NJË SHËTI QË MBETI NË KUJTESË
Një rrëfim nostalgjik nga ditët e nëntorit në Shqipëri
Nga Neki Lulaj, shkrimtar
Ka udhëtime që njeriu i planifikon për të parë vende të reja, për të njohur qytete e për të shijuar bukuritë e natyrës, por ka edhe të tilla që, pa e kuptuar, shndërrohen në kujtime të veçanta, të cilat mbeten gjatë në kujtesë. Një udhëtim i tillë ishte edhe shëtitja jonë e nëntorit nëpër disa nga qytetet dhe fshatrat e bukura të Shqipërisë.
Kishim kohë që e mendonim këtë udhëtim. Na kishte marrë malli të dilnim pak nga përditshmëria, të përshkonim rrugë të reja, të ndaleshim aty ku historia dhe natyra kishin lënë gjurmët e tyre dhe, pse jo, të takonim njerëz të rinj, të dëgjonim rrëfime e të sillnim me vete kujtime të tjera.
Kësaj radhe, ndalesën e parë e kishim caktuar në Elbasan. Në qytetin e bukur Industrial i cili shtrihet buzë lumit Shkumbin.Nuk ishte një qytet krejt i panjohur për mua. Përkundrazi, emri i tij më shoqëronte që nga vitet e hershme të shkollimit, kur, ulur në bankat e shkollës, dëgjoja me kureshtje mësimet për historinë e arsimit shqiptar, për Normalen e famshme të Elbasanit e qe Normalja e Elbasanit pata mësuar se u hap më 1 dhjetor 1909, pra para 117 vjetësh dhe për njerëzit e mëdhenj që kishin dalë nga ajo vatër e dijes.
Në kujtesën time kishte mbetur edhe emri i ish-profesorit tim të nderuar, Anton Çetta, i cili kishte qenë nxënës i kësaj shkolle. Sa herë që përmendej Elbasani, më dukej sikur përpara meje hapej një faqe e vjetër e historisë së arsimit tonë kombëtar. Një faqe ku ishin shkruar mundi, përkushtimi dhe ëndrrat e shumë brezave që kishin punuar për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Gjatë viteve të shkollimit kisha mësuar edhe për emrin e lashtë të qytetit, Skampa, për kalanë e tij të vjetër dhe për historinë që ruhej pas mureve të saj. Kisha lexuar për Kostandin Kristoforidhin, babanë e gjuhës shqipe, për Dhimitër Shuteriqin, Aleks Budën, Mahir Domin, Dhaskal Thodrin dhe shumë figura të tjera të shquara që lidhen me këtë qytet dhe veçanërisht me lagjen historike të Kalasë.
Dhe ja, pas kaq shumë vitesh, më në fund po i afrohesha këtij qyteti, të cilin dikur e kisha njohur vetëm përmes televizionit librave, mësimeve dhe rrëfimeve të njerëzve.
Sapo hymë në Elbasan, më pushtoi një ndjenjë e veçantë. Ishte një lloj takimi me një qytet që e njihja prej kohësh, por që vetëm tani po e shihja nga afër me sytë e mi. Ndoshta kështu ndodh me disa vende: ato fillimisht i njeh nëpërmjet fjalës së shkruar, pastaj vjen një ditë kur dëshiron t’i prekësh me dorë, të ecësh në rrugët e tyre dhe të marrësh frymë në hapësirat ku kanë jetuar njerëzit për të cilët ke lexuar.
Kalaja e vjetër e Elbasanit na priti me muret e saj shekullore. Rrugicat me kalldrëm, shtëpitë e vjetra dhe qetësia që mbizotëronte në disa prej tyre krijonin një atmosferë të veçantë. Teksa ecja nëpër ato rrugë, mendja më shkonte te njerëzit që kishin jetuar aty, te fymimi dhe kolla e tyre hapat e tyre, te bisedat në oborre dhe te netët e gjata kur historia e këtij qyteti shkruhej në heshtje.
Sa e çuditshme është koha! Muret plaken, njerëzit ndërrohen, por gjurmët e tyre mbeten. Në atë lagje historike kanë lindur ose janë rritur figura të shquara të kulturës shqiptare. Kristoforidhi, Shuteriqi, Aleks Buda, Mahir Domi, Dhaskal Thodri e të tjerë janë emra që i japin kësaj hapësire një peshë të veçantë në kujtesën tonë kombëtare.
M’u duk sikur ato rrugica ende ruanin jehonën e mendimeve të tyre. Sikur kalldrëmet kishin diçka për të treguar, sikur çdo gur i vjetër mbante një copëz historie.
Në kujtesën e qytetit qëndrojnë edhe permendoret e Lef Nosit dhe Aqif Pashë Elbasanit, personalitete që lidhen me periudha të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Në qytetin e e luleve afër Kalasë ndodhet memoriali i quajtur „Klithma”, i cili është ngritur në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit grek ndaj popullsisë se pagajshmr shqiptare të Çamërisë.
Elbasani na la përshtypjen e një qyteti të pastër, të bukur dhe me një arkitekturë të veçantë. Por, siç ndodh shpesh, bukuria e një vendi nuk qëndron vetëm te ndërtesat dhe monumentet. Ajo gjendet edhe në njerëzit që e popullojnë, në mënyrën se si të përshëndesin, si të presin e si të bëjnë të ndihesh i mirëpritur.
Edhe tryeza elbasanase nuk mund të mbetej pa u provuar. Tava e famshme e Elbasanit, bashkë me gatimet e tjera tradicionale, na ofroi një shije të veçantë të kësaj treve. Në atë tryezë nuk kishte vetëm ushqim të shijshëm, por edhe një pjesë të traditës, të bujarisë dhe të shpirtit mikpritës të banorëve.
Në Fushë-Labinot, një befasi e këndshme
Udhëtimi ynë vazhdoi edhe në ditët pasuese. Këtë herë, bashkë me dhëndrin tim, Ibrahim Avdyli, bashkëshorten Fetaneti dhe motrën Sanija, vendosëm të vizitonim kompleksin Rozafa në Fushë-Labinot.
Ishim katër udhëtarë, por secili me kureshtjen dhe pritjet e veta. Rruga na çonte drejt një vendi për të cilin kishim dëgjuar, por ajo që pamë atje i tejkaloi përshtypjet tona të para.
Kompleksi na mahniti me rregullimin, pastërtinë dhe punën e madhe që ishte bërë për ta krijuar atë hapësir përrallorr. Ne terasën e kompleksit shijuam kafet e mesditës në këto ditë vjeshte me diell. Veçanërisht na tërhoqën bustet e tri figurave të njohura të historisë sonë: Gjergj Kastriotit ,Adem Jasharit dhe Lekë Dukagjinit.
Tri figura, tri periudha të historisë dhe një kujtesë e përbashkët kombëtare. Teksa i shikonim, mendja të shkonte vetvetiu te rrugëtimi i gjatë i shqiptarëve, te qëndresa, sakrifica dhe dashuria për lirinë.
Një tjetër befasi ishte salla moderne e filmit, ku ishin ekspozuar portretet e artistëve më të njohur të kinematografisë shqiptare. Ishin fytyra që i kishim parë shumë herë në ekran, zëra dhe interpretime që na kishin shoqëruar në vitet e rinisë, në mbrëmjet familjare dhe në kohët kur filmi shqiptar ishte një pjesë e rëndësishme e jetës sonë kulturore.
Aty, mes atyre portreteve, m’u zgjuan kujtime të vjetra. M’u kujtuan filmat që i kishim ndjekur me aq kënaqësi, aktorët Sandër Prosi, Ndrekë Luca ,Naim
Frashëri ,Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Tinka Kurti etj që na kishin bërë të qeshnim e të emocionoheshim që edhe sot i mbajmë mend.
Kompleksi, i cili na u prezantua pronë e Gjergj Lucaj,t djalit të aktorit të njohur Ndrekë Luca, ishte një dëshmi e bukur se si mund të ndërthuren historia, arti, argëtimi dhe kujdesi për ambientin.
U larguam prej aty me përshtypje shumë të mira. Ndonjëherë, një vizitë e shkurtër të dhuron më shumë emocione sesa mund të presësh nga një udhëtim i tërë.
Tregani, aty ku natyra e shpalos begatinë e saj
Ditët e nëntorit vazhdonin të na dhuronin pamje të reja. Kësaj radhe morëm rrugën drejt Treganit, një fshat që të tërheq me natyrën e tij të pasur dhe me gjallërinë e punës bujqësore.
Aty shihje plantacione të tëra ullinjsh, fidanishte dhe pemë të mbushura me kokrra. Degët e ullinjve rëndoheshin nga frutat, ndërsa përreth shtriheshin parcela me portokaj, limonë dhe mandarina.
Ishte një pamje që të kujtonte begatinë e tokës shqiptare. Sa bukur dukej ajo ndërthurje e natyrës me dorën e njeriut! Çdo pemë dukej sikur rrëfente për një vit të tërë pune, për djersën e bujkut, për pritjen e gjatë dhe për gëzimin e korrjes.
Teksa shikoja ato plantacione, mendova se sa shumë pasuri ka vendi ynë. Shpesh udhëtojmë larg për të parë bukuri të huaja, ndërsa pranë nesh kemi vende që meritojnë të njihen e të vlerësohen shumë më tepër.
Tregani ishte një nga ato ndalesa që të lë një ndjenjë qetësie. Një vend ku natyra dhe puna e njeriut dukeshin sikur kishin bërë një marrëveshje të heshtur për ta zbukuruar jetën.
Belshi, qyteti që buzëqesh në pasqyrën e liqenit
Nga Tregani vazhduam udhëtimin drejt Belshit, qytetit të bukur që shtrihet pranë liqenit dhe që të mirëpret me një pamje të qetë, plot gjelbërim.
Belshi kishte diçka të veçantë. Nuk ishte vetëm bukuria e liqenit ajo që të tërhiqte, por edhe harmonia e qytetit me natyrën përreth. Uji, hapësirat e gjelbra dhe shëtitorja krijonin një pamje që të ftonte të ndaleshe e të mos nxitoje askund.
Në sheshin e qytetit na zunë sytë bustet e Sami Frashërit dhe të Gjergj Kastriotit . Dy emra të mëdhenj që, në mënyra të ndryshme, i kanë dhënë historisë shqiptare përmasa të veçanta.
Duke parë bustin e Sami Frashërit, m’u kujtua edhe një rrëfim interesant që kisha dëgjuar lidhur me idenë e tij për vendosjen e kryeqytetit shqiptar në këtë trevë. Nuk e di nëse të gjitha hollësitë e atij rrëfimi janë ruajtur saktësisht në histori, por vetë ideja më bëri të mendoja për vizionin e njerëzve të mëdhenj, të cilët shpesh i shihnin gjërat përtej kohës së tyre.
Liqeni shtrihej para nesh si një pasqyrë e madhe natyrore. Gjelbërimi përreth, qetësia e ujit dhe pamja e qytetit krijonin një tablo që të kujtonte pikturat e bukura të peizazheve shqiptare.
Neki Lulaj
Elbasan 3 nëntor 2026
