21/12/2024

NUMRI I TË VRARËVE NË LUFTËN ÇLIRIMTARE TË UKRAINËS – SEKRET I PALËVE NDËRLUFTUESE

0
Xhelal-Zejneli

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Numri i ukrainasve dhe i rusëve të vrarë apo të plagosur në luftë që zgjatë tashmë dy vjet e gjysmë ka arritur një milion, shkruan Wall Street Journal.

ShënimWall Street Journal (WSJ), shkurtimisht Journal, është gazetë amerikane me qendër në New York City, me fokus në biznes dhe financa. Funksionon sipas modelit të abonimit. Për të pasur qasje apo akses në artikujt apo në përmbajtjen e saj, lexuesit duhet të paguajnë. Botohet gjashtë ditë në javë nga Dow Jones & Company, një divizion i News Corp. Numri i parë u botua më 8 korrik 1889. Prej vitit 2023, me një tirazh prej 609,650 abonentë shtypi, është gazeta më e madhe e ShBA-së. Ajo ka 3.17 milionë abonentë digjitalë, e dyta më e madhe në vend, pas The New York Times.

*   *   *

Rusia dhe Ukraina nuk kanë publikuar vlerësime zyrtare për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve. Shifrave që i kanë publikuar herë pas here askush s’u ka besuar. Në një vlerësim sekret të Ukrainës të fillimit të këtij viti flitet për 80.000 ushtarë ukrainas të vrarë dhe për 400.000 të plagosur.

Vlerësimet e shërbimeve perëndimore të informimit për humbjet ruse ndryshojnë. Sipas disa burimeve, flitet për gati 200.000 mijë ushtarë të vrarë rusë dhe për rreth 400.000 të plagosur.

Humbjet i shkaktojnë probleme edhe Rusisë ngase për të përparuar në lindje të Ukrainës, përfshin në radhët e ushtrisë ushtarë jo mjaft të stërvitur. Po ashtu tenton t’i kundërvihet hyrjes së forcave ukrainase në rajonin e Kurskut. Por, Ukraina ka një popullsi shumë më të vogël se Rusia, ndaj pasojat e humbjeve njerëzore, për të janë më të mëdha. Ukraina e ka çerekun e numrit të përgjithshëm të popullsisë së Rusisë.

Kjo luftë do të ketë pasoja afatgjata për këto dy vende ndërluftuese të cilat për shkak të problemeve ekonomike dhe tronditjeve shoqërore, kanë pasur rënie të popullsisë edhe para luftës. Sipas vlerësimeve të qeverisë dhe të demografëve, në dhjetëvjeçarin e fundit Ukraina ka humbur të paktën dhjetë milionë njerëz.

Ukraina e sotme dikur ka qenë pjesë e perandorisë ruse. Putini disa herë ka thënë se dëshiron ta kthejë këtë vend në gjendjen e atëhershme. Ai e mohon identitetin ukrainas dhe shtetësinë ukrainase dhe pohon se shumica e popullit ukrainas janë të krishterë sllav dhe ortodoks. Rrjedhimisht, ata janë pjesë e kombit rus.

– Për Putinin, demografia është prioritet. Ai dëshiron ta shfrytëzojë Ukrainën dhe popullin e saj për konsolidimin e bërthamës sllave të Rusisë – thotë për Wall Street Journal politologu bullgar Ivan Krastev, autor i librit për demografinë evropiane.

– Por, për Ukrainën dilema është ekzistenciale: Sa njerëz mund të humbni në luftë, para se ta humbni ardhmërinë tuaj? – pyet Krastevi.

Masa më efektive e Putinit për shtimin e numrit të popullsisë ruse para invadimit në Ukrainë ishte aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Sipas Krastevit, ky aneksim i shtoi Rusisë 2,4 milionë njerëz. Politologu bullgar vlerësimet e veta i bazon në regjistrimin e fundit të popullsisë në Rusi.

Rusia e shtonte popullsinë e vet duke zaptuar territore, por lufta pati efekt dëshpërues për demografinë e saj të brendshme dhe për tregun e punës. Prej fillimit të invadimit në Ukrainë, mbi 600.000 rusë kanë ikur nga vendi. Kanë ikur kryesisht të rinj profesionalë të cilët kanë pasur mundësi të shpërngulen në vende të huaj.

Rusia tradicionalisht mbështetet në migracionin e punës nga Azia Qendrore, por lufta e pakësoi, në mos edhe e ndërpreu, ardhjen e punëtorëve imigrantë. Kjo e përkeqësoi mungesën në rritje të fuqisë punëtore në Rusi për arsye se Siberia dhe Lindja e Largët shënojnë rënie të  shpejtë. Ekspertët të lidhur me qeverinë publikisht e kanë paraqitur idenë për importin e punëtorëve nga Koreja e Veriut.

Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka pasur efekt katastrofik ndaj popullsisë ukrainase. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2001, Ukraina ka pasur 48 milionë banorë. Në fillim të vitit 2002, para invadimit rus, ky numër ra në 40 milionë, duke përfshirë rajonet si Krimeja të cilën Rusia e pushtoi në vitin 2014.

Sulmi i Rusisë në Ukrainë filloi në shkurt të vitit 2022. Sipas Kombeve të Bashkuara, që atëherë kanë ikur nga Ukraina mbi gjashtë milionë vetë. Po të llogarisim këtu edhe pjesët e vendit të pushtuara nga Rusia, rezulton se popullsia e përgjithshme në territorin që ndodhet nën kontrollin e Kievit, tani ka rënë në 25 apo 27 milionë.

Hulumtuesi në Institutin për Demografi Ptoukha, Oleksandër Gladun thotë: “Para luftës Ukraina ka pasur mbi 42 milionë banorë, kurse në fillim të viti 2024, në territorin nën kontrollin e Kievit ka pasur rreth 29 milionë banorëNjë pasqyrë më e saktë e numrit të popullsisë në Ukrainë do të kishim vetëm pasi të kalojnë disa vjet nga mbarimi i luftës, kur do të mund të dihet numri i personave që do të kthehen”.

Në rënien e numrit të popullsisë në Ukrainë nuk ndikon vetëm numri i të vrarëve. Lindshmëria në Ukrainë ka rënë në shkallë të ulët. Sipas të dhënave të qeverisë, në gjysmën e parë të këtij viti kanë vdekur tri herë më shumë njerëz sesa që kanë lindur. Sipas të dhënave qeveritare, në atë periudhë kanë vdekur rreth 250.000 vetë, kurse kanë lindur rreth 87.000 foshnja, që është 9 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2021, para invadimit rus, kanë lindur mbi 130.000 foshnja.

Mënyra ruse e luftimit ka për qëllim po ashtu që ta bëjë Ukrainën të papërshtatshme për jetesë. Sulmet ruse me predha dhe me fluturake pa pilot kanë nxjerrë nga përdorimi pjesë të mëdha të rrjetit energjetik të Ukrainës, duke përfshirë edhe centralet elektrike. Si pasojë, popullata ballafaqohet me ndërprerje të mëdha rryme dhe nxehjeje. Kjo mund të ndikojë që gjatë këtij dimri një numër i konsiderueshëm i ukrainasve të kërkojnë strehim jashtë vendit.

Palët ndërluftuese, Ukraina dhe Rusia, e fshehin numrin e viktimave të luftës. Kryetari i Ukrainës Volodimir Zelenski tha në muajin shkurt se deri tani janë vrarë rreth 31.000 ushtarë. Disa ish-zyrtarë politikë dhe të sigurisë thonë se fshehja e numrit të vërtetë të të vrarëve ka për qëllim të qetësojë shoqërinë. Fshehja e numrit real të të vrarëve do të ndihmonte në vazhdimin e mobilizimit të popullatës për t’i dërguar në fushëbetejë.

Zelenski refuzon t’i mobilizojë meshkujt midis 18 dhe 25 vjet që paraqet pjesën kryesore të të gjitha forcave luftarake. Ish-zyrtarët ukrainas thonë se Zelenski vepron kështu për arsye se pjesa më e madhe e këtyre meshkujve ende s’kanë pasur fëmijë. Po të vriteshin këta rekrutë të rinj apo të plagoseshin e të bëheshin të paaftë, situata demografike e ardhshme do të përkeqësohej akoma më tepër – thonë demografët ukrainas.

Për këtë arsye drejtuesit e luftës në Ukrainë nuk u janë bindur thirrjeve të partnerëve perëndimorë për të dërguar në fushëbeteja më shumë njerëz. Me fjalë të tjera, Ukraina ka zbatuar mobilizim të pjesshëm. Sipas vlerësimeve të zyrtarëve qeveritarë dhe ushtarakë, mosha mesatare e luftëtarëve ukrainas tani është mbi 43 vjet. Për ta shtuar numrin e luftëtarëve, Kievi ka rekrutuar një numër të vogël personash të dënua dhe të huaj.

Numri i civilëve të vrarë mbetet i panjohur. Sipas vlerësimeve të organizatës joqeveritare Human Rights Watch, vetëm pushtimi rus i qytetit portual Mariupol në juglindje në vitin 2022, mori mbi 8.000 jetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok