Pajtimi të Verrat e Llukës, ngjarja më kulmore kombëtare!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Në 32 vjetorin e ngjarjes më kulmore kombëtare të shekullit të kaluar, lexuesve po u sjelli një rrëfim të shkurtër që sjellë emocion tek të gjithë ish pjesëmarrësit në tubimin të Verrat e Llukës, e në veçanti tek ata që ishin protagonist të pajtimit të gjaqeve.

Rrugëtimi nga Bokshiqi deri tek fusha e pajtimit

Ditën e 1 Majit të vitit 1990, në orën 8 të mëngjesit, unë me mikun Hajdar Ahmeti nga Jabllanica e Dushkajes, bashkëshorten time Sebihanen dhe motren Florijen u nisem me makinë nga Bokshiqi për tek Verrat e Llukës, duke kaluar nëpër fshatrat e Lugut të Baranit; Gllogjan, Kosuriq, Çallapek, Baran, Kotradiq, Broliq, Lumbardh dhe në Llukë, ku të njëjtës rrugë edhe jemi kthyer pas përfundimit të tubimit.

Gjatë rrugës për të Verrat e Llukës hasëm në kolona të gjata të makinave, minibusëve, traktorëve dhe mjeteve tjera motorike të stërmbushura me krushq të pajtimit.

Me të arritur në fushën e madhe të Verrat e Llukës, u pozicionuam afër shtyllës elektrike në distancë diku rreth 50 metra përballë binës ku do të ndodhte mrekullia më e madhe shqiptare e shekullit.

Tubimi “Te Verrat e Llukes”, konsiderohet si tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, ku rreth 500 mijë shqiptarë u bashkuan në fushën e pajtimit. Vlenë të përmendet se kjo ishte një nga periudhat më të lavdishme, kur vetëdija kombëtare kishte arritur në nivelin më të lartë të mundshëm.

Këtij tubimi dhe zhvillimeve tjera të kohës u kishte praprirë formimi i lëvizjes paqësore demokratike të quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën, si përgjigje ndaj pushtimit klasik të Millosheviqit.

Në kohën e pajtimit të gjaqeve nuk luftohej për bajraktarizëm apo marrje të primatit për punët e mira për kombin, por punohej për të mirën e përbashkët.

Një nismë e mbarë që solli pajtimin kombëtar

Në nismën e shëndoshë të pajtimit kombëtar nuk kishte të bardhë as të kuq, nuk kishte të mëdhenjë e të vegjël, nuk kishte bajraktar e agallarë,…por kishte motra e vëllëzër të barabart dhe me entuziazëm të pastër patriotik, profesor e stundent, aktivist e veprimtarë, priftrinjë e hoxhallarë, qytetar dhe katundar të pajisur me urti e guxim, atdhedashuri e pajtim për ta ç’rrënjosë plagën e rëndë të hakmarrjes në krye me rininë, Prof. Anton Çetën dhe “Luanin” e pajtimit të gjaqeve, të madhin Zekeria Cana.

Në tubimin e madh të Pajtimit të Gjaqeve të “Verrat e Llukës” me 1 Maj 1990, e pata rastin ta shohë nga afër guximin dhe heroizmin e Zekeria Canës, të këtij atdhetari të madh, kur e vendosi trupin e tij para Autoblindit e policisë serbe, duke kërkuar nga policët serb që mos ta pengojnë tubimin, gjegjësisht, të mos provokojnë dhunë dhe gjakderdhje shqiptare, duke e marrë përsipër përgjegjësinë e këtij organizimi.

Ndjenja më e pastër dhe më e thellë shpirtërore e pa përshkruar me fjalë

Për të përshkruar e gjithë çfarë ka ndodhur atë ditë të Verrat e Llukës, duhen shkruar artikuj të gjatë, libra e romane nga përjetimet e qindramijëra pjesëmarrësve të këtij tubimi madhështorë

Ishte e pamundur të ndaleshin lotët kur gjaqet faleshin njëri pas tjetrit, kur motrat falnin gjakun e të vetmit vëlla, kur faleshin dy, tri e katër gjaqe mes dy familjeve të hasmuara.

Ishte kjo një ndjenja më e pastër dhe më e thellë shpirtërore e pa përshkruar me fjalë. Përjetimet dhe ndjenjat shpirtërore të qindramijëra njerëzve në tubimin e Verrave të Llukës më së miri i vërejmë në video-inçizimet e kohës.

Madhështinë e tubimit të Verrat e Llukës e shtoi edhe unifikimi i faktorit politik kombëtar. Në momentet kur permendej emri i Ibrahim Rugoves, gjysëm milioni njerëz brohoritnin me të madhe “Rugova, Rugova”…

Pa asnjë dyshim, tubimi te Verrat e Llukes, mbetet tubimi më madhështorë dhe ngjarja më kulmore e lëvizjes për pajtim dhe çlirim kombëtar.

Ndjehem krenar dhe me fat që isha në mesin e 500 mijë krushqëve të pajtimit.

Mirënjohje për rininë kosovare, Anton Çeta, Zekeria Cana dhe gjithë atyre që kontribuan për unifikim dhe pajtim kombëtar!

Lavdi dhe nderim i përhershëm të gjitha atyre familjeve që i falen gjaqet për lirinë e Kosovës!

Florim Zeqa, 1 Maj 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok