20/04/2024

Një realitet i ri në shoqërinë shqiptare

0

Nga Gjekë Gjonaj

Përmbysjet që s’kishin  fuqi t’i  bënin perandoritë më të mëdha të botës e as regjimet  më të egra të kohës i bëri një  sëmundje-virus   misterioz i frymëmarrjes me origjinë të panjohur  në qytetin Vuhan të provincës kineze Hubei, më 31 dhjetor 2o19.  Me shfaqjen për herë të parë  të këtij koronavirusi të ri  ( COVID-19) në të gjitha vendbanimet  me popullatë shqiptare në Malin e Zi, sikurse në gjithë botë, solli ndryshime të mëdha.  Pandemia çoi në një ndryshim të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet shoqërore dhe kontaktet, kështu që në vend që të shtrëngonim duart dhe të putheshim, ne iu drejtuam disa formave të tjera të përshëndetjes, të tilla si prekja me bërryla ose një grusht i mbyllur.

Brenda një kohe të shkurtër ky virus i padukshëm, i cili ndryshoi krejt botën, bëri që edhe  ritet fetare, doket e zakonet tona  të trashëguara nga periudha e lashtë, të  përjetojnë thjeshtime e ndryshime ,  për të mos thënë zhdukjen e  tyre.  Këto pjesë të kulturës sonë tradicionale,   të  cilat i kishin  rezistuar  kohës  tashmë ,  u përulën përpara një virusi që, sot për sot, dihet vetëm se si quhet. Të shpresojmë për një kohë sa më  të shkurtër.  Ajo që ishte e paimagjinueshme deri vitin e kaluar është bërë përditshmëri e jetës shqiptare.

Në këtë kohë pandemie jemi dëshmitarë të realitetit të hidhur të zhvillimit të ceremonive tona  në raste gëzimi e pikëllimi, siç janë lindjet, darsmat e vdekjet.  Deri dje pothuaj ishte e paimagjinueshme dhe e papranueshme që   të afërmit e familjes  të mos shkonin me dhurata në dorë në shtëpinë e çiftit të rinj për t’i uruar foshnjës  së posalindur jetëgjatësi.  Shqiptarët besonin se  data e dasmës  nuk mund të ndryshojë, sepse në rast  se ajo shtyhet sjell fatëkeqësi tek çifti i ri. Po ashtu për shqiptarët ishte e pabesueshme  që personi  që ka ndërruar jetë të shoqërohet  për në shtëpinë e përjetshme  vetëm nga familjarët. Masat për parandalimin e koronavirusit nuk lejuan asnjë përveç familjarëve të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. Gjithashtu u ndaluan edhe drekat mortore, pra një lamtumirë në distancë.Të gjitha këto rregulla zakonore të shqiptarëve  që  përmenda nuk besohen më. Ato  kalojnë pa zhurmë, në fshehtësi të plotë e larg syve të botës. Thënë shkurt e shqip, të gjitha ceremonive, qofshin këto për të mirë apo për të keq , në kohën e virusit korona, iu ka mbetur vetëm emri.  Dhe ky realitet krejt i ri  ndodhi   brenda një harku të shkurtër kohor.

Pandemia Covid-19,   përveç gëzimit të jetës dhe fatkeqësive njerëzore,  ndryshoi tek shqiptarët në  Malin e Zi    edhe shumë tradita të tjera që i kishin rezistuar kohës.Distanca fizike dhe  masat e   tjera që imponoikoronavirusi sollën  që ritet e festave, meshat dhe lutjet   të mos praktikohen  si në kohën normale. Ato u zhvilluan  në shtëpi për të shmangur grumbullimet e njerëzve. Meshat e lutjet  në shumë kisha e xhami  janë kryer online. Besimtarët kanë festuar vetëm me familjet e tyre.Ajo që, sipas psikologëve dhe  sociologëve,  duhet   të marrim  si shoqëri pas një viti e gjysmë  ne dhe e gjithë bota, është se  duhet të ndiejmë se njerëzimi është një tërësi e vetme dhe se një armik i përbashkët na bashkon globalisht dhe na bën të vetëdijshëm për përkatësinë e njeriut,  racës dhe civilizimit.Ne, siç  pohojnë  ata,  duhet të shohim se e vetmja rrugëdalje është një qëndrim bashkëpunues, si dhe  të mbështetemi  te shkenca dhe njohuritë e saj, e jo te  kategoritë e vlerave dogmatike  dhe retrograduese, duke përfshirë  këtu edhe të ashtuquajturat “ teori të  konspiracionit” të cilat janë  vetëm maja e Ajsbergut. Pa marrë para sysh  këto vlerësime të sociologëve dhe psikologëve  mbetet e drejtë e secilit  person ( individ)  që  ritualet ( ngjarjet)  më  intime t’i vlerësojë  vetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok