23/12/2024

NJËQINTVJETORI I KONGRESIT KOMBËTAR TË LUSHNJËS

0
Adil-Fetahu

21 janar 1920 – 21 janar 2020

Nga Adil FETAHU

Sot e njëqint vjet më parë, pikërisht më 21 janar 1920, në qytetin e Shqiperisë së Mesme, në Lushnjë, filloi punimet Kongresi Kombëtar, me synimet dhe vendosmërinë për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi që i kanosej nga monarkitë fqinje, po edhe nga fuqitë e mëdha që ishin mbledhur në Konferencën e Paqes në Paris. Duke marrë parasysh kushtet dhe rrethanat në të cilat gjendej Shqipëria brendapërbrenda dhe në raportet ndërkombëtare, Kongresi Kombëtar i Lushnjës nuk është fare më pak i rëndësishëm se Kuvendi i Vlorës që  shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

Mbledhja e parë e Kongresit të Lushnjës u mbajt më 21 janar, por me qenë se nuk kishin mund të vinin delegatët e zgjedhur nga shumë vise të Shqipërisë, zhvillimi i punimeve kryesore të Kongresit u shty për një javë. Në mbledhjen e parë, u zhvilluan  vetëm disa ceremoni të rastit: një lutje sipas ritit fetar e bëri  sheh Ibrahim Karbunara; Ferid bej Voskopola iu uroi mirëseardhje delegateëve (ai edhe u emërua sekretar i përkohshëm), Aqif pashë Elbasani mbajti një ligjëratë për gjendjen aktuale; u zgjodh Komisioni për verifikimin e autorizimit të delegatëve. Prandaj, është e padrejtë të mohohet 21 janari, si dita e fillimit të Kongresit të Lushnjës, që në shumicën e shkrimeve po del sikur Kongresi ka filluar më 28, e jo më 21 janar.

Duhet të dihet se Kongresi i Lushnjës u mbajt në kohën e mbajtjes së Konferencës së Paqes në Paris, ku ziheshin planet për copëtimin dhe zhdukjen e Shqipërisë nga harta politike, sipas marrëveshjeve të fshehta e të hapta midis fuqive të mëdha dhe fqinjëve të Shqipërisë. Ky rrezik shkaktoi një lëvizje kombëtare, të prirë nga patriotët e kohës.

Në mbledhjen e Kongresit që vazhdoi më 28 – 31 janar, u morën vendime të rëndësishme, prej të cilave vlenë të veçohen: mosbesimi ndaj Qeverisë së Durrësit (të Esat pashë Toptanit, dhjetor 1918) dhe krijimi i Qeverisë së re të përkohëshme: Sulejman Delvina (kryetar),  Eshref bej Frashëri (nënkryetar), Ahmet bej Mati – Zogolli (ministër i punëve të brendëshme), Mehmet bej Konica (ministër i punëve të jashtme), Ndoc Çoba (ministër i financave), Idhomen Kosturi (zëv.ministër i financave), Hoxhë Kadri Prishtina (ministër i drejtësisë), Hysen bej Vrioni (zëv.ministër i drejtësisë), Sotir Peci (ministër i arsimit.  Të gjithë ishin personalitete të njohura intelektuale. Kongresi zgjodhi  Këshillin Kombëtar, me kompetenca të Parlamentit deri në zgjedhjet e përgjithshme, në përbërje 37 këshillatrë; emëroi delegacionin që do ta përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris:  Imzot Bumçi, Mehmet Konica dhe Mihal Turtulli. Kongresi zgjodhi Këshillin e Naltë, si organ kolegjial apo  regjencë për ta përfaqësuar princin, respektivisht kryetarin e shtetit, deri sa të përcaktohej forma e regjimit dhe kryetari (ose mbreti). Këshilli i Naltë përbëhej na: Aqif pashë Elbasani, imzot Bumçi, dr Mihal turtulli, Abdi bej Toptani. Kongesi miratoi Statutin, me parimet e një kushtetute të vndit.

Ia vlenë të theksojmë se Këshlli i Naltë betohet para Kongresit Kombëtar, me këtë formulë: “Betohem n’emën të Perëndisë tue dhanë besën shqiptare dhe fjalën e nderit para Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej Popullit dhe Shtetit shqiptar drejtësisht e do të mbroj ligjet dhe indipenencën e plotë t’Atdheut Shenjt”.

Në Kongresin e Lushnjës u vendos që kryeqyteti i Shqipërisë të jet Tirana, ku edhe u vendos Qeveria e Përkohëshme më 11 shkurt 1920.

Kongresi protestoi kundër vendimeve të Konferencës së Paqes në Paris që synonin copëtimin e Shqipërisë midis Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, siç ishte përcaktuar në Marrëveshjen e fshehtë të Londrës (26 prill 1915). Prandaj, ia dërgoi Konferencës vendimet e Kongresit, bashkë me një letër përcjellëse, me këtë përmbajtje:

“Kuvendi Kombëtar, i mbledhur sot (30 janar 1920) në Lushnje, ka votuar njëzërit të protestojë kundër vendimit të marrë nga Anglia, Franca dhe Italia për ndarjen e Shqipërisë në mes të  Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, duke vënë kështu në zbatim Paktin e Londrës të vitit 1915.

Po ky Kuvend ka votuar sot pa kundërshtim (njëzërit,v.j.):

*Protestojn kundër vendimit që dënon një shtet asnjanës dhe të njohur si  një nga kombet më të vjetër të Evropës, duke bërë që të realizohen kështu qëllimet imperialiste të qeverive fqinje.

*Kuvendi Kombëtar i bën thirrje botës së qytetëruar për shkeljen e parimeve të shpallura nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe nga përfaqësuesit e qeverive të Antantës, pas një ;ufte që ka çliruar një varg kombesh nga zgjedha e të huajit.

*Kuvendi kërkon një pavarësi të plotë, me kufijt etnografikë dhe natyrorë, duke korrigjuar kështu padrejtësitë që janë bërë nga Kongresi i Berlinit më 1878 dhe nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913.

*Kuvendi vendosi të mos pranojë asnjë mandat ose protektorat të huaj.

*Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër veçse atij që të zërë një vend në Gadishullin Ballkanik, duke u dhënë fund mjerimeve dhe për të gëzuar një jetë në paqe dhe në harmoni me shtetet fqinje.

*Shqiptarët janë të gatshëm të bëjnë të gjitha sakrificat, të derdhin deri në pikën e fundit të gjakut të tyre kundër çdo vendimi që mund të vënë në rrezik tërësinë territoriale dhe pavarësinë e tyre të plotë”.

Kryetari i Kuvendit Kombëtar,

Aqif pashë Elsbasani

Siç shihet nga përmbajtja e  letrës, Kuvendi Kombëtar i Lushnjës, kërkonte jo vetëm pavarësinë brenda kufijve të caktuar në vitin 1913, por në kufijtë e natyrshëm etnikë, duke kërkuar korrigjimin e padrejtësive të bëra në vitin 1878 dhe 1913, dhe nuk pranonte asnjë mandat ose protektorat të huaj (siç i ishte dhënë Italisë, apo do t’i jepej dikujt tjetër), duke shprehur vendosmërinë që pavarësinë ta mbrojë me luftë të armatosur dhe me sakrificat më të mëdha.

Jemi të bindur, se jehona e vendimeve të Kongresit të Lushnjës, pati ndikim në vendimet e pastajme të Konferencës së Paqes, që të mos copëtohej Shqipëria, sikur ishte synuar e caktuar me marrëveshjet midis fuqive të mëdha dhe fqinjëve të Shqipërisë.

Prandaj, Kongresi Kombëtar i Lushnjës, me programin e vet dhe zhvillimet që pasuan, në planin e politikës së brendshme e të jashtme dhe në planin ushtarak, bënë që në vitin 1920, territori i Shqipërisë të pastrohej nga ushtritë e hueja që e kishin pushtuar.  Atë që nuk  kishte mund ta arrijë Kuvendi i Vlorës më 1912, e arriti Kuvendi i Lushnjës më 1920.  Lavdi atyre burrave të cilët u angazhuan të realizojnë vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjës e ta shpetojnë Shqipërinë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok