23/12/2024

Një shënim për datën kur lindi Kastrioti i Madh

0
Kastrioti-Vlad-Drakula

Blerim Latifi:

Në mesin e shekullit XV kur invadimi otoman i Europës dukej aq afër, dy burra të Ballkanit po luftonin fort kundër këtij invadimi. Njëri shqiptar, tjetri rumun. Shqiptari quhej Gjergj Kastrioti, rumuni quhej Vlad Tepeshi-Drakula. Të dy shpejt do ta pushtonin imagjinatën e Europës së tmerruar nga shpata otomane. Por me një dallim esencial: shqiptari Gjergj Kastrioti si hero i lirisë dhe i mbrojtjes së qytetërimit europian, ndërsa Vlad Drakula si figurë e mizorisë dhe e gjakpirësit të pamëshirshëm. Kjo erdhi ngase Vladi donte t’ia kalonte Sulltan Mehmetit II në ushtrimin e mizorisë, ndërsa Kastrioti nuk e bënte dot një gjë të tillë, sepse ishte i lidhur fort me normat kanunore, të cilat nuk ia lejonin gjymtimin dhe masakrimin e robërve të kapur në betejë.

Dhe, kështu, ndërsa figura e tij u bë sinonim i  të mirës, ajo e Vladit u bë sinonim i të keqes. Sot bustet e Kastriotit qëndrojnë gjithandej shesheve të Europës, ndërsa emri i Vladit na kujton vampirin e Bram Stokerit.

Në kështjellën e Krujës turistët shkojnë të nxitur nga imagjinata e lirisë, ndërsa në kështjellën e Drakulës në Transilvani të nxitur nga imagjinata e horrorit. Dhe krejt kjo na e kujton një mësim të rëndësishëm moral: kur luftojmë për lirinë tonë kurrë nuk duhet të jemi më mizor se armiku ynë!

__________

Shndërrimi i Ditës së Evropës në ditë feste zyrtare në Kosovë, është produkt i kohës së shpalljes së pavarësisë. Ajo ishte kohë e euforisë, entuziazmit dhe naivitetit të madh.

Me naivitet besonim se, meqë Kosova ishte bërë shtet, tani çdo gjë do të shkonte mirë dhe shpejt, përfshirë edhe integrimin në BE. Prandaj, pse të mos festonim.

Por, ajo që kalon më shpejt, është vetë euforia. Vendin e saj e zë zhgënjimi, i cili vjen për të na dhënë leksionin se gjërat e mira nuk bëhen lehtë dhe shpejt, dhe se politika, sa është art i zgjidhjes së problemeve të shoqërisë, po aq di të bëhet edhe art i krijimit të tyre.

Fatkeqësisht kjo e dyta ka vite që predominon tek ne. Prandaj, në këtë kontekst, Dita e Europës, në vend të festës, realisht paraqet një farsë.

__________

Diplomaci e Kosovës nuk quhet të vizitosh vendet që na kanë njohur prej kohësh, e me të cilat nuk ke asnjë çështje të hapur dhe ndikimi i tyre në zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës është i barabartë me zero.

Kjo është humbje kohe, shpenzim i kotë i pareve të shtetit dhe mashtrim i vetes se po bëjmë diçka.

Diplomaci e Kosovës nuk quhet të shetitemi atyre rrugëve që na i kanë hapur të tjerët, e t’i takojmë ata miq që na i kanë kriju të tjerët, pa qenë të zotë të hapim rrugë të tjera e të krijojmë miq të rinj.

Diplomaci e Kosovës quhet ajo që ia del t’i prekë shtetet që nuk na kanë njohur, e në rend të parë pesë shtetet e Bashkimit Europian, sepse aty është shkaku i bllokimit të procesit të avancimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe shkaku i manovrave të vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit tonë.

Por kësaj pune nuk ia themi dot, sepse jemi dembela, krejt jeta na shkon duke shiku kush po na e jep ndonjë ndihmë dhe në fund flemë të qetë me mendimin se Amerika ka me na i kry punët, e neve na mbetet veç me vrapu me i rrëmby meritat, të cilat, pastaj, i përdorim në kacafytjet e brendshme politike për pushtet.

__________

Paskan dalë partitë nëpër diasporë me i konsolidu degët e tyre atje. Definitivisht punë me mend, sepse qysh janë duke shku punët këtu në Kosovë nuk do të jetë e largët dita kur krejt elektorati kosovar në diasporë do të ndodhet. Ndërsa degët e partive këtu do jenë vetëm seksione të degëve në diasporë.

__________

Problemi numër një i Bashkimit Europian aktualisht është lufta në Ukrainë dhe shantazhi që po ia bën Rusia përmes gazit. Në këtë situatë çështja e dialogut Kosovë – Serbi për Bashkimin Europian ka rëndësi vetëm në aspektin e sigurisë rajonale. Krejt çfarë duan nga Kosova dhe Serbia në këtë moment është përkushtimi për stabilitet dhe shmangie të tensioneve midis dy vendeve. Kush beson se tani do të kemi një marrëveshje Kosovë- Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, thjesht është naiv. Bashkimi Europian edhe në ditët më të mira të tij s’kanë qenë në gjendje t’i lëvizë gjërat, e po është tash kur po vuan varësinë poshtëruese nga gazi rus. Në këtë kontekst më e pakta që kemi në dorë është të mos i lejojmë që të na marrin për budallenj që mjaftohemi me fjalë të bukura dhe premtime të kota.

__________

Zelenski në fjalimin adresuar Kuvendit të Shqipërisë: “Kujtoj Shën Terezën, shqiptaren që është kthyer në simbolin dashurisë ndaj njerëzimit në të gjithë botën. Ajo e mësoi njerëzimin që të mposhtë të keqen”.

E gjithë bota përkulet para shembullit të shqiptares më të madhe të të gjitha kohëve dhe, për çudi, vetëm në atdheun e saj dhe në gjuhën e saj vazhdojnë të dëgjohen zuzarë e faqezi që e ofendojnë dhe e përçmojnë kurdo që u jepet rasti.

__________

Në kët’ vend e sigurtë është veç pasiguria!

Kur del në rrugë duhet të kesh kujdes se papritur prapa mund të të sulet ndonjë qen, nga lukunia e madhe e qenve që e popullojnë Prishtinën.

Po ashtu duhet të kesh kujdes gjatë kohës që ecë trotuarit ose kur je duke kaluar rrugën, sepse janë shumë të mëdha gjasat që ta pësosh keq nga ndonjë hajvan që vozitë në mes të qytetit si në garat e Formulës.

Pastaj kur parkohesh në parkingun publik të ndonjë marketi, sepse fort ka gjasa që kur të dalësh ta gjesh makinën të bërë shkrumb e hi, ja kështu siç ndodhi sot në parkingun e njërit prej marketeve më të mëdha të Prishtinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok