23/12/2024

NOSTALGJIKËT E KOMUNIZMIT – MORALISHT TË FALIMENTUAR DHE MATERIALISHT TË KORRUPTUAR

0
Ikja-91-Itali

Simbol i trashëgimisë komuniste! Largimi masiv i shqiptarëve nga “parajsa” enveriste në fillim të 90-ave – një fenomen ky që vazhdon edhe në ditët e sotme në mënyrën më intensive.
“Ne duhet të shkruajmë me një gjuhë që përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” Vladimir Lenini
Nga Frank Shkreli
Ishte e pamundur që javët e fundit të lexoje një pjesë të madhe të shtypit shqiptar dhe të mos shihje faqe e faqe të tëra të botuara, marrë nga libri i fundit i kujtimeve të Nexhmije Hoxhës, bashkshortes së diktatorit, një e drejtë kjo e saj që dikur nuk ua lejonte kundërshtarëve të saj. Këto media– në fakt — ashtu si atëherë në diktaturën komuniste, po luajnë rolin kolektiv propagandist në shërbim të një agjitatori dhe organizatori të masave, por kësaj radhe në një sistem post-komunist që quhet demokraci, madje edhe në emër të lirisë së shtypit dhe të fjalës së lirë. Një mik imi nga Tirana më tha se shkrime të tilla lexohen shumë nga shqiptarët. Qëllimi pra është të shiten gazetat, pa marrë parsysh përmbajtjen e botimeve të tilla si “kujtimet” e Nexhmijes Hoxhës dhe libri i mjekut personal të diktatorit, Z. Isuf Kalo një rrëfim i rrallë i jetës së Bllokut, ku i thuren lëvdata jo vetëm Enver Hoxhës por edhe bashkshortes së tij dhe ish-udhëheqësve të tjerë komunistë. Botimi i këtyre dy librave u pasqyrua dhe u diskutua gjërësisht me javë të tëra në programet televizive “prime time” dhe në shtypin e vendit. Një reflektim ky i falimentimit moral politik dhe i korrupcionit material, jo vetëm i politikës së ditës por edhe i medias shqiptare.
Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, por sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër. Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur me shembjen e Murit të Berlinit. Por, kjo magjepsje me të kaluarën komuniste në Shqipëri, siç dëshmon edhe vëmëndja që po i kushtohet, ditët dhe javët e fundit, “kujtimeve” të Nexhmije Hoxhës dhe të mjekut të Enver Hoxhës, Z. Isuf Kalo në median shqiptare si dhe nga opinionistë të ndryshëm, është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e madhe e të cilave janë dokumentuar nga ente të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarve nga regjimi enverist. Vetëm ata që janë moralisht të falimentuar anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi ka përdorur për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet. Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, media dhe nostalgjikët e komunizmit, për interesa të momentit, promovojnë figurat më të shëmtuara të regjimit komunist shqiptar.
Një përjashtim nga ky grup është analisti i njohur Agron Gjekmarkaj, i cili në një artikull të ditëve të fundit, komentoi, ndër të tjera, pikërisht rolin e medias në këtë mes. “Në shumë media” shkruan Gjekmarkaj, “ka një rendje, një dihamë, një garë, një lëbyrje për të botuar e ribotuar kujtimet e Nexhmije Hoxhës. Po të pyesësh pse ndodh kjo, të përgjigjen: “Po ja, këto klikohen, lexohen, i kërkon publiku”. Në këtë rast, të dyja palët po bashkëpunojnë në revizionimin dhe modifikimin e një epoke kriminale”, thekson ai. “Ata po masturbohen me mashtrimin hakmarrës që u ofron zonja plakë. Ajo po përqesh iluzionin tonë për liri e demokraci. Mbi plagët e shqiptarëve-viktima të saj, gjuan gëlbazë e cinizëm të ftohtë. Nexhmija po sillet si fitimtare”, thekson Agron Gjekmarkaj.
Krahasoni, ju lutem, vëmendjen që media dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare u ka kushtuar këtyre dy botimeve të kohëve të fundit të Nexhmije Hoxhës dhe Isuf Kalo, me mungesën pothuaj totale të pasqyrimit në media të hapjes më 13 shkurt, 2020 të edicionit të pestë i Ditëve të Kujtesës nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC), që synon të ndërgjegjësojë dhe të forcojë dialogun rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale. Sipas portalit të (IDMC) aktivitetet nisën me ekspozitën ndërkombëtare, “Totalitarizmi në Evropë” dhe një diskutim mes ekspertëve vendas dhe të huaj rreth represionit stalinist duke vënë në analizë diktaturën që përjetoi Shqipëria në krahasim me shtetet e tjera ish-komuniste. Në ceremoninë që u mbajt në hotel Tirana të ënjtën, Drejtoresha e këtij enti, Dr. Jonila Godole kujtoi synimet që Ditët e Kujtesës kanë pasur që në vitin 2015 kur u organizua aktiviteti i parë. Ajo theksoi se, “Situata nuk ka ndryshuar shumë, pasi ish-të përndjekurit nuk kanë ende një memorial, e shkuara vazhdon të jetë e trajtuar me mangësi në tekstet shkollore ndërsa shoqëria mbetet pak e ndërgjegjësuar.”
Pikërisht, ky është edhe problemi kryesor: ndërgjegjësimi dhe prëgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, një përgjegjësi dhe një rol që duhet të luaj edhe media shqiptare – si një përgjegjësi morale dhe qytetare, sepse siç u shpreh edhe Dr. Jonila Godole: “Jetojmë në demokraci, e mbajmë veten për ithtarë të saj, por pranojmë të heshtim për krimet e djeshme dhe mbyllim gjithashtu sytë për krimet që pasuan, sepse mentaliteti dhe kultura politike e ngritur mbi frikën nuk e lë një popull të ecë përpara, por ia vret zërin. Ai preferon të mos përzihet dhe të rrijë mënjanë, duke pranuar me heshtjen e tij të gjitha regjimet dhe duke mos marrë një pozicion të qartë për t’i ndryshuar ato”, tha ajo në fjalën e hapjes së aktivitetit “Ditët e Kujtesës”. E botoi kush njoftimin për media për veprimtaritë e “Ditët e Kujtesës” të organizuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë, me mbështetje të fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS). Falënderojmë Zotin për ndihmën e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, pa ndihmën e të cilit nuk do të kishte as këtë aktivitet.
30-vjetë më parë, menduam më kot – megjithë thirrjet se e donim Shqipërinë si e gjithë Evropa –ishim të bindur se do të fillonte një epokë e re e demokracisë dhe lirisë. Shpresonim dhe mendonim se epoka e lirisë dhe demokracisë kurrë nuk do të merrte fund pas shembjes njëherë e mirë të komunizmit. Por, fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin në Shqipëri është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve e që shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi në media dhe panele televizive, e të cilët ende mbajnë detyra në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike. Ata janë shkaku që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri. Është gjithashtu provë se një shumicë e shqiptarëve janë me prirje të majta dhe nuk ia dinë vlerën lirisë së vërtetë dhe demokracisë –një situatë kjo që, rrjedhimisht, ka krijuar një boshllëk dhe një mungesë të moralit dhe të përgjegjësisë në udhëheqjen e vendit. Për botën e lirë, sidomos për Shtetet e Bashkuara dhe për shumicën e vendeve ish-komuniste, gjatë fund shekullit të kaluar ishte e qartë se komunizmi kishte falimentuar moralisht dhe materialisht, gjë që frymëzoi kundërshtarët e komunizmit dhe njëkohësisht turpëroi despotët komunistë, por siç duket jo ata nostalgjikë të komunizmit në Shqipëri, të cilët mbrojnë ende me mburrje të kaluarën komuniste në atë vend .
Unë nuk habitem për nostalgjinë që mund të shprehin disa persona e grupe—brenda dhe jashtë Shqipërisë — për Enver Hoxhën për regjimin e tij ose për “kujtimet” e Nexhmije Hoxhës, ose të mjekut personal të Enver Hoxhës, sepse gjithmonë ka patur e do të ketë njerëz ideologjikë e fanatikë, jo të mirë-informuar, për të bërat e këqia të regjimit komunist shqiptar kundër popullit të vet. Një gjë e tillë ndodhë edhe në vende të tjera, përfshiër edhe ato demokartike perendimore, por jo në përmasata që shohim në Shqipëri. Në fund të fundit, demokracia i ka këto. Por unë nuk e kam të qartë, se cila është agjenda e këtyre personave dhe grupeve të caktuara në Shqipëri, ndërkohë që nuk e kuptoj as seriozitetin e tyre që tregojnë për zbatimin e agjendës së tyre, të ringjalljes së enverizmit. A është kjo një përpjekje për të mbuluar mizoritë e regjimit enverist, apo po përpiqen të krijojnë një histori gënjeshtrash në dëmin afatgjatë të kombit shqiptar?
Por gjëja që më çuditë pa masë dhe në të njëjtën kohë më dëshpëron, është mosreagimi serioz ndaj këtyre dukurive nga ana e medies, nga qarqet zyrtare, nga intelektualë, nga organizata të ndryshme, nga komentues e vëzhgues, nga njerëz të arsimit e të kulturës, nga politika në përgjithësi, nga të shtypurit e të përndjekurit, nga shoqëria civile e tjerë. Si është e mundur që njeri prej “stalinëve të vegjël” të Evropës dhe njëri prej kasapëve më të egër të shekullit të kaluar, të konsiderohet si një udhëheqës me merita për kombin?
Analisti Agron Gjekmarkaj në artikullin e cituar më lartë, “Ne i meritojmë kujtimet e Nexhmije Hoxhës”, shkruan se klasa politike shqiptare nuk është as nuk ka qenë serioze këto 30-vjet postkomunizëm në lidhje me dekomunistizimin e vendit:“Jo vetëm kaq, por nuk e patën kurrë seriozisht atë, as e djathta, për të cilën pritshmëritë ishin më të larta e as e majta, e cila nuk u nda kurrë prej së vërteti me partinë e Enverit për të ruajtur bazën elektorale. Vend i vogël ky i yni me krime kaq të mëdha e të kobshme, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban. Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, zgjodhëm një rrugë, atë më të pështirën, por të lehtë, ama: harresën, tjetërsimin, anashkalimin.” Aktivisti i të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, Martin Luther King ka thënë se, “Jeta jonë fillon të marrë fund në ditën që ne heshtim për gjërat më rëndësi”. Unë jam munduar ta them shpeshëherë se për derisa kombi shqiptar nuk përballet në mënyrë të ndershme dhe të sinqert me krimet dhe trashëgiminë e vërtetë të regjimit komunist të Enver Hoxhës – ashtu siç bëri Gjermania me të kaluarën e saj naziste dhe komuniste –përpjekjet e kombit shqiptar për dinjitet, liri e demokraci dhe për bashkim kombëtar do të mbeten gjithnjë ëndërr e pa realizueshme. 30-vjet postkomunizëm dhe propaganda që u bën media botimeve të fundit në Shqipëri të protagonistëve kryesorë të komunizmit dëshmon se fryma e urrejtjes ndaj kundërshtarëve dhe amaneti i Leninit se “Ne duhet të shkruajmë me një gjuhë që përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne”, është më e pranueshme në Shqipëri se sa dëshira për tu ballafaquar me të kaluarën komuniste.
Prandaj, i dashur lexues, shkrimtar, gazetar, opinionist, intelektual, politikanë të gjitha ngjyrave, e tjerë: në qoftë se ia doni të mirën vetes, familjeve tuaja dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi, përgjigju thirrjes së atyre, të cilët nga regjimi hoxhist vuajtën dhe humbën jetën në kampet e përqendrimit e në burgje komuniste: përgjigju thirrjes së viktimave të masakrës së Tivarit; përgjigju thirrjes së kombit të vuajtur dhe të ndarë pesë copash si dhe të dëshmorëve të tij që dhanë jetën për liri, demokraci e dinjitet dhe për të vërtetën historike.
Shkundu e mos rri i ngathtë – se heshtja nuk na ka hije!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok