Objektet kishtare brenda citadelës në Kështjellën e Artanës
Nga Qazim NAMANI, Dr. Arkeologji/Trashëgimi Kulturore
Punët konservuese dhe restauruese të kryera në Kalanë e Artanës, nga viti 2015 deri më 2017, janë bërë me fondet të Këshillit të Evropës dhe nën mbikëqyrjen e UNESCO-s. Hartimi i projektit për konservim e restaurim është bërë nga kompania kroate “Omega Engineering”, ndërsa punët ishin kryer nga firma beogradase “Koto”. Për restaurimin e kësaj kështjelle është siguruar fondi prej 1.1 milion euro nga Këshilli i Evropës.
Në vitin 2015 arkeologu serbë Marko Popović, në emër të UNESCO-s është caktuar të mbikëqyrë gërmimet arkeologjike dhe konservimin e mureve në Citadelën e Kalasë së Artanës.
Rezultatet e para të gërmimeve u publikuan në gazetën beogradase “Blic”, nga arkeologu serbë Marko Popović, i cili më vonë të gjitha rezultatet i botoi në një libër.
Marko Popović shkruan se gjatë gërmimeve në citadelë, janë zbuluar tre ndërtesa të mëdha banimi me një kishë, dhe dy cisterna me puse filtri në qendër. Ai shtoi se u zbulua edhe një strukturë e jashtëzakonshme, një vaskë e nxehtë që u përdorën atë kohë, si një Saunë (banja) mesjetare. Ajo (banja) ishte e ndërtuar midis njërës prej ndërtesave dhe kishës e cila kishte një dhomë të vogël katrore, dhe një sistem ngrohje nën dysheme. Sipas kronologjisë sonë shton ai, ky është një objekt, i ngritur në kalimin e shekujve XIV-XV, dhe është më i riu në kompleksin e Citadelës. Tani është vërtetuar plotësisht se citadela e kështjellës ishte ngritur në gjysmën e parë të shekullit 14-të, shkruan Marko Popovic.
Nga vëzhgimet dhe analiza e objekteve të përshkruara nga arkeologu serbë, të gjitha argumentet e përshkruara janë të pa sakta, dhe të dukshme se kemi të bëjmë me tendenca për të falsifikuar historikun e ndërtimit të kështjellës në Artanë.
Në këtë shkrim arkeologu Popović shkruan: Siç shihet gjatë fazës së parë të gërmimeve brenda citadelës, janë zbuluar themelet e një kishe, për të cilën thotë se në shekullin XIV, ka filluar ta ndërtojë Mbreti Milutin, e të cilën më vonë e ka përfunduar Stefan Deçani.
Shikuar në aspektin logjikë dhe shkencorë, në një hapësirë ku gjenden freska murale të një objekti kishtar, nuk mund të kishte banjë mesjetare, apo edhe të ndizej zjarri për të ngrohur objektet brenda citadelës. Kjo tregon se pagzimorja e kishës më të hershme ishte shndërruar në ndonjë ngrohtore pas pushtimit osman.
Nga strukturat e mureve kuptojmë se këtu kemi të bëjmë e një kishe më të vjetër të shekullit XI-XII, apo nga mesjeta e hershme që mund të jetë shkatërruar nga lëvizja ikonoklaste ose më vonë. Mbi këto piktura murale vërehen edhe harqet e kupolës së kishës së vjetër ngjitur me murin rrethues të Kështjellës. Nga mbetjet e rrënojave të themeleve po ashtu kuptojmë se kisha e re një anijatash që është ndërtuar më vonë dhe nuk mbështetet në muret e jashtme të kështjellës, por ka një distancë rreth 1m. Këto fakte dëshmojnë se brenda citadelës kemi dy objekte të kishave.
Siç duket më vonë osmanët, pagëzim orën e kishin përdorur për ngrohje të ujit dhe avullin e ujit të ngrohët me tuba argjile, e kishin përdorur për ngrohje të objektit. Kjo vërehet edhe në fotot e bëra në hapësirën për të cilën arkeologu serbë e quan dhomë të vogël, ku sipas tij, ishte edhe vaska me ujë të ngrohët. Pra në këtë hapësirë vërehen freskat e kishës, që argumentohet qartë se kjo kthinë e vogël, ishte pjesë e kishës tjetër, dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë vaske (banjë) të shekullit XIV, por për pagëzim ore e kishës më të hershme. Kjo na shtynë të mendojmë se deri sa është ndërtuar Katedrala e re, jashtë mureve rrethuese të gjashtë kullave, në qytetin mesjetar të Artanës, pagëzimi i lindjes së fëmijëve është bërë në kishën e vjetër brenda citadelës së Kështjellës.
Dalja në pah e pikturave murale në kishën e vjetër, na shtynë të mendojmë se gjashtë kullat e ndërtuara në qytetin e Artanës, janë ndërtuar shumë më herët se shekulli XIV.
Bazuar në këto fakte mund të supozojmë se rëndësia e kështjellës së Artanës është shtuar në antikitetin e vonë, pas fillimit të dyndjeve të fiseve barbare në trevat e Dardanisë.
Bazuar në pozitën gjeografike dhe gjurmët e aktiviteteve minerare, në të gjitha luginat e fshatrave për rreth Artanës, dhe numrin e madh të gradinave ,dhe fortifikatave tjera në shumë fshatra, mund të pohojmë se për shkaqe të sigurisë, ky vendbanim filloi të zhvillohet dukshëm që nga mesjeta e hershme.
Ky qytetërim që u zhvillua dukshëm në mesjetë, pa dyshim se është vazhdimësi e qytetërimit dardan, që lulëzoi në Mbretërinë e Dardanisë, për tu zhvilluar gjatë sundimit romak në Ulpianë, Vendenis, Kushumli, Prokuple, Vrajë, Leskoc, Preshevë e Kumanovë.
Bazuar në burimet historike të kohës, mund të arrijmë në përfundim se pas shkatërrimit të Justiniana Primës, mes Medvegjës e Leskocit, shkatrrimit të Vendenisit në rrafshin e rrjedhës së Llapit, dhe shkatërrimit të Ulpianës (Justiniana Secondës), nga fiset barbare në antikitetin e vonë, ky qytetërim dhe kultura dardane, vazhdoi të lulëzoj, në qytetin e fortifikuar të Artanës, gjatë gjithë mesjetës, deri sa ra nën pushtimin e Perandorisë Osmane.
Si përfundim mund të pohojmë se përshkrimi i historisë së kështjellës së Artanës, është falsifikuar dhe zbulimet arkeologjike ofrojnë argumente që dëshmojnë se ndërtimi i kishës brenda mureve të kështjellës qendrore, ku janë zbuluar pikturat murale daton disa shekuj, para shekullit XIV. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me dy objekte kishtare, kishën paleokristiane dhe tjetrën të ndërtuar në shekullin XV, para pushtimit Osman.