22/12/2024

Opozitarizmi kundër Hitlerit, mësime nga vitet 1930!

0
u6_Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Pasi Adolf Hitleri vendosi regjimin e tij diktatorial nacional-socialist në Gjermani, gjermanët reaguan kundër këtij regjimi me të gjitha mjetet e mundshme. Në fakt regjimi hitlerian erdhi në pushtet në vitin 1933 përmes zgjedhjeve të lira në vend. Manipulimi me nacionalizmin, përfitimi nga ndëshkimi i pamerituar i Gjermanisë në Konferencën e Parisit, kriza ekonomike dhe kriza e besimit te Republika e Vajmarit, e cila shihej si produkt i vullnetit të atyre që ndëshkuan vendin me të padrejtë pas Luftës së Parë Botërore, i dhanë shansin Adolf Hitlerit të ngjitet në pushtet në mënyrë legale, përmes zgjedhjeve parlamentare.

Por me të ardhur në pushtet, hapi i parë i tij ishte eleminimi i parlamentarizmit, fillimisht me imponime arrogante në emër të “nacionalizmit” e “të së drejtës”, më pas me miartimin e ligjit, përmes të cilit i hiqej e drejta parlamentit të nxirrte ligje e presidentit të nxirrte dekrete. Kjo e drejtë i kaloi qeverisë, dmth diktatorit. Hapi tjetër i regjimit të Hitlerit ishte shkarkimi i presidentit të Republikës dhe përfundimisht eleminimi i këtij institucioni të pavarur, pavarësisht faktit se presidenti ishte zgjedhur me pëlqimin e tij. Pas kësaj Hitleri futi në dorë gjithë sistemin, qeverinë, parlamentin, gjyqësorin dhe e shndërroi Gjermaninë në një vend tipik diktatorial.

Ndërsa hapi i tretë ishte eleminimi i opozitarizmit, lufta kundër çdo kundërshtimi politik ndaj vendimeve, dekreteve dhe urdhërave të Fuehrerit (Udhëheqësit)! Me këtë rast diktatori gjerman akomodoi rregullat edhe për veprimtarinë e shtypit. Qëllimi i tij ishte unifikimi i mendimit politik, ideologjik dhe kulturor të të gjithë gjermanëve, krijimi i një rendi indoktrinues të padepërtueshëm nga opozitarizmi dhe ndikimi i sistemit demokratik në vendet e tjera.

Për implementimin e politikës së tij në vendosjen e regjimit diktatorial nacional-fashist, Hitleri, përveç përdorimit të ushtrisë, krijoi reparte speciale, si SS-të, të cilat i përdori kryesisht kundër atyre që i rrezikonin pushtetin. Urdhëroi përdorimin e ushtrisë në raste të tjera për qëllime të tilla. Ndërsa në anën tjetër krijoi ministrinë e propagandës, me të cilën ushqente qytetarët e vendit të tij me ëndërrën e Gjermanisë si sunduese e tokës dhe e qiellit. Vendosja e regjimit nazi-fashist në Gjermani nuk u vendos në një ditë. Ky regjim u vendos në një periudhë kohore prej së paku 4-5 vitesh, hap pas hapi, duke eleminuar në mënyrë sistematike çdo hapësirë lirie në vend.

Në këto kushte lindi nevoja për qëndresë opozitare, për kryengritje opozitare. Qëndresa filloi në disa forma. Fillimisht u krijua bindja e pathyeshme se kursi i Hitlerit çonte në një katastrofë për shtetin dhe për vetë Gjermaninë. Pas kësaj filloi rezistenca. Distancimi nga kursi hitlerian ishte forma e parë e rezistencës. U distancuan nga kursi diktatorial personalitete të shquara të politikës, si psh ish ministri i ekonomisë në qeverinë e Hitlerit, Carl Friedrich Geordeler, ministri i financave Popitz ose industrialisti i famshëm Robert Boch, të cilët shpallën kundërshtitë e tyre të hapura kundër politikave totalitare të udhëheqësit. Më tej u rebeluan shumë diplomatë, ndër të cilët ambasadori gjerman në Romë, Ulrich von Hassell dhe ai në Moskë, Fridich Werner.

Kundërshtitë ndaj kursit të Hitlerit u shtrinë te kisha katolike dhe ajo protestane. Emra të njohur të kishës si Ditrich Bonhoeffer ose Alfred Delp iu kundërvunë përpjekjeve hitleriane për të shtyp me dhunë opozitarizmin dhe liritë qytettare të gjermanëve. Ndërkohë jo pak gjyqtarë, prokuurorë dhe avokatë të njohur shpallën publikisht pikëpamjet e tyre kundër regjimit dhe folën për rrezikun që ky regjim përbënte për shtetin e së drejtës. E më tej akoma, rezistenca u shtri deri te industrialistët dhe bankierët, sindikatat, lëvizjet liberale, partitë politike të ndaluara ose të nxjerra jashtë sistemit, në universitete e në shkolla e deri te vetë ushtria. Gjeneralë dhe oficerë të lartë gjermanë kundërshtuan me forcë planet e Hitlerit për ta rrezikuar Gjermaninë me aventurën e çmendur të pushtimeve në gjithë botën.

Kur rezistenca nga brenda dhe nga jashtë hasi në dhunën e ashpër të regjimit të Hitlerit, opozitarizmi në Gjermani u realizua në mënyrë të fshehtë. U krijuan gruoe dhe formacione ilegale antiregjim në lagjet e qyteteve, në administratën shtetërore, në ushtri, kudo ku ishte e mundur. Format e organizimit ishin të tilla që të bindin sa më shumë njerëz për atë se “Regjimi hitlerian ishte shndërruar në një rrezik katastrofal për Gjermaninë, për të drejtën, liritë dhe qytetarët e vet”.

Lëvizja ilegale erdhi si pasojë e pamundësisë për të vazhduar rezistencën me mënyra tjera. Sepse Hitleri më së shumti reagoi me reaksione joligjore, atentate, aksidente, dhunim e diskreditim të elementëve kundërshtarë, duke e motivuar gjithçka si një rezistencë të pamoralshme, të diskredituar, të pavlerë, pambështetje, të pamotivuar në emër të kombit e të shtetit. Në këto kushte ilegalët gjermanë erdhën në përfundimin se Hitleri dhe regjimi I tij ishin simbiozë e pandashme. Për pasojë nëse eleminohej Hitleri binte dhe ngrehina që ai kishte ngritur. Prandaj dhe më 20 korrik 1944 Lëvizja për Kryengritjen Gjermane organizoi një atentat kundër diktatorit gjerman. Atentati dështoi dhe dhuna e Hitlerit pas tij ishte shembullore. Vrasje pa gjyqe dhe dënimë të ashpra.

Lëvizja antihitleriane e gjermanëve nuk ishte masive, por ata që e kundërshtuan ishin të vendosur që ta çonin deri në fund misionin e tyre për një Gjermani të lirë e demokratike. Kjo lëvizje ishte më shumë konspirative, sesa e hapur dhe demonstruese, ishte më shumë e dhunshme, sesa paqësore. Dhe megjithëse këto tipare në veprimin opoozitar parimisht dënohen, aksioni opozitar gjerman kundër Hitlerit nderohet e respektohet masivisht në Gjermani.

Edhe Hitleri, ashtu si gjithë diktatorët, veprat e dhunshme në reagimin ndaj tij i quajti akte barbare të ekstremizmit dhe terrorizmit, i konsideroi si vepër të armiqve të jashtëm e të brendshëm dhe bazuar në këtë lloj retorike burgosi dhe ndëshkoi e dënoi me mijëra kundërshtarë të tij politikë. Edhe Hitleri përdori të gjithë mekanizmat, prpagandën, repartet speciale, policinë, gazin lotsjellës, ujin, tanket dhe ushtrinë kundër atyre që ngrinin krye ndaj tij. Edhe Hitleri u përpoq që të shpallej si mesia e Gjermanisë dhe e botës, si njeriu “shpëtimtar” për kombin gjerman dhe për botën.

Por Adolf Hitleri pati idealisht një ndryshim nga disa diktatorë të kohës së sotme: – Nuk e çoi ndërmend që në këmbim të favoreve për veten dhe pushtetin e tij, tiI japë një fuqie tjetër territore të Gjermanisë! E megjithatë, lëvizja hitleriane ka hyrë në histori si një lëvizje progresiste, ndërsa regjimi i Hitlerit përshkruhet si një regjim i zi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok