Një tufë me epigrame nga Viron Kona
Nise nga vetja
Ti flet e akuzon të tjerët përditë,
për disa gjëra mbase ke t`drejtë,
veçse, që të jesh i besueshëm,
fol dhe për “zullumet” që ke bërë vetë!
Si një enë me presion
Njeriu si qenie me arsye,me gjak e nerv,
hallet dhe streset me vështirësi i duron,
ndaj ka sajuar thashethemet e gazetat,
që të mos shpërthejë si enë me presion!
Që t`ia dalësh asaj ane!
Mendon se po u dhimbsesh?
Askush për ty s`do t`ia di,
po s`e nxore vet gomarin1),
në baltë mbetesh edhe ti…
Edhe një herë, si ju të jem!
Pyetën gjimnazistët drejtorin:
-Ç `do të doje të ishe ti n`jetë:
shkrimtar i madh e me famë,
apo drejtor lider me autoritet?
-Ndihem mirë që jam drejtor,
të jem shkrimtar më pëlqen,
do t`i falja me qejf që t`dyja,
sikur edhe një herë si ju të jem!
I zemëruari
Nëse do të dish se,
kur je i zemëruar me cilin ngjason,
atëherë krahaso veten me një dem,
që ka shpëtuar nga zgjedha dhe s`di për ku vrapon!
Krahasoje dhe me një tren,
që del nga shinat e dihet si përfundon,
por, po deshe krahasoje veten,
dhe me një shofer të dehur në timon!
Në të gjitha rastet, i zemëruari,
vetëm prish dhe shkatërron…!
Macja që mjaullin s` gjuan minj!
Kur e drejta është me ty,
mos u tremb nga asnjë kërcënim,
qeni që leh nuk të kafshon,
macja që mjaullin s` gjuan minj!