14/12/2024

Njëzet shkurti: – Nuk ka më kohë! Ora është 12 pa pesë!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Vizita e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë është një përzgjedhje e mrekullueshme për qeverinë mafie të Shqipërisë. Ajo do realizohet vetëm tri ditë para protestës së 20 shkurtit në Tiranë. Madje në ditën që në Uashington zhvillohet gjyqi kundër McGonigal dhe kryeministrit të Shqipërisë e bashkëpunëtorëve të tij. Blinken do pritet nga personazhi i atij gjyqi në godinën e kryeministrisë. Qeveria do ta shfrytëzojë këtë vizitë për të demotivuar shqiptarët në pjesmarrjen e tyre në protestë. Por sa do të arrihet ky objektiv?

Që në fillim duhet thënë se protesta e 20 shkurtit ka një simbolikë, por nuk është simbolikë. Thjesht data e përzgjedhur ruan logon e 20 shkurtit 1991, kur shqiptarët rrëzuan monumentin e diktatorit Hoxha. Ndërkohë koha e sotme është më e vështirë, më tragjike, më emergjente. Shqipëria po zhbëhet. Dhe mos harroni: – Këtë tragjedi kombëtare nuk mundën ta shkaktojnë as pushtuesit, as programet shfarosëse të armiqve fqinjë të Shqipërisë, sidomos Serbisë, as diktaturat. Po e realizon me shumë sukses mafia e Rilindjes, e cila qeveris Shqipërinë për gati 11 vite.

Nëse vazhdon ky ritëm dhe gjasat janë se po, Shqipëria do të mbetet vetëm me turistë. Por edhe këta do të shërbehen nga filipinasit e indianët. Shqiptarë nuk do të ketë më në këtë vend. Flitej për një batutë të pranverës sëvitit 1991, sikur Adil Çarçani i kishte thënë dikujt se “Vetëm unë e ti do mbetemi në këtë vend, edhe Ramizi do të ikte”! Sot është ndryshe. Vetëm mafia do të mbetet në Shqipëri. Të gjithë të tjerët do t’i detyrojnë të largohen dhe të gjejnë strehë diku tjetër. Ndryshe do të pranojnë të bëhen skllevër modernë të saj.

Prandaj dhe protesta e 20 shkurtit duhet të shënohet në histori si moment kthese. Ora është 12 pa pesë minuta. Nuk kemi kohë më shumë se 5 minuta. Këto pesë minuta mund të jenë koha fatale për ne ose koha e vendimmarrjes për ta ndalur homotagjinë kombëtare njerëzore. Ta ndalësh sot emigrimin e shqiptarëve është shumë e vështirë. Më vështirë se sa në vitin 1991. Asokohe xhepat e qytetarëve ishin bosh, por edhe arka e shtetit ishte gjithashtu bosh. Sot mafia në pushtet e rjep qytetarin, me qëllim që të shtojë pasuritë e mafies dhe me miliardat që bëjnë manipulojnë dhe imponojnë gjithçka. Edhe akt-akuzat që ngrenë ndaj kundërshtarëve politikë.

Prandaj dhe nuk ka më kohë. Mafia dhe pushteti i saj në Shqipëri kanë një projekt. Shpopullimin e Shqipërisë nga shqiptarët. Tashmë vendi ynë ka më pak banorë sesa Kosova. Ndaj tash e tutje duhet thënë që Shqipëria të bashkohet me Kosovën, jo e kundërta. Shqipëria u plak, Shqipëria po shuhet! Ky është interes jo vetëm i mafies shqiptare, por edhe i asaj ndërkombëtare. Eshtë gjithashtu interes i Serbisë dhe Rusisë. Në Shqipërinë e zbrazur nga fëmijët, gjithësesi mungojnë edhe mbi 2000 mësues. Kanë ikur dhe të tjerë po bëhen gati të ikin! Të ikin pa e ditur as ata vetë se ku do të shkojnë! Mjafton që të largohen nga pushteti i mafies në vendin e tyre! Koha është flori! Por vetëm nëse atë e shfrytëzojmë duke i dhënë peshën e vet në jetën tonë.

Më 20 shkurt është thirrur një protestë! Mos u vono, sepse ora ka shkuar 12 pa pesë. Duhen vetëm pesë minuta nga koha jonë për të rënë në greminën që ka përgatit mafia e pushtetit për ne! Nëse doni ta kapni orarin e të mos kalojë ora 12.00, atëherë bashkohu në këtë protestë. Mos pyet se kush e organizon! Mos pyet se si janë ata që e organizojnë. Mund të jenë të mirë ose të këqinj. Kjo varet nga përceptimi i secilit prej nesh! Por bashkohu se duke pyetur se kush janë folësit, do na kalojë ora 12.00! E po kaloi kjo orë e ligë, atëherë ramë të gjithë brenda humnerës që na ka përgatitur mafia në pushtet dhe pushteti i mafies.

Bashkohuni! Jo me djajtë, se ata sjellin mafien, siç e sollën pasi erdhën në pushtet para 11 vitesh me moton e “Bashkimit të të gjitha qelbësirave”! Jo mos u bashko me qelbësirat. Por mos kërko njerëz perfektë për t’u bashkuar me ta. Mos kërko njerëz si veten, se nuk gjen! Nuk ka dy njerëz të njëjtë, madje as dy objekte të njëjta! Prandaj pranoje tjetrin ashtu si është dhe mendo thjesht se duhet luftuar kundër pushtetit të mafies për ta shpëtuar Shqipërinë. Ka ardhur fundi! Fund tjetër nuk ka për këtë vend! Jemi në minutat e fundit të kohës për reagim dhe protestë, për bashkim dhe fitore!

Ora është 12 pa pesë minuta! Mendo këtë dhe kaq mjafton që të bashkohesh në luftën e vështirë kundër pushtetit mafioz të Shqipërisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok