22/12/2024

O moj shkollë, e mjera shkollë, kush të bëri kaq të gjorë

0
Gjeke-Gjonaj

Nga Gjekë Gjonaj

Në klasën e parë   mësuesi dhe prindi  na kanë mësuar se shkolla është  shtëpia jonë e dytë,  një vend edukimi, çerdhe e diturisë,   një vend ku krijohet një person.

Kështu na ishte dikur

Në shkollë, në kohën   e brezit tonë,  theksi vihej në njohuritë  dhe edukatën e  fituar Mësuesi respektohej  njësoj si prindi, ndoshta edhe më  shumë.  Prindërit  na mësonin  t’i respektojmë mësuesit tanë , sepse janë ata që  na edukojnë dhe na japin dituri, na arsimojnë. Për mësuesit e asaj kohe  nuk ishte e rëndësishme se cilët ishin prindërit tanë, çfarë   bënin për të jetuar, kush janë dajat , hallat,   tezet, cilës parti i takon… Nxënësit  i kërkohej  të mësonte.  I vetmi fakt vendimtar ishte njohuria e nxënësve. Si produkt i saj që kishin  mësuar merrnin një notë  realiste ( të merituar) sipas kritereve të notimit. “ As sipas gjyshes, as sipas dajave”.  Në shkollë kishte rregull, punë,  disiplinë.  Prindërit tanë nuk paguanin mësimet private. Ne  ia dilnim  me punën tonë. Merrnim rregullisht  ndëshkime nga prindërit për sjellje të papërshtatshme  ndaj mësuesit. Prindërit tanë i respektonin  mësuesit. Ata nuk ishin të drejtë dhe gjithmonë në krah të autoritetit të mësuesit. Edukatori ishte një institucion për t’u respektuar.  Kështu na ishte dikur.

Politika e shkatërroi sistemin arsimor

Sot, asgjë nuk është ashtu siç ishte dikur. Të gjithë jemi dëshmitarë se  kriteret kanë ndryshuar  si do të thoshin  të moshuarit “Gjithçka ka marrë teposhtën”.  Partitokracia e ka bërë punën e saj. Politika e shkatërroi sistemin arsimor në Mal të Zi . Institutet tona drejtohen nga  persona të paaftë, të papërvojë në atë fushë dhe të kualifikuar politikisht. Fëmijët tanë edukohen nga njerëz me diploma të dyshimta.

Sado që mësuesi (mësimdhënësi)    këmbëngul  se dija është në  vendin e parë në sistemin arsimor,  në të shumtën e rasteve hasin në pengesa e dilema: A duhet t’i jepet  notë reale njohurive reale apo të respektohet  dëshira e statusi i  prindërve ?   Pothuaj çdo prind ( me përjashtime të vogla) mendon se fëmija  e tyre është më i miri, më i zgjuari, më i afti, më i sjellshmi, më i kulturuari, por harrojnë se  çfarë të mire i bëjnë vetes ose fëmijës së tyre, kur  mësuesin e vendosin  në një pozicion të tillë që të japë  notat  me grusht dhe kapele. Për këta prindër  mësuesi  korrekt është i paaftë. Nuk u besojnë as njerëzve që janë shkolluar  për të qenë mësues.  E vetmja gjë që u intereson atyre  është që   engjëlli  i tyre të mos arrijë  rezultat tjetër    përveçse  sukses të shkëlqyer, madje edhe  të marrë Çmimin “ Pishtari”. Tash disa vite , nëse jep një notë  që nuk është  sipas kritereve të  prindërve  të pasur ose të  njohur,  drejtorët partiakë  shqiptojnë  fjalinë e famshme: “ A e dini se është nxënës i një politikani, deputeti,  ministri, drejtori, avokati, doktori, gjyqtari të njohur… Nëse nuk i bindeni    dëshirës  së drejtorit, do të vijë, apo do t’ju marrë në telefon,  një politikan i famshëm, një prindër i pasur, duke  bërë  vazhdimisht presione e  kërcënime ndaj mësimdhënësve, të cilët jo rrallë   po   sulmohen  edhe nga vetë nxënësit.  Në vend se nxënësi të frikësohet nga mësuesi, sot mësuesi ka frikë nga nxënësi.  Atëherë,  çfarë i mbetet mësuesit? Të luftojë çdo ditë me presione të tilla? Pse? Për çka ? Për shkak të kujt?  E vetmja gjë që i  ka mbetur    është që të “gjunjëzohet” dhe  t’i japë  fëmijëve pesa.  Në këtë mënyrë  mësuesi ruan shëndetin e tij,   kënaq prindërit  dhe nxënësit.  Nga ana tjetër shtrohet pyetja:  “ Çfarë  mund të mësojnë sot nxënësit tanë nga mësues gjysmë të ditur  me diploma të dyshimta, të rreme , apo të blera”? Asgjë të dobishme! Kurrë më shumë shkolla e diploma   dhe kurrë më pak njohuri.

Situata alarmante në fushën arsimit

Rezultatet   shqetësuese  të publikuara  nga OECD ( Organizata  për bashkëpunim dhe zhvillim  ekonomik)  javën e kaluar në testin PISA  2022, nga të cilat  askush nuk mund të ndihet mirë, veçmas ata që janë të ndërlidhur drejtpërdrejt me sistemin arsimor në Mal të Zi,  janë pasqyra e vërtetë e  këtij  sistemi.  Sipas këtij testimi  Mali i Zi  ka arritur rezultatet  më të këqija që nga viti 2012.  Nxënësit pesëmbëdhjetë vjeçar  në Mal të Zi kishin 406 pikë  në matematikë, në lexim 405 pikë dhe 403 pikë  në shkencë, dukshëm nën mesataren   e OECD. Kështu, Mali i Zi është i 54-ti nga 80 vende në matematikë, i 56-ti në lexim dhe i 62-ti në shkencë. O moj shkollë, e mjera shkollë, kush të bëri kaq të gjorë?

Për situatën alarmante  në këtë fushë,   kërkuam përgjigje nga njohësit e mirë të këtij procesi  dhe punonjës shqiptarë e përgjegjës  në institucione përkatëse shtetërore, mirëpo u deklaruan se nuk dëshirojnë ta komentojnë. Po ashtu  nuk pranuan të  deklarohen edhe disa veteranë të arsimit shqip në Ulqin dhe Malësi.

Provime  vetëm për të kaluar,  e jo për të mësuar

Drejtori i Shkollës së Mesme “ 25 Maji”- Tuz, Sehad Lulanaj, njëheri profesor shumëvjeçar i Gjuhës dhe Letërsisë  Shqipe  pohon se  ky është vetëm fillimi i alarmit të kuq që po ndodhë në sistemin arsimor në Mal të Zi, që po mësohet mekanikisht të kesh notë e jo dije. Planprogramet, librat, plotësimi i dokumentacionit nga ana e një mësimdhënësit që ia vështirëson  punën, mos interesimi i nxënësit, kushtet me të cilat punon një mësimdhënës çdo ditë, roli i prindërit, mungesa e kuadrit adekuat.  Të gjitha këto  janë faktorë që kanë ndikuar negativisht në rezultatet e Pisa test”, shprehet Lulanaj.

Drejtori i SHF “ Bedri Elezaga”në  Katërkollë ( Anë të Malit), Mustafë Bardhi,  mendon se  sistemi arsimor në Mal të Zi ka ndryshuar për keq  me aplikimin e  sistemit të Bolonjës. ” Personalisht mendoj që të dalim nga kjo situatë dhe të kemi sukses pikërisht në matematikë, shkrim – lexim dhe shkencë duhet patjetër të kthehet sistemi i mëparshëm. Sikur të kthehet abetarja ,lapsi,goma,fletorja dhe libri, jam më se i bindur që do të kemi sukses si individ,shkollë dhe shtet”, nënvizon Bardhi.

Rrok Dushaj , profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në SHF “ Mahmut Lekiq “ në Tuz, pranon se  rezultatet e Pisa test nuk kënaqin as   mësimdhënësit , as prindërit,  as nxënësit dhe se fajin e  kanë te gjithë së bashku.  Sipas tij në këtë kohë është shumë e vështirë  të punohet me nxënës. “ Me keqardhje duhet te them se para librit nxënësit tanë më parë kanë telefonin. Atyre u duhet afruar libri , sepse ai e ndriçon mendjen. Po ashtu më duhet të them se nxënësit e këtij shekullit mësojnë vetëm kur janë testet, vetëm për nota. Në suksesin e nxënësve, me përjashtimin e disave, angazhohen edhe prindërit, të cilët   kërkojnë  me çdo kusht që fëmijët e tyre të dalin me të gjitha pesa. Mësimdhënësit sot janë nën presione  deri edhe në kërcënime. Për fat të keq sot  kemi edhe nxënës  që ende nuk dinë të   lexojnë, apo të shkruajnë, e të mos flasim  për leximin artistik”, thekson Dushaj.

Për t`i zgjidhur problemet që sa vijnë e rëndohen në sistemin arsimor në Mal të Zi ,  Ministria e Arsimit në Mal të Zi   duhet të  shërojë këtë sistem sa më parë. Çdo ditë e vonuar  i kushton shumë shoqërisë sonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok