17/12/2025

Pak art, shumë injorancë

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Arsyeja kryesore e mjerimit tonë të gjithmbarshëm, lidhet pikërisht me faktin se ne kemi art pak, dhe, më tragjikja, ushqehemi me art pak, prandaj, zhvillohen kaq lehtë mes nesh barërat e këqija, egërsia dhe injoranca.

Mjerisht, këtu te ne, ku delli i marrëzisë çon krye shpesh, ka të tillë që merren me art, dhe këtë veprimtari sublime njerëzore e shpërdorin për dobi të fuqisë së pushtetit, për propagandë, dhe ky vërtet është tragjizëm i pashpjegueshëm.

Se, artisti i vërtetë, njeriu i kulturës, përherë i thërret njerëzit që t’i hapin sytë e të shohin realitetin me sytë e artit e të kulturës dhe jo me sytë e fuqisë së pushtetit.

Shkrimtari i mirënjohur, Albert Camus te teksti “Artisti dhe koha e tij”, flet për vokacionin e vërtetë të artistit, i cili, sipas tij duhet t’iu japë ngushëllim dhe forcë atyre që luftojnë për një botë të drejtë.

Këtu, ka plot njerëz, që bëhen sikur merren me kulturë, të tillë ka edhe nëpër institucione të larta të dijes, që çirën, duke iu kërkuar njerëzve të bëhen berra të fuqisë së pushtetit, e nuk çajnë krye t’iu japin ngushëllim dhe forcë atyre që luftojnë për një botë të drejtë.

Pra, artisti, këtu, shpesh shërben si një zgjatim i mjerë i sinjaleve të këqija të fuqisë së pushtetit dhe jo i sinjaleve melodike të artit, që i zbut zemrat dhe i bën më të ndjeshme.

Këtu, po, ka plot artistë, që nuk e lodhin fare trurin t’i ndihmojnë shikuesit, lexuesit e dëgjuesit, të shikojnë botën përmes syve të artit, përkundrazi, ka plot diletantë, ndoshta edhe keqdashës, që i thërrasin njerëzit të shohin përmes kultit të prijësit, të cilit i japin atribute të shenjta, që nuk i gëzon askush mbi faqe të dheut.

Prandaj, ka artistë, këtu, që nuk janë ngushëllim për njerëzit e as nuk lodhin trurin për drejtësi.

Ekziston një e vërtetë e gjithmbarëshme: fuqia e pushtetit, sado demokratik të jetë shteti, kurrë nuk është aq e mirë sa të mjaftojë përjargien e njerëzve të artit. Në të vërtrtë, të askujt.

E, në realitetet tona, fuqia e pushtetit, ka kohë që nuk matet me vlerat e demokracisë e me shkallën e progresit njerëzor, por me ambicie të qarta, për t’i reduktuar liritë njerëzore aq sa rrok konopi i ideologjisë së partisë që sot posedon fuqinë.

Prandaj, këtu është gdhendë fytyra e shëmtuar e arrogancës dhe mjerimit.

Njerëzit e  kulturës dhe të artit, nëse janë të tillë, duhet të promovojnë ide humane, të së bukurës, të shpirtërores dhe jo të fuqisë së pushtetit, se, pushtetin, nuk ka askush nevojë ta promovojë e as ta

mbrojë, se ai është i mbrojtur aq shumë nga arkitektura e vet, sa krejt tjerët që vihen në shërbim të tij, duken veç palaço.

Këtu, te ne, ka injorancë me tonelata dhe këtë injorancë, kultura duhet ta kurojë e ta gdhendë, si një poezi a skulpturë, t’i jap shpirt të bukur dhe jo të bëhet medium transmetues i së keqes.

Shoqëria njerëzore, deri me sot, mjetin kryesor, për t’ia ndalë hovin të keqes e ka kulturën e artin, prandaj abuzimi me të është shkalla më brutale e atakimit të një shoqërie.

E kam thënë shpesh: vendi ynë, ka kohë që i ka mbyllë dyert dhe dritaret për ajrosje, mjerisht as që ndjehet nevojë për ajrose nga duhma e keqe dhe smogu i tmerrshëm mendor, ku tallavaja është shtresuar si formë absolute e pushtetit të gjithmbarshëm.

Pikërisht këto dyer e këto dritare, artistët dhe njerëzit e kulturës, duhet të luftojnë që të hapen e jo të mbyllen.

Shkrimtari Albert Camus, këshillon:

“Arti ndoshta në vetvete s’mund të prodhojë rilindjen që nënkupton drejtësi dhe liri. Por pa të, ajo rilindje do të ishte pa formë dhe, rrjedhimisht, do të ishte asgjë. Pa kulturë dhe lirinë relative që ajo nënkupton, shoqëria, edhe kur është e përsosur, s’është veçse një xhungël. Kjo është arsyeja pse çdo krijim i vërtetë është një dhuratë për të ardhmen.”

Historia na tregon, se shoqëria që nuk ushqehet me art e me kulturë, por me troha politike, rrezikon të bëhet xhungël.

Shoqëria jonë, ka kohë që ndodhet më portat e rrezikshme të kësaj kohe, mbase, ndoshta e kemi futë njërën këmbë brenda.

Nuk e di!

Por e di se shoqëria jonë është e brishtë dhe e kequshqyer shekuj me radhë me ide e ideologji të këqija, ekstreme, që nuk përkojnë me vlera te demokracisë perëndimore, prandaj, t’i japësh asaj doza të këqija, domethënë të tentosh ta shkatërrosh krejtësisht.

Vendi ynë ësjtë zhytë në një mishmash kaotik, pa busull orientimi, në një krizë të frikshme që po e bjerr përditë shtetin tonë. Dhe kjo krizë ka shtrirje në krejt sistemin tonë të brishtë, duket thyer të gjitha parimet që e mbajnë një shoqëri të bashkuar. Prandaj, na duhet arti si ngushëllim dhe jo si propagandë. Prandaj, duhet të ushqehemi me art të mirë dhe vetëm me art të mirë dhe jo me propagandë.

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok