09/12/2024

BALADË PËR KTHIMIN NË SHTËPI

0
Agron-Tufa-Njeriu

Agron Tufa:

Për të gjithë të interesuarit, miq e lexues që më kanë shkruar në privat si ta gjejnë vëllimin e ri poetik “Njeriu buzë lumi”, po përgjigjem tashmë i sigurtë, se e gjeni në stendën e Onufrit. Ju falenderoj dhe ju përshëndes të gjithëve me një baladë të këtij vëllimi.

BALADË PËR KTHIMIN NË SHTËPI

Lëpihet qelqesh han` e zbehtë.

Ç’po mih një kthetër në sepet?

Këtu, pa kthye tash sa vjet

në shpi të nanës mbetun shkretë,

kush paska hy? Kush do të jetë,

që mih kjo kthetër në sepet?

E hapa portën në mesnatë,

pa pipëti asnjë kanatë,

me drojën se mos zgjoj ndokand

dhe mbajta vesh heshtjen e randë,

nësa mësoj me terrin sytë

veç me pak dritë në superdritë.

Marrtas shqova paksa muret,

mandej u shfaqën gjith’ konturet

që syni im i veshi vetë

me plus-minus identitet

gjer u lëshova në divan:

erëmon përreth diç si temjan.

I mbylla sytë me pa ma mirë

ç’më fshihnin motet bamun fir,

prejsè e ambla ime amë

doli pa kthim prej këtij pragu –

kur një gërvimë e një rropamë

ia dhanë së nalti nga çardaku.

Brofa vrik e mbajta vesh.

“Ç’të jetë?” – hamenda. Ban vaki

kësaj mesnate që të ndesh

të tjerë bujtës në shtëpi?

Marr shkallët ngjis e befas step:

rrëmon një kthetër në sepet.

Përnën çardak, në kat të dytë,

në odën e së amblës amë,

qenë qitë sepeti pirg stolitë

dhe kthetra mihte me rropamë,

sikur andej shkepte mëlçitë –

krejt rropullitë e s’ndjerës nanë.

Shituar mbeta mu në prag

me morsë ndërdyshje i mbërthyem –

mes frik’ e mllefi zemërak

pashë gjithçka me sy të shqyem,

si fekste pirg` i verdhë në cep

dhe mihte kthetra në sepet.

Me vite larg kësaj shtëpie

që kur iu kthye qiellit nâna,

si t’i besoj kësaj shajnie?

Mos t’i za besë çka ndriçon hana?

Dhe ndiej se as nuk iki dot

mbulue prorë me turp e ndoht.

Do t’ketë qenë vrull prej pantere

mbi prenë e pyjeve mesvere

kërcimi im me thonj në fyt.

Dhe çjerrje, klithma gjer tek yjtë,

gjer kur një krismë përposh buçiti –

gjëmim i mbytun dinamiti.

Pashë jetën të më hiqej osh.

I errët gjaku që përposh

rrodhi dhe veshi stolitë.

Tash nga tavani s’ua shqis sytë

tek ikin hapat nëpër shkallë.

Mbeç as i vdekun, as i gjallë.

Agron Tufa, Prill 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok