20/01/2025

NJË VEPËR MADHORE KUSHTUAR TRAGJEDISË KOMBËTARE SHQIPTARE

0
Basha-Ekzekutimi-Shqiptareve

Doli nga shtypi libri më i ri i Prof.dr. Sabile Keçmezit- Bashës

(Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZN-a dhe UDB-ja jugosllave (1944-1990, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë,  f. 1179)

Nga Prof. Dr. Nusret Pllana – Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’, Prishtinë

Hyrje

Në këtë studim voluminoz, autorja Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha ka grumbulluar fakte dhe të dhëna të shumta për tragjedinë me përmasë kombëtare të popullit shqiptar. Përmasa e kësaj tragjedie, edhe pas gati një shekulli, as nuk është harruar, as nuk është tejkaluar, as pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, mund të thuhet se përmasa e kësaj tragjedie kombëtare, nuk ishte e filluar vetëm nga viti 1944, kur e fillon studimin e saj autorja, as nuk kishte përfunduar më 1990, ngase dihet botërisht Serbia fashiste kishte kryer gjenocid të pashembullt në vitet 1997-1999 në tërë hapësirën e Kosovës së sotme, të cilën e quante pjesë të saj. Në të vërtetë, tragjedia kombëtare shqiptare kishte filluar që nga konferencat ndërkombëtare, me të cilat këtu nuk do të merremi, andaj siç thuhet, edhe Jugosllavisë së mbretërisë së Serbëve-Kroatëve dhe Sllovenëve, edhe asaj që quhej Jugosllavi komuniste, thuajse ia kishin lënë duart e lira për të kryer gjenocid në jetën kombëtare të shqiptarëve.

Organizatat atdhetare dhe lufta për mbrojtjen e tokave shqiptare

Përkundër dhunës shtetërore që bëhej mbi shqiptarët, në popull përherë kishte forca të tilla që nuk ishin pajtuar me gjendjen e krijuar, andaj bënin përpjekje që të gjenin forma të ndryshme të qëndresës kundër pushtuesit. Njëra ndër format më të përshtatshme ishte organizimi në shoqata dhe lëvizje të ndryshme, ishte formimi i organizatave atdhetare, të cilat në programet e tyre, në përgjithësi, kishin qëllimin e bashkimit me shtetin amë, Shqipërinë londineze, siç do të quhej që nga viti 1913 e këndej, ngase atje, në Londër ishin përgjysmuar dhe ishin përgjakur tokat shqiptare. Autorja ka pasur kujdes, mbi bazë të dokumenteve arkivore që ka arritur të zbulojë, që të sistemojë, thuajse në tërësi, veprimtarinë e këtyre organizatave dhe bashkimeve të fshehta, që në programet e tyre kishin për qëllim, jo vetëm çlirimin e kësaj pjese të atdheut por edhe krijimin e Shqipërisë etnike. Në bazë të materialit që ka sistemuar autorja e këtij studimi, Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, mund të thuhet se që kur ishte kuptuar qëllimi i mos realizimit të kërkesave të Konferencës së Bujanit (dhjetor 1943-janar 1944), për bashkim me Shqipërinë, siç shkruante në tekstin e materialeve të kësaj konference, kishin zënë të kërkohen forma të tjera të organizmit të qëndresës kundër pushuesit serb, që në vitet 1945 e tutje, bëhej edhe në emër të barazisë socialiste, bëhej edhe në emër të vëllazërimit dhe bashkimit, bëhej edhe në emër të të drejtave që kishin metodat e zhdukjes, burgosjeve, ndjekjeve dhe torturave nga më të tmerrshmet për të gjithë ata shqiptarë që konsideroheshin kundërshtar të sistemit jugosllav. Mirëpo, në rrafshin e zhvillimeve historike, mund të thuhet, siç del edhe nga lënda që ka përfshirë autorja në këtë studim, se pa veprimtarinë e këtyre organizatave të fshehta, pa veprimtarinë e tyre në vetëdijësimin e shtresave të gjera të popullit, pa shembullin e tyre se si të luftohet për të drejtat kombëtare, vështirë se do të mund të mendoheshin zhvillimet e mëvonshme në këtë pjesë të tokave shqiptare që quhet Kosovë. Fjala vjen, të Organizata e lëvizjes kombëtare të formuar nga Adem Demaçi me shokë, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, (1963), me të gjithë shtrirjen e saj, në formën e organizmit në komitetet, si në Pejë, në Gjakovënë Prishtinë, në Mitrovicë, në Gjilan. Siç shihet, thuajse një shtrirje në gjithë Kosovën e atyre viteve. Prandaj, të gjithë brezat e mëvonshëm të të burgosurve politikë shqiptarë, kanë gjetur frymëzimin dhe qëndresën për të përballuar të gjitha vuajtjet nëpër burgjet sllave, mbi bazën e këtyre veprimtarive atdhetare, mi atë sakrificë madhështore, e cila të shumtën e herëve, është paguar me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të kombit. Kjo frymë kombëtare, del sheshit në të gjitha programet e të gjitha këtyre organizatave kombëtare, që nga fillimi i vitit 1945 e deri në fillim të viteve 1990, për të cilat ka sjellë dokumente me vlerë, autorja e këtij studimi, Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha.

Vrasjet dhe burgosjet e atdhetarëve shqiptarë nga organet e pushtetit sllav

Përmasa e tragjedisë kombëtare del qartë në faqet e këtij studimi monografik, qoftë edhe kur mëson emrat e gjithë atyre atdhetarëve shqiptarë, të cilët në një mënyrë, ose në një tjetër, janë likuiduar jo vetëm për veprimtarinë e tyre atdhetare, por në fund të fundit, edhe vetëm se ishin shqiptarë. Kjo politikë shfarosëse del e plotë, edhe në vitet e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku sipas programit të Serbisë fashiste, duhej të zhdukej çdo gjë që ishte shqiptare. Andaj, jo rastësisht, pushtuesi, përmes organeve të tij të specializuara të ndjekjes dhe të torturimit, përcillte në çdo hap veprimtarinë e çdo shqiptari, për të cilin dyshohej se ishte kundër sistemit të pushtuesit sllav. Do të thotë, që nga Kuvendi i Prizrenit, i vitit 1945, kur politika serbe i kundërvihet vendimeve të Konferencës së Bujanit, edhe përmes parullave të vëllazërimit e të bashkimit dhe të socializmit, janë vënë në shënjestrën e vrasjeve dhe të burgosjeve gjithë ata emra atdhetarësh, të cilët të shumtën e herëve, nuk kanë kursyer as familjen, as pasurinë, dhe as jetën. Në faqet e kësaj monografie, kur flitet dhe shkruhet për veprimtarinë dhe biografitë e atyre atdhetarëve shqiptarë, të cilët janë pushkatuar me gjyq e pa të, lexuesi e kupton se qëllimi përfundimtar i pushtuesit ishte zhdukja e frymës kombëtare në radhët e popullit shqiptar të Kosovës, ishte zhdukja e kërkesave për barazi dhe për bashkim me shtetin amë, Shqipërinë, por ishte edhe amaneti i të parëve, që asnjëherë të mos gjunjëzohen para pushtuesit, pa marrë parasysh sakrificat, që duhej bërë, të shumtën edhe me dhënien e jetës. Kush ishin këta shqiptarë, që i dënonte me vdekje dhe i burgoste pushteti komunist i Beogradit? Ishin nga të gjitha shtresat e popullit shqiptar, nga intelektualët më të njohur, siç ishte Prof. Ymer Berisha, Prof. Sylejman Lleshi, Prof. Gjergj Martini, prof. Kolë Parubi, siç ishte Marie Shllaku me shoqe, por siç ishin edhe atdhetarët tanë, me përkatësi të ndryshme fetare, si Mulla Idriz Gjilani, e At Bernard Llupi, ‘‘njëri i djegur e tjetri i varur për bashkimin e tokave shqiptare’’. Këtë frymë kombëtare e kishin përcjellë ndër breza të shqiptarëve atdhetarë, të cilët asnjëherë nuk ishin pajtuar me politikën e  pushtuesit, andaj nuk është gjë gand dhe e rastit, që shumë e shumë breza të tjerë atdhetarësh, që ishin jo vetëm shtresa më intelektuale, por edhe më popullore, thuajse në të gjitha periudhat kohore, deri në vitet e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur realizohet një pjesë e kërkesave shekullore të shqiptarëve të kësaj pjese të atdheut, për krijimin e Shqipërisë etnike.

Të dhëna tragjike që alarmojnë kujtesën njerëzore

Autorja e monografisë, Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZN-a dhe UDB-ja jugosllave (1944-1990), I., prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, përmasën e tragjedisë kombëtare shqiptare e ka plotësuar edhe me të dhënat e shqiptarëve të pushkatuar, të burgosur dhe të ndjekur, sipas viteve, gjë që lexuesi e ka vështirë të jetë indiferent, ndaj gjithë asaj ploje që është kryer mbi popullin shqiptar të Kosovës. Secili nga këto vite, për të cilët ka sjellë të dhëna autorja, është më i rëndë se tjetri. Në secilin nga këto vite, vrasjet, pushkatimet, burgosjet dhe ndjekjet e shqiptarëve, kanë përmasë tragjike në strukturën kombëtare të popullit shqiptar. Kur njeriu gjendet para të dhënave të këtilla të dokumentuara me fakte, nga dosjet e organeve të pushtuesit, siç ishin OZN-a dhe UDB-ja, pa dashur mund të ketë dilemën, si paska ardhur populli shqiptar deri këtu nëpër rrugët e historisë, pa u asimiluar, pa u zhdukur? Kjo pyetje, secilit lexues i ngulitet në kokë, si një pykë çarëse, për t’ia kujtuar, mbi të gjitha, sakrificën e brezave të shqiptarëve, që kanë mundësuar përballimin e tragjedive historike në jetën e këtij populli. Asnjë pushtues nuk vjen për të mirë, dhe secili ka për qëllim që populli i pushtuar të jetë sa më pak, pra duhet vrarë, duhet burgosur dhe duhet ndjekur nga trojet e tij, deri në atë pikë, sa të mos ketë mundësi të ekzistencës. Autorja është marrë me një periudhë kohore të kufizuar, nga viti 1945 deri në vitin 1990. Vetëm për këto vite, përmasa e tragjedisë është e pakapshme për mendjen normale të njeriut, se nëpër cilat rrugë jetësore ka kaluar ky popull për të ardhur deri te fakti, që sot Kosova është e lirë, pa praninë e forcave pushtuese serbe. Por, kjo përmasë e tragjedisë kombëtare, do të ishte shumë më e tmerrshme, nëse i shtohen edhe faktet e tragjedisë shqiptare, që kishte grumbulluar dhe kishte dorëzuar nëpër të gjitha qendrat evropiane dhe botërore të asaj kohe, Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës, me seli në Shkodër, të cilit i printe Hoxhë Kadri Prishtina, e shumë intelektualë dhe atdhetarë të tjerë. Dhe Evropa kishte heshtur. Dhe qendrat e vendosjes evropiane e kishin mbyllur gojën, thuajse bëhej fjalë për ndonjë fis njerëzish të ndonjë xhungle diku nëpër skutat e botës, ku nuk mbërrin këmba e njeriut normal dhe të qytetëruar. Dhe Evropa e qytetëruar, kur kishte copëtuar gjeografinë kombëtare shqiptare, ‘‘për të krijuar qetësinë dhe sigurinë e Evropës’’, nuk e kishte marrë për bazë asnjë fakt që kishin dorëzuar atdhetarët shqiptarë, jo vetëm për lashtësinë, por edhe për qëndresën shekullore të këtij populli edhe në mbrojtje të kufijve të Evropës.

Përfundim

Regjistri i të dhënave për tragjedinë kombëtare në këtë monografi, thuajse është i pafund. Lexuesit do t’i mjaftonte, qoftë edhe vetëm për të lexuar numrin e shqiptarëve të vrarë nëpër fshatrat e Kosovës, që të bindet se fjala ishte për politikën shfarosëse të pushtuesit. Po ashtu, lexuesi do të habitej me heshtjen e madhe të Evropës së kohës, që po vazhdon edhe sot e gjithë ditën, ndaj gjithë atyre padrejtësive historike që i bëhej popullit shqiptar, të cilit, përkundër qëndresës heroike dhe tragjike në të gjitha periudhat e historisë, i është copëtuar gjeografia kombëtare, e cila edhe sot është po e copëtuar. Shumësia e të dhënave që ka afruar autorja e monografisë Ekzekutimi i shqiptarëve  nga OZN-a dhe UDB-ja jugosllave (1944-1990), I., mund të thuhet, së pari e lë pa frymë lexuesin, së dyti, kur sheh rrjedhën e ngjarjeve historike në jetën e popullit, habitet me mundësinë e mbetjes gjallë deri në këtë shekull të ri, siç po e quajnë, së treti mrekullohet nga qëndresa e atdhetarëve shqiptarë, të cilët nuk kanë kursyer asgjë, as jetën e tyre, nëpër të gjitha ato periudha kohore, që i ka  trajtuar autorja, për të ardhur deri në ditët tona ku brezi i shqiptarëve të këtij shekulli të ri, gëzon lirinë dhe nuk e ka këtë pjesë të atdheut të pushtuar. Prandaj, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vjen si rrjedhë normale e zhvillimit të ngjarjeve historike në jetën e popullit tonë, kështu që, edhe është reale se ka hapur procesin e madh historik të bashkimit kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok