22/12/2024

NJË TRIPTIK PËR TRI FESTA: NGA KURBAN BAJRAMI E VIDOVDANI E DERI TE SHËN PALI SI UNGJILLËZUES I ILIRËVE

0
Prend-Buzhala

(Kundrime përtej një kronike festash)

Nga Prend BUZHALA

Sivjet, data 28 qershor, rastisi t’i bashkojë” tri festa të të tri religjioneve: Kurban Bajramin e e besimit islam, “Vidovdanin” e serbëve dhe Natën e shën Pjetrit e Palit, pajtorë të famullisë së Gjakovës, të besimit katolik.

  1. KODI SHQIPTAR E CIVILIZUES I URIMIT TË FESTAVE: KURBAN BAJRAMI DHE PËRDORIMI I MOSDHUNËS SI PARIM HISTORIK FETAR

Festat janë, në radhë të parë, mesazhe për paqe, mirëkuptim, besim dhe mirëqenie. Secila festë e ka rëndësinë e tyre, pa marrë parasysh sfondin e tyre historik se si na erdhën në këto troje ato festa. Bajrami na erdhi nëpërmes ushtrisë së Perandorisë Otomane, hanxharit dhe shpatës. Por shqiptarët, sado që iu nënshtruan dhunshëm besimit zyrtar të Perandorisë pushtuese otomane, megjithatë, gjithmonë e ruajtën tolerancën vëllazërore shqiptare mes besimeve dhe nuk u bënë luftëtarë të Padishahut kundër kombit shqiptarë (hiq pashallarët e jeniçerët). E futën KODIN SHQIPTAR të urimit në traditë të urimit të ndërsjellë,  kodin religjioz të mirëbesimit mes feve, pikërisht në frymën që çfarë kërkojnë besimet e shenjta  librat e shenjtë të secilit besim, e jo çfarë kërkojnë shpatat e arma e pushtuesve. Ky kod ka futur edhe një traditë sublime shqiptare: atë për t’i shkuar besimtarit të fesë tjetër për t’ua uruar festën.

Prandaj, dhe kësaj radhe, për Bajram uruan jo vetëm shqiptarët e besimeve të ndryshme njëri-tjetrin për Bajram, por uruan edhe figura ndërkombëtare në Kosovë, KFOR etj. ndryshe nga serbët që përcollën të tjera mesazhe nga Libri i politizimit të fesë e jo mesazhe nga Libri i Shenjtë. Sikur të kishin qenë me frymë evropiane, asgjë të keqe nuk do t’i gjente që t’i urojnë shqiptarët e besimit islam për bajram dhe të festojnë paqësisht festën e tyre. Te ky kod ka vetëm qytetërim të bartur që nga kohët ilirike. Kështu, dikur në Iliri, brenda një familjrje jetonin një ilir pagan (fe zyrtare) dhe një ilir i krishterë (fe e ndaluar). Ndërkaq, Konstandini i Madh nga Naisuss-i (Nishi ilir i sotëm) ose Shën Konstandini, legalizoi krishterimin më 313. Toleranca fetare (në mes të fesë sunduese  paganëve dhe fesë së re – krishterimit), kodifikoi lirinë fetare në Ediktin e Milanos më 313. Krishterimi u përndoq nga Perandoria romake për më shumë se treqind vjet! Krishterimi u përhap gjithnjë e më shumë pa përdorim dhune (sepse nuk kishte pushtet në dorë e as ushtri të veten) dhe e gjunjëzoi perandorinë më të fuqishme të kohës, pa asnjë betejë, pa shpatë dhe pa dhunë. Përdorimi i mosdhunës triumfoi, si parim i ri historik: e njohur me emrin TOLERANCA FETARE. E trashëguar nga Konstandini i Madh (ashtu si u trashëgua nga ky edhe Flamuri i Skënderbeut), bashkëjetesa e tillë u bart edhe tek dy shekujt e fundit me emrin tolerancë proverbiale shqiptare…

  1. Ron Huvard thotë: “Toleranca është një gur i mirë themeli mbi të cilën ndërtohen marrëdhëniet njerëzore. …Tolerancë fetare nuk do të thotë që dikush të mos mund t’i shprehë bindjet e veta fetare Do të thotë që përpjekja për të minuar ose për të sulmuar bindjet fetare dhe besimet e të tjerëve, ka qenë gjithmonë një rrugë e shkurtër drejt andrallave.”
  2. VIDOVDANI- NJË MIT PAGAN BALTIK I SHNDËRRUAR NË MITIN FETAR SERB

“Vidovdani” një festë që e festojnë serbët e bullgarët, në shenjë të Shën Vidit (romak), më 28 qershor, që, në këtë rast, jo se kujtohet martiri i shenjtë Shën Vidi, shqiptarët i thonë edhe Shën Vita… dhe ka përplot emra shqiptarësh që quhen Vitë, apo Vidë (nga latinishtja”videre”: me pa, me u zgjue);  por sepse në këtë ditë është Dita e Përkujtimit të Betejës së Fushë Kosovës më 1389 kundër Perandorisë otomane – ku, sipas historisë, me shumicë kanë qenë arbërorët a shqiptarët e sotëm, betejë ku humbën dy prijës, një “prijës serb” Lazari dhe sulltani.

Tragjedia është shndërruar në mit e testament serb, për ta kremtuar liturgjikisht Shën Princ Llazarin, madje, siç e thonë vetë burimet serbe, Kisha Ortodokse Serbe kremton në mënyrë liturgjike Shën Princin Llazarin që nga viti 1892 e jo në herët! Shën Vidi ishte djali i një senatori të shquar nga Siçilia, që ka jetuar në shekullin IV (kur ende nuk kishte sllavë në trojet ilirike). Prej këtij shekulli (XIX) u thurën legjendat serbe për Kosovën, vajtime për “kombin e mposhtur serb” për të mbijetuar!

Edhe kësaj radhe (28 qershor 2023), tek mesazhi me mbishkrimin cirilik “Predaja nije opcija” (“Dorëzimi s’është alternativë”) që e bartnin serbë të ardhur nga Serbia (dhe vetë djali i Vuqiçit), bart atë mesazh kobzi a mallkimin që dikur gjoja e ka shqiptuar Car Lazari kundër turqve osmanë në betejën e Kosovës: ““Kushdo që është serb dhe me origjinë serbe, Dhe të gjakut dhe trashëgimisë serbe,/ Dhe nuk vjen në Betejën e Kosovës,/ Le të mos ketë kurrë pasardhës që dëshiron zemra e tij, As djali as vajza!/ Asgjë të mos rritet që do të mbjellë dora e tij,/ As verë e errët, as grurë i bardhë!/ Dhe qoftë i mallkuar nga të gjitha shekujt në të gjitha shekujt!”

Se çfarë u bë më vonë, dihet: i pari që ka vrapuar tek sulltani, për ta nënshkruar  vasalitetin nën perandorinë otomane, ka qenë patriarku “serb”, ku e merr pëlqimin e sulltanit që ky patriark të udhëheqë mbi të krishterët e Evropës Juglindore (tash quhet Ballkan): të drejtat fetare, financiare, juridike, por jo ato politike. Madje, edhe mbi arbërorët katolikë që nuk e pranuan kurrë sundimin turk! Dhe, së bashku me sulltanët e pashallarët, për aq shkuj, u bashkuan kundër arbërorëve të krishterë!

E harruan, pra, se “Vidovdani” në thelbin e tij, ka mesazhin e krishterë: të nderimit të dritës! E hodhën anash shenjtorin Vidi nga Sicilia dhe e ngritën në kult mallkuesin historik! Shën Vidi ishte ekzekutuar në Romë në fillim të shekullit të IV-të, gjatë persekutimit nën perandorët Dioklecian (prandor ilir me origjinë Dalmacia) dhe Maksimian. Pra, përkujtimi fillimisht erdh nga krishterimi romak e jo nga Bizanti. Kur ende sllavët nuk ishin të krishterë, edhe bartja e relikteve (eshtrave) të shën Vitës u bë në shek.. VIII, kur u transferuan në Paris dhe tetëdhjetë vjet më vonë iu dorëzuan manastirit benediktin gjerman të Korveut, i cili u bë qendra e kultit të këtij shenjtori; Katedralja e Pragës që nga ajo kohë i kushtohet këtij shenjtori; gjatë Mesjetës kulti i tij përhapet në Gjermani (me vallëzimet kolektive para statujës së tij deri në rraskapitje, me besimin e shërimit të sëmundjeve mendore),

Kisha katolike romake (kalendari julian) e feston më 15 qershor (kalendari gregorian e ka datën 28 qershor), kure vetë kishat ortodokse nuk e nderojnë! Madje, serbët as sot nuk e festojnë këtë ditë mbarë-evropiane fetare. Etnologët serbë e thonë se ”tashmë vihet në dukje mundësia që kulti i Shën Vitit te serbët dhe sllavët të mos ketë të bëjë me vetë shenjtorin (pb Vidin), por me perëndinë pagane sllave Svetovid, adhurimi i të cilit, me imponimin e krishterimit, u nderua nën maskën e ksaj feste” (pb: katolike). Svetovid, e thonë tekstet sllave, ishte perëndi e madhe e sllavëve baltikë (ngjashëm me Janus-in romak me dy fytyra e që sheh në dy drejtime të kundërta), si perëndi supreme. Dëshmi se serbët erdhën nga ato anë, vëlla me rusët e bjellorusët! Prania e këtij kulti shpjegohet edhe me ide tjera: ideja e një lideri a personi të fuqishëm, si fitimtar; ndërlidhet edhe me agimin.

E pra, nj shenjtor pagan sllav, nga anët e Baltikut, shndërrohet e transformohet në miti fetar pseudo-të krishterë e në mitin e rrejshëm për Kosovën!

Nga ana tjetër, serbët këtë datë e lidhin edhe me shumë të tjera që ndodhën më vonë: më 28 qershor 1881 Austrohungaria mbështet Serbinë në “rivendosjen” e Mbretërisë serbe se pa këtë mbështetje nuk do të ekzistonte Serbia; Serbia e tradhton këtë mbreëtri austrhungareze më 28 qershor 1914: Gavrilo princip vret Franc Ferdinandin, trashëgimtarin e fronit të Austro-Hungarisë, që çoi në Luftën e Parë Botërore; më 28 qershor 1919 u nënshkrua Traktati i Versajës, duke i dhënë fund konfliktit midis Antantës dhe Gjermanisë; kjo do të pasohet nga Konferenca e Paqes në Paris… (jkur humbën trojet etnike shqiptare e nën pushtimin serbo-jugosllav); më 28 qershor 1921,

mbreti Aleksandar I Karagjorgjeviq shpalli kushtetutën e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila më vonë do të njihet si Kushtetuta e Vidovdanit; në këtë datë të vitit 1948, Informbiroja shpall “Rezolutën” e tij të famshme, e cila fillon konfliktin politik midis Bashkimit Sovjetik (dhe satelitëve të tij, shteteve-kukulla në Evropën Lindore) dhe federatës socialiste të Jugosllavisë; vjen viti famëkeq  i historisë më të re: më 28 qershor 1989, në përkujtimin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, kur Sllobodan Millosheviqi mbajti një fjalim në Gazimestan, që nisi shkatërrimin e federatës jugosllave dhe nis luftën kundër kombeve tjera brenda Jugosllavisë, kur sllovenët në veri nisin shkëputjen; më vonë, ndodhi që më 28 qershor 2001, në Vidovdan,  Sllobodan Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës ku u gjykua për krime të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-99… pesë vjet më vonë, në këtë datë, në vitin 2006, Mali i Zi u pranua në Kombet e Bashkuara. Prej vitit 2018 ngjallet ky mit në përpjekje për ta shkatërruar Kosovën: kështu, më 28 qershor të vitit 2008, si kundërpërgjigje ndaj shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Qeveria e atëhershme e Republikës së Serbisë miratoi Deklaratën për themelimin e Kuvendit të Asociacionit  të Komunave “Serbe” të Kosovës … lëmshi mitik i të cilave vazhdoi edhe në këtë qershor! Vetë serbët pyesin: çfarë dëshiron t’iu thotë perëndia pagane sot?!

Se vazhdimisht i festojnë dhe kremtojnë humbjet e shkatërrimet e veta gjatë historisë?! Fatkeqësisht, mësimin nuk dëshirojnë ta nxjerrin nga historia, por nga miti pagan!!!

  1. FESTA SHËN PJETRIT DHE SHËN PALIT: OSE SHQIPTARËT SI POPULL BIBLIK

Në Natën e 28 Qershorit kremtohet tek besimtarët katolikë edhe festa e e shën Pjetrit e Sën Palit apostuj. Sipas historisë së krishterë, thuhet se vetë Jezu Krishti ua besoi ngritjen e ngrehinës dhe lartësimin e Kishës Katolike Universale në Romë, “që i bën ballë shekujve”. Sipas këtij besimi “Kisha kremton solemnisht, dy njerëz, që u persekutuan për vdekje. Një peshkatar e një çadërpunues, i përfunduan ditët tragjikisht për shkak të urrejtjes romake kundër mesazhit që përfaqësonin, që e mbrojtën edhe me flijimin e jetës.”

Këta sy shenjtorë kanë kishat e tyre dhe  kremtohen në shumë vise shqiptare, siç është ajo e Gjakovës, si pajtorë të këtij qyteti, pastaj në vetë kryeqytetin e Shqipërisë Katedralja e kryeqytetit i kushtohet Shën Palit, ungjillëzuesit të shqiptarëve. Kisha të tilla ka gjithandej në Malësi të Madhe.

Për  shqiptarët, emri i Shën Palit ka edhe rëndësi historike., si mësues i popujve.

Shqiptarët janë quajtur POPULL BIBLIK, sepse këtë privilegj e kanë ilirët që përmenden në Librin e Shenjtë, në Bibël, (si e përmend Shën Pali, po edhe pjesë të tjera të Biblës dhe ashtu si na kanë quajtur jo pak dijetarë e dëshmi ndër shekuj e mileniume)…

Në Bibël thuhet:

“Sepse, nuk do të guxoja të përmend asgjë tjetër, përveç sa Krishti bëri nëpër mua me kthimin e paganëve në dëgjesë me anë të fjalës e të veprës, me fuqi të shenjave e të mrekullive dhe me fuqi të Shpirtit Shenjt. Kështu, qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”.  Dëshmi janë edhe shenjtorët e martirizuar ilirë, Shën Foli, Shën lauri, Shën Maksimi e plot të tjerë.

Është privilegj i rrallë botëror që një popull të jetë i përmendur dhe i shënuar në Librin e Shenjtë…

Civilizimet e huaja, që erdhën nga Orienti, u përpoqën të zhdukin çdo gjurmë të identitetit tonë… Ky identitet u ruajt së bashku me shqiptarët e të gjitha besimeve. Por ilirët-arbërorët-shqiptarët, për KËTA DYMIJË VJET jo vetëm që nuk e kanë zhdukë atë etnogjenezë IDENTITARE, por e kanë kultivuar, e kanë ruajtur, kanë shkruar për të …

(29 qershor 2023)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok