24/07/2024

Pano Taçi, poeti që lëvroi në një tokë prej zjarri dhe pasioni, epshi dhe dalldie

0

NE PERVJETORIN E VDEKJES SE POETIT

Nga Albert Vataj

Nuk mund dhe nuk duhet të ike ky përvjetor ndarjeje me skalitësin e zemrës prej fjalësh dhe përjetimi, pa një kujtesë, pa disa ndërmendje të bukura dhe të çiltra për poetin që jetoi poetikisht dhe shkroi poezi të guximshme, lëvroi në një tokë prej zjarri dhe pasioni, epshi dhe dalldie, metafora dhe vargjet që do ta bëjnë atë të përjetshëm.

Pano Taçi ishte padyshim një nga ato poet që nuk mund t’i marrë harresa, jo sepse kanë lënë pas një vepër, libra dhe një përpjekje vullnetmirë krijuese, por sepse ishte i veçantë dhe shkroi poezi të ndezura në flakën e Erosit dhe Kupidit.

Pano Taçi është i përzgjedhur në Bibliotekën Tragjike Botërore në Irlandë midis 400 poetëve të gjallë të këtij shekulli, që më shumë se tituj librash ka vite burgu. Pas rrëzimit të diktaturës jetoi i vetmuar deri në fund të jetës së tij më 13 qershor 2012. Shkroi e botoi përmbledhje gati 20 vëllime poetike, drama e kujtime. Është vlerësuar nga kritika si një poet i veçantë, dhe ka marrë disa çmime letrare brenda dhe jashtë vendit.

Për Dritëro Agolli, Pano Taçi ishte një pemë e veçantë kopshti. Ishte poet origjinal, poet që vetëm ai mund të jetë i tillë. Në pemët e kopshtit të poezisë, Pano Taçi ka pemën e tij të veçantë, që nuk ngatërrohet me pemët e tjera. A ka gjë më të mirë se kjo? Duke vështruar nga të gjitha anët metaforën vuajtjes dhe të qëndresës, mund të zbulosh një element të çuditshëm të Pano Taçit, që është karakteristikë e poetëve të mëdhenj. Ky element është përqeshja e vuajtjes, humori mbi këtë vuajtje: Koka ime e kositur,/ Si aerodrom me tre viza,/ Mbi tri kodra bërë nga shkopi,/ Ulen si avionë tri miza…

“Gjendje dhe gjetje të mirëfillta poetike; shumë pikëllim dhe pak shpresë; hove të fundme dashurore në pleqëri të thelle, – ja ç’na kumton me një thjeshtësi prekëse poeti endacak Pano Taçi, të cilit si burgu, si pasburgu, ia mpakën por s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuaj serembiane. Humbellat e dhembjeve dhe ritmi i valëve të një jete të trazuar të pikin në zemër dhe të bëjnë të mendosh se njeriu nuk është një ishull i vetmuar: fati i tij është pjesë e fatit të të gjithëve. Fjale drithëruese, pagëzim gazavaji . Fjalë njeriu për njeriun. Mbi e nën dhê, shkruante për Pano Taçin,  Xhevahir Spahiu.

Për poeten Luljeta Lleshanaku, Pano ishte mik dhe vazhdues i Lasgush Poradecit, përpiqet të ruajë timbrin e ëmbël, ritmin e qartë si pikat e shiut në çatitë e orëve të vona në shkurt. Megjithatë, poezia e tij s’është kurrë krejt e qetë, ajo është fërkim dy gjendjesh, dy rrymash, të cilat shkojnë në drejtime të kundërta të një barke të madhe, me dallgët që shkojnë në drejtim tjetër, dy resh me ngarkesa të kundërta, një rrufe e thatë që shpon qiellin si nepërka e etur në gusht.

Duke lexuar poezinë e Pano Taçit kemi shfletuar dramën e njeriut të ndershëm, ku te gjitha fletët janë të përthyera në skaj, si cepa të kujtesës, ku të gjitha fletët janë dëshmitare, janë të domosdoshme si brinjë të kafazit ku u përmbyll për aq kohë ai.”

“Një libër i Pano Taçit është një bashkëbisedim i shkujdesur me të, një rrëfim me zemër në dorë për shtegtimet e shpirtit të tij. Është vështirë ta ndash Pano Taçin njeri nga Pano Taçi poet. Domethënë gjithë ndërtimin e tij fiziko-shpirtëror, heshtjen e tij, ngrysjen e vetullave si për të fshehur xixëllimën e syve, një brengë të tijën, të kushediseçfarët e të përhershme që gjendet prapa heshtjes olimpike, por edhe para romuzit, shakasë së beftë dhe natyrës së tij prej bohemi”  kumton Vath Koreshi.

Sadik Bejko, shkon në kreshtë të vlerësimit për poetin: “Pano Taçi është një mrekulli si poezi dhe si fenomen. Ai, mbas sa e sa vitesh te burgut dhe te internimit, ruan vitalitetin e shijes së jetës, ruan të gjallë një vijimësi nga poezia e Lasgushit dhe e Ali Asllanit. Hokatar dhe tragjik njëherësh, ai nën pamjen e një plaku ashik e qejfli, mik i tavolinave e i rrugëve, përherë buzagaz, sjell një përvojë të madhe e të thellë të njeriut që u ka kaluar vuajtjeve mespërmes.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok