22/12/2024

NUHI BERISHA – RINIA  JONË DO TI SJELLË KOSOVËS RREZET E LIRISË

0
Nuhi-Berisha

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1961- e vranë me 12 janar 1984)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Nuhi Berisha, u lind më 3 tetor 1961, në Svircë të Dardanës (ish Kamenicë). Babai i Nuhiut ishte Rexhep Berisha, një fshatar i ndershëm dhe trim i pashoq. Ndërsa nëna Hajrije, vinte nga Gashët e Rafunës. Ajo ishte një grua e fisme dhe kujdesej shumë për edukimin e fëmijët të vet. Familja ishte e varfër por me një ekonomizim të mirë familjar ia dilnin ti rrisnin fëmijët pa e vërejtur se sa e rëndë ishte jeta për ta. Në jetën martesore, babai i Nuhiut kishte tetë fëmijë: Muratin, Razën, Rahimen, Hajrijen, Feratin, Zahiden, Fizën dhe Nuhiun. Nuhiu ishte fëmija më i vogël dhe më i përkëdheluri i tyre. Si çdo familje shqiptare që jetonte në atë pjesë të Kamenicës, edhe Berishajt kishin presione të vazhdueshme nga pushteti serb që të shpërnguleshin. Presioni për shpërngulje të shqiptarëve bëhej në mënyrë ciklike duke filluar që nga viti 1878, për tu përsëritur më 1912, më 1918, më 1945. Por, presioni ndaj Sfircës dhe Berishëve nuk ishte vetëm në vitet e hershme, por ai vazhdoi herë më intensitet më të shprehur e herë më të ulët. Në vitet e 70-ta, familja Berisha shpërngulën dhe vendosen në qytetin e Gjilanit. Më 1918, për ti trembur e tmerruar fshataret, xhandarët e pushteti serb një natë iu hynë në shtëpi dhe i arrestojnë burrat e familjes : Rexhep Berishën, Zahir Bilall Berishën dhe një mysafir që rastësisht kishte qëllua aty. Pas shumë torturave që iu bëjnë para familjarëve, ata i dërgojnë për të vuajtur dënimin në burgun e Idrizovës. Burgu i Idrizoves, siç dihej ndodhej në Maqedoni, përndryshe njihej si burgu më i tmerrshëm për shqiptarët. Svircasit posa i vendosin aty, e shohin se ky burg ishte i mbushur me shqiptar dhe nga të burgosurit kuptuan se aty bëhen tortura të përçdonatshme, dhe ata-shqiptaret gjatë netëve të gjata të burgut zhdukeshin pa gjurmë. Disa i vrisnin natën, e disa i mbytnin në qelit e burgut duke trumbetuar se vdiq nga një sëmundje e rëndë. Duke e par se çfarë po i priste, ata marrin vendim që të arratisën. Pas njëmijë sakrificave arrijnë që të ikin nga aty, dhe një kohë të gjatë qëndruan të fshehur nëpër fshatra të Dardanës, e më vonë u kthyen në shtëpi.

Që në fëmijëri të hershme, tek Nuhiu u dalluan sinqeriteti, dashuria dhe urrejtja si virtyte të larta njerëzore. Shkollën fillore (katër klasë), i kreu në vendlindje, për ti vazhduar katër klasat e mbetura në fshatin Tuxhec, e që ishte një rrugë disa kilometra larg, dhe duhet shtuar edhe terrenin malor, që për një fëmijë ishte shumë e vështir. Pas shpërnguljes në Gjilan, Nuhiu vazhdon shkollimin e mesëm aty, por për fshatin ndjente shumë mall, në anën tjetër ishte edhe një e mirë ngase kishte shpëtua nga udhëtimi i gjatë për të shkua në shkollë. Gjimnazin e filloi dhe e mbaroi në Gjilan. U regjistrua në Fakultetin Juridik por më vonë, regjistroi edhe fakultetin e Kulturës fizike në Prishtinë. Ishte nxënës dhe student i shkëlqyeshëm. Vitet e luftës dhe padrejtësitë e shumta që iu bënë Kosovës, pas vitit 1945, edhe një herë nxorën në shesh reagimet dhe pakënaqësitë e popullit të saj. Në këto kushte të krijuara forcat nacionaliste në Kosovë vazhdimisht u ndodhën të zhgënjyera  e të tradhtuara, përballë vështirësive, por edhe obligimeve  të reja që morën, për të ndryshuar situatën që mbretëronte.

Vitet kur jetoi dhe veproi Nuhi Berisha për popullin shqiptarë ishin të rënda dhe të vështira. Pas Plenumit të Brioneve (1966), edhe pse pati tendenca që kjo periudhë historike të hidhet në harresë ose të shtrembërohen vlerësimet dhe vendimet e saja, rëndësia e Plenumit të Brioneve dhe periudha historike e zhvillimit të Kosovës në këtë kohë kishte dhe ka edhe sot një rëndësi historike, sidomos për nga dhuna, terrori dhe masatë e përcjelljes e ndjekjes që u aplikuan ndaj shqiptarëve menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e më vonë. Më 1966, Rankoviqi i kishte dhënë fund epokës së tij. Në këto kushte të tendosjes në Beograd dhe Zagreb kishin shpërthyer demonstrata të fuqishme më 1967. Ndërsa në Kosovë, pasi që u binden se me rrugë institucionale nuk do të arrihej e të sigurohej një autonomi më e gjerë, që Kosova të shpallej Republikë, e vetmja rrugë që kishte mbetur ishin demonstratat paqësore. Masat shqiptare në Jugosllavi nëpër mes demonstratave vendosën që të kërkonin ato që atyre iu mungonin gjithherë në krahasim me popujt e tjerë në Jugosllavi. Tek kërkesat e demonstruesve shqiptar, përveç tjerash do të ndikonte edhe kjo e dhënë, se sa ishte premtuar dhe çfarë nuk ishte zbatuar, por që ishte shkuar në të kundërtën nga pushtetarët.

Për të bindur opinionin e gjerë të vendit e aq më tepër atë ndërkombëtar, se Shteti Jugosllavi, megjithatë është demokratik dhe të gjithë popujt që jetojnë në të gëzojnë të gjitha të drejtat, Titoja mori përsipër që të përgatitën dhe të miratohen disa amendamente kushtetuese në vitet 1967 dhe 1968, dhe më në fund Kosova për herë të par në historinë e vet e nxjerri Kushtetutën, se gjerë më 1974, Kosova kishte Statutin. Kjo ishte edhe një element bindës se Kosova u bë njësi e barabartë federale, natyrisht ende jo në atë nivel në të cilën kërkonte populli i saj.

Edhe pse u sollën e u miratuan amandamente të reja për Kosovën, ajo edhe më tej ishte e robëruar nga Serbia e Jugosllavia dhe lëngonte në vargonjtë e saj. Pas ardhjes në fakultet, Nuhiu ishte takua me shokë që kishin po të njëjtin mendim si ai, dhe e thoshin haptas se gjendjen duhet ndryshuar. Studentët e Prishtinës ishin të pakënaqur. Në ilegalitet të thellë vepronin organizata të shumta atdhetare që bënin plane për një Kosovë të lirë dhe të pavarur që një ditë të bashkohet me Shqipërinë. Nuhi Berisha, të gjitha këto i vërente dhe i përcillte me kujdes. Ai nga prizmi i vet, kishte vizion të çartë për të ardhmen e Kosovës dhe guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm qysh nga bankat e shkollës së mesme.

Mu, në këtë luftë dhe, në këtë veprimtari patriotike ilegale, shquheshin pa dyshim, binomi atdhetar Nuhi Berisha e Rexhep Mala, që deri në fund të jetës nuk reshtën së luftuari, e së punuari për çështjen kombëtare. Nuhi Berisha në Organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës, kishte aderuar qysh si gjimnazist. Por vazhdimi i studimeve në Prishtinë ishte edhe një përparësi e madhe për atdhetarin e madh.

Menjëherë pas demonstratave studentore të 11 marsit të vitit 1981 shtabet politike të Jugosllavisë, që nga instancat më të ulëta e deri në ato më të lartat, që nga krahinat, republikat e deri në federatë, që nga organizatat bazë e deri në Komitetin Qendror të LKJ- së u mblodhën dhe diskutuan për ngjarjet në Kosovë. Të gjithë nxitonin se kush më parë të propozojë masat më drakoniane, se kush të parashtrojë planet më shtypëse  e më anti-humane ndaj atyre që morën pjesë në demonstrata.

Nuhi Berisha nuk qëndronte duarkryq, Ishte veprimtar i Lëvizjes ilegale në Kosovë në vitet e 70-ta dhe 80-ta të shekullit XX. Ai kishte eksperiencë dhe gjendej në radhët e para të demonstruesve duke u kacafytur me policët e shumtë që kishin ardhur nga të gjitha anët e Jugosllavisë. Duhet përmendur se edhe gjatë asaj kohe, sa demonstronin studentët, ata përcilleshin, fotografoheshin e filmoheshin nga ana e udbashëve. Të gjitha këto dokumente, më vonë policia dhe hetuesit i futën në përdorim duke i ndjekur, arrestuar dhe malltretuar pjesëmarrësit e demonstratave. Po ashtu, Nuhi Berisha përcillej enkas, ngase edhe ishte më i zëshmi duke i përkrahur e nxitur shokët që të rezistonin dhe duke hedhur parulla të shumta në ballë të tyre.

Rrallë ndodhë të përsëritet historia, por tek ne, historia u përsërit edhe atë në mënyrën më të vrazhdë. Jo se e deshëm ne, por këtë, na imponuan gllabëruesit e shumtë që i rrethonin trojet tona. Vargu i gjatë i vrasjeve pothuajse i bartësve kryesor të idealit dhe fatit të determinuar historik, u kryen në terrin e zi të bardhësisë së ngrirë të janarit. Ata, Boletini, Jusufi, Kadriu, Bardhi, Rexhepi, Nuhiu, Zahiri, Hakifi, Edmondi, banoret trima e punëtor të Reçakut e shumë të tjerë me armët dhe gjakun e tyre shkrinë borën në pikë të dimrit. Ndërsa, Nuhi  Berisha e Rexhep Mala do të përcjellin mesazhet e qëndresës epokale të popullit të Kosovës, ndaj dhunës e terrorit të Serbisë në vitet e 80-ta.

Ata, kishin vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës, dhe, guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm. Rexhepi e Nuhiu vlerësohen si dy, nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi, dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative. Nuhiu e Rexhepi, në jetën e tyre të shkurtër, kishin shumë gjëra të përbashkëta. Të dy vinin nga  familje atdhetarësh, që gjatë tërë jetës, kishin luftua për lirin e vendit, duke mos kursyer as gjakun e jetën e tyre. Me kohë, familjarët e tyre ishin angazhuar në lëvizjen kombëtare shqiptare. Sipas shumë të dhënave thuhej se, shumë familjar të tyre pas vitit 1945, kur Kosova pa dashjen e saj kishte ngelur nën okupimin serb e jugosllav, ata ishin të  angazhuar në organizata e grupe ilegale shqiptare që luftonin  për lirinë e Kosovës.

Udbashët, duke i ditur biografit e tyre, filluan, qysh në ditët e para të shkollimit, ti survejonin. Ata, nuk ishin të kënaqur me atë që panë, andaj filluan që të shohin një rrezik permanent nga ata. Ky ishte edhe shkaku që në fund të vitit 1968, të shekullit të kaluar, Rexhep Malën, e dënojnë për pjesëmarrje në demonstrata dhe e përjashtuan nga shkolla në Gjilan, me arsyetimin se “Ka prishur rendin dhe qetësinë publike, ndaj  kanë shkaktuar veprim kundërvajtës sipas nenit 2. alineja 2 të Ligjit për kundërvajtje”. Iu shqiptua dënimi me  25 ditë burg.

Pas demonstratave të vitit 1981, Nuhi Berisha, kalon në ilegalitet të thellë. Andaj, rrugë tjetër nuk kishte, përveç që të kalonte në shtetet perëndimore- në Zvicër. Më 1982, formohet Lëvizja për Republikën  Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, Nuhiu ndodhej në mërgim dhe bashkë me shokët e idealit, jep një kontribut të çmueshëm në radhët e saja. Për shkak të veprimtarisë atdhetare vazhdon të përcillej nga UDB-ja dhe vazhdon të jetë nën vëzhgimin e saj. Dhe, pas disa muajve kthehet fshehtas për të vepruar në ilegalitet të thellë në Atdhe. E veçanta e veprimtarisë së Nuhiut ishte aftësia e vënies së kontakteve dhe e krijimit të strukturave të gjera të aktivistëve.

Kthimi në Kosovë për miqtë ishte i mirëseardhur. Që në ditët e para ai u takua me Shaban Shalen, e nëpër mes tij, u njoftua edhe me shumë veprimtar që ishin angazhuar në kuadër të LRSSHJ-së. Po në këtë kohë Nuhiu formon edhe celulën treshe me mikun e tij Gafurr Elshanin, dhe Ilaz Kadollin. Pasi e shpallin të formuar treshen ata betohen para flamurit. Nuhiu ishte organizator i shkëlqyer i veprimeve ilegale, andaj, në fillim të vitit 1983, shokët në mërgim e kërkuan që të kthehej përsëri në Zvicër për të dhënë kontributin e tij. Për ndihmën e Nuhiut, kishin nevojë edhe shokët brenda në Kosovë, andaj ai kthehej në Prishtinë, dhe mu këtë herë, me ndihmën e veprimtares Teuta Hadri, takohet me Rexhep Malën, që nga ajo ditë e deri në vdekje kurrë nuk u ndanë.

Po ashtu, Nuhiu e Rexhepi, bashkërisht, ishin aktiv në shkrimin dhe shpërndarjen e parullave e trakteve, me përmbajtje anti-jugosllave. Aktivitet të dendur atdhetar, dhanë me shkrimet e tyre që i botonin në faqet e “Zërit të Kosovës”, që në atëkohë botohej jashtë atdheut. Nuhiu dhe Rexhepi dhanë edhe një kontribut të çmueshëm me shkrimet, trajtesat e analizat që bënë për çështje ndër më të ndryshmet, si demonstratat, organizimin, disiplinën e konspiracionin, përgatitjet luftarake për kryengritje të armatosur, gjendjen ekonomike e sociale në vend, Lëvizjen Kombëtare, rininë, pozitën e gruas dhe potencialin e saj patriotik, dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, moralin luftarak dhe virtytet e luftëtarit të lirisë, kalbësinë e regjimit pushtues, shërbëtorët e tij dhe aparatin shtypës.

Ai ishte  poet shumë i mirë dhe publicist. Në veprën e tij “Pranvera e luleve të kuqe”, të shkruar në mërgim në verën e vitit 1982, shprehu tërë dashurin dhe urrejtjen ndaj pushtuesit. Ai mbajti shënime për ecurinë e demonstratave nga 26 marsi deri më 2 prill të vitit 1981. Gjithë kuptimi i jetës së Nuhiut ishte aksioni, por ai u shqua edhe për aftësi udhëheqëse, si kuadër i pazëvendësueshëm

Nuhi Berisha e Rexhep Mala  provuan të vihen në themelet e një organizimi të Lëvizjes Çlirimtare, që vepronte në vazhdimësi.

Që nga ditët e para të veprimtarisë ilegale, e, deri më 12 janar 1984, ata për asnjë moment nuk ditën të ndalen. Ata, ecën edhe atëherë kur nuk mund të ecej, dhe me gjakun e tyre ujitën tokën e robëruar të Kosovës, për ditët e mira që gëzojmë ne sot. Nuhi Berisha e Rexhep Mala,  sintetizojnë dy dimensione të rëndësishme në harkun e tyre jetësor: të besnikërisë dhe të vetë sakrificës për shokët e idealit si dhe atë historik, të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Ndikimi i këtij binomi të përbërë nga dy personalitete të përmasave të mëdha kombëtare, në rrjedhat historike shqiptare është i pakontestueshëm, i dukshëm, pozitiv, i përbashkët, por, edhe i veçantë. Shumica prej këtyre komponentëve, qe e stolisin personalitetin e njërit dhe tjetrit, si vëlla të këtij binomi, nga studiuesit e vëmendshëm, mund të vërehen në tërësinë e jetës dhe të veprimtarisë së tyre të bujshme, të pandalshme, të rëndë, por, të suksesshme, dhe të kurorëzuar, më realizimin e shumicës së ideve dhe të planeve të tyre politike, ideore dhe kombëtare.

Nuhi Berisha, me plotë të drejtë, duhet të konsiderohet si shoku më besnik i rrugës së drejtë, të idealit kombëtar, i qëndrimit dinjitoz, dhe, si luftëtar i paepur të luftës çlirimtare shqiptare.

Binomi atdhetar: Nuhi Berisha e Rexhep Mala, u kthyen në sinonim të vullnetit dhe të dashurisë sonë individuale dhe kolektive, për t’u bashkuar me rrjedhat e rezistencës, dhe për t’u mobilizuar në fusha të ndryshme të rezistencës. Jeta dhe vepra e binomit atdhetar dhe, e patriotëve të tjerë, të rënë në altarin e lirisë, fryma, roli, aksioma e jetëve të tyre, ishte një dhe e pandarë: kryekëput në shërbim të kauzës së lirisë. Veçse, kjo kauzë e Kodrës së Trimave, e parë nga dimensioni universal i kauzës së lirisë,  ishte në bërthamën e saj edhe si një kauzë me mesazh ndërkombëtar. Se çfarë ishte roli dhe ndikimi i ngjarjes së Kodrës së Trimave më 12 janar 1984, e tregon fakti se pas kësaj ngjarje, rezistenca aktive në Kosovë, hyri jo vetëm në momentet e pakthyeshme të saj, porse, depërtoi edhe në agjendën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndërhyrja politike dhe ushtarake në Kosovë, përgjatë vitit 1999, tregon më së miri se si ngjarja e 12 janarit, e e shumë janarëve të tjerë, patën ndikim të drejtpërdrejtë në arenën ndërkombëtare.

Nuhi Berisha e Rexhep Mala, si dhe shumë patriotë të tjerë, ishin atdhetar që nuk i përkisnin vetëm një vendi apo krahine dhe në shumë momente biografitë e tyre përzihen me biografitë shpirtërore të një kohe të tërë që, zëri i tyre është pranë të të gjithëve.

Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë për të mos vdekur kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok