17/11/2024

NJË VEPËR SHUMËFISH E RËNDËSISHME E RRJEDHËS JETËSORE NË ARBËRINË E VITEVE 1634 – 1650

0

“S’ka dyshim se është aq i madh dhe i jashtëzakonshëm dinjiteti dhe fisnikëria e titullit dhe e detyrës së misionit, i zbatuar me aq kujdes e zell si dhe me përpikëri, që jo vetëm e zbukuron dhe e fisnikëron rregulltarin e meshtarët të cilëve iu besua detyra, por e bën edhe më të denjë se çdo nder apostolik. Pra, kushdo që do të jetë kureshtar të dijë se kush qenë ata që ishin të denjë që të zbukuroheshin me një nder të tillë dhe dinjitet apostolik të Misionit të Shqipërisë, mund të shfletojë katalogun […] ku do të gjejë përfaqësuesit, si në një pasqyrë: përpara misionarët e pastaj punëtorët dhe koauditorët e këtyre”.

Atë Giacinto Sicardi da Sospello

Nga Anton Nikë Berisha

Lashtësia e pranisë së françeskanëve në Arbëri – Shqipëri

Dorëshkrimi i italianit atë Xhaçinto Sikardi nga Sospello (P. Giacinto Sicardi da Sospello) “RELACION universal i zanafillës dhe i suksesit të Misionit apostolik të Fretërve minorë observantë të reformuar të atit serafik Shën Françeskut në Mbretërinë e Shqipërisë i viteve 1634 – 1650”, i cili mbeti i pabotuar për 370 vjet, falë punës me përkushtim të Mark Palnikajt dhe me mbështetjen materiale të vetë atij, u botua vitin e kaluar në origjinal italisht dhe me përkthimin shqip. Punën që duhej ta bënin akademitë dhe institucionet shkencore në Shqipëri dhe në Kosovë, e bëri një individ. Kjo është e vërteta e dhembshme, për të mos thënë e shëmtuar, paradoksi i jetës sonë shkencore e hulumtuese!

Para se të merrem më përafërt me librin “RELACION universal i zanafillës dhe i suksesit të Misionit apostolik të fretërve minorë observantë të reformuar të atit serafik Shën Françeskut në Mbretërinë e Shqipërisë i viteve 1634 – 1650” të françeskanit, atë Xhaçinto nga Sospello, vikar apostolik i Shqipërisë që u botua vitin e kaluar, po sjell disa të dhëna të përgjithshme për praninë e hershme të françeskanëve në trevat e Arbërisë – Shqipërisë dhe rëndësinë e punës së tyre.

Veprimtaria e françeskanëve – dishepuj të Shën Françeskut të Asisit – në botën shqiptare është sa e hershme, aq dhe e gjerë, e pasur dhe me rëndësi të shumëfishtë[1]. Shtrihet, pos të tjerash, në tri rrafshe kryesore: në atë teologjik, shpirtëror, kulturor, arsimor dhe letrar[2], që në qenësi janë të pandara. Siç dihet, Urdhri françeskan u themelua në pranverën e vitit 1209 me vendimin e Papës Inoçenti III.

Sipas të dhënave historike françeskanët janë të pranishëm në trojet shqiptare së paku nga viti 1240[3]. Atë Marin Sirdani shkruan se dokumenti i parë që dëshmon praninë e tyre në Arbëni – Shqipëri është i vitit 1283: “Mâ i vjetri dokument qi âsht diktue djeri sod âsht i vjetës 1283, kû në një legat permenden banimet e Françeskanvet në Kotorr, Tivár, Ulqin e Durrës[4]”.

Disa vjet më vonë mbretëresha e Serbisë, Helena, bashkë me të motrën, Marin de Chau, “[..] ndertuen per Françeskan kishen e kuvendin e Shen Mërís në Shkodër e kuvendin e Shen Markut n’Ulqin[5]”.

Praninë e françeskanëve në trojet arbërore – shqiptare e dëshmojnë dhe të dhëna të tjera: “Historjakët e Urdhnit françeskan: Wadding, Gonzaga, De Gubernatis, Civezza, Fabianich, Holzapfel etj., jânë të gjithë të mendimit, se Françeskant xûn vend në Shqypní qysh në kohët e para t’Urdhnit. Ky i mbrami, Holzapfel, thotë se “[…] së paku u ngjindshin këtu në vjetin 1240 […] Prej veprimeve të treguese sypri vertè provohet kjêna e Françeskavet në Shqypní qysh në kohën e parë t’Urdhnit, por nuk ndritë aq krajtas të venduemt e tyne në dhén t’onë. Duket se per do kohë, si në disa vise tjera ngjeti, Françeskant, ku mâ shum e ku mâ pak, edhe në Shqypní, banuen nder shpija private të lshueme prej bâmirsavet, e mandej, tue pa nevojët e vendit, e tue vû n’oroe shpresën qi populli shqyptár shkojte tue shtue ndaj ta, u dhán, në rrymen e vjetvet, me u kujdesë neper bâmirsa per me ndertue kuvende e kisha per vedi[6]”.

Atë Marin Sirdani jep edhe një dëshmi tjetër: “Prej njaj shkrese, qi i dergote Papa Gregori IX në vjeten 1236 priorit të Domenikanvet të provinçes romane, ku thuhet të çojte freten t’Urdhnit të vet inkvizitora në kryedjeçezin e Tivarit, mirret vesht se atje gjindeshin edhe “disa regulltarë qi tash vonë kanë shkue n’at krahinë.[7] Se ç’Urdhnit ishin këta regullarë nuk ndritë kjartas, por tue kjênë se prej kontekstit të shkresës do të perjashtohen Domenikant, mund të thuhet gadi me siguri se aty âsht fjala per Françeskan, qi si dihet, aso kohe ishin tue e perpajnue gjithkund neper Ballkan […] Per me vû per fije dishiplinen kishtare të lanun qysh kur mbas dore, e me i vû nji pritë të qindrueshme të prishunit të zakonevet të krishtêna lypej nji dorë e fortë, e këtê e gjeti Papa Inoçenci IV në françeskanin Gjonin de Plano Carpino, të cilin në vjeten 1248 e shênjojte per Selín metropolitane të Tivarit;[8] me detyrë të kishte në kujdes djeçezet e Shqypnís së verit e të Serbís, e drejtimin e sivllazenvet të vet qi gjindeshin n’ato vise[9]”.

Përligjje e veprimtarisë shumëfish të rëndësishme të françeskanëve në botën arbërore – shqiptare

“RELACION universal…” i atë Xhaçinto-s nga Sospello është pa asnjë dyshim vepra më e rëndësishme të botuara deri më sot për periudhën nga viti 1634 deri në vitin 1650. Ajo doli në dritë (italisht dhe shqip) falë përkushtimit, punës këmbëngulëse dhe cilësore të studiuesit Mark Palnikaj. Është një lloj historie jo vetëm e ngjarjeve dhe e rrjedhave që e cilësuan periudhën e përmendur në rrafshin fetar e shpirtëror, po dhe në atë shoqëror, politik, ekonomik, kulturor dhe arsimor në një hapësirë të madhe të Arbërisë – Shqipërisë: Shkodër, Dukagjin, Pult, Nikaj, Mërtur, Has, Zadrime, Hot, Grudë, Kelmend, Gash, Krasniqe, Kastrat, Mat, Kosovë, Tivar, Kotor, në disa qendra të Serbisë së sotme, ku atëherë ishin të banuara me shqiptarë  etj. Me një fjalë, të gjithë viset e botës shqiptare katolike. Në libër jepen një varg të dhënat e faktesh për jetën e arbërorëve – shqiptarëve përballë pushtuesit dhe kishës sllave, po edhe marrëdhënieve midis fiseve shqiptare dhe individëve të një krahine ose të krahinave të ndryshme; jepen të dhëna për mënyrën e organizimit të jetës shpirtërore, mbajtjen e meshës, pagëzimin, krezmimin e besimtarëve; ndreqjen ose ndërtimin e kishave dhe kapelave, predikimet në meshë si dhe dhënien e këshillave për të bërë jetë sa më të mirëfilltë dhe dinjitare; kthimin e disa në fenë e vjetër, të cilët e kishin ndërruar nga dhuna ose nga rrethana të rënda, pastaj për doke dhe zakone, për rite e për dukuri që e cilësonin jetën e arbërorit – shqiptarit në kohën e përmendur. Autori ndriçon dhe lartësimin e veprimtarisë baritore deri në flijim dhe shenjtëri, jo vetëm të misionarëve, po dhe të priftërinjve vendorë për pasurimin shpirtëror, për gatishmëri dhe mbërritje të pazakonshme, po dhe për rënie, për ligësi të disa barinjve shpirtërorë të papërgatitur e me cilësi të ulëta dhe për pësimin e besimtarëve në jetën e përshpirtshme.

Të dhënat e shumta në libër bëhen edhe më të rëndësishme nga fakti se jepen nga një misionar që i ka parë dhe i ka përjetuar vetë, jo vetëm një ditë dhe një udhëtim baritor, por vite të tëra në veprimin e përditshëm në kushte e rrethana skajshmërisht të vështira e të ndërliqshme. Pra, vepra e atë Xhaçinto-s nuk është relacion i rëndomtë që u dërgohej organeve përkatëse, sidomos Propagandës Fide, po një pasqyrë reale disa vjeçare, aq sa ka qëndruar ky misionar italian në trojet shqiptare. Këtë na e thotë autori në fund të librit të tij: “Mendja e shkrimtarit, sipas premtimit që ka bërë që në fillim, e që ishte të tregonte në mënyrë ekskluzive vetëm ngjarjet e ndodhura deri në vitin 1650, megjithatë, për lavdi dhe lavd të Madhështisë së Tij hyjnore dhe të Shenjtës Mari Triumfuese, Mbrojtëse e misioneve dhe të serafikut Atit Shën Françeskut, u jep fund këtyre relacioneve, të cilave lexuesi duhet t’u besojë pa dyshim, sepse janë mbledhur, shtjelluar dhe janë hedhur si tregime me thjeshtësi, prej atij që e ka praktikuar, provuar, parë e prekur me duar dhe shumë gjëra nga persona të denjë për t’u besuar[10]”.

Rëndësia dhe pasojat e ruajtjes së besimit të krishterë – katolik

Qëllimi kryesor i misionarëve katolikë në trojet arbërore – shqiptare ishte puna baritore; pasurimi shpirtëror dhe ruajtja e besimit të krishterë katolik, që me pushtimin otoman po ngushtohej, po zvetënohej e në shumë pjesë edhe po shuhej krejtësisht. Ç’është e vërteta, misionarët italianë u nisën për në Arbëri – Shqipëri që të flijohen për Hyjin krijues, për fenë që i përkitnin dhe për besimtarët, pikërisht siç e thoshte Shën Pali në Letrën drejtuar galeatëve “Nuk jam më unë që jetoj, po Krishti jeton në mua” (Gal 2, 20). Ky përcaktim i misionarëve bëri që ata të mos kursehen të ballafaqohen me vuajtje e pësime, duke e dhënë edhe jetën për besimin dhe për besimtarët e tyre.

Veprimi konkret i këtyre misionarëve në Arbëri – Shqipëri, edhe i vetë atë Xhaçintos nga Sospello, përligjet sidomos në dy rrafshe kryesore. Në të parin: Përshpirtshmëria – dashuria për Hyjin dhe dashuria për njeriun, në rastin konkret, për besimtarët shqiptarë katolikë. Puna baritore përhapte midis njerëzve tanë frymën e Biblës, që sublimohet në dy degë të të njëjtin trung: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër (Mt 22, 37) dhe Duaje të afërmin tënd porsi vetveten (Mt 22, 39), gjë që u shpreh në ngritjen dhe pasurimin shpirtëror e moral të besimtarit, në zgjimin dhe rritjen e dashurisë ndaj tjetrit dhe ndaj vendit; sidomos forcimin në fe dhe përpjekjet për ndalimin e ndërrimit të fesë, që turqit po e zbatonin në vijimësi, duke përdorur mënyra nga më të ndryshmet. Kjo punë bëhej në kushte e rrethana tejet të rrezikshme për arsye të dhunës që bënin turqit ndaj besimtarëve shqiptarë katolikë, qoftë për t’ua ndërruar fenë, qoftë për t’i zhdukur ata. Këtë e përligjin dhe fjalët e një Vikari të përgjithshëm të ipeshkvit të Lezhës dhe administrator i Ipeshkvisë së Shkodrës, i cili i pati thënë Atë Kerubinit: – “Atë, ju jeni të mirëseardhur e të mirëpritur. Sikur të mos ishit ju, 40 ose 50 veta në vit, vetëm në ditën e Bajramit, do të ktheheshin e do të mohonin besimin e tyre e do të bëheshin turq!”[11].

Nga mënyrat që përdorte pushtuesi otoman për t’i detyruar ta ndërronin besimin ishin kërcënimet, përndjekjet, dhuna, marrja e pasurisë, burgosja, pagimi i të hollave, po dhe vrasjet. Autori sjell një varg shembujsh që, edhe duke i lexuar, të tmerrojnë; i përmend me emër e mbiemër, qoftë priftërinjtë, qoftë besimtarët, të cilët duke mos pranuar që ta ndërrojnë fenë, i ngulnin në hunj, duke i lënë dhe me ditë të tëra në sheshe. Në këtë të keqe kishin dorë dhe disa shqiptarë që e kishin ndërruar fenë dhe synonin që dhe të tjerët ta bënin këtë.

Duhet përmendur veprimin dinak dhe të rrezikshëm të skizmatikëve, të popëve sllavë (sidomos ata të Manastirit të Deçanit dhe të Kishës serbe në Prizren) ose siç i quante mbi 200 vjet më vonë argjipeshkvi i Argjipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Bucciarelli (Buçarelli), dorës së zezë[12].

Do të duhej shumë vend që të sjell shembuj të pasojave dhe të tragjikes që u ndodhi katolikëve në periudhën 1634 – 1650, që i la të shkruara atë Xhaçinto. Po përmend vetëm tri raste: ngulimin në hunj të Dom Gjergj Jubanit dhe atë Xhuvanit[13]; rastin e Dom Mark Kazenës, famullitar i Kishës së Shën Marisë Magdalenë të Shkodrës. Për t’u administruar sakramentet e shenjta atyre njerëzve që ishin pa asnjë ndihmë shpirtërore e pa meshtarë, pa fretër e pa ipeshkvij, shkoi një herë në malësi. Kur ktheu në famullinë e tij, u akuzua nga turqit se kishte shkuar mes banditëve, tek ata, dhe që ishte shok i tyre për t’u bërë keq turqve. Edhe pse ai solli fakte pse kishte shkruar atje, ata i thanë: “Këto janë punët tuaja e zgjidh, ose bëhu turk ose do të vdesësh!” Pra, e morën dhe e çuan në xhami e pasi e tunduan për një copë kohë me propozime të braktisjes së fesë, në fund, duke e parë shumë të qëndrueshëm, një zotëri i dha disa goditje me thikë. Ai nuk vdiq, por i plagosur, përpëlitej mes gjakut. Në këtë gjendje ua dhanë në dorë gabelëve, e cilët e morën rrëshqanë në të gjithë sheshin e qytetit të Shkodrës, derisa meshtarit i doli shpirti.

Rasti i tretë është ai i katundit Zogaj, që ndodhi më 1646: Nipi i një spahiu, që vdiq në luftë, për inat dhe për hakmarrje, shkoi aty dhe i detyroi me forcë të gjithë banorët që të bëhen turq, dhe nuk u kthye vetëm një i ri, sepse kishte ikur, shpëtoi nga një mjerim i tillë[14].

Misionarët françeskanë hapën shkolla që zgjaten me vite

Me nismën e Atë Xhaçinto nga Sospello në Pdhanë, një katund i madh, pranë Matit, në Ipeshkvinë e Lezhës, filloi punën një shkollë, ku mësohej shkrimi dhe leximi, gramatikë dhe doktrina e krishterë, që zgjati tetë – nëntë vjet, ku ndiqnin mësimin dhe nxënësit e viseve të tjera[15]: “Duke konsideruar Etërit që për shkak të padijes së madhe ndodhnin shumë të këqija e që për mungesë të dritës shumë ecnin në terr, duke qenë se gati (erat sicut Populus sic sacerdos) sikur populli, ashtu edhe prifti, e duke mos u gjendur askush në këtë dioqezë që të kuptonte latinishten, askush që të dinte të shkruante e ndonjë me shumë vështirësi të lexonte, për këtë arsye e gjykoi Atë Xhaçinto nga Sospello, që dobi më e madhe për shpirtrat do të ishte të predikonte dhe të bënte ushtrime shpirtërore, ai mendoi që të ngrinte një shkollë, në mënyrë që, kur pranonte njëri të bëhej nxënës, pastaj ua mësonte fëmijëve të tij tetë apo dhjetë vjeç atë që ai vetë kishte mësuar, me abetare dhe alfabet, që i kishte në dorëshkrim. Kështu, pak kohë kishte kaluar kur u përhap fama e kësaj shkolle nëpër gjithë vendin dhe u rrit në atë mënyrë, saqë numri i nxënësve shkoi në 25 veta, sepse, jo vetëm që shkonin të mësonin nxënësit e fshatrave afër, por madje deri edhe nga Zadrima dhe vende të tjera të largëta i sollën fëmijët. E në këtë mënyrë jo vetëm fëmijët e vegjël, por edhe ata që ishin 18 e 20 vjeçar, të cilët, duke qenë ndihmës të priftërinjve që shërbenin në celebrimin e Meshës donin të bëheshin meshtarë, mblidheshin në një prej këtyre fshatrave afër që të mësonin të lexonin e të shkruanin dhe gjërat e tjera të nevojshme. Që të mund të shuguroheshin meshtarë etërit ua mësonin në kohë të ndryshme, jo vetëm Doktrinën e krishterë, devocionin, por edhe të lexonin e të shkruanin, si dhe gramatikën. Në harkun e kohës prej tetë apo nëntë viteve, që është mbajtur shkolla, shumë qenë ata që kanë mësuar të shkruajnë dhe të kuptojnë atë që lexonin, dhe në të gjitha ditët e festave lexonin në këtë orator uficën e Zojës Tejet të Shenjtë. Për këto vepra, shumë u acaruan dhe u tërbuan turqit kundër etërve, duke u parë qartë se të varfrit e krishterë po ndriçoheshin dhe po forcoheshin edhe më shumë në besimin e shenjtë[16]”.

Hapja dhe frytet e shkollës në Pdhanë po dhe dërgimi edhe i librave në kisha të caktuara[17], ndikuan që dhe në qendra të tjera të hapeshin shkolla të ngjashme si, fjala vjen, në Blinisht: “Duke qenë se ishte përhapur fjala e të mirave të mëdha, fryteve dhe dobisë që merrnin të krishterët nga shkolla e ngritur në Pdhanë si dhe për mësimin që u jepej fëmijëve nga këta misionarë, krerët e fshatit të Blinishtit të Zadrimës, e cila, meqë ishte shumë e madhe dhe vetëm me të krishterë, kishte shumë fëmijë që mësonin aty, i bënë kërkesa të shumta Atit prefekt dhe misionarëve të Troshanit, që të përpiqeshin që të ngrinin një hospic në këtë fshat për të mësuar djemtë dhe vajzat në Doktrinën e krishterë, të mësonin të shkruanin ata që ishin më të zotët, t’u predikonin në ditët e festave dhe t’u celebronin meshën në ditët e zakonshme, duke celebruar me radhë në këto ditë disa priftërinj që ishin – u mor në shqyrtim me shumë maturi kjo kërkesë nga të gjithë etërit, të cilëve, nga njëra anë, meqë bëhej fjalë për një përfitim që mund të vazhdonte, dhe duke parë edhe këtë nevojë ekstreme të atyre që po bënin kërkesën – u pëlqeu shumë […] Atë Evangjelista nga Venetia dhe Atë Karlo nga Mirandola, një Atë shumë i zoti ky për të dhënë mësim e për të administruar shkollën, morën kërkesa edhe më shumë nga fshati për zgjidhjen e kësaj çështjeje, prej ku, duke mos mundur më t’u rezistonin lutjeve të tyre, me aprovimin e ipeshkvit të Sapës, dhe të priftërinjve të fshatit, u ngrit kjo shkollë dhe u fillua me një rregull të ri. U panë shumë fryte, saqë deri edhe zotërinjtë turq, për mrekullinë që provonin, shkonin ta shihnin.

Mënyra dhe rregulli që mbahej ishte për të celebruar përpara Meshën e shenjtë për shumë njerëz që mblidheshin për të marrë pjesë. Pastaj thuhej Ati Ynë, Falem Mari e Besoj-ma, Urdhërimet Hyjit dhe të Kishës, duke i thënë gjithmonë në gjuhën shqipe, gjuhën amtare, secili. Pastaj, qëndronin rreth pesëdhjetë fëmijë, të cilët mësonin të lexonin, zakonet e mira dhe cilat ishin festat. Pastaj etërit, me gjithë fëmijët dorë për dorë e dy e nga dy të vënë për rrugë, shkonin në Kishën famullitare, ku thuhej Mesha, bëhej predikimi dhe mësohej Doktrina e krishterë. Në pak kohë, shumë qenë ata që mësuan të lexonin e të tjerë edhe të shkruanin, sepse disa kishin aftësi të mira. Pra, shumë prej këtyre fëmijëve, duke qenë se kishin mësuar mirë bazat e besimit të krishterë, në shtëpitë e tyre ua mësonin pastaj në mbrëmje atyre të tjerëve, të cilët nuk i dinin[18].

Rreth gjakmarrjes dhe disa dukurive të tjera

Sipas dëshmive të atë Xhaçinto-s misionarët shpirtërorë, bënin punë të ndryshme, jo vetëm të përshpirtshme; u ndihmonin besimtarëve të shëroheshin, ndërmjetësonin për shmangien e sjelljeve të liga e të shëmtuara (martesa me disa gra, shitjen e grave ose grabitjen e tyre me dhunë etj.), zhvarrimin e kufomave dhe copëtimin e tyre, ndërprerjen e ngatërresave midis vëllazërive, fqinjëve, individëve dhe pakësimin e gjakmarrjes, dukuri që ishte mjaft e pranishme në jetën e arbërorëve – shqiptarëve.

Rreth gjakmarrjes autori e jep, pos të tjerëve, këtë shembull: etërit misionarë të Gashit, duke parë e duke kuptuar se atje kishte shumë armiqësi dhe urrejtje të vjetra mes fshatit të Gashit dhe fshatit tjetër, atij fqinj, ua mbushën mendjen njerëzve që të pajtoheshin e kështu vendosën një herë që të bënin paqen e hakmarrjeve dhe të gjaqeve, vrasjeve të kryera mes tyre në kohë të shkuara, sepse ky ishte zakoni: që kur një njeri i një fshatit vriste një tjetër të një fshati tjetër, nuk kërkohej keqbërësi, vrasësi, por vritej për hakmarrje kushdo që ishte banor i atij fshatit që kishte kryer vrasjen e për këtë arsye shumoheshin këto vrasje hakmarrjesh, me pasojë gjaqet. Në një farë mënyre të të shprehuri, kjo shkonte në vazhdimësi, pa ndalesë. Duke dashur, kështu, që të arrinin këtë paqe, u vunë si ndërmjetës misionarët. Pastaj u mblodhën dy ushtri: njëra mbi një mal, mal i lartë dhe ushtria tjetër mbi një mal tjetër. Të gjithë të armatosur mirë, sikur të donin të luftonin. Dolën fretërit dhe merrnin e çonin fjalë sa tek njëra ushtri tek tjetra. Erdhën atëherë shumë turq. Kur u arrit paqja, që kjo të mos thyhej më e të mos prekej, sollën disa fëmijë në djep e i vunë në mes dhe njëra palë bëhej kumar i tyre e këta quhen kumbarët e Shën Gjonit (mbas pajtimit kumariseshin, bëheshin kumbarë në shenjtin Shën Gjon) e kështu që njëri fshat mbante si kumbarë të gjithë ata të fshatit tjetër e atëherë përmbaheshin të merrnin gjakun e të kryenin vrasje. Për të siguruar paprekshmërinë e kësaj paqeje, fretërit kishin sjellë një letër të madhe, sikurse thonë ata, që ishte një vëllim libri dhe duke e kaluar poshtë paqësisht (Bonacèna), dhe atëherë zotërinjtë, duke e parë këtë libër të madh, thoshin që ta lidhim këtë paqe, ta vendosim jo me djepa e fëmijë, por me këtë letër e kështu vendosën katër drurë, mbi të cilët u vendos libri dhe duke kaluar nën të, secili thoshte: “Nëse unë nuk do ta mbaj këtë paqe, këtë letër të Hyjit, u vrafsha e do të vetëvritem!”[19].

Në veprën e atë Xhaçinto-s jepen dhe të dhëna për figura të shquara të botës sonë si, fjala vjen për Andrea Bogdanin (i cili ishte famullitar në fshatin Guri, rreth 4 milja larg Prizrenit), Frang Bardhin, Gjergj Bardhin etj. si dhe të dhëna biografike baritore për 28 misionarë italianë të cilët vepruan në Shqipëri.

Në bazë të asaj që thashë më lart përligjet në mënyrë të pamëdyshtë rëndësia e shumëfishtë e librit të atë Xhaçinto-s jo vetëm për barinjtë shpirtërorë e për kishën, po edhe për të gjitha ata që merren me historinë, me kulturën, me arsimin dhe me dukuri të tjera të rëndësishme të botës sonë.

Nuk mund ta përmbyll këtë shkrim pa i shpreh mirënjohjen time studiuesit Mark Palnikajt, i cili me botimin e këtij libri dha një ndihmesë të madhe për njohjen e rrethanave të jetës së njeriut tonë në përgjithësi, sidomos të periudhës 1634 – 1650, njohjen e të kaluarës dhe të vetvetes.

Prishtinë, mars 2023

[1] Shih më gjerësisht Atë Marin Sirdani, Françeskanët në Shqypní dhe shqyptarët katolikë në lamë t’atdhetarís. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë 2002. Shih për françeskanët në Malësi veprën Zef Pergega, Drita e françeskanve në Malsinë e Madhe. Vështrim fetar, letrar – artistik dhe sociologjik –  psikologjik. Parathânjen Prof. dr. Anton Nikë Berisha, Botoi Kuvendi françeskan, Tuz, 2015.

[2] Shih punimin tim Qenësi dhe veçanti të shkrimtarëve tanë françeskanë. Në “Larmi vëzhgimesh letrare”. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2012, f. 43 – 70.

[3] Atë Marin Sirdani, Françeskanët në Shqypní dhe shqyptarët katolikë në lamë t’atdhetarís, vep. e përm., f. 23.

[4] Atë Marin Sirdani, po aty, f. 24.

Sipas Atë Marin Sidanit në shekullin e parë të themelimit të Urdhnit françeskan njihen “[…] njimbdhetë bij të këtij Urdhi të nderuem prej Selís Shêjte me dinjitet ipeshevknuer në Shqypní. Këta janë: Gjoni de Plano Carpino, kryeipeshkëv i Tivarit (1248 – 1252); Golfredi…, kryeipeshkëv i Tivarit (1253 – 1255), Lorenci prej Ortet, kryeipeshkëv i Tivarit (1255 – 1260); Pjeter Tiburtini, kryeipeshkëv i Tivarit (1260 – 1276); Bonaventura, ipeshkëv i Arbnit (1273…); Martini…, kryeipeshkëv i Tivarit (1304…); Antoni de Baosoni, kryeipeshkëv i Dursit (1305…); Andrea I…, kryeipeshkëv i Tivarit (1307…); Martini…, ipeshkëv i Arbnit (1304…); Federik Gjermani, kryeipeshkëv i Shkupit (1317…); Françesku…, ipeshkëv i Vlonës (1319…). Shih veprën e përmendur të Atë Sirdanit, f. 22.

[5] “Helena, Regina Serbiae (una cum sorore Maria de Chau) templum et coenobium S. Mariae in urbe Scodrensi et Monasterium S. Marci de Dulcinio a se exstructa fratribus ordinis S. Francisci ab Observantia nuncupatis habitanda et possidenda tradit”. Shih Atë Marin Sirdani, Françeskanët në Shqypní dhe shqyptarët katolikë në lamë t’atdhetarís, vep. e përm., f. 24.

[6] “Desa uxor condam Tolliscalui de Pracouzio…cuilibet loco fratum Minorum custodie Ragusine videlicet Catari, Antibari, Ulcinii e Dyrachii, hyperpera tria legat”. Shih Atë Marin Sirdani, Françeskanët në Shqypní dhe shqyptarët katolikë në lamë t’atdhetarís, vep. e përm.,. f. 23. Shih dhe veprën e Atë Marin Sirdanit, Ndriçime të historís, të kulturës dhe të artit shqiptar. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa” – Kuvendi Salezian, Prishtinë 2002.

[7] Dr. Ivan Marković, Dukjansko -Barska metropolija; Zagreb, Tisak Antuno Scholza, k.VII, f.98. Farlati, Illyricum sacrum, L. VII. f.35.

[8] Dr. Ludovicus Thallóczy, Acta et Diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia. Vinbobonae MCMXIII, Typis Adolphi Holshausen, vol.I,38, n.191. Këtu, ky, me daten 12 Kallnduer 1249 e permendë ket Prelat në kalim neper Raguzë, i drejtuem me marrë sundimin e kryedjeçezit të Tivarit (pro parando at archiepis-copatum antiuarensem).

[9] Fabianich, k.II, f.48. Shih dhe librin tim Shpalime rrënjësh. Vëzhgime etnologjike dhe kulturore. “Faik Konica”, Prishtinë 2021, f. 15 – 17.

[10] Giacinto da Sospello, Relazione universale dell’origine della Missione Apostolica de Frati Minori Osservanti Riformati, vep. e përm., f. 347.

[11] Fra’ Giacinto da Sospello, Relazione universale dell’origine della Missione Apostolica de Frati Minori Osservanti Riformati, vep. e përm., f. 199.

[12] Shih Dario Bucciarelli, Relacioni sinoptik i ngjarjeve të ndodhura brenda Pashallëkut të Prizrenit nga 26 gushti 1866 deri më 6 mars l868. Përgatitur për botim nga Mark Palnikaj. Parathënien Anton Nikë Berisha, “Fast Print”, Tiranë 2023, f. 7 dhe 10.

[13] Fra’ Giacinto da Sospello, Relazione universale dell’origine della Missione Apostolica de Frati Minori Osservanti Riformati, vep. e përm., f. 313

[14] Fra’ Giacinto da Sospello, po aty, f. 281.

[15] Fra’ Giacinto da Sospello, po aty, f. 149.

[16] Fra’ Giacinto da Sospello, Relazione universale dell’origine della Missione Apostolica de Frati Minori Osservanti Riformati, vep. e përm., f. 129 – 131.

[17] Shih për botimin e disa librave para vitit 1634 në studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014 dhe Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim. Con una sintesi in italiano. Pellegrini Editore. Cosenza 2015; botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2015.

[18] Fra’ Giacinto da Sospello, Relazione universale dell’origine della Missione Apostolica de Frati Minori Osservanti Riformati, vep. e përm., f. 139 – 141.

[19] Fra’ Giacinto da Sospello, po aty, f. 215.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok