14/10/2024

NË LONDËR MBAHET KONFERENCË GLOBALE PËR LIRINË E MEDIAS

0

Nga Frank Shkreli

Sipas një njoftimi nga burime qeveritare britanike, qeveria e Britanisë së Madhe dhe ajo e Kanadasë – me 10 dhe me 11 Korrik- po zhvillojnë një konferencë globale kushtuar lirisë së medias në botë.   Kjo nismë është një hap i madh në përpjekjet e Ministrisë së Jashtme britanike dhe të Zyrës së Komonveltit në fushatën e tyre për të mbrojtur gazetarët në kryerjen e punës së tyre dhe njëkohësisht për të promovuar përfitimet e një medie të lirë, anë e mbanë botës, thuhet në deklaratën britanike.

Sipas njftimeve zyrtare nga Londra, në këtë mbledhje do të marrin pjesë mbi 1000 të ftuar nga mbarë bota, përfshir ministra dhe zyrtarë të ndryshëm, anëtarë të komunitetit diplomatik, ente ndërkombëtare, gazetarë, përfaqsues të shoqërisë civile dhe akademikë.   Konferenca do të shqyrtojë sfidat me të cilat përballet liria e medies, si dhe mundësitë për të krijuar një mjedis më të sigurt për veprimtarinë e gazetarëve dhe për të drejtat e tyre.   Pritet gjithashtu që në konferencën e Londrës, përfaqsues qeverishë dhe pjesëmarrës të organizatave ndërkombëtare, të arrijnë një marrveshje për marrjen e masave domethënse dhe konkrete, në mbrojtje të lirisë së medias, anë e mbanë botës.

Punimet e Konferencës Globale për Lirinë e Medias do të kryesohen nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kandasë, Chrystia Freeland dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe Jeremy Hunt.   Sipas njoftimeve nga entet qeveritare britanike dhe kanadeze, konferenca, mbi të gjitha, është një përpjekje globale për të venë në dukje problemet me lirinë e medias dhe sfidat me të cilat përballet liria e fjalës, anë e mbanë botës dhe njëkohsisht për të venë në shënjestër vendet dhe udhëheqsit që përpiqen ta kufizojnë lirinë e medias në vendet e tyre.

Në agjendën e punimeve të ditës së dytë të konferencës së Londrës mbi lirinë e medias, do diskutohet edhe mbi lirinë dhe sfidat me të cilat përballet media, në përgjithësi, edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor  ku do të shqyrtohen edhe mënyrat e reja të veprimit në atë rajon- si një prej temave të punimeve të ditës së dytë të kësaj konference.

Javën që kaloi përfaqsues të nja 7 organizatave ndërkombëtare që merren me lirinë e medias – e të cilat do të jenë të pranishme në Konferencën e Londrës këtë javë – kanë raportuar për një përkeqësim të gjëndjes së lirisë së medias në Shqipëri.   Përkeqësimi i lirisë së medias në Shqipëri, i ka paraprirë përkeqësimit të lirive të tjera të njeriut, si pasojë e përkeqësimit të gjëndjes politike në vend, fundi i të cilës, fatkeqsisht, nuk mund të parashikohet ende.   Mbrojtësit ndërkombëtarë të drejtave të njeriut janë shprehur se, historikisht, ndër kufizimet e të drejtave të njeriut, në një vend diktatorial, ose me prirje diktatoriale, liria e medias është e para që e pëson.  Së pari kufizohet fjala e lirë dhe më në fund kontrollohet edhe veprimtari medias duke humbur kështu plotësisht lirinë dhe pavarësinë e lirisë së medias.

Organizatorët e Konferencës Globale për Lirinë e Medias, këtë javë në Londër, thekësojnë në njoftimin e tyre mbi punimet e konferencës, rëndësinë që luan liria e medias në një shoqëri moderne.   “Një media e lirë dhe e pavarur duhet të luaj rolin jetësor në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të kërkojë llogaridhënie nga pushtetarët.   Liria e medias i jep jetë demokracisë dhe mund të shërbejë gjithashtu si gur themeli edhe i begatisë ekonomike dhe zhvillimit shoqëror në përgjithësi”.   Ushtrimi i lirisë së medias nënkupton një shoqëri të lirë, të drejtë dhe të hapët.   “Roli i gazetarisë është energjia e një demokracie të shëndoshë”, thuhet në njoftimin e botuar nga qeveria britanike, që së bashku me qeverinë e Kanadës sponsorizuesit e kësaj konference, kushtuar sfidave me të cilat përballet liria e medias në botë.

Sipas organizuesve të konferencës, bota po bëhet gjithnjë e më armiqësore dhe më e rrezikshme për gazetarët, ndërsa citojnë një raport të orgnaizatës, “Gazetarët Pa Kufij”, se viti 2018 ishte viti më vdekjeprurës për gazetarët, anë e mbanë botës.   Ndërkohë që organizata e UNESCO-s, ka njoftuar se vitin e kaluar janë vrarë të pakën 99 gazetarë anë e mbanë botës, 348 të tjerë janë burgosur dhe 60-të tjerë janë kapur peng.   “Liria e fjalës po shtypet dhe kufizimet e ndryshme ndaj shprehjes së lirë nga qeveritë, po pengojnë funksionimin e një medias së lirë e të pavarur.   Ne duhet që patjetër të merremi me këtë çështje si dhe me rreziqet që paraqet përkeqësimi i lirisë së medias, anë e mbanë botës, thuhet në njoftimin për zhvillimin e konferencës dy-ditore në Londër, për lirinë dhe pavarësinë e medias në botë.

Ndërkohë që 7 organizata ndërkombëtare kanë paralajmëruar javën që kaloi për përkeqësimin e lirisë së medias dhe për rreziqet që i kërcënohen fjalës së lirë edhe në Shqipëri – mbajtja e Konferencës së Londrës për Lirinë e Medias në botë, po vjen në një kohë të duhur edhe për median në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor – të cilit në konferencën e Londrës – sipas programit të konferencës – do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë sfidave dhe problemeve me të cilat përballet liria dhe pavarësia e medias atje – përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok