21/12/2024

Njohja e Kosovës nga Greqia e ka emrin Dendias!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Prishtinë ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Ata shkuan në Gërmi për të drekuar dhe ishin vetëm, pa asnjë shoqërues tjetër nga të dy palët. Kurse pritja nga zonja Osmani ishte krejt protokollare, por me sinjale miqësie dhe mirëkuptimi të dukshëm. Një drekë dhe bisedë e tillë aq miqësore, aq intime, aq diskrete, aq entuziaste nuk ishte parë më parë, përveçse në drekat e darkat që Edi Rama dhe Hashim Thaçia kanë kaluar me Aleksandër Vuçiç, madje shpesh të shoqëruara nga tingujt e mandolinës së Ivica Daçiç. Nuk ve bast, por ka mundësi që mbrëmjet e kryeministrit Rama me presidentin Vuçiç u bënë edhe nën shoqërinë e eskortave!

Ndërsa kjo që ndodhi me Albin Kurtin në pritjen që ai i rezervoi shefit të diplomacisë greke kishte ndodhur me Ibrahim Rugovën gjatë pritjeve që ai u bënte presidentëve dhe kryeministrave të botës perendimore. Ndërkohë duhet thënë se prej kohësh zoti Kurti dhe zonja Osmani dëshmojnë këtë afrimitet me liderët grekë. Kujtoj këtu samitin e vendeve të Europës Juglindore në Selanik para disa muajsh, në të cilin presidentja e Kosovës ishte së bashku me kryeministrin grek në krah të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Por çfarë paralajmëron një sjellje e tillë e përzemërt e liderëve të Kosovës me Athinën. Për mua kjo ka qenë lëvizja diplomatike më e zgjuar e lidershipit të ri në Kosovë. Greqia ka interesa në Ballkan dhe ajo orientohet sipas situatave që zhvillohen. Vërtet grekët si popull kanë ndjeshmëri ndaj sllavëve, përfshirë edhe serbët, për shkak të të njëjtit religjion. Por qeveritë greke në përgjithësi janë orientuar gjithmonë drejt Perendimit. Kur Kostas Simitis përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë në pranverën e vitit 1999, madje në kundërshtim me opinionin publik e qëndrimin e Kishës Ortodokse, ai dëshmoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të qëndruar pro aleancës euro-atlantike.

Duhet besuar se e njëjta gjë ndodh edhe me Nikos Dendias e lidershipin e sotëm të Athinës, i cili ka dëshmuar se i përket orientimit perendimor. Greqia nuk e njeh ende shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Por ajo i është afruar së tepërmi kësaj njohjeje. Gjasat janë se nënshkrimi i marrëveshjes franko-gjermane në Ohër me 18 mars, (nëse ndodh) të shoqërohet në javët ose muajt e ardhëm me njohjen e Kosovës nga ana e Athinës zyrtare. Greqia ka tashmë në Prishtinë përfaqësinë e saj diplomatike. E respekton Kosovën në të gjitha tryezat ndërkombëtare. Zhvillon një tregti të suksesshme me biznesin kosovar. Ka lidhje e marrëdhënie diplomatike më të afërta se sa shumë shtete, të cilat e kanë njohur Kosovën që kur ajo shpalli pavarësinë. Vizitat e ndërsjellta midis Athinës dhe Prishtinës të personaliteteve politike janë shumë të shpeshta, ndoshta unike në llojin e vet.

Të gjitha këto afrimitete, përfshirë dhe drekën e djeshme në Gërmi të Prishtinës të Dendias dhe zotit Kurti, dëshmojnë se Greqia është afër njohjes së shtetit të Kosovës. Këtë e tregon gjithashtu fakti se Dendias për të disatën herë deklaron se „Greqia do ta mbështesë rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës“! Nëse ndodh kjo dhe në momentin që mund të ndodhë, njohja greke shoqërohet së paku nga dy njohje të tjera, ajo e Sllovakisë së Lajçak-ut dhe Rumanisë. Qiproja do të vonohet disa muaj, por ajo do t’i bindet vullnetit të Athinës zyrtare. Mbetet vetëm Spanja e Borrellit si vendi më pak i sigurt për njohjen e Kosovës. Nëse zoti Borrell nuk ia del të bindë vendin e tij për ta njohur Kosovën, ai do t’i humbasë të gjitha kredencialet e tij në sytë e diplomacisë europiane.

Ndërtimi i një diplomacie dhe politike miqësore me Greqinë ka qenë gjetja më e zgjuar e lidershipit të sotëm të Kosovës. Kjo lloj diplomacie e afrimit me Athinën bën që Kosova dhe institucionet e saj të lexohen shumë pozitivisht në bashkësinë e shteteve perendimore. Dhe për më tepër çoi në pranimin de facto të shtetësisë së saj. Sepsë kur një vend premton mbështetje në integrimin e Kosovës në BE e NATO, ai shtet njëkohësisht e njeh shtetësinë e saj.

Ka njerëz që janë të apasionuar të zhvleftësojnë akte të tilla politike e diplomatike, sidomos kur është fjala për Greqinë, duke rikthyer përplasjet dhe konfliktet historike me shqiptarët. Por kjo nuk i ndihëmon përballjes së Kosovës me Serbinë. Prandaj dhe marrëdhëniet do të thoja miqësore të kryeministrit, presidentes dhe lidershipit kosovar me Athinën marrin një rëndësi të madhe. Afrimi i politikave dhe qëndrimeve midis të dy vendeve është produkt i diplomacisë dhe politikës që zhvillohet në Prishtinë, por edhe e qëndrimit pranues të Athinës! Ndoshta këto marrëdhënie të ngushta e miqësore mund të bëhen modeli i një politike dhe diplomacie të tillë edhe me shtetet e tjera mos-njohëse anëtare të Bashkimit Europian. Po ndodhi njohja e këtyre vendeve, atëherë ia vlen ose do t’ia vlejë që Albin Kurti ta hedh firmën në marrëveshjen sipas projektit franko-gjerman. Të shohim!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok