06/12/2024

Nuk i solli Lulzim Basha  as Gjykatën Speciale, as planin e ndarjes së  Kosovës, as  të minishengenit  e as narkoshtetin në Shqipëri

0
Skender_Kapiti

Nga Skënder Sadri KAPITI

Po ta shikosh sot histerinë e pushtetin të sotëm  kundër Lulzim Bashës, e gjitha kjo bëhet për të mbuluar pushteti i sotem dështimet e tij në Shqipëri  dhe bëmat e veta antiKosovë në prag të llogaridhënies dhe të  ndëshkimit së ashpër  që pritet të marrë Kryeministri Rama dhe qeverisja e së të ashtuquajturës Rilindje e tij  me 25 Prill 2021.

Këta farë patriotësh fallco të pushtetit dhe të mediatikëve pranë tij i kërkojnë “llogari” Bashës sot  për rolin e tij në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Çfarë hipokrizie djallëzore  kjo! Dhe po u them  atyre se nëse nuk e dinë se çfarë roli ka pasur UNMIK në Kosovë drejtohuni  atyre që e sollën UNMIK-un në Kosovë.

Por sa për kujtesë:

UNMIK-u u vendos në Kosovë për të shërbyer si prezencë ndërkombëtare civile dhe ushtarake pas miratimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të KB-së 1244 në qershor të vitit 1999. Sa u përket çështjeve të sundimit të ligjit, në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të datës 12 korrik 1999 (S/1999/779) thuhet se sistemi gjyqësor ishte “rrënuar” dhe se kishte “nevojë urgjente për të ndërtuar sundim të vërtetë të ligjit në Kosovë, duke përfshirë edhe përmes rindërtimit të menjëhershëm të një gjyqësori të pavarur, të paanshëm dhe shumetnik.

(https://unmik.unmissions.org/sq/sundimi-i-ligjit-n%C3%AB-kosov%C3%AB-dhe-mandati-i-unmik-ut)

Pra UNMIK-un nuk e ka sjellë Basha, por ai ka qenë një i punësuar në administratën e tij ashtu sikurse edhe shumë shqiptarë të tjerë nga Shqipëria.

UNMIK në Kosovë ishte në vazhdën e strategjisë së aleatëve të Kosovës si hallkë parapërgaditore e tranzitore  për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, pasi Kosova nuk u çlirua dhe as nuk mund të çlirohej vetë dhe pa ndërhyrjen vendimtare të NATO-s e udhëhequar nga SHBA-të, kur dihet se kundër NATO-s dhe ndërhyrjes së saj kanë qenë shtete të fuqishme botërore aleate të Serbisë, të cilat edhe sot kritikojnë dhe janë kundër Luftës së UÇK-së dhe  NATO-s, e që nuk e njohin akoma shtetin e Kosovës.

Dhe vazhdojmë me  tjetrën  se përse pikërisht pasi u arrestuan dhe u paraqitën në Gjykatën Speciale disa krerë të UÇK-së, pse pikërisht Kryeministri shqiptar në këtë moment inkurajoi “kerkimin” e një kasete filmike për krimet e Serbisë dhe nuk e bëri këtë më parë.

Nëse do të ishte kaq  seroz dhe i besueshëm e patriot Edi Rama pse nuk u interesua kaq shumë për këtë kasetë për ta paraqitur në Hagë kur Serbia dhe kriminelët e saj po gjykoheshin atje,por kaq shume vone  u kujtua ai?!

Deri aty  arrin verbëria politike e pushtetit arrogant sa don që  t’ia ngarkojë Bashës  dhe PD-së edhe krijimin e Gjykatës Speciale, kur edhe Gjykatën Speciale e sollën ndërkombëtarët dhe e miratuan po  vetë  deputetët e Kosovës të LDK, PDK dhe të atyre serbë, dhe sidomos me këmbënguljen edhe prej atyre që sot janë të arrestuar  dhe që pritet të arrestohen nga kjo Gjykatë? Pse Edi Rama nuk ia kërkoi mikut të tij, ishPresidentit të Kosovës, Thaçit,  që ai të mos u bënte presion deputetëve dhe që të mos votohej pro miratimit të Gjykatës Speciale, por Rama kujtohet sot dhe i vjen “keq” tani kur dhe pasi u arrestua   Thaçi ?!

Pra as Gjykatën  Speciale, ashtu sikurse as UNMIK-un  nuk e solli Lulzim Basha, dhe as politika pozitë-opozitë  e Tiranës.

Pra kuptohet se qëllimi është njollosja dhe dëmtimi i imazhit të Lulzim Bashës pasi ai është kandidati  për kryeministër në vitin e ardhshëm të  zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.

Ndërsa politika e Beogradit dhe e Rusisë hapur por edhe me mjeshtri e strategji tipike sllave: tinëzare, hipokrizie, mashtrimesh e gënjeshtrash përgatitën platforma, projekte e plane me qëllim për ta kriminalizuar luftën e drejtë e çlirimtare të Kosovës dhe deri diku ia kanë arritur qëllimit që të duken e të shfaqen në opinionin botëror edhe serbët si viktima të asaj lufte; pra, që të barazohet agresori me viktimën.

Ky është dështimi më i madh i politikës dhe i politikanëve shqiptarë të Tiranës dhe të Prishtinës përballë ofensivës serbe, dhe kulmi arriti që iniciuar nga agjentura antishqiptare serbo-ruse  arriti që të ngrihet Gjykata Speciale kundër luftëtarëve të UÇK-së. Tjetra është ajo që politika serbo-ruse arriti që ta ndërkombëtarizojë një plan të tmerrshëm, atë për coptimin e ndarjen e Kosovës e madje arritën që të gjejnë edhe mbështetje te politikanë e diplomatë perendimor, por e keqja më e madhe është se këtë plan antiKosovë e mbështeti edhe Presidenti i Kosovës por edhe kryeministri i Shqipërisë, e mbështetën ketë ide shkatërrimtare për shtetin e Kosovës.

Pra as idenë për coptimin e Kosovës nuk e solli Lulzim Basha, apo jo z. Kryeministër i Shqipërisë?!

Politika serbo-ruse por edhe ajo franceze mbështesin një projekt  tjetër antishqiptar dhe neojugosllav, atë të minishengenit ballkanik ku në të të përfshihet edhe Shqipëria, por kur as Serbia e as Bosnja nuk e njohin Kosovën, dhe se Beogradi në këtë projekt është  në qendër të këtij organizimi të Ballkanit perendimor.

Pra nuk është në të mirën e Kosovës dhe as të Shqipërisë minishengeni   i Ramës para atij shqiptaro-shqiptar Shqipëri-Kosovë, ashtu sikurse nuk i ka shërbyer por u ka bërë dëm të madh shqiptarëve bashkim-vëllazërimi titist në Jugosllavi  si dhe  internacionalizmi proletar e komunist në Shqipëri.

Këto janë problematikat të mëdha shqetësuese, dhe për këto dihet tashmë se kush e ka pëgjegjsinë.

Ishte krimi, genocidi dhe pastrimi etnik  i dokumetuar me qindra e mijra filmime dhe me dëshmi, ishin këto fakte të bëra prezent në të gjitha kancelaritë dhe në opinionin e mediat botërore ato të cilat bënë të mundur ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës, dhe nuk është se një kasetë do të ishte aq shumë vendimtare për ta akuzuar Serbinë si genocidiste.

Pra, kur SHBA dhe aleatët e saj, NATO-ja, sulmuan Sebinë, ata e sulmuan pikërsisht se Serbia ishte pushtuese, kriminale dhe genocidiste, dhe se edhe para fillimit të bombardimeve të NATO-s Serbia dhe regjimi i  Millosheviçit  janë  akuzuar për krime e genocid nga parlamente, qeveri, deputetë,diplomatë, kryeministra e deri edhe nga presidentët e Amerikës, Gjermanisë,Francës,Italisë, Britanisë, Turqisë etj.

Por nga Shqipëria akoma as sot nuk ka një rezolutë që dënon genocidin serb,

Këtë, pra, pse nuk ka një rezolutë të tillë do ishte mirë ta shikonte qeverisja dhe pushteti i sotëm i Ramës në Tiranë, nëse ai e ka seriozisht mbrojten e Luftës së drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së si dhe  dënimin e genocidit serb.

Lulzim Basha dhe Partia  Demokratike ndërtuan Rrugën e Bashkimit të Kombit, ndërsa Rilindja dhe Rama vendosën traun dhe taksën e ndarjes së Kombit. Lulzim Basha nuk ka bërë takime të përzëmërta e miqësore dhe as nuk ka promovuar rehabilitimin “demokratik” të Vuçiç e as të Daçiç, si dy ishshërbëtore besnik të Millosheviçit, apo jo z. Kryeministër?!

Pra, nuk i solli Lulzim Basha në Kosovë as UNMIK-un, as Gjykatën Speciale, as planin e ndarjes së  Kosovës e as  të minishengenit ballkanik. Nuk ka qeverisur dhe nuk është kryeministër i Shqipërisë sot Lulzim Basha, por është e ashtuquajtura mashtruese e keqbërësja  Rilindja Socialiste,  është ajo që instaloi narkoshtetin në Shqipëri dhe që ka 8 vite që mban peng Shqipërinë dhe nuk i hapen negociatat për në BE, është ajo që i detyron shqiptarët që ta boshatisin Shqipërinë e të  marrin arratinë dhe eksodin. Të ndodhur përballë këtij dështimi total, Rilindja dhe Rama si dhe merecenarët politikë e mediatikë  mundohen të dëshpëruar që të fabrikojnë gënjeshtra, mashtrime e akuza ndaj liderit të opozitës, kandidatit për kryeministër, z. Lulzim Basha, gjë kjo që është përpjekje e lexueshme dhe lehtësisht shumë e kuptueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok