13/12/2024

Dick Marty dhe propaganda serbe

0
u6_Bardhyl_Mahmuti

Nga Bardhyl Mahmuti

Shpallja e pafajësisë së plotë të komandantëve të UÇK-së nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi dhe hedhja poshtë e shpifjeve serbe për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja”, pati ndikim edhe te sajuesit e dosjeve kundër UÇK-së. Sipas pohimeve të Vlladimir Bozhoviqit, “dokumentacioni i plotë i këtyre dosjeve mbeti në godinën e qeverisë federale dhe atë e morën Sanda Rashkoviq–Iviq dhe njerëzit e saj. Sipas njohurive që kam, më vonë një pjesë e dokumentacionit u shkatërrua, ndërsa një pjesë ngeli aty dhe për fatin e saj nuk di asgjë. Por, e di se pas kësaj kohe asgjë nuk është punuar, vdiq çdo aktivitet” [Politika, Za trgovinu organima Beograd saznao pre devet godina (Për tregtinë me organe Beogradi ka qenë në dijeni para nëntë vjetësh), 01.01.2011].

Të asgjësosh një pjesë të dokumenteve për “krimet më të neveritshme” që pretendohej se u ishin bërë serbëve në kampet e Shqipërisë dhe të bësh që edhe në Beograd “të vdesë” aktiviteti për ndriçimin e këtyre krimeve të rënda, është dëshmi se edhe trilluesit e kësaj gënjeshtre ishin të bindur se askush nuk u besonte “përrallave dhe legjendave” të tyre!

Mirëpo, përveç Carla Del Pontes dhe John Clint Williamsonit, Dick Marty, një ish-prokuror tjetër zviceran që ishte “konvertuar” në  politikan, u shqua në shpërndarjen e sajesave të Shërbimit Sekret të Serbisë.

Gjatë tërë periudhës së zbatimit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë, ky ish prokuror që përfaqësonte Partinë Liberale-Radikale zvicerane në Asamblenë Federale, asnjëherë nuk e kishte ngritur zërin për të kërkuar ndërprerjen e fushatës ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, megjithëse botërisht dihej se gjatë asaj fushate u vranë mijëra civilë shqiptarë dhe qindra mijëra të tjerë u dëbuan me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës. Mirëpo, ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike për të ndërprerë barbarinë e Serbisë ndaj shqiptarëve, mobilizoi Dick Martyn të ddilte në ballë të mobilizimeve që kërkonin ndërprerjen e bombardimeve kundër caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe!

Dick Marty, së bashku me 19 deputet të parlamentit zviceran, i rekomanduan Këshillit Federal të Zvicrës “masat që synonin t’i jepnin fund luftës në Kosovë”.  Në këto rekomandime kërkohej nga institucioni më i lartë qeverisës i vendit të tyre që të bëjë çdo gjë që ishte e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim mes palëve, të vendosej një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatitej terreni për zgjidhje politike”. [L’Assamblée fédérale- le Parlament suisse, Mesures visant à mettre fin à la guerre au Kosovo, 21.04.1999, Recommandation 99.317 1 (Masat që synojnë t’i japin fund luftës në Kosovë, Rekomandimi 99.317 1, deponuar nga Dick Marty)].

Në këtë kontekst vlen të theksohet fakti se Dick Marty mbështeti pa asnjë rezervë qëndrimet e Sllobodan Millosheviqit që e cilësonin ndërhyrjen e NATO-s si “agresion ilegal, pa miratimin e OKB-së” dhe kërkesat e tij për “ndërprerjen e luftës dhe përgatitjen e terrenit për një zgjidhje politike” (Réseau Voltaire, Dick Marty : “L’indépendance du Kosovo n’a pas été décidée à Pristina”, entretien avec Silvia Cattori (Dick Marty: Pavarësia e Kosovës nuk u vendos në Prishtinë, intervistë me Silvia Cattori).

Për të denoncuar “agresionin ilegal kundër Serbisë, pa miratimin e OKB-së”, Dick Marty ishte tepër i zëshëm! Por, kur ai i rekomandon Këshillit Federal të Zvicrës që të bëjë çdo gjë që ishte e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve, të vendoset një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatisë terrenin për një zgjidhje politike”, Dick Marty as që përmend OKB-në. Sipas kësaj logjike, anashkalimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndërprerë bombardimet kundër regjimit të Millosheviqit nuk ishte ilegal!

Të kërkosh më 21 prill 1999 vendosjen e një “trupe neutrale për të mbikëqyrur armëpushim mes palëve dhe për të ruajtur paqen” dhe të luash rolin e injorantit që gjoja nuk e di se një armëpushim ndërmjet “palëve ndërluftuese” ishte arritur më 13 tetor 1998 dhe se për mbikëqyrjen e këtij armëpushimi u caktua Misioni Verifikues i OSBE-së me pjesëtarë të paarmatosur, nuk është asgjë tjetër pos përpjekje për të fshehur të vërtetën se ky mision dështoi për shkak të politikës së gjenocidit që kishte përpiluar shteti serb.

Të kërkosh më 21 prill 1999 që “të ndërpriten bombardimet kundër Serbisë” dhe të vendoset një “trupë neutrale” në të cilën nuk do të ketë pjesëtarë të shteteve të përfshira në këto bombardime, dhe të luash rolin e injorantit që gjoja nuk e di se shumica e shteteve të demokracive perëndimore ishin të angazhuara në operacionet e NATO-s, nuk është asgjë tjetër pos mbështetje e hapur e kërkesave të Sllobodan Millosheviqit që kjo “trupë neutrale” të përbëhej nga pjesëtarë të forcave ruse, bjelloruse, kineze, indiane apo të ndonjë vendi tjetër që dënonte sulmet e NATO-s.

Të kërkosh më 21 prill 1999 që “të përgatitet terreni për një zgjidhje politike” të Çështjes së Kosovës dhe të luash rolin e injorantit që gjoja nuk e di që Serbia nuk nënshkroi Projekt- Marrëveshjen e propozuar në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për shkak të planeve gjenocidare, nuk është asgjë tjetër pos mishërim i plotë me propagandën e regjimit të Millosheviqit.

Lufta përfundoi ashtu siç e dinë të gjitha ata që kanë qenë të interesuar për këtë çështje. Edhe forcat ndërkombëtare civile dhe ushtarake u vendosën në Kosovë për të siguruar paqen dhe për të përgatitur parakushtet për fillimin e dialogut lidhur me përcaktimin e statutit politik final të Kosovës.

Në përputhje me vendimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara  Martti Ahtisaari dhe Albert Rohan u caktuan të dërguar special për të udhëhequr këto bisedime. (Kombet e Bashkuara, doc. S/2005/709, 10 nëntor 2005). Në kapitullin e shtatë të librit “Mashtrimi madh” kam trajtuar hollësisht këtë proces dhe të gjithë të interesuarit për këtë çështje dhe për burimet zyrtare që lidhen me këtë proces mund ta konsultojnë librin falas në faqen e internetit Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” (https://kosovogenocide.com).

Në këtë memorandum po kufizohem vetëm në konkluzionet e “Propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës” të ekipit të Martti Ahtisaarit. Në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombeve të Bashkuara, të datës 26 mars 2007, Sekretari i Përgjithshëm i saj, Ban Ki-moon-i, theksoi se “pas më shumë se një viti bisedimesh të drejtpërdrejta, negociatash bilaterale dhe konsultimesh mes ekspertëve, Martti Ahtisaari kishte ardhur në përfundim se “duke shqyrtuar historinë e re të Kosovës dhe realitetin e tanishëm dhe duke zhvilluar negociata me të dyja palët, kam arritur te përfundimi se opsioni i vetëm i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e saj.”.

Bisedimet vazhduan edhe 120 ditë të tjera dhe më në fund, në përputhje të plotë me konkluzionet e raportit të Martti Ahtisaarit, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur.

Pas dështimeve diplomatike për të penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, diplomacia serbe u mobilizua për ta paraqitur këtë shpallje si të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Nga të gjithë intelektualët e profesioneve të ndryshme, që kishin për emërues të përbashkët antiamerikanizmin si këndvështrim ideologjik që u rreshtuan përkrah interpretimit serb të së drejtës ndërkombëtare, në vazhdim do të po përmend vetëm Carla Del Ponten dhe Dick Martin

VIJON

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok