22/12/2024

Osman Osmani, përfaqësues i UNIA- së në manifestimin e Vjenës

0
u6_-i-prfaqsuesve-sindikalist

Prezantimi i përfaqësuesve sindikalistë

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

“Jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në të gjitha fushat e mundshme sindikaliste”

Me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Ligjit mbi Këshillat Punëtore të Ndërmarrjeve,  i organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Austrisë, Oda e Punës dhe Këshilli i Punëtorëve në Vjen u mbajt manifestim rasti. Morën pjesë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave Evropiane, ndërsa sindikata më e njohur e Zvicrës, Unia, u përfaqësua nga sekretari për migracion, Osman Osmani.

Njeriu ynë mërgimtar tani ka bërë hapa shumë progresiv në shoqërinë ku punojnë dhe jetojnë, kjo flet mbi energjinë që ka njeriu ynë kur i ka shtigjet e hapura. Shembull i tillë është Osman Osmani, sekretar në sektorin për migracion në UNIA-së, sindikata më e fuqishme në Zvicër e cila ka rreth 200’000 anëtarë deh e cila ka përmbyllur rreth 270 Kontrata Kolektive Pune që rregullojnë kushtet e punës për rreth 1 milionë punëmarrës/e në Zvicër.

Pas fjalës së YussiPack, në seancën plenare, drejtuesja e seminarit. i prezantoj temat dhe ligjëruesit në katër punëtoritë e tyre, ku ishte edhe punëtoria e katërt e rezervuar për temën Sindikata për të gjithë të punësuarit përfshi edhe Migrantët, me ligjëruesin e saj Osman Osmani.  Një temë interesante ku jepen shënime statistikore rreth strukturës brenda Unia- së dhe lëvizjet organizative brenda rregullave e programeve sindikaliste. Suksesi më i madh i kësaj Sindikate është krenaria dhe dinjiteti i punonjësve, të cilët kanë kuptuar, se vetëm së bashku janë më të fortë.

Në sindikatën UNIA, nga gjithsej 200-000 anëtarë, mbi 100.000 anëtarë janë me prejardhje jashtë Zvicrës, nga të cilët rreth 15’000 janë shqiptarë. Për të komunikuar më mirë, për të mobilizuar dhe organizuar edhe punëmarrësit me prejardhje shqiptare në sindikatën UNIA përpos aktivistëve sindikalistë shqiptar janë të punësuar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në stafin profesional të saj. UNIApërpos që kujdeset për përfshirjen e të gjithë të punësuarve, pra edhe migrantëve në vendimmarrje përmes strukturave dhe organeve gjegjëse, ajo publikon edhe fletëpalosje, broshura e materiale të ndryshme informative nga sektorë të ndryshëm të botës së punës dhe jetës shoqërore në Zvicër si dhe nxjerrë edhe shtojcën e gazetës sindikaliste Horizonte në pesë gjuhë të huaja, ndër to edhe në gjuhën shqipe. Një rëndësi e veçantë ndër të tjera i kushtohet edhe zhvillimeve nga bota e punës si dhe marrëdhënieve me lëvizjet sindikaliste në rajon dhe botë.

Në ligjëratën e tij rreth strukturës së anëtarësisë së anëtarëve në UNIA, ai theksoi se mbi 20% janë femra dhe se paga e grave në Zvicër është më e ulët se sa e meshkujve rreth 20% për punën e njëjtë e në vend të njëjtë, një padrejtësi për të cilën e kemi ngritur vazhdimisht zërin dhe do ta ngremë botërisht edhe me rastin e grevës së grave në Zvicër me 14 qershor 2019. Ndërsa gratë me sfond migracioni janë të diskriminuara dyfish edhe si punëmarrëse edhe si migrante, është e nevojshme që të gjithë ne, pra edhe burrat dhe familjarët, miqtë dhe të njohurit të solidarizohen me gratë, nënat, motrat, koleget tona për një të ardhme më të mirë dhe më të barabartë për fëmijët dhe gjeneratat tona të ardhme.

Pyetje:  Cilat janë përshtypjet tuaja nga Seminari në Vjenë?

Osman Osmani: Unë isha i nderuar të merrja pjesë dhe prezantoja sindikatën UNIA në ketë përvjetor të rëndësishëm të lëvizjes punëtore austriake, që paraqet një të arritur shembullor për të gjithë punëtorët gjithandej nëpër botë. Nga ligjërimet hyrëse përpos mësimeve nga përvoja e kësaj të arriture, kuptova edhe sfidat me të cilët janë përballur dhe vazhdojnë të përballen të arriturat e punëtorisë austriake, të arritura këto që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut. Punëdhënësit dhe pronarët e kapitalitjanë treguar prore të pangopshëm dhe aspak mirënjohës për ata e ato që me punën dhe djersën e tyre ua kanë mundësuar përfitimet marramendëse. Për të ruajtur pushtetin ekonomik e politik bashkë edhe me privilegjet e shumta kapitali, firmat e korporatat lëvizin lirshëm në gjithë globin dhe ndihmojnë e mbështesin njëra tjetrën, ndërsa kufizojnë të drejtat themelore njerëzore për lëvizje të lirë, të drejtë në punë dhe pagë që mundësojnë jetë me dinjitet. Andaj sindikatat dhe lëvizjet sociale e shoqërore duhet krahas operimit lokal e nacional, duhet të shkëmbehen e bashkëpunojnë më shumë me njëra tjetrën për të jetësuar të drejtat themelore njerëzore dhe demokratike si ato: në punë, në jetë me dinjitet dhe në lëvizje të lirë, të drejta këto të garantuara edhe me Kartën e OKB-së, Konventës evropiane për të drejtat e njeriut, Kartës së Otavës, e të ngjashme.

PyetjeCila është lidhja e me sindikatat në Shqipëri e Kosovë? A keni program bashkëpunimi për të ardhmen?

Osman Osmani: Unë në cilësinë e përgjegjësit për anëtarësinë e Evropës juglindore në sindikatën Unia, angazhohem edhe për bashkëpunim me sindikatat simotra të vendeve amë. Në këtë kuadër kontaktojmë dhe në raste të caktuara edhe bashkëpunojmë konkretisht. Me sindikatat në Kosovë jemi përpjekur prore për bashkëpunim, marrë parasysh numrin e madh të punëmarrësve nga Kosova dhe çështjet që ndërlidhjen ndër të tjera me kushtet e punës, jetës dhe pensionimit.

Bashkëpunimi konkret është zhvilluar në ndërlidhje me Marrëveshjen e anuluar njëanshëm nga qeveria zvicerane për Sigurimet Shoqërore në raport vetëm me Kosovën. Më këtë rast për tua kujtuar lexuesve dhe opinionit më duhet të theksojë, se janë diskriminuar të gjithë shtetasit e Kosovës pa shtetësi Zvicerane që për vite e dekada të tëra kanë punuar rëndë e jetuar me shumë deficite në Zvicër, që kanë ndërtuar Zvicrën dhe që kanë mbushur arkat e sigurimeve shoqërore në Zvicër. Po këtë punëtorë mërgimtarë në të njëjtën kohë edhe kanë mbajtur familjet e tyre dhe kanë kontribuar në mbijetesën ekonomike, shkollimin e përparimin shoqëror si dhe ndërtimin e  infrastrukturës në vendlindje, kanë mbështetur institucionet paralele në kohën e aparteidit të Serbisë në Kosovë, pastaj edhe mbrojtjen e luftën çlirimtare me mjete e deri edhe si ushtarë, janë anashkaluar edhe nga zyrtarët përgjegjës të Republikë së Kosovës, të cilët as që e kanë realizuar se do të anulohet marrëveshje në fjalë dhe edhe më pas nuk janë angazhua sa duhet për të gjetur një zgjidhje të ndërmjetme e as për të arritur sa më shpejtë një marrëveshje të re mbi sigurimet shoqërore mes Kosovës dhe Zvicrës. Po mos të ishte sindikata UNIA dhe partnerët e saj në Zvicër dhe Kosovë, kjo padrejtësi e motivuar politikisht dhe ky diskriminim ekskluziv vetëm për shtetasit e Kosovës do të harrohej. Tani, pikë së pari falë edhe këtij angazhimi është arritur Marrëveshja e re në fjalë  cila pritet të ratifikohet nga parlamenti nacional i Zvicrës në verë të këtij vite, për të hyrë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Me sindikatat e Shqipërisë dhe ato të Kosovës që nga viti i kaluar jemi duke u përpjekur për të konkretizuar një projekt të përbashkët bashkëpunimi në lëmin e sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë. Besoj se sivjet do të konkretizohet dhe me mbështetjen edhe të Bashkimit të Sindikatave Evropiane edhe të fillojë jetësimi praktik i tij.  Ne, aktivistët shqiptaro-zviceranë si dhe aktivistët e profesionistet tjerë shqiptare nga shtete e BE-së jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në të gjitha fushat e mundshme sindikaliste. Por, kjo varet nga kërkesat, nevojat e prioritetet e sindikatave në Kosovë e Shqipëri, të cilat mjerisht nuk kanë arritur të reformohen e të riorganizohen për t’ju përshtatur kushteve dhe rrethanave të reja ekonomike e politike dhe zhvillimeve të përgjithshme shoqërore në vend, rajon dhe botë.

Pyetje:Cili është roli i sindikatave në kohën tonë moderne?

Osman Osmani: Pabarazia sociale si në të kaluarën historike, ashtu edhe në kohën e sotme është ndër fenomenet qendrore të organizimit të veprimtarisë shoqërore. Sindikatat janë shoqatat dhe organizatat që përfaqësojnë punëmarrësit  karshi shoqatave të punëdhënësve dhe shtetit. Strukturat dhe funksionet e sindikatave me kalimin e kohës ndryshojnë sipas vendit, sektorit, profesionit. Tradicionalisht, sindikatat kanë pasur tri funksione thelbësore: së pari, për t’i siguruar punëmarrësit kundër rreziqeve sociale, së dyti, për të zhvilluar e negociuar standarde të kushteve të punës me punëdhënësit në marrëveshjet kolektive dhe, së treti, për të siguruar të drejtat individuale dhe kolektive të punëtorëve edhe përmes lobimit politik. (Webb / Webb 1894, si dhe vonBeyme 1977). Edhe sot, sindikatat janë ende aktive në këto tri fusha. Megjithatë, rëndësia e mbrojtjes sociale me zhvillimin e shteteve moderne të mirëqenies gjithnjë e më shumë është anashkaluar.

Në kushtet e tregut të lirë dhe neoliberalizimit në rritje sindikatat në shumë vende, veçanërisht në vendet tona amë  janë gjetur të papërgatitura dhe po e kanë të vështirë të rinovojnë veten dhe të ecin në hap me zhvillimet aktuale ekonomiko-politike e shoqërore në përgjithësi.

Shumica e sindikatave në vendet e industrializuara po shënojnë rënie të anëtarësimit. Stabiliteti i lartë dhe i dukshëm është shënuar vetëm tek kuotat organizative të sindikatave në vendet skandinave si Danimarka, Suedia, Finlanda dhe sindikatat në Belgjikë, të cila njihen edhe si shtete më sociale në Evropë.

Pyetje:Si mund të shpjegohet ky zhvillim?

Osman Osmani: Ekspertët zakonisht i referohen sistemit të veçantë të sigurimeve – sistemit Gent, që mbron punëtorët në këto katër vende në rast të papunësisë. Ky sistemme këtë emër të qytetit të vogël flaman – Gent, ka filluar të zbatohet si i tillë po në ketë vend në vitin 1901. Sistemi bazohet në pjesëmarrjen e sindikatave në administrimin e sigurimit të papunësisë, një instrument themelor i shtetit të mirëqenies, i cili është i panjohur në shumicën e vendeve të industrializuara. Pra, kjo tregon se vetëm nëse punëtorët dhe sindikatat janë subjekt bashkë-vendimmarrës dhe bashkë-zbatues e jo vetëm objekt, atëherë edhe mundësohet një shkallë më e mirë dhe më e drejtë e kushteve të punës dhe jetesës si dhe e përkujdesjes sociale e barazisë shoqërore për të gjithë.

15 maj 2019, Vjenë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok