24/07/2024

NOLI Ponteggi fitues i turnirit “Muaji i Lirisë 2024”

0

Fotoreportazh nga Treviso (Itali)

Shkruan: Florim Zeqa

Për nder të ditës së çlirimit të Kosovës, nën moton “Muaji i Lirisë”, më 15 dhe 16 Qershor 2024, në Palestren e Sporteve në Breda di Piave (TV-Itali) u mbajt turniri tradicional në futboll të vogël. Kësaj radhe ky turnir u organizua nga Këshilli Organizativ dhe “Energym Eventi”.

Tradita e mirë e organizimeve

Turniri filloj me intonimin e himnit kombëtar dhe atij të shtetit të Kosovës, ku për dy ditë rresht ekipet pjesëmarrëse ju dhuruan bashkatdhetarëve futboll të nivelit të lartë dhe shumë gola të bukur, duke lënë kështu mbresa të pashlyera tek të pranishmit e shumtë që ishin prezent në këtë aktivitet të bukur sportiv me karakter festiv.

Secila ndeshje ishte më e mirë sesa tjetra, secili gol më i bukur sesa tjetri, kurse pjesa e çerekfinaleve, gjysëmfinalja dhe finalja ishin në nivelin më të lartë sportiv dhe tejët atraktive për futbolldashësit.

Ndeshja finale mes ekipeve NOLI Ponteggi dhe RION Pavimentazioni veçohet për lojë të barabart nga të dyja ekipet, për çka deri në momentet e fundit të lojës shtesë ishte i paqartë fituesi i turnirit, me shumë gola të shënuar dhe momente emocionuese të papërshkruara më fjalë.

Për dallim nga viti i kaluar, në këtë turnir muarën pjesë vetëm 12 ekipe; Kastrioti, Rion Pavimentazioni, Zëri i Atdheut, Edil Buqaj, Noli Ponteggi, Edil Sinani, Rinia e Kosovës, FC Kosova, Edil Kolgeci, LG Coperture dhe Veteranët.

Padyshim, meritat për mbarëvajtjen e turnirit, përveq Këshillit Organizativ: Fadil Bajraktari, Florim Lumi dhe Florim Zeqa, u takojnë edhe bashkëpunëtorëve Isuf Ademi dhe Remzi Bujari si edhe dy referëve profesionist, të cilët me profesionalizëm të lartë dhe korrektësi i drejtuan ndeshjet e këtij turniri.

Ndarja e mirënjohjeve

Ndarjen e mirënjohjeve për sponsorët që e ndihmuan materialisht mbajtjen e turnirit “Muaji i Lirisë” 2024 e bëri kryesuesi i Këshillit Organizativ, z. Fadil Bajraktari, i cili me nga një mirënjohje i nderoj: Edil Sinani, Finiture LG, Ilir Buqaj, Ramir Group, Mentor Zeneli, AG Costruzioni dhe Ilir Shala.

Ndërsa ndarjen e mirënjohjeve për veteranët e bëri veterani Florim Lumi, ish pjestarë i luftës çlirimtare, TMK-së dhe FSK-së, si në vijim; Xhafer Gashi, Esat Gashi, Bajram Hajdari dhe Fazli Vehapi.

Në fund, Këshilli Organizativ i turnirit i ndau shpërblimet si në vijim; lojtari më i mirë u zgjodh Veli Gashi i cili u nderua me kupë, po ashtu me kupë u nderua edhe golashënuesi më i mirë, Ricardo Castaldello. Me kupë u nderua portieri më i mirë, Ismail Gashi. Kësaj radhe Këshilli Organizativ e përzgjodhi edhe Tifozin më të dalluar, djaloshin Arbias Gashi.

Edhe pse nuk ishte paraparë nga organizatorët përzgjedhja e golit më të mirë, golin më të bukur të turnirit e shënoj Ditlir Dulaku nga ekipi Zëri i Atdheut në ditën e parë të turnirit.

Me kupë u nderua ekipi Edil Sinani i cili e zuri vendin e tretë.

Me kupë u nderua ekipi RION Pavimentazioni që zuri vendin e dytë, ndërsa lojtarët u stolisen me nga një medalje të argjendtë.

Vendin e parë në turnirin “Muaji i Lirisë” 2024, me plotë meritë e fitoi ekipi NOLI Ponteggi nga Brescia, i cili u nderua me kupë dhe medalje të artë për lojtarët. Kjo është fitorja e parë e z. Arber Llugaxhija si trajner i ekipit NOLI Ponteggi, i cili u nderua me mirënjohje nga Këshilli Organizativ për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e rregullt në turniret e futbollit në Treviso. Nuk është e rastësishme fitorja e NOLI Ponteggi për faktin se trajneri Arber Llugaxhija me dy ndihmës trajnerët Faton Berisha dhe Mentor Smakiqi i kishin përgatitur lojtarët e tyre jashtëzakonisht mirë si në aspektin profesional ashtu edhe në atë moral, për t’u ngritur në majat e suksesit në turnirin tradicional.

Duhet cekur se Arber Llugaxhija ishte 15 herë pjesëmarrës, 7 herë kampion dhe 4 herë lojtari më i mirë i turnirit “Muaji i Lirisë”, kurse kjo është hera e parë që e merrë Vendin e Parë si trajtner i ekipit NOLI Ponteggi.

Vlenë për të theksuar, se sponsor i rregullt i turnireve është edhe pronari i kompanisë “Edil Sinani”, afaristi i njohur Gafurr Sinani, i cili përveçse sipërmarrës i dalluar, është edhe personalitet i njohur i mërgatës sonë, i dashur dhe respektuar nga mërgimtarët.

Duhet vlerësuar edhe angazhimin e “Energym Eventi” dhe Albion Lumi të cilët u përkujdesën për furnizimin me ushqime dhe pije freskuese përgjatë dy ditëve të turnirit.

Prerja e Tortes “Muaji i Lirisë, festë e përbashkët

Pas ndarjes së mirënjohjeve dhe shpërblimeve, radha i erdhi prerjes së Tortës së madhe për nder të turnirit “Muaji i Lirisë” dhe Ditës së Çlirimit të Kosovës, e cila i bëri bashkë në fushë organizatorët, ekipet finaliste dhe shikuesit që ishin prezent.

Prerja e tortës u bë në mënyrë simbolike nga organizatorët dhe përfaqësuesit e ekipeve, për të vazhduar më pas me këngë e valle në palestrën e bukur në Breda di Piave (TV).

Pa dyshim se festa ishte e përbashkët, por gëzimi ishte i madh dhe i papërshkruar tek ekipi fitues NOLI Ponteggi, të cilët e festuan në mënyrë dinjitoze ngadhnjimin në turnirin “Muaji i Lirisë 2024” në Treviso.

UÇK krenari kombëtare

Sot e gëzojmë lirinë falë gjakut të Dëshmorëve dhe Martirëve, luftës heroike të ushtarëve të UÇK-së si dhe intervenimit të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë-NATO-s!

Andaj, me pietetin më të lartë përulemi para sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, veprimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, që nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre për lirinë e atdheut.

Liria e Kosovës nuk mund të identifikohet me asnjë emër të përveçëm, grupacion apo parti politike, pasi partitë shkojnë e vijnë, kurse UÇK-ja mbetët përjetësisht në kujtesën e popullit shqiptar.

Tek UÇK-ja e kemi krenarinë kombëtare dhe dashurinë hyjnore që nuk shterron asnjëherë. Mbi gjakun e heronjëve dhe dëshmorëvei kemi themelet e forta të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë-Republikës së Kosovës.

Pra, UÇK-ja është vlerë kombëtare e cila duhet ruajtur dhe kultivuar çdo ditë dhe në vijimësi, brez pas brezi dhe gjeneratë pas gjenerate.

Lavdi për jetë e mot të gjithë të rënëve për liri!

E gëzofshim për jetë e mot Republikën e Kosovës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok