22/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Aty nga mesi i viteve ’90, vizitë te Kadare.

Mysafirët; Një kritik arti, një gazetar, një përkthyes, një i panjohur, dhe Kadare. Helena hyj e dilte me kafe ndër duar. Kakuja hyri vetëm një herë. Ndejti pak çaste sa rrotulloi një herë sytë si antenë radiolokatori, dhe iku nga erdhi.

Llaf e muhabet, biseda erdh’ e u përqëndrua mbi emigrimin, arsyet, avantazhet, problemet.

Mysafirët folën me rradhë secili mbi qasjen e vet me arratinë, e cila deri dje ishte e pamundur, ose të kushtonte kokën, ndërsa tani ishte bërë befas e kollajtë si kafshimi i një thele bakllava.

U sollën në vëmendje përvojat e dështuara apo të suksesëshme të filanit dhe fistekut; nja dy kompozitorë të cilët nga marshet e paradave me çizme ushtarësh, atje ku kishin vajtur merreshin me muzikë kishtare. Disa këngëtarë dhe shkruajtës tekstesh këngësh që fitonin goxha duke zëvendësuar në tekstet e hershme traktoristin me një qefli regjizor Hollivudi, dhe mësuesen e fshatit me modelen bishtpërdredhur të pasarelës etj.

Kur më erdhi radha mua me fol, thashë pakashumë këtë;

Hypa në një vaporr në mars ’91. Vaporit nuk iu ndez motorri. Nga ekuipazhi, asnjë. Ndoshta kishin ikur matanë detit.

Mes thasëve të shqyera të miellit dhe sheqerit nga rezervat e vaporrit, ca halabakë të djersitur me kanotjera të pista dhe me leva në duar, vinin vërdallë për të gjetur dikend që dinte ta ndizte motorrin e vaporrit.

Në kthesën e vështirë të një korridori të ngushtë zbardhur me miell e sheqer, u përplasa me një nga ata të hakërryerit me levë në dorë në kërkim të ndonjë shpëtimtari që duhej të ndizte motorrin si Prometeu Zjarrin.

-Çfarë je ti ?

-Inxhinier, i thashë me zë të dridhur tek përfyfyroja levën e tij duke shkatërruar brinjët e mia.

-Ndize motorrin.

-Nuk di. Nuk kam ndezur as nuk kam fikur kurrë një motorr vaporri. Më kupto drejt. Ndezja e motorrit është edhe në interesin tim, se un e ti, ndodhemi, si të thuash, në të një njëjtën varkë, e cila varkë, po futi ujë…më kupton besoj.

Mesa duket kombinimi i sinqetitetit me kërkimin e ndjesës e bindën se të merrej me mua ishte kohë e humbur, dhe iku duke bërtitur; Ah ju intelektualët duheni vrarë të gjithë.

Motori nuk u ndez. Duke u kthyer në Tiranë më kapi një mall i zjarrtë për shtëpinë. Sikur po kthehesha pas nja një viti, ndërkohë që mes bardhësisë së sheqerit dhe miellit të hallakatur gjithandej në vaporrin që s’u ndez, ndejta më pak se 1 orë.

Pas Italisë, nën shembullin e Woody Allen, i cili pasi dëgjoi pak Vagner u vërsul të pushtojë Poloninë, dëgjova një fragment nga një Ep me lahutë, Zana, Kreshnikë, dhe u nisa ta pushtoj Greqinë. Greqia fort e bukur. Por e nuhata shpejt se Greqia nuk mund të ishte grua për mua. U ktheva pas nja gjashtë muajsh me lotë të zjarrtë në sy për gërxhet e vendit tim.

Dy herë më kthyen në Durrës nga trageti për parregullsi në pasaportë.

Të dyja herët gjatë kthimit po ai mall i zjarrtë me flakë Ferri sikur në traget të mos kisha ndejtur nja dhjetë minuta, por dhjetë vjet.

Vazhduan këto variacione me ikje e ardhje, mall e zjarr, derisa një ditë u binda, dhe bindjen e shpalla te shtëpia ë Kadaresë

-Unë që gjithë jetën kam ëndërruar të iki nga ky Ferr me krahë si të Ikarusit dhe mjete si të James Bondit, nuk iki, dhe nuk do iki, bërtita me sa kisha në kokë. Më duket se po të iki unë, punët në Shqipëri nuk venë mirë.

Një mizë që vërtitej nëpër dhomë zhurmonte si MIG.

Pas një pauze të shkurtër, Kadare, i cili gjatë rrëfimit tim qëndronte i ngurtësuar, u bë befas viskoz.

Tha Kadare;

-Qënke si ai njeriu i shpellave të cilin shpellarët që dilnin për gjah, e linin në shpellë të ruante zjarrin të mos fikej.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok