22/12/2024

“O FISNIKJA PËRMBI GUR”

0
Kondakci-Dushi

Nga Ndue Dedaj

Pak ditë më parë në Rrëshen, në Pallatin e Kulturës,  u dha një koncert i këngëtarëve të muzikës së lehtë Liljana Kondakçi, “Artiste e Merituar” dhe Kozma Dushi, ndërthurur me këngë e valle të artistëve të rinj vendas. Publiku duartrokti gjatë gjithë kohës dhe në fund të koncertit u ngrit në këmbë për të kënduar në kor bashkë më artistët këngën e mirënjohur “Rrjedh në këngë e ligjërime”, me tekst të poetit Gjok Beci, “Mjeshtër i Madh”. Kozmai me emocion solli mbresa nga njohja me Gjokën gjatë festivaleve të këngës në RTSH, si dhe këngëtaren mirditore Luljeta Përbasha. “Rrjedh në këngë e ligjërime” kishte bashkuar ndër emrat më të mëdhenj të muzikës lehtë, si Vaçe Zela, Feim Ibrahimi, Gjok Beci e Gjon Simoni. Ndonëse kënga, në festivalin e 19 në Radiotelevizion, dhjetor 1980, mori çmim të dytë, publiku për dyzet vite i ka dhënë asaj gjithnjë çmimin e “parë”, si një ndër këngët më të mira të kohës, për më tëper që një vit u bë dhe hiti i “Top Channel” i ndërrimit të moteve. Kjo këngë, sa e bukur, aq e fushqishme, është kënduar më pas dhe nga artistë të tjerë të shquar, si Gaqo Çako, Shkurte Fejza e Ilir Shaqiri (duet), Kastriot Tusha, Ramë Lahaj, Rovena Dilo, Eugent Bushpepa etj. Kënga erdhi si një ngjizje harmonike e fjalës me ngarkesë emocionale, muzikës kumbuese dhe zërit qiellor të njërës nga divat shqiptare.

Ata që e kanë njohur Gjok Becin (ndarë nga jeta më 2014) e dinë se asgjë nuk kishte më përzemër se vargun, shkroi shumë poezi e poema, por shkëlqeu me këngën, aq sa mund të quhet “poet i këngës”. Këtu ai gjeti veten si poet, ashtu si dhe Zhuliana Jorganxhi, Xhevahir Spahiu, Jorgo Papingji, Agim Doçi, Alqi Boshnjaku etj., falë të cilëve këngët e muzikës së lehtë kanë për tekste poezi të mirëfillta artistike. Ata u “treguan” kompozitorëve se teksti i këngës nuk mund të ishte një vargëzim i thjeshtë që i përshtatej muzikës së shkruar më përpara, por kënga e vërtetë mund të lindte vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë poet – kompozitor. Siç rrëfente Gjoka në një intervistë, kështu kishte lindur dhe “Rrjedh në këngë e ligjërime”, kurora e artë poetike e tij, krahas këngëve të tjera të muzikës së lehtë, ku ai është bashkautor, si “Një zambak i bardhë në gur”, “Dy gëzime në një ditë” etj. Poezitë e “këngëve të shekullit” janë shembulli më i mirë për teksteshkruesit e sotëm të këngëve të rrymave të ndryshme muzikore, kritikuar me të drejtë për shterpësi artistike, zhargon vargëzues, kotësi të thëni etj.

Po aq i njohur Gjok Beci u bë me këngët e ansamblit “Mirdita”, “Mjeshtër i Madh”, në festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës, çdo katër vjet, në mënyrë të veçantë këngën me titull “Xhamadani i trimërisë”, që shpërthen me vargun emblematik “Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”, për të cilën ka shkruar dhe Dritëro Agolli. Duke evokuar qendresën e shqiptarëve në shekuj, poeti sikur kishte parandjerë dhe herozimin e vëllezërve tanë kosovarë gjatë luftës së fundit më 1999. Deri në atë kohë metafora e pazakontë “Përmes fushës kalldram me gëzhoja” dukej e largët, homerike, si të ishte shqiptuar për Akilin e Hektorin. “Në Kosovë ndërroi epoka” do të shkruante Gjoka më pas, sërish një varg sublim, por në stilin e njohur të poetit në qasjen ndaj ngjarjeve të mëdha të kombit.

Poetika e Gjok Becit, për të cilën kemi shkruar që herët (“Nëntori”, 7, 1990) është e rrallë në botën shqiptare për faktin se ky poet e “uli” natyrshëm rapsodinë shumëshekullore me çifteli e lahutë, nga kreshtat e maleve dhe legjendave, në partiturat e këngës moderne të muzikës së lehtë, çka nuk është thënë deri më sot. Shqipëria e poemave epike të Darës, Naimit, Fishtës etj. vjen në këto këngë me një tjetër ritëm e timbër, ndonëse endur nga e njëjta pëlhurë. Aty është gjithë materia rapsodike (shndrit ai diell, gur, lugje, fisnike, shekuj, nagant, shqiptar, flakëron, ligjërime, flamur, partizan, gjëmime etj.), por në një mbrujtje të re artistike. Nuk është e rastit që Gjok Beci e ka kulmimin e vet si poet i këngës në Gjirokastër 1978 (kur ansambli “Mirdita” fitoi flamurin e Festivalit, nën udhëheqjen artistike të Dorian Ninit, Fran Vorfit, Lin Locit etj.) dhe dy vite më vonë, në festivalin e përvitshëm në RTSH, me kryekëngën e tij “Rrjedh në këngë e ligjërime”, porse ai po ringrihej “përsëri në këmbë” (titulli i romanit të Xhuvanit), pas një goditje politike që kishte marrë më 1975, për një “batudë” të hidhur që lidhej me Stalinin, duke e hequr nga librat dhe biblioteka e qytetit e çuar për riedukim punëtor ngarkim-shkarkimi në ndërmarrjen e Ndërtimit, mes llaçit e betonit, ku punonte prej kohësh shkrimtarja disidente Musine Kokalari. Sfida e një artisti të vërtetë me regjimin vetëm kështu mund të ishte, përmes dëshmimit të artit të tij, që në rastin e këtij poeti ishte një art ku mishërohej atdheu, historia, njeriu i ditës etj.

Ashtu si Kozma Dushin e Liliana Kondakçi në Mirditë, kemi dëgjuar dhe në Tiranë, dhjetëra artistë të tjerë në zë të flasin me nderim dhe vlerësim për Gjok Becin, në veprimtari kushtuar krijimtarisë së tij, ndër të cilët nuk mund të mos përmendim sivëllaun e tij të Jugut, bardin e shquar Leftër Çipa, që i lidhte poetika e këngës së festivaleve. Vargjet e këngëve të tyre jehojnë sot e gjithë ditën në mbarë botën shqiptare dhe në diasporë, jo vetëm për frymën atdhetare që mbartin, por dhe shprehësinë artistike, gjë që tregon se njëri ishte poet i talentuar i baladave të dala nga “zhguni” i folkut mirditas e tjetri krijuesi i lindur i perlave të iso-polifonisë labe. Gjok Beci është cilësuar si “poet i adresave shqiptare”, pasi ka prekur me vargun e tij çdo gur e zambak të trojeve tona. Ai vjen nga vise ku gurët dhe zambakët rrezellijnë duke u bërë metafora të këngëve të tij, ndaj mbetet një “gur” i çmuar kilometrik i këngës popullore të risuar dhe asaj moderne.

“Rrjedh në këngë e ligjërime”, si këngë që ka fituar vlerat e një himni, tashmë e ka tejkaluar veten, çka do të dëshironim të ndodhte dhe sot me këngën. Por?… Kujtohuni se me çfarë është përfaqësuar Shqipëria në Eurovizion këtë vit dhe çfarë mundësish të tjera përfaqësimi të artit të saj muzikor ka pasur e ka. Jo çdo krijim mund ta ketë statusin e përfaqësimit të një kulture. Kënga e sipërthënë e përcjell me madhështi kumtun e atdhedashurisë dhe të flamurit skënderbegian:

“Po ku ka si ti, o Shqipëria ime

O fisnikja përmbi gur,

Rrjedh në këngë e ligjërime

Ballëlarta me flamur”.

Janë veçse katër vargje dhe aty ndihet muza shqiptare që nga autorët e vjetër, te De Rada e më sot. Vargu “O fisnikja përmbi gur” sjell përfytyrimin e shqiponjës që e ka folenë në lisa e shkrepa dhe shikimin në tejsinë e maleve, deteve e qiellit. Thirrja e zemrës “Po ku ka si ti, o Shqipëria ime” është një referencë e pashqitshme ndaj Atdheut, që me gjasë do të shtegtojë gjatë pa u tutur se moderniteti mund ta nxjerrë jashtë kohe. Beci ishte një njohës i traditës letrare dhe i folkut të trevave në veçanti. Fjalën ligjërim, në trajtën foljore ligjëruom e hasim që te Budi, një fjalë aq e vjetër e shqipes që tingëllon aq e re për publikun e vonë. Nuk është më rapsodia klasike me përshkrimin epik të betejave me ngjarje dhe emra krahinash, luftëtarësh etj., por vargu sintetik plot ndjesi, përmes një tonaliteti të lartë muzikor, përherë në ngjitje.

Vetëdija e poetëve është mishëruar në “sibilat” e së bukurës së dheut të atit dhe nënës, gjuhës, kombësisë etj. Gjeneratat e shekullit XX u rritën me vargun e famshëm naimjan: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar”, që nuk mplaket as pas një mijë vjetësh. Koha ecën, epokat ndërrohen, teknologjia ka përshkuar gjithçka, por sado bota të “globalizohet”, janë ca rrënjë që nuk rreshtin kurrë së çeluri filizat amë. Na e dëshmojnë këtë dhe shqiptarët e emigruar tash njëqind, që e kanë krijuar një copë Shqipëri kudo rrojnë, nga “Vatra” e Amerikës, te një kënd i thjeshtë shtëpie, ku rri varur një xhubletë a fustanellë, çifteli a saze, një peizazh alpin a bregdetar etj. Dhe albumet e këngëve shqiptare të të gjitha llojeve.

Në mbyllje, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, së bashku me hite të tjerë të zgjedhura, si “Për ty Shqipëri” e Pjetër Gacit e Mentor Xhemalit, “Xhamadani vija-vija” e Zef Çobës e Alfred Çapalikut, përbëjnë një kolanë meritore të këngës shqiptare. Nëse, në mënyrë të figurshme, do të thoshim se Himni Kombëtar, sa unik e i papërsëritshëm, aq dhe i “pakryer” është, këngë si këto do të ishin prurjet bashkëkohore të tij. Asdreni do të lumturohej për pasardhësit e denjë, që lartësonin, përmes vargjesh të skalitura në këngë, Shqipërinë dhe flamurin e përbashkimit të shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok