22/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

-Nuk është kurrë vonë për tu martuar. Mos u lodh me nëmërçka, vjosa, puka, myzeqera, divjaka, zadrima, krraba. Ato janë femra që nuk mbarsen. Po deshe nuse bio që pasi ta mbarsësh të mos pjelli bastarda por engjuj, ik merre në Mlik.

-Faleminderit për këshillën. Po ku ndodhet Mliku ? Nuk e mban asnjë hartë.

-Nusja bio nuk gjindet me harta. Nusen bio dhe fshatin e nuses bio ik gjeji si gjindet Stambolli, duke pyetur.

Rruga për në Mlik nis në të dalë të Kavajës tek një kthesë rrëzë një kodre me ullinj në krahun lindor të autostradës.

Sa kapërxen atë kodër në majë të së cilës është një xhami me minare më të lartë se minaret e xhamive të Mekës, të hapet befas para syve një fushë mahnitëse nga ato që nuk të mërziten kurrë të shkosh t’i shikosh, nga ato që janë njësoj të bukura në çdo stinë të vitit, në çdo orë të ditës, pavarësisht kushteve të motit.

Fshatra me shtëpi të reja duken që larg si zaje të bardhë hedhur shkujdesshëm mbi fushë. Ullinj, pjeshkë, rrush gjithandej.

Fshati Gërmenj;

-A mungon ndonjë gjë në këtë mrekulli të botës ?

-Uji, përgjigjen nja pes a gjasht njëherësh.

Me ujë, pa ujë, me dyqane, karburante, motoçikleta e makina të panumurta, Gërmenji dhe fshatrat rrotull janë secili një Xhehenet më vete.

Nuk pyes në Gërmenj për nuse e Mlik. Pyetjet delikate nuk bëhen në fushë të hapur pa asnjë pikëmbështetje. Bëhen pak më tutje ku ka reliev, mes kodrave, maleve, shkëmbinjve që garantojnë përqëndrim, konfidencë.

As tre kilometra nga autostrada në drejtim të Mlikut, mbaron asfalti, nis një rrugë me taban të fortë që gjarpëron mes kodrave.

Nëpër kodra ka më pak pjeshkë dhe më tepër vreshta dhe ullinj se në fushë.

Pas ca kthesash, i pari takim i shumpritur më një vendali;

-Mirë ta paska vajtur mendja për nuse në Mlik. Por zor të ketë mbetur ndonjë. I kanë marrë ata që kanë ardhur para teje nga Kavaja, Durrësi, Tirana. Pëlqehet malli bio.

Pak më tutje një mesoburrë që i është këputur kosorja duke korrur bar. E kotë ta pyesësh për nuse e Mlik. E ka mendjen të ngjisi kosoren.

Një tjetër me shall rrotull qafës bën sikur s’dëgjon.

Pas shurdhit, një i moshuar që po shkonte të falej në xhami;

-Vajzat zbresin marrin burra tatëpjetë. Djemtë ngjiten marrin nuse përpjetë. Beqarët e Mlikut i ka gjet belaja. Meqënse s’ka fshat më të largët dhe më të lartë se Mliku ata të shkretë s’kanë ku të ngjiten as ku të venë. Megjithatë ti u nise që u nise. Ik provoje fatin në Mlik se ndoshta ka mbetur ndonjë bio-nuse për ty. Unë jam nga një fshat pak më afër se Mliku, nga Mushniku. Nuk do largohem kurrë nga ky vend i begatë. Sa të asfaltohet rruga edhe ata që kanë ikur do kthehen. Është tokë e begatë dhe e pasur kjo nën këmbët e mia. Rusë, kinezë, gjermanë, italianë, që kanë ardhur këtu kanë gjetur përveç naftës edhe flori, por e mbajnë sekret.

Dikush me motoçikletë dhe kaskë, herë para herë pas, sikur po më ndjek. I bëj shenjë. Ndal. E pyes si t’ja bëj të marr një bio-nuse në Mlik.

-Mirë e ke menduar, tha pasi nxorri nga kaska e motorrit kokën e madhe si qën stani me leshra të gjata. Po mori gruaja e mirë burrin e gabuar, hapu derën të gjitha të zezave. Vijnë na i marrin çupat na i shpjenë tatëpjetë në Kavajë, Tiranë, Durrës, Itali. Çupat tona sa më larg, ikin aq më të bukura bëhen. Kam dy çupa. Të dyja leshverdha. Erdhën m’i morën një suedez dhe një rus. Sot janë njëra më perri se tjetra. Na ka gjet belaja. Ata të fushave që vijnë marrin për nuse çupat e maleve, ne të maleve nuk na i japin çupat e tyre për nuse.

Aty e lart s’ka më as pjeshkë as hardhi, vetëm ullinj.

Pas një përroi është Mushniku. Shumica e shtëpive të braktisura. Asnjë shtëpi e re. Fshat i braktisur ku ka shumë për të punuar por asgjë për të vjedhur. Në një si dyqan ka vetëm oriz, biskota, dhe shapka. Para dyqanit disa fëmijë.  Mes tyre motër e vlla. Kanë qënë në shkollë, kanë ndalur pak aty dhe do nisen në shtëpi, në Mlik. Pranojnë të fotografohen me kënaqësi. Vëllai i hedh motrës dorën në sup. Motër e vëlla më thonë se Mliku është atje tej, fshehur pas atij malit. Mliku kishte 100 shtëpi. Tani ka 9. Kanë ikur në Kavajë, Durrës, Itali. Nuk ka rrugë për makinë deri në Mlik. Në Mlik mund të shkohet vetëm më këmbë nga toka ose me helikopter nga ajri.

Në Mlik nuk vajta dot. Nuse nuk gjeta. Sapo nis të kthehem pik e vrer tatëpjetë, përballë vjen një Golf me gjith’ katundin brenda: Babai, xhaxhai, dajua, vëllai, nusja e vëllait. Janë nga Mliku, dhe në Mlik po shkojnë. Deri në Mushnik me Golf, pastaj më këmbë. Dy vëllezërit, babai dhe xhaxhai, rikonfirmojnë; Pisk me nuset dhe dhëndurrët në Mlik. Gocat e Mlikut kanë ikur. Kanë mbetur beqarët. Beqarëve fusha nuk u jep nuse. Hidhet e flet nusja nga brenda Golfit; Jam nuse në Mlik. Kam ardhur nga fusha. Jemi tre nuse në Mlik. Ndjehemi të lumtura. Më mirë që s’vajte në Mlik. Do ishe lodhur kot. Kanë ikur të tëra. Kane mbetur vetëm beqarët. Thuaju mikeshave të Tiranës të mos shpenzojnë qimet e kokës me operacione plastike për të trashur buzët e gojës me mishin e bythës. Mund të vijnë të martohen me mzatat e Mlikut pa gjithato shpenzime dhe do mbeten të kënaqura në çdo pikëpamje.

Pas Golfit, s’pyeta më për bio nuse. Drejt e në Tiranë. Drejt e në shtrat. Drejt e në gjumë. Ku në ëndërr pashë bio-gratë e mia: Shkodrën lozonjare, Nëmërçkën tradhëtare, vjosën e pabesë, pukën dinake, por edhe myzeqenë e nxehtë, divjakën e lagur, dhe krrabën e derdhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok