Për Robert Rakipllarin kam krijuar bindjen me kohë se është një intelektual dinjitoz dhe guximtar në pasqyrimin dhe mbrojtjen e së vërtetës n\ë faqet e asaj gazete. Justifikimi se qenka shtrenjtuar letra në tregjet botërore, me sa duket, është thjesht një mana për trahana, se ato grimca humoristike në faqet e gazetës zinin një hapësirë fara-fare të vogël.

Me sa duket, pronari i asaj gazete duhet të jetë zënë ngushtë nga presionet e “Putinit shqiptar” Rama, i cili, si i dashuruar marrëzisht me pushtetin për shkak të komplekseve të inferioritet, komplekse këto që ia kanë gërryer aq keq trurin, saqë ia kanë bërë shpellë fare, s’i duron dot as grimcat humoristike në adresë të qeverisë të tij, sepse, sipas mendjes së tij të ndryshkur, ia tundin themelet e pushtetit personal. Sigurisht, se ai i gjorë s’e përfytyron dot veten jashtë posteve të rëndësishme, jashtë politikës. Domosdo, se ai, jashtë politikës, s’është i aftë të bëjë asgjë për të qenë, siç e ka vërtetuar jeta me fakte konkrete.

Pikërisht, ashtu si edhe sivëllai i tij Putin, Rama i ka halë në sy mjetet opozitare të informimit masiv dhe ka bërë çmos për mbylljen e tyre. Le të kujtojmë për një çast mbylljen e kanalit televiziv “Agon Channel”. Mbyllja e atij kanalit televiziv, si opozitar ndaj Ramës dhe  qeverisjes së tij, a nuk dëshmoi për natyrën e tij frikacake? Natyrën e tij frikacake a nuk e dëshmon edhe qëndrimi i tij ndaj  kanalit televiziv “Ora News”, edhe ky opozitar me Ramën dhe qeverinë e tij? Padia që ngriti pronari i televizionit “Agon Channel” Françesko Beketi (Francesco Bechetti), u kushtoi taksapaguesve shqiptar një shumë të majme prej 110 milionë euro, të cilën, po të kishim një shtet ligjor, duhej t’i paguante Rama.

Me siguri që Ramën “e ka zënë samari” edhe me gazetën “Panorama”. Dhe mëria e tij me këtë gazetë duhet të jetë e hershme.

Ish-deputeti Andis Harasani, kur Rama ishte në opozitë, deklaronte si më poshtë:

“Në PS është bërë mbizotëruese filozofia e të qëndruarit sa më pranë kryetarit të radhës. Nëse do që të jesh në listë dhe në vend të mirë për deputet, duhet të jesh pranë kryetarit… Shkurt, nëse do të doje një histori vetjake suksesi në politikë, duhet të jesh pranë kryetarit… Në këtë kuptim, shumica e kolegëve të mi të PS-së, ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, ndryshe flasin në publik dhe ndryshe flasin në kafene. Tek ata ka mbizotëruar filozofia e kryetarit që mendon se sa kohë ta mbajë trëndafilin në grusht, ka gjithmonë një shans për të ardhur në pushtet, dhe ndaj e shtrëngon aq fort e harron çdo gjë tjetër” (Citohet sipas: Andis Harasani. “Qumështi në diktaturë dhe PS-ja”. Gazeta “Panorama”. 24 qershor 2011).

Më vjen shumë keq që nuk do të zbavitemi më me humorin mbresëlënës të Profesorit Edmond Tupja për shkak të etjes egërsore të Ramës për pushtet.

Kaliforni, 06 nëntor 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok